Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tamara Gaci: Shiritat origjinalë, po rrezikojnë veprën e Pjetër Gacit

| E diele, 05.04.2009, 09:26 AM |


Tamara Gaci
Tamara Gaci
Vepra artistike e kompozitorit dhe “Artistit të Popullit”, në rrezik nga koha

Vepra e një prej artistëve më të mëdhenj jo vetëm të Shkodrës, por edhe të Shqipërisë, kompozitorit dhe violinistit të madh Pjetër Gaci tashmë është në rrezik. Këtë gjë e vërteton bashkëshortja e të ndjerit kompozitorit shkodran, Tamara Gaci, e cila praktikisht e ka të gjithë veprën origjinale të mjeshtrit të kompozimit në shtëpinë e saj. Ajo ka lëshuar një “ SOS” ku bën të ditur se “vjetërsia prej më shumë se gjysmë shekulli” i shiritave do të bëjë të humbasë edhe vepra origjinale të tij. Bashkëshortja e tij tregon se kompozitori Pjetër Gaci ka krijuar vepra në të gjitha gjinitë muzikore dhe zanafilla e krijimtarisë së tij fillon në vitin 1951. “Duke qenë një violinist virtuoz, ai ka krijuar koncertin e parë instrumental shqiptar dhe ka ekzekutuar edhe vetë. Ai ka shumë krijime të tjera dhe po ashtu edhe ekzekutime të tijat dhe të artistëve të lartë shqiptarë, por inçizimet janë në shirita manjetofoni të vjetër dhe nuk mund ti rezistohet më kohës, që ecën dhe që degradon këto shirita. Patjetër duhet që shumë vepra të tij në shirita dhe jo të transformohet në formë dixhitale moderne që arrin të jetojë gjatë në kohë. Koha që po kalon, rrezikon që vepra e madhe e Gacit të humbasë, dhe bashkë me të, edhe një kolonë e rëndësishme e muzikës shqiptare”, tregon ajo.

Në veprën e madhe muzikore të Pjetër Gacit janë “vepra orkestrale dhe simfonike”, “vepra vokale”, “këngët” dhe “këngët për fëmijë”. Në veprën e Gacit ka koncerte ku ka dirigjuar Mustafa Krante, ka balada për violinë e orkestër ku janë Radovani dhe dirigjent Rifat Teqja, ka solistin Johan Botka dhe dirigjent Eno Koço, ka valle simfonike ku ka dirigjuar Ferdinand Deda, ka koncertino dhe koncert nën interpretimin e harqeve. Mirëpo është edhe opera “Toka e Jonë” dhe premiera e saj, por dhe opera “Minatorët” si dhe kantata “O moj Shqypni”, por edhe “Ekstazë Pranverore” me tekst të “Migjenit” dhe e kënduar nga Gaqo Çako. Pjetër Gaci ka lënë në origjinal 30-të këngë dhe ndër tyre janë “Të Lumtur të Dua”, “Jeho”, “Për Ty Atdhe”, “Kur Vjen Pranvera”, “Baballarët” etj, të kënduara nga solistët më të mirë shqiptarë si: Vaçe Zela, Ema Qazimi, Tonin Tërshana etj. Ka edhe një koncert të madh me këngë të reja shkodrane të shkruar sëbashku me Zef Çobën. Pjetër Gaci ka edhe shumë këngë në origjinal për fëmijë dhe shumë vepra të tjera. Të gjitha rrezikohen si origjinale, dhe tashmë është bërë e ngutshme kthimi i tyre në dixhital, sepse koha po i shkatërron pikërisht origjinalet. Për këtë duhet të sensibilizohet jo vetëm Bashkia e Shkodrës, por edhe Ministria e Kulturës, për të mos lejuar një degradim të tillë të veprës së artistit të madh shkodran. Për këtë edhe bashkëshortja e Pjetër Gacit, po mundohet të sensibilizojë me sa mundet, autoritete si kulturore dhