Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Potoku: Në ballë fortunash (Poemë kushtuar Avdi Ramocës)

| E marte, 14.04.2009, 07:18 PM |


NUHI POTOKU
NË BALLË FURTUNASH
(Poemë kushtuar Avdi Ramocës)

Besianë, 2009
   
Redaktor: Muhamet Reçica  
Recensent: Milazim F. Kadriu  
Botuesi: Autori  
Ballina: Burhan Blakqori
Shtypi: "TREND" Prishtinë

KUSHTESë FAMILJES Së AJET MEHANëS,LLAPJANIT I CILI ISHTE I SHPëRNGULUR NGA KOSOVA Në TURQI DHE JETONTE Në ÇENEKALA I CILI PëR KATëR VITE E MBAJTI AVDIUN DHE KUSHERININ HAMITIN Që E VRAN MILLAN UROSHEVIQIN-KAPETANIN DHE GJITHë ATYRE Që I STREHUAN,USHQYEN DHE I NDIHMUAN ATDHETARëT TANë Në KOHëT Më Të VëSHTIRA.
AUTORI

Kjo poemë botohet me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Avdi Ramocës ,10 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe një vjetorit të Pavarësisë së Kosovës NXJERRJA Në DRITë E PERSONALITETEVE KOMBëTARE Pas prezantimit të suksesshëm para lexuesve me poemat për atdhetarët Shaban Shala, Zahir Pajaziti, Hasan Ramadani, Isë Mërnica dhe disa përmbledhje me poezi, krijuesi llapjan, Nuhi Potoku, vjen me poemën e re për një trim të Grykës së Mavriqit, Avdi Latifi, i njohur si Avdi Ramoca. Gjithë poemën autori e mbështet në të dhënat nga njerëz të vjetër që e kanë njohur Avdiun dhe e kanë ditur veprimtarinë e tij si dhe nga familja e tij. Poema "Në ballë furtunash" e Nuhi Potokut flet për një personalitet që i ka kontribuar mjaft me vepra të mira një territori të rëndësishëm të Shqipërisë etnike. Nëpërmjet kryepersonazhit dhe aktivitetit të tij autori e qet në shesh veprimtarinë atdhetare të Avdi Ramocës dhe të shumë bashkëveprimtarëve të tjerë në ruajtjen e kufirit dhe luftërat e zhvilluara në mbrojtje të atdheut. Autori ka arritur të nxjerrë në dritë personalitetin e Avdi Ramocës që gjeneratat e reja pak ose fare pak kanë ditur për veprimtarinë e tij atdhetare, i cili ka shërbyer me vite e dekada si një luftëtar i dalluar për ruajtjen e kufirit dhe çlirimin e territorit nga okupatori. Për të prezantuar sa më saktësisht veprimtarinë e Avdi Ramocës autori poemën e ka ndarë në njëmbëdhjetë pjesë, ku në secilën nga to bëhet fjalë për aktivitetet e tij të shumta dhe bashkëpunimin me luftëtarë dhe patriotë të tjerë të kohës, si Isë Boletini, Hys Popova, Azem Bejta e trima të tjerë të Llapit e më gjerë. Që në pjesën e parë të poemës përshkruhet personaliteti i Avdi Ramocës që nga lindja, për të cilin ishin gëzuar shumë farefisi, sepse lindja e një djali konsiderohej një pushkë më shumë në mbrojtje të atdheut. Pastaj flet edhe për trimat e tjerë të mëhershëm nga kjo familje. Në vazhdim bëhet fjalë për luftërat e zhvilluara në mbrojtje të kufirit te Guri i Uglarit, e ku vazhdimisht aty ishte Avdi Ramoca. Njëra ndër këto luftëra të zhvilluara është edhe ajo kur heroikisht bie në mbrojtje të kufirit një luftëtar i njohur i kësaj ane, Halit Tashefci. Edhe thirrjes së Isë Boletinit për luftë në Kulinë për ta shporrë turkun nga aty, Avdi Ramoca mbledh trima të Malësisë së Llapit dhe i shkon në ndihmë. Avdi Ramocën e gjejmë edhe në Popovë, kur Hys Popova në kullën e tij ngriti flamurin kombëtar. Kjo ngjarje ka ndodhur para ngritjes së flamurit në Vlorë. Më pas ai merr pjesë edhe në tubimin e mbajtur te Lisat e Kurullovës apo në Kodrën e Flamurit, ku u mbajt Kuvendi i lidhjes së besës në mes të Llapit dhe Shalës për ta luftuar okupatorin. Në këtë kuvend morën pjesë1000 trima nga Llapi dhe 500 nga Shala, e ku prezenca e Avdi Ramocës dhe fjala e tij u ndoqën me interesim të madh nga të pranishmit. Avdi Ramocën e gjejmë si pjesëmarrës aktiv i Kuvendit të Murgullës, kuvend i njohur ky për bashkimin e çetave kaçake dhe mobilizimin e tyre për luftëra të reja kundër okupatorit. Në këtë kuvend ka marrë pjesë edhe prijësi i çetave kaçake, Azem Bejta. Në vazhdim të poemës autori na e përshkruan edhe rastin kur xhandarët e Millan Urosheviqit (i njohur si Millan Kapedani) me urdhrin e tij e rrahin Beçir Kiçmarin në Pollatë vetëm pse ishte mik i Avdi Ramocës. Ky rast e kishte pezmatuar edhe më shumë Avdiun në Millan Kapedanin. Millan Kapedani nga ana e Kralit ishte caktuar kryetar komune në Pollatë, i cili çdo ditë e më shumë rriste presionin dhe keqtrajtimin ndaj popullatës së kësaj ane. Mirëpo, këto presione Avdiu nuk i duroi dhe një ditë ia pagoi hakun atij. Kështu një ditë pasi ishte fjalosur me të, Avdiu merr pushkën dhe i del në pritë kur ai kthehej nga Pollata. Me të kishte shkuar edhe kushëriri i tij, Hamiti. Avdiu kreu detyrën që i kishte parashtruar vetes. Kreu detyrën patriotike për të cilën e përgëzuan gjithë Malësia e Llapit e më gjerë. Pas këtij rasti Avdiu dhe Hamiti largohen përkohësisht nga vendi duke shkuar në Turqi tek Ajet Mehana. Atje qëndrojnë një kohë, por Avdiu nuk mund të qëndronte atje, e sidomos pasi e mori vesh se në shtëpinë e tij e kishin vendosur një serb nga Banja e Kushumlisë, të cilit edhe ia kishin bërë tapi tokën dhe shtëpinë e Avdiut. Të kota ishin lutjet e Ajet Mehanës që të mos kthehej, sepse rreziku për të dhe familjen e tij ishte e madhe, por Avdiu kishte vendosur që të kthehet në Sllatinën e Mavriqit dhe ta largojë nga shtëpia e tij serbin e vendosur aty. Ai u vendos sërish aty, sepse ai nuk dinte çka është frika, ku shpesh thoshte: "Nëse vritem unë, luftojnë rinia, derisa në Kosovë të vjen liria". Ai nuk e përfilli asnjë dokumentet që pushteti i okupatorit i kishte dhënë serbit të vendosur në tokën e tij. Kështu Avdiu u kthye në shtëpinë e tij, duke jetuar aty dhe duke qëndruar edhe pasardhësit e tij, duke i qëndruar besnik çdo herë ruajtjes së vendit dhe rojë kufirit të shqiptarisë. Nëpërmjet vargjeve të poemës lexuesit i bëhen të njohura shumë të dhëna, të cilat nuk kanë qenë të njohura më parë. Kjo bëhet edhe më interesante, sepse nëpërmjet detajeve historike arrihet për t’ u inkorporuar edhe pjesa e Llapit në tërësinë e historisë kombëtare shqiptare, ku edhe Avdi Ramoca zë vend si njëri që dha kontributin e vet për lirinë e Kosovës. Nuhi Potoku në poemën e tij "Në ballë furtunash" Avdi Ramocën na e paraqet si një personalitet të guximshëm, të urtë dhe të pathyeshëm, që ishte i gatshëm të jetë çdo herë aty ku e kërkonte vendi. Në këtë poemë Avdi Ramocën e gjejmë si një luftëtar e si familjar të denjë, që luftoi gjithnjë për të ruajtur nderin kombëtar, dinjitetin dhe prestigjin familjar, fenomen ky që e ka shpëtuar popullin shqiptar nga zhdukja e përgjithshme në historinë e tij të gjatë, ngase ka qenë i okupuar me shekuj nga okupatorë të ndryshëm që janë ndërruar njëri pas tjetrit. Avdi Ramoca jetoi në atë anë të atdheut ku tentimi i okupatorit serb ishte çdo herë të gllabërojë tokat shqiptare, siç kishte vepruar në më se 700 fshatra të Sanxhakut të Nishit dhe Leskovcit, duke dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre stërgjyshore, por këtu ashtu nuk u doli, sepse kishte djem që mbronin interesat kombëtare shqiptare për të mbijetuar dhe mbrojtur trojet stërgjyshore. Në luftërat e zhvilluara në kufirin shqiptaro-serb, sidomos në ato të zhvilluara te Guri i Uglarit, Avdi Ramocën autori e nxjerr si një luftëtar trim që ishte në istikame çdo herë me bashkëluftëtarët e tij. Okupatori në Llap asnjëherë nuk është konsideruar si pushtet, e këtë e shohim edhe nga poema, ku Avdi Ramoca nuk e konsideron si pushtet Millan Kapedanin, të cilin e vret pa hezitim, me gjithë rrezikun që mund t’ i kanosej atij dhe familjes së tij. Treva e Llapit gjithherë ka qenë më e rrezikuara në çdo kohë dhe situate, e sidomos krahina e Mavriqit që ndodhet në kufi me Serbinë. Avdi Ramocën në poemën e Nuhi Potokut e gjejmë edhe si kundërshtar të denjë të tendencave invaduese të Serbisë për të zbrazur Kosovën me anën e kolonizimit, ku xhandarët përzinin shqiptarët nga trojet e veta, duke u dhënë dokumente për të shkuar në Turqi. Edhe pse vetë Avdiu jetoi një kohë në Turqi, atëherë kur vrau Millan Kapedanin, ai i qortonte shqiptarët atje që i kanë lëshuar tokat e tyre dhe apelonte te ta që të kthehen sërish në Kosovë. Ai pavarësisht rrezikut, u kthye dhe e përzuri serbin, të cilin e kishin vendosur në shtëpinë e tij, e u vendos sërish aty.
Revuçë, 24 janar 2009 Milazim F. Kadriu
 
  PAMJA E VEPRA TRIMËRISHT I FOLI

  1.
  Kur Avdiun Zoti e fali
  Plot atë kullë e mbushi djalë
  Krisën pushkët, u lëshuan oshtimat
  Për adet kur lindin trimat.
 
  2.
  Nga gjithë fisi merr uratën
  Gjatë tërë jetës të ndjekë të bardhën
  Kundër okupatorit çdo herë
  Ta përdorë pushkën e shpatën.
 
  3.
  I pari i fisit urdhër jep
  Një lis i drejtë të prehet për djep
  Tregon trimëri në kral e mbret
  Për liri të vendit të vet.
  4.
  Përkundej nga nëna në djep
  Si fëmijë me pamje të rëndë
  Pa kaluar shumë muaj a vjet
  Filloi të ecë me hapa të rrallë
  Si i vogël me rrudha në ballë.
 
  5.
  I dëgjonte burrat pranë oxhakut
  Kur për trimëri mbanin fjalë
  Për atdhe të veprohet mbarë
  Peshë i kishte ajo fjalë.
 
  6.
  Kombin e fisin i dinte për t’ vetin
  Plisin e bardhë e kishte për qejf
  Gjithë katundet e ati Mavriqi
  Prej të parëve, burra të mëdhenj
  Mbante besën e burrërinë
  Kudo gëzonte simpatinë.
 
  7.
  Edhe më i hershëm lis i këtij fisi
  Që me gjak e ngjyrosi plisin
  I këndohej në kulla deri n’orë të vona
  Herë me lahutë, herë më sharki
  Halil Ramocës për trimëri.
  8.
  E ka njohur Llapi anembanë
  Avdi Ramoca, dai i kanë thënë
  Burrë i zoti shpatullgjerë,
  Në tirq të zi me gajtanë
  Pushkën gati, përherë në këmbë.
 
  9.
  Bartte rreth brezit shokën e larme
  Me ferment atë xhamadan
  Në kokë krenar plisin e bardhë
  I Sllatinës së Llapit pika e trimit
  Njerëz si ky iu deshën kufirit.
 
  10.
  Sy skifteri kishte nën vetulla
  Fytyrën e ashpër të një malësori
  Kush për të keq emrin s’ ia mori
  Pamja e vepra trimërisht i foli.
  TE GURI I UGLARIT
 
  TRIMAT DALIN SHPEJT SI ERA
  1.
  Ç’ janë këto krisma n’ Uglar te guri
  Janë mbështetur shqiptarët për muri
  Shkiet n’ karakoll ia kanë mësy
  Lehtë do t’ia arrijnë e kanë marrë në sy.
  Sikur trima të mos ketë
  Që tokës shqiptare t’i dalin zot.
  2.
  Shkojnë e s’kthehen gjallë do burra
  Që me shkie t’ mos kemi ura
  Që të mos fiken unët në konaqe
  I kurdisin pushkët në faqe.
  3.
  Shumë e madhe u çua potera
  Po i vijnë kufirit llapjanët si era
  Halit Tashefci me pushkë në sy
  Nuk lëshon shka me hy n’kufi.
 
  4.
  Me zë të lartë e lëshuan kushtrimin
  - Nëse i afroheni këndej kufirit
  Shki e shkina kanë me ju vajtu
  Me dy mendje s’ kemi ardhur këtu
  me iu kthye të gjallë shtëpisë
  Po do të mbesim gurë të shqiptarisë.
 
  5.
  Pyetnin trimat shoku-shokun
  A është këtu afër Avdi Ramoca?
  - O krah të djathtë këtu më keni
  Bashkë me trimat anembanë
  Sikur të jemi në Shqipërinë nënë.
 
  6.
  Qysh po të rrinë ata shkie para teje
  Paskan pi e llavë po vijnë
  Çka të bëjmë që e humbëm Toplicën
  Se këtu sot do t’ua poshtërojmë kapicën.
  7.
  Po shkon këngë, po shkon bërtimë
  Thirrja "përpara vëllazni" tmerron shkininë
  O sot vetë flet istikami
  Sa një bjeshkë sot Avdi azgani.
  Me zë të madh heroi i këtij guri
  Vriten shkiet prej Halit burrit.
 
  8.
  Sa herë rrezikohet vatani
  Trimat ngriten në këtë rrethinë
  Kur luftojnë llapjanët trima
  e bëjnë namin e kërdinë.
  Në Kushumli zëri shkoi për beter
  Pushka e trimave jetën po ua merr.
 
  9.
  Një shka Halitit i ka shpëtuar
  Sa rëndë i erdhi këtij burri:
  - O mos me të rrokë plumbi i pushkës
  Me dorë të zë të kafshoj me dhëmbë!
  E paska rrok qenin pak në këmbë
  I dha zor hipi n’ karakoll
  Një shka i plagosur në gjoks e qëlloi.
  10.
  Heroikisht te guri i kufirit
  Bjen dëshmor i lirisë
  Shembull për gjeneratat që vijnë
  Si duhet mbrojtur kufijtë
  dhe nderin e shqiptarisë.
 
  11.
  Kush është ky njeri
  Që me pamje e me zë i prishë
  - Ky është zëri i Avdiut
  Iu afrua Halitit trimërisht i foli:
  - Trimëria, vëlla, këtu të solli.
  E shtrëngoi e puthi në ballë
  Në gjoks plumba paske marrë!
 
  12.
  Këtë tokë ne e kemi tonën
  Të parët na e kanë lënë
  As s’ e shesim, as s’mund ta falim
  Me gjak shpesh gurët e kufirit i lamë
  Dhe këtu mbetën emri e nami
  Trim pas trimi jetën e dhanë.
 
  13.
  Avdia trimërinë trashëgim e ka
  Që nga fisi e familja
  Një zë të lartë ai e lëshoi:
  - O, duhet të hakmerremi sot, o burra
  Për Halit Tashefcin!
  14.
  Le ta dinë mal e fushë
  Për Halitin po qesim pushkë:
  - Kthehuni shkie, ne s’ bëjmë hoka
  U ka dalë në ballë Avdi Ramoca.
  15.
  Për këtë trimëri n’ guri të Uglarit
  Nga Guri i Bardhë në këtë anë
  kanë ardhur tre të bijtë e Talit
  I larguan shkiet mbatanë.
  Guri i kufirit rëndë po flet:
  Halit Tashefci me gjak më ujiti
  me gjakun e shqiptarisë
  Lavdia t’ u përcillet brezave
  Në vitet e historisë.
  GRYKËS PLOT LAKINA
  AVDIU SHKON NË LUFTË TE KULINA
  1.
  Sa herë vendi thirri trimërinë
  Avdi Ramoca ishte në ballë
  merrte manxeren e alltinë.
  Ka thirrë Isa Boletini te Kulina:
  - Ta ndjekim turkun kah Prishtina
  Se n’ robëri më s’ mund të rrimë.
 
  2.
  Thirren trimat që luftojnë për këto troje
  Që për të mirë zihen në gojë
  Që askush të mos na bëhet
  sundimtar nëpër oborre
  Të na shkelin e të na bëjnë horë.
  3.
  Mbledh djemtë Avdiu
  Që në luftë të shkojnë
  Shumë trima në Grykë të Mavriqit
  Janë tubue pa pritesë.
  N’ kali vranq Avdia u gjue
  - Thrret vatani, s’ka me u kujtue.
 
  4.
  Veshja kombëtare i kishte hije
  Me një qëndrim dhe një të folur
  Që rrallë ta shohësh e rrallë ta ndiesh.
  Lëshohet Grykës plot lakina
  Pas i shkonin shqiptarët trima.
  5.
  Erdh Mavriqi po hyn në Kulinë
  Përpara e çojnë gjithherë trimërinë
  Betim në Zotin për shqiptarinë
  Ia shtojnë Llapit krenarinë.
  AVDI RAMOCA NË POPOVË ROJË FLAMURI
  1.
  Çka ka thirrë ai Hys Popova
  Na erdh te kulla miku Avdi Ramoca
  Pikë e pikë burra thirren në kuvend
  Me njerëz të dijes, të pushkës e të mallit
  T’i dalin zot këtij vatani.
 
  2.
  Po e bëjmë tonën, flamurin ta ngrisim
  Kush s’ e do i plasin dy sytë
  Mbi kullë të Hysit të valëvitet mbarë
  Ta përcjellë faqja e bardhë.
 
  3.
  Janë tubuar të njohur do burra
  Që dalin në skenë kur ka furtunë
  Nga Mavriqi burrat kanë ardhur
  Në çdo tubim janë faqja e bardhë
  E kanë dijen e trimërinë
  Ua shtojnë kullave krenarinë.
  4.
  E merr ngryk Hysi Avdi Ramocën
  E kemi fjalën, e kemi kohën
  Shumë përmallshëm shtrëngojnë duart
  Me lot në sy puthin flamurin
  Djalë pas djali ta kemi mbi kulla
  Ta trashëgojmë të gjithë, o burra.
 
  5.
  Në kullë shqiptare në Popovë, në Llap
  Flamurin kombëtar sot po e ngrisim
  Një luftë të madhe po e nisim
  Po kjo fushë me gjak njomet
  Sa herë shqipes i rrezikohen trojet.
 
  6.
  Gjithherë njerëzia të mos harrojnë
  Ndoshta kullën ma rrafshojnë
  Por zemrat mal të këtij populli
  Nuk munden dhe nuk guxojnë.
 
  7.
  Për jetë të jetëve flamurin ta gëzojmë
  Thith cigaren rrallë, por thell
  O Zot, besëprerë kush të mos na dalë
  S’ka qysh bëhet
  veç qysh është mbjellë.
  LLAP E SHALË LIDHIN BESË NË KODRËN E FLAMURIT
  1.
  Isë Boletini lëshon kushtrimin
  Për liri thërret çdo trim
  Mjaft jetuam vetëm me shpresë
  Duam të dalim të lidhim besë
  Llap e Shalë për besë të burrit
  Vendtakim n’ Kodër t’ Flamurit.
 
  2.
  Kanë ardhur të lidhin besën Llap e Shalë
  Në luftë për çlirim të na prijë e mbara
  1000 veta janë tubuar nga Llapi
  500 të tjerë kanë ardhur nga Shala.
 
  3.
  Është mbushur bardhësi ajo kodër
  Nga të katër anët shumë burra
  Pyesin trimat kush është ai burrë
  Që të gjithë i përshëndet me dorë në zemër
  Është trimi nga Sllatina e Llapit
  Avdi Ramoca i thonë me emër
  Për liri ka të madhe zemër.
  4.
  I shkëlqen plisi plot bardhësi
  Të mos na dhimbëset jeta jonë
  Në liri të rriten djemtë tanë.
  5.
  Mos ta harrojmë Toplicën
  Se nuk është fort moti
  Na mallkon dheu, gjaku, varret
  Na mallkon edhe Zoti.
 
  6.
  Llap e Shalë erdhën në kuvend
  Që askush kështu s’ e mban mend
  Ta bëjmë shtetin tonë një herë
  Të gjitha të tjerat vijnë me rend.
  7.
  Mori fjalën Avdiu e po thotë
  Po një vërejtje unë e kam
  Ato pushkët e lira
  Që po vijnë nga Serbia
  Në ditë gjë ky Avdi Ramoca
  Aty e ka kërthizën tradhtia.
  8.
  T’ i hapim sytë, o burra
  Të mos nxehemi shpejt
  Po çfarë ndihme po pritni prej Serbisë
  Pak më shumë se 30 vjet
  Ajo na mori Toplicën
  E si t’ i besojmë kapicës.
  9.
  O vëllezërit e mi, mendoni një herë
  E humbëm Toplicën
  Të mos humbim edhe këtë herë
  S’ lejojmë troje të tjera
  Serbia të marrë.
 
  10.
  Të gatshëm për të qëndruar
  Për vendin tonë jemi të gjithë
  Në dimër e në verë
  O zot, tradhtia të mos ketë vend
  Ndër ne asnjëherë.
  TRIMAT E LLAPIT RRETH E PËRQARK,
  KUVENDI I MURGULLËS KAÇAKËT I BËNË BASHKË
  1.
  Shkinia në Llap diçka janë çuditur
  Pse këto lëvizje sikur retë në qiell
  Në grykë të Llapit krerët janë mbledhur
  Lëvizjen Kaçake populli e sheh si diell.
 
  2.
  Janë tubuar shumë kaçakë
  Maleve të Llapit rreth e përqark
  Ia kanë mësyrë odës së Ramë Sabedinit
  Sy skifterit, besa e trimit.
  3.
  Kanë bërë mendjen të bëjnë kuvend:
  -Regjim shkau këtu s’ka vend
  Nuk do mbesin trojet e shkreta
  Përshëndet kuvendin Azem Bejta.
 
  4.
  Fjalë pas fjale vazhdojnë kuvendin
  Avdi Ramocës i vjen rendi
  Ta marrë fjalën para burrave
  Është prej atyre që s’iu ik furtunave.
 
  5.
  Ia ngul sytë aty çdo burrë
  Fjala e tij e bime gurë
  Llapi ynë në luftë me shka
  Nuk kursen njerëz dhe asgjë
  Flijohemi për liri deri në një.
 
  6.
  Avdi Ramoca qofsh me nder
  Për grykëngushta të kemi përherë
  - T’ u lumtë goja Avdi Ramoca
  Kësi trimash duhet të ketë Kosova.
  -Ka pasur trima dhe do të ketë
  Nëse e ndalim qëndresën, o burra
  Kosovë s’ka më,
  S’ dinë të ndalen këta kaurra.
  S’ MË QËLLOI, MOTËR, AS SHTAGË NË DORË
  SE KJO KURRË S’ MË KISHTE NDODHUR
  1.
  Gjithherë të etshëm për farë e fis
  Ashtu të lidhur për miqësi
  Beqir Kiçmari nga Lladovci
  U nis ta vizitojë motrën e tij
  Dhe mikun Avdi Ramocën
  Që e kishte në Sllatinë të Llapit.
  2.
  Lëshoi Pollatën u drejtua për Sllatinë
  Kishte lëshuar Krali pushtetin e vet
  Rrihte burra, gra e pleq
  Për shqiptarët mendonte keq e më keq
  Tjetërkund, thoshte, të bëjnë jetë.
  3.
  U takua me Millan Kapetanin
  I shoqëruar nga pesë xhandarë
  S’di dreqërit vesh nga e kishin marrë
  Se Beqiri mysafir kishte ardhur.
 
  4.
  I përshëndet Beqiri sipas traditës
  Shpejt një e dhënë doli në fushë
  Në Avdinë kapedani ishte mbushur
  Po pret rastin kur ta gjejë ngushtë.
 
  5.
  Pyet Beqirin kapedani
  A ti je miku i Avdisë
  Xhandarëve shenjë u dha
  Me ia rrah mikun e shtëpisë
  Ta afrojë më afër belanë
  Se vetëm të shikohen keq
  S’ ia vlen barra qiranë.
 
  6.
  E rrahin xhandarmëria Beqirin
  Po edhe kapedani vetë
  Hajt tash përshëndete Avdinë
  I përgjakur kështu në hundë e gojë
  Të të shtie nën dru kapedani
  Kjo nuk ishte lojë.
  7.
  E lanë të shtrirë kështu Beqirin
  Dhe thyen qafen teposhtë rrugës.
  - O zot, në çfarë gjendje më prunë
  Po mendon Beqiri vetmëvete
  Të kthehem në shtëpi këmbët s’më bëjnë
  Të shkoj te motra rëndë po më vjen.
 
  8.
  U ul në mal, pushoi pak kohë
  E lau gjakun në kroin me ujë
  Këtë gjendje s’e kishte menduar
  Kapedani këtë do ta paguajë.
 
  9.
  U nis rrugës Beqa përpjetë
  Për të mbërritur te motra e tij
  I duel motra ngryk e mori
  - Po ku t’ kam, Beqir Sokoli
  -Fort mirë, motër, fliste prej zori
  Po pas pak po i tregon
  Nuk jam mirë, motër, po i thotë
  Nga xhandarët e kapetanit
  Rëndë jam rrahur unë sot.
 
  10.
  Atëherë motra e përben në dinë
  Ia lëshon sytë mirë ta shikojë
  Ish ai Beqa në sy e fytyrë
  Si të ndodhi, vëlla, kjo bela.
  -Shuaj, moj motër, nuk ka çka.
  11.
  Rrugës, motër, pak pa ardhur
  U ndesha në kapedanin me xhandarë
  Dhe më pyeti kah ia ke mësyrë
  Unë i thash te Avdia i Ramocëve
  Ai me sy ua bëri shokëve
  - S’ më qëlloi motër as shtagë në dorë
  Se kurrë kjo s’ më kishte ndodhë.
 
  12.
  Më tha, qeni, pasi po shkon
  Te Avdia mysafir
  Bëni të fala e ti bëfsh më mirë
  - Të lutem, vëlla, Avdiut mos me i tregu,
  Ka do kohë me ta punët s’ i ka mirë
  Me atë thi kapedan Millanin
  Ky s’po do t’ i bjerë n’ aman
  T’ i kërkojë të falur,
  të kaluarën ta lënë.
 
  13.
  - Po e mori vesha Avdia
  Këtë të keqe që t’ndodhi sot
  Ta jap motra besën e Zotit
  Ka me dalë me u hakmarrë
  E ti nesër te motra s’ke ku me ardhë,
  Na presin shkiet me çka kemi të gjallë
  Duhet me prit naj ditë ma të bardhë.
 
  14.
  Po s’ më the, motër, Avdia ku është
  - Ka shkuar, vëlla, larg në një pleqëri
  Edhe dy ditë s’kthehet në shtëpi.
  15.
  E pret një delme të majme
  Dhe e fut Beqirin në lëkurë
  Ta mjekojë prej drurit të kralit
  Që shpesh ia jepnin shqiptarit.
 
  16.
  U mjekua Beqa dy ditë e dy net
  Bëri më mirë e shkoi në shtëpi
  - As ti, as unë Avdisë të mos i tregojmë
  Për këtë rrahje hakmerrem vetë.
 
  17.
  Kur u kthye Avdia në shtëpi
  -A ka qenë kush gruan po e pyet
  - Ka qenë Beqa nja dy net.
  - Po qysh ishin ajo anë
  -Mirë, thoshte, s’ka qysh me kanë
  Veç krali po na sunon.
 
  18.
  Ia preva një delme, i bana muhabet.
  - Hallall të qoftë, mori grua
  Shumë mirë paske vepruar
  Mik për qejfi Beqa më ka qëlluar.
  19.
  Nuk është dashur, grua
  pa ardhur unë ta lëshosh
  - Tha s’kam më shumë ren.
  Kishte punë që e prisnin
  E të fala ty të ka bërë.
 
  20.
  Pas pak ditësh erdhi xhumaja
  Niset Avdia të shkojë me u falë
  E pyet dikush: Avdi, qysh je
  Po mysafirin si ma ke
  A i kaloi ajo farë flame.
 
  21.
  S’dinte për çka po e pyesnin,
  por diçka të dyshimtë ka
  - E kanë rrahur xhandarët Beqir Kiçmarin
  Sipas urdhrit të Millan kapedanit.
  Sa rëndë Avdisë i erdhi kjo
  Si me i ra bjeshka mbi krye.
  Uli kokën në shtëpi u kthye.
 
  22.
  I mërzitur u kthye në shtëpi
  I duel gruaja te dyert përpara
  Donte kalin t’ia marrë
  - A mund erdhe, njeri, po i thotë.
  Hiq Avdia nuk po i fol.
  Fort mirë gruaja e kuptoi
  Se Avdia vesh e paska marrë.
  23.
  Mori fisnike, diçka të më tregosh
  A e ke ditur që kapedani
  Ta ka rrahur vëllain ty,
  mikun që konakut tim ia ka mësy.
  - E kam ditur se kjo më gjanë
  Me të tregue mendova s’ bën.
  Ti me ta punët s’i ke mirë
  E me ta mund të bësh fjalë
  E mua me fëmijë
  s’ më mbetet më të mbes gjallë.
  24.
  I bien me shkurtas gruas dy-tri herë
  Pasi punën vesh e merr.
  -Eh, more Millan shkau
  Po m’i rreh edhe mysafirët
  Që ia kanë mësyrë tek unë
  Besa e Zotit, ka me të dalë punë
  Në këtë grykë ja ti, ja unë.
 
  25.
  Është e ngushtë Gryka e Mavriqit
  Nuk zë më shumë.
  Le të punojë kapedani me ligjet e kralit
  E unë me Kanun
  Plumbat trupit kanë me i ba punë.
 
  26.
  E di mirë që e ke kralevinën
  Po kurrën e kurrës s’ta kthej shpinën
  Kemi me u ndesh ballë për ballë
  Ardhtë kjo ditë dhe qoftë e bardhë.
  NDALU PAK KAPEDAN,
  AVDI RAMOCA KËSHTU S’ DURON
  1.
  Kur është vendi në robëri
  E përcjellin popullin shumë ndodhi
  Na erdhën shtete e pushtete
  Çdo gjë kurdisën vetëm për vete.
 
  2.
  Mbushen vrerë atje në Serbi
  Vijnë ta zbrazin n’ shqiptari
  Marrin detyra të bëjnë zi
  Kështu veproi edhe Millan kapetani.
 
  3.
  Shka i zoti, ta shohësh me sy
  Azgan, qeni, deri aty
  Me mustaqe e grada në krah
  S’ dinte për frikë as për gjynah.
  4.
  Shumë e kishte hijen e rëndë
  Sikur të donte të hajë me dhëmbë
  Askush kile pa ia lënë
  Dita e largët s’ka me kanë
  Kur do dalë te shqiptarët n’ këtë anë.
 
  5.
  Fjalë të këqija era po i sjell
  Millan Urosheviqi "presednik"
  në Mavriq po vjen.
  I kishte dalë zëri për të zi
  Prijës i parë nëpër errfi.
  6.
  Kam do kushte shqiptarëve t’ua parashtroj
  Kush s’ i kryen do të ketë punë me mue
  Janë shqiptarë ata do t’ i bëjnë
  Kanë kusure ato do t’i lajnë.
 
  7.
  Do të kërkoj te ta desh, lopë e cjep
  Nëse thonë jo lëkurën ua rjep
  Do t’ i prek në besë e nder
  Do t‘u hyj pa thirr në derë.
  8.
  Pasi një ditë kapedani
  ishte prishur me shkinë
  Mendoi që me shqiptarë
  Ta provojë trimërinë
  T’ ua shkelë plisin, krenarinë.
  I hypi atit në shpinë
  Pas Shëngjergjit ra në Sllatinë.
 
  9.
  Kishte qitur në krah pushkën e tij
  Në brez ngjiti thikë e allti
  Iu duk vetja kuçedër më
  Ia lëshonin rrugën njerëz e gjë.
 
  10.
  Mirë e njihnin kapedanin e zi
  Mbillte frikë e tmerr nëpër njerëzi
  Në punë të thella nisi me hy
  Për të kurrgjë nuk kishte kufi.
 
  11.
  Si për inat ngrente shajkaqe
  Kishte dalë në Llap të nxjerrë telashe
  Kur e shihnin njerëzit kah vjen
  Iknin prej tij binin në llagëm.
  12.
  "Presednik opshtine" në Mavriq
  Krali këtë e kishte emëruar
  Të vendosë të kralit pushtet
  Të marrë grada sa të dojë vetë.
 
  13.
  Frikë e madhe dukej kudo
  Kapedani ishte kërcënuar
  Gjithkush frikësohej për fatin e vet
  Haj, Serbi, pa kapedan mbetsh.
 
  14.
  Një ditë kapedani
  Me Avdi Ramocën u takua
  I cili për trimëri e burrëri
  Nuk e kishte shoqin në atë anë
  - Po a ty të thonë Avdi daija
  - Po, kapedan, në tokën time jam.
 
  15.
  Eh, more Avdi, s’ po e dini fuqinë e Kralit
  Dielli ynë po ua ngroh ballin
  Dhe hëna që natën u shndrit
  Duane Serbinë si dy sytë!
  16.
  Hiq Avdia nuk i jepte çehre
  - Të ma bësh, Avdi, një bletë në koshere
  Deri në Pollatë kam pak punë
  Ndoshta për këtë herë nuk është shumë.
 
  17.
  Nënçmim të madh Avdia paska ndier
  Të më shkojë bleta pa kurrfarë nderi
  Këtë nuk mund ta lejoj
  Dhe te arma mendja i shkoi.
 
  18.
  Në dorë e sillte qeni atë shajkaqe
  Kësaj vere këtu kam konaqe
  Deshën apo s’deshën kjo i ka gjet
  -Për fillim, Avdi, qitma një bletë.
  Që ta dish se krali këtu ka pushtet.
 
  19.
  Keq Avdia sytë ia ka lëshuar
  Kapedani kështu nuk ishte mësuar
  -Kah të kthehem kam me të kallëzue
  Te ti, dai, kam me drekue.
  20.
  Vetmeveti foli kapedani
  Shikim të keq Avdia më bëri
  Sot e merr vesh ai kapadai
  Se Millan kapedani është këtu zotni.
 
  21.
  Ndalu pak, more kapedan
  Sikur për shqiptarë
  Nuk po dishe shumë
  Jemi njerëz të varfër
  Pa shkollë e pa pushtet.
  Por nderin e trimërinë
  Këtej e kemi adet.
 
  22.
  Ani, kapedan, ti more dai
  Asgjë të keqe s’kam pasur me ty
  Kah të kthehesh këtej
  Unë të bëj gosti.
 
  23.
  Shkoi në "opshtinë" kapedani
  Sa shumë ishte trimëruar
  Edhe rakia pak
  E kishte qejfuar.
  25.
  U ndal pak Avdia
  të mendohet si di
  Me Hamit kushëririn të konsultohet.
  Ardhja e kapedanit, or vëlla,
  Mund të na shpeshtohet.
  Një herë në rrugë
  e nesër në shtëpi
  Kjo s’mund të durohet.
  26.
  Po të na vijë puna ta ulim kokën
  S’ ka çka na vyen
  të na e japin krejt botën
  Të na prekë shkau në nder e shtëpi
  Është turp për ne
  Turp për shqiptari.
  27.
  Avdia mori pushkën rrethatore
  Shumë trimërisht doli prej ode.
  Në Llap nuk jetohet defatore
  - Kam me e zanë një pritë të mirë
  Ta pres mysafirin që vjen pa thirrë.
  NUK KA MBETUR KJO SLLATINA E LLAPIT
  TË BËJNË ÇKA DUAN XHANDARËT E KRALIT
  1.
  Me një krenari kapedani
  Për të fundit herë e la Pollatën
  U mësy, qeni, për Sllatinë
  Mysafir ta takoj Avdinë.
 
  2.
  Zbrazte pushkë, zbrazte allti
  I trenonte gra e fëmijë
  Namë të shumta mori ai:
  Do Zoti, more faqezi
  U takofsh në ndonjë trim ti.
  3.
  Nisi me pushkë Avdia të bisedojë
  Erdhi momenti me ty të përballohem
  Hovin këtij t’ia ndaloj
  Fjala e besa në vend të shkojë.
 
  4.
  Nuk ka mbetur kjo Sllatina e Llapit
  Të bëjnë çka të donë xhandarët e kralit
  Jemi të lidhur në besë e Zot
  Të dalë si të dojë ne po e kryejmë sot.
 
  5.
  Mori pushkë, Avdia po i flet
  Unë e ti sot jemi në gazep.
  Ti sot duhet ta ma zbardhësh fytyrën
  Të shkrepësh sakt si përherë
  Burrave të Llapit t’ua ruash nderin.
 
  6.
  Të mos lejojmë që këtij kapetani
  Në Serbi t’ i rritet zani
  Që te krali ai të shkojë si zotni
  Të kërkoj grada për trimëri.
  7.
  Nisi pushkën Avdia ta lusë
  Dy-tri herë në kondak e puth
  Sikur mamxerja atij i tha:
  - Kënaqna shumë kur zbrazna në shka.
  Nder kam sot kapedanin me e vra
  Kam me krisë si kurrë më parë
  Në lule të ballit
  kam me i ra.
 
  8.
  Po vjen qartas ai kapedani
  Mezi e çonte kali prej s’ rëndi
  Vikat malësorçe Avdi Ramoca:
  -O ku je, more Millan kapedani
  A e do mjaltin që ma ke kërkue
  Prej së ëmbli ka me t’ munue.
  9.
  Dorën në armë qeni deshi me e çue
  Shpejt Avdia ia ka kthye:
  - Kapedan ndal, mos u korit
  Se kem do punë sot me i kallzue,
  Kam me të dhanë plumba me dritë
  S’ ke nevojë sot me u harqit.
 
  10.
  Po më vjen pak rëndë, kapedan
  Që në katund timim kam qëlluar
  Të kërkoj armët n’ tokë t’ i gjuash
  Tash komanda më takon mue
  Në gradë më të lartë s’mundesh me shkue.
  11.
  Deri sot grada ti pate
  Në Sllatinë t’ Llapit ato i humbe
  Ndoshta pija të ka dalë
  E kthjellt je duke menduar
  Në shtëpi tona ti ke ardhë
  Po vret njerëz, shtëpia po kallë.
 
  12.
  Edhe errfinë e ke ndihmue
  Të rrahin njerëz e të vrasin fëmijë
  E në anën tjetër,more qen
  po jep letra për Turqi
  Jetën tonë po do me na e nxi.
 
  13.
  -S’di, harruam i kemi pasur do llafe
  Të hyjmë brenda të pimë kafe
  Mish pule e pije deri në gjysmë të natës.
  -I pisket Avdia kapedanit të zi
  Sot nuk kemi ren kafe me pi.
 
  14.
  I kemi do tjera muhabete
  Ti, kapedan, hiq nuk je në vete
  U prije yrrfive e çetave çetnike
  Preje fëmijë në pragje të shtëpive
  Vraje prindërit para fëmijëve
  Digjje të gjallë mëhallë - mëhallë
  Në dashtë Zoti pushka ka me të marrë.
  15.
  I fliste Avdia kapedan ziut
  I cili kurrë më rëndë nuk ishte ndjerë
  Atij i thoshin harambash Serbie
  - Ku ma ke tash atë të mjerë trimërie.
 
  16.
  Më duket Zoti e shkroi në ezel
  Avdi Ramoca i Llapit me të dhënë exhel
  Nuk kemi kohë të presin gjatë
  Pushka ime vetë do të flasë.
 
  17.
  Por, s’mund të ndahem, kapedan
  Pa t’ i thënë edhe do fjalë
  Kërkoje ato të mira
  Për të cilat nuk kishim rene.
 
  18.
  Ish kanë kapedani shumë hilexhi
  A bën, Avdi, falje të kërkoj
  Të flasim hapur unë e ti.
  Është Ramoca e fortë kabile
  Po më vratë u la shumë hile.
  19.
  Po më falët sot s’ më sheh këtu ma.
  Jo, kapedan, fjalët e mia nuk i ha
  Këtu kam dalë të marr hak
  Se azgan je shitur në Llap.
 
  20.
  Kapedan, mos luaj qerpikun
  Shih shqiptari kah ta merr shpirtin
  A po bindesh more dai
  Se plumbi ta ngulë edhe ty.
 
  21.
  Pse ta dhanë gradën kapedan
  Ke ardhur tash të më bish n’ aman
  S’ më ka falë Zoti grada me fitue
  Plumbat trupit ia ka drejtue.
 
  22.
  Ra në tokë qeni, kish hap gojë
  E lëshoi shpirti duke thënë joj, joj
  Qysh t’u duk, more i pasoj
  Kur fëmijëve në djep
  U qitshe prush n’ gojë.
  23.
  Kështu mbaroi kapedani i zi
  Krime shumë kishte bërë ai
  Tani mbeti i vdekur si mi
  Shkoi si qeni të varroset n’Serbi.
 
  24.
  Po të kishte qenë ai më njeri
  Të mos urrente gra e fëmijë
  Nder do t’ i bëhej edhe atij
  Siç di të bëjë kjo shqiptari.
 
  25.
  Kërkonte çka s’duhej t’ kërkonte
  Sikur s’dinte ky dai
  Askënd shqiptari s’e mban mbi kry
  Përveç plisit të bardhë mbi sy.
 
  26.
  Para vdekjes s’donte të dijë
  Se këtu në Llap vjen aromë Shqipëri
  Këtu trimëria e vret ligshtinë
  Pastron tokën, pastron shtëpinë.
  27.
  Kur e shohin shkinat kapedanin
  Të shtrirë në tokë të mbuluar me gjak
  Fillojnë ato të vajtojnë me zë
  Kapedan nuk paska më.
  28.
  Me faqe të bardhë e me trimëri
  E kreu Avdia detyrën e tij
  Hoqi qafe këtë kriminel
  Me kushëri Hamitin i doli n’pritë
  Me kapedanin u hesapit.
 
  29.
  Këtë shqiptari e ka traditë.
  Të vrasë armikun
  Duke i dalë në pritë.
  Mbarë Llapi dëgjoi për trimërinë
  Kjo nderoi gjithë shqiptarinë.
  KAPEDANIN E THIRRI TAKSIRATI,
  ZOTI AVDIUT I ÇOI TAKATIN
  1.
  U hap lajmi nga çdo anë
  Sllatina e Llapit vrau kapedan
  Avdi Ramoca trim në sy
  Shkrepi pushkën pa thënë dy.
 
  2.
  Lavdi të qoftë, more Avdi Llapi
  Thotë me zemër çdo shqiptar
  Kulla bëfshi, dasma e djepa
  Nder e burrëri paçi ndër breza.
 
  3.
  Një Ajet Mehana i Llapit
  Në Qanakkala të Turqisë
  Kishte dëgjuar për këtë krismë
  Për trimërinë e Avdisë.
  4.
  Po u çon fjalë llapjanëve të tij
  Shumë për nder një punë ua di
  Po ma sollët Avdinë n’ Turki
  Te unë do të rrijë sa të dojë ai.
 
  5.
  Deshi Zoti Avdia e Hamiti
  Shkuan në Turki te daja Ajet
  Ua hapi derën e shtëpi
  I nderuan për trimëri.
 
  6.
  Po qysh je, more Avdi azgani
  E merr ngryk Ajeti, e iu mor zani
  Po qysh, dajo, e vrave kapedanin e zi
  Krejt Serbia është pas tij.
 
  7.
  E marrka ngryk Ajeti me lot në sy
  - Të ndihmoi Zoti atë detyrë me kry
  -More dajë, kapedani ish mbush kusure
  I rashë mauzerë, i rashë kobure
  Për trimëri s’i kish pas hie
  Hala pa i ra kukama ju nie.
  8.
  Kam pas thënë s’del kush me vra
  Jo, dajë, jo, asi shkau nuk ka.
  - I lëmë shkiet, dajo, po qysh je
  - Mirë, Avdi, po dy herë vdekur kam
  Një herë kur e lëshova Kosovën
  E s’ dyti që ende këtu jam.
 
  9.
  Besa- besë hupëm e u tretëm
  Po prej dëshirës nuk kena dalë
  Gjithmonë ju n’mendje u kemi
  Presim ditën kur të kthehemi.
  10.
  Ajeti po e pyet Avdi Ramocën
  Qysh, bre nip, e kemi Kosovën
  - Po bën luftë nuk e pranon robërinë
  N’ kam e ka krejt djalërinë.
 
  11.
  Qysh e kemi atë Llapin tonë
  - Lis me shtrëngatë qysh ka me kanë
  Po shumë rëndë, dajë, po më vjen
  Ua lashë sherrin njerëzve në derë
  Dy palë lot i shkuan përnjëherë.
  12.
  - Serbia, nemci e bugar
  Në trojet tona na kanë ardhë
  Me marr tokë e shtëpi falë
  Sikur baba me ua pas lanë
  Na kanë prekë ku ne s’durojmë
  Edhe varret po na i kryqojnë.
 
  13.
  Po u vjen rëndë bardhësia e plisave
  Po i vret madhështia e lisave
  Nënat tona po lindin fëmijë
  Dasmat bëhen në male e n’ shkrepa
  Bëjmë mbijetesë nga robëri-zeza.
  14.
  Po çka të bëni ty Millan kapetani
  Po, dajë, ai erdhi në Mavriq
  "presednik opshtine" u bë n’ofiq
  Jepte këmbën ku duhej dora
  Donte të hynte pa thirr në oborr
  Donte diellin ta kapte me dorë
  Ia merrte mendja se ai është qielli
  Që sa herë të dojë
  Të vrajë e të kthjellojë.
  15.
  Po një ditë e thirri taksiratin
  Ne Zoti, dajë, na e çoi takatin
  Po të betohem, dajë, pasha dy sytë
  Kujtua jam derisa pushkës ia kam ngjit.
  16.
  Po qysh e kemi Mavriqin e Llapit
  Copë çeliku në gojë të gjarprit
  Po, a thua, cili shka oxhakun tim
  Për të vetin e ka bërë
  Në u kthefsha i gjallë edhe një herë
  Plumba n’ballë kam me i dhanë.
  17.
  Në Qanakkala Avdi Ramoca
  me kushën kaluan muaj e vjet
  Po çfarë jete kjo në vend të huaj
  Sa rëndë kjo ishte për ta
  Ku as lindjet nuk janë lindje
  E as vdekjet vdekje
  As dasmat dasma…
  Njëmend njeriu këtu
  po vdiska shumë herë
  E unë po nuk u ktheva
  në Sllatinë të Llapit prapë
  Do të vdes edhe shumë herë
  e do të ngjallem përsëri.
 
  18.
  As nuk po i hahej buka
  E uji nuk po i pihej
  As gjumi nuk po e merrte
  Për shtëpinë e vendin e tij
  Malli shumë e kishte marrë
  Llapin n’ ëndërr e kishte parë.
 
  19.
  Sikur n’ gjunjë ra të pijë ujë
  I pa arat të mbjella me grurë
  U zgjua herët t’i shohë oxhaqet
  Hyri brenda i pa konaqet.
  20.
  E ndjeu thirrjen "A doni mysafir"
  I pa njerëzit të ishin mirë
  I pa burrat kah i ndërrojnë kutitë
  Merreshin ngryk para dyerve të oborrit
  Ah medet ky vakt i zorit.
 
  21.
  Sytë iu skuqën, cigare mbështolli
  Sa rëndë ndihej krejt prej zori
  S’ paska ku të shkohet prej tokës
  Përtej oborrit, përtej shokës.
 
  22.
  Kohë e rëndë këtu shqiptarët i solli
  Flaka i daltë këtij Stambolli
  Pazar është bërë me qenien tonë
  Rrënjët të na i shkulin sikur donin
  Gjuhë e komb të na i shkatërronin.
  23.
  Kam mbetur këtu si në tehun e shpatës
  Trupin e lirë e zemrën e robëruar
  Më duhet të shkoj, dajë, deri n’ Pollatë
  T’ i shoh burrat e këtij Llapit
  Kah shkojnë e vijnë n’troje t’veta.
  24.
  T’ i shoh pleqtë, fëmijë e të rinj
  T’ i shoh lindjet e t’i shoh dasmat
  Atje edhe vdekjet e kanë hijeshinë
  T’ua ndjej zërin burrave të Llapit
  Kah përshëndeten n’ rrugë e gëzime
  Për festa e për hidhërime.
  25.
  Këtu nuk paska për ne kurrgjë
  Nuk i njoh e nuk më njohin
  Njerëzit as toka nuk më pëlqejnë
  Krejt i huej medet unë jam.
  26.
  Të lutem, o Zot, më kthe nga kam ardhur
  Mall po kam të shoh plis të bardhë
  Të shoh shqiptarë duke punuar
  Edhe familjet duke i vizituar.
  27.
  As në xhamia nuk po luten shqip
  More as puna e mbarë s’ po i thonë
  Njëri-tjetrit
  Në ara kur punojnë.
 
  28.
  Edhe për një përshëndetje shqipe
  "A jeni, burra, si jeni" malli më ka marrë
  Këtu lindin djem e pushka s’ kërset
  Nuk prehet lis për t’ i punuar djep.
  29.
  Nuk po vijnë gratë e fisit
  Me bakshishe e tepsi në krye
  Mbulojën e fytyrës djalit t’ia hjekun
  Shqip fat e shëndet me i dëshirue.
 
  30.
  Shumë shqiptarë kanë ardhur këtu
  Në shkretëtirat e Anadollit
  E një fjalë shqip nuk dëgjohet
  Veç kërrakatjes së të ziu korbit.
 
  31.
 
  Ia përzunë Avdisë familjen,
  E ia lanë në rrugë të Malësisë
  Që t’i bëjnë nënçmim atij.
  Një familje serbe i vendosën n’ shtëpi.
 
  32.
  Eh, more daja Ajet
  Shkau për s’ gjalli tokën time
  Dhe shtëpinë ma paska marrë
  Po a e di, ai lumi i nënës
  Se Avdi Ramoca ende është gjallë.
  E një ditë do të kthehem atje
  Me atë shka për t’u përballë.
  33.
  E si të lejoj, daja Avdi
  Oxhaku im shkinishqe të tymojë
  More, as vetë nuk po besoj
  Në shtëpinë time shkau të jetojë
  Të bëjë dasma e të këndojë
  E unë këtu si i huaj të qëndroj.
  34.
  Menjëherë u ngrit në këmbë
  Vetes pyetje ai po i bën
  Po a je Avid Ramoca
  që atje ty të kanë thënë.
  35.
  Krejt pa peshë e pa njerëzi
  Sa rëndë veten po e ndien
  Lisa jemi e gurë të rëndë
  Me rrënjë e peshë në vendin tonë.
 
  36.
  Dua të kthehem në Sllatinë të Llapit
  Shkaut tokën t’ia bëj tapi
  Buzët i dridheshin e sytë i lotonin
  Hajt shka i shkinës se shihemi unë e ti.
  37.
  Ngadalë, Avdi, e mos u ngut
  Se ndërrojnë kohët e vjen dita
  Unë e ti të kthehemi bashkë.
  Por Avdia nuk dëgjon
  Me trup e shpirt është në vatan
  Veç prêt motin kur të niset
  E në Llap të dalë përsëri
  T’i shoh tokë e shtëpi.
  38.
  Po u vonova, daja Ajet
  Shkau zgjeron truallin aty
  E unë gjallë nuk mund të rri
  Shkau në shtëpi time
  e unë në Turqi.
  NËSE VRITEM UNË LUFTON RINIA,
  DERI TË MBËRRIJË NË KOSOVË LIRIA
  1.
  Veç një lutje daja Ajet
  Para se të nisem e kam për ty
  Ti po e sheh se s’jetojmë gjithmonë
  Kthehu e jeto në Kosovë
  Ndoshta vjen një ditë e bardhë
  Që të bëjmë një bashkim të madh.
 
  2.
  Loti rrodhi nëpër fytyrë
  Sa shumë dajën po e përqafon
  U ndan në mes veti në fund
  Asnjë fjalë pa e thënë.
 
  3.
  Fjalët përhapeshin nga kushdo
  Si Avdia e la shtëpinë
  E la truallin ku ka lindur
  Iku shkoi në Anadoll
  Shkaut këtu tokë e shtëpi
  Ua la hazër si në Serbi.
  4.
  Por s’harron Avdi Ramoca
  Tokë, shtëpi e atdhe
  Është ky vendi ku ka lindur
  S’ndien për kral as për shkini
  U mbështet fort në t’veten trimëri.
  5.
  Kërcet pushka, ushton rrethina
  Hajde prapë në tokat e mia
  Nëse vritem unë lufton rinia
  Deri të mbërrijë në Kosovë liria.
  6.
  Zot në tokën tonë jemi ne
  Kështu ka qenë e do të jetë
  Pushka kërset nga burrëria
  Forcë e dije na jep Shqipëria.
 
  7.
  Llapjanë jemi e shqiptarë
  Në kufi me shka jemi qëlluar
  Tokën e të parëve dimë ta mbrojmë
  Nderin kurrë të mos e lëshojmë.
  8.
  Të më mallkojë djepi nuk lejoj
  Nëna në të që më ka rritur
  Me ninulla duke më përkundur
  Pushkën afër ma ka qitur.
 
  9.
  Prandaj jam gati për çdo gjë
  Që të jetoj me faqe të bardhë
  Por edhe nëse duhet të vdes
  Edhe për këtë ndihem krenar.
  10.
  Bijve të fisit amanet
  Kush njeh zot, besë e nderë
  Për Turqi mos me mësy
  Atë derë.
  11.
  Kjo të vlej për çdo shqiptarë
  Këtu kemi djep
  Dhe të kemi edhe varr
  Është Shqipnija i joni dhe
  Që e fali zoti për ne.
  12.
  Amanet gjithë popullit e më shumë parisë
  Ti kem në shpirt e zemër
  Skajet e etnisë
  Se ato janë zemra e Nënë Shqipnisë.

BIOGRAFI E SHKURTËR PËR AVDI RAMOCËN
 
Kryepersonazhi i poemës Avdi Ramoca është lindur më 1859 në fshatin Sllatinë të Llapit. Avdiu qysh në rini u shqua për guximin, fjalën e besën. Pasi që ishte afër kufirit me Serbinë, shpesh ndodhnin luftëra e konflikte, kështu që aty ishte edhe vend i provimit të trimërisë. Kështu më 1909 te Guri i Uglarit kishin hyrë serbët gati në karakoll dhe ishte lëshuar alarmi për trimat për mbrojtjen e kufirit. Në ballë ishte Halit Tashefci, një burrë i vendosur i kësaj ane. Me të në këtë rast u gjend trimi Avdi Ramoca. Në këtë luftë Halit Tashefci u vra për të mbetur dëshmor i Shqipërisë në mbrojtje të kufirit, që është kujtuar me respekt në shekullin e kaluar, por edhe sot. Avdi Ramoca bëri luftë heroike bashkë me trimat e tjerë derisa i zmbrapsën serbët nga kufiri. Këtu trimi Avdi Ramoca mori nam për trimërinë dhe çmohej dita-ditës si njeri me shumë autoritet. Në ngjarjet që do të rrjedhin më vonë, si te Kulina, në luftë me ushtrinë turke për ta larguar nga Kosova mori pjesë edhe Avdi Ramoca me shumë trima që erdhën nga Mavriqi. Avdi Ramoca mori pjesë edhe në takimin me rastin e ngritjes së flamurit kombëtar në Popovë nga Hys Popova në korrik të vitit 1909, tre vjet para ngritjes së flamurit në Vlorë. Avdi Ramocën e gjejmë edhe në Besëlidhjen e madhe Llap-Shalë të vitit 1912 që u mbajt te Kodra e Flamurit (ish-lisat e Kurullovës), ku udhëheqës ishte tribuni popullor Isa Boletini. Verën e vitit 1920 Avdi Ramoca përkrah burrave të tjerë mori pjesë në Kuvendin e Murgullës. Këtu morën pjesë shumë prijës të çetave kaçake nga shumë vise të Kosovës. Ky kuvend është organizuar nga Ramë Sabedini nga Murgulla, ku mori pjesë edhe Azem Bejtë Galica. Këtu mori fjalën dhe diskutoi edhe Avdi Ramoca, duke thënë se nëse ndalet qëndresa, Kosovë nuk do të ketë. Kulmi i trimërisë së tij u arrit në vitin 1920, kur pushteti i Kralit rëndonte gjithnjë e më shumë nga dita në ditë. Serbia vendosi që Millan Urosheviqi, e njohur si Millan kapedani, të emërohej kryetar komune në Mavriq. Millan Kapedani ishte prijës i errfisë për të bërë krime nëpër shumë vise shqiptare. Ai shtroi dhunë të paparë në Mavriq e rrethinë. Millan kapedani mori vesh për trimin Avdi Ramoca dhe filloi ta provokonte në mënyra të ndryshme, derisa një ditë Avdiu edhe e humb durimin. Milani i rrahu shumë njerëz të rrethinës së Mavriqit dhe i plaçkiti disa herë, ia rrahu mikun e shtëpisë që ishte mësyrë mysafir te Avdiu dhe në fund i tha përshëndete Avdiun. Më pas një ditë Millani i tha Avdiut se jam duke shkua deri në Pollatë, ndërsa kah të kthehem në Sllatinë t’ia sjellë një bletë në koshere. Po i tha Avdiu, ta qes bletën, por kam frikë se të mbytë së ëmbli. Avdiu mori në shoqërim kushëririn e tij, Hamitin dhe i zuri pritën dhe e vrau Millan kapedanin dhe ia plagosi rëndë rojat e tij. Avdiu doli në mal dhe me të dëgjuar këtë lajm Ajet Mehana, i cili ishte shpërngulur nga dhuna dhe ishte vendosur në Çanakkala të Turqisë, i çoi fjalë në Mavriq që Avdia dhe Hamiti të dalin në Turqi dhe atje do t’ i mbajë me vite. Kështu Avdiu me Hamitin qëndruan në Turqi katër vjet dhe u kthyen kur Avdiu mori vesh që pushteti i Kralit ia kishte dëbuar nga shtëpia dhe aty kishte sjellë një serb kolon nga Dubrava e Kushumlisë. Posa u kthye Avdiu, kolonin e dëboi nga shtëpia dhe vetë u përball maleve të Llapit derisa në këto anë hynë ushtarët gjermanë, me fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
 
LIBRIN E NDIHMOI:   Këtë libër e sponsorizoi nipi i Avdi Ramocës, Ilmi Salih Latifi-Ramoca, të cilin autori e falenderon përzemërsisht.

Për ZSH: Milazim Kadriu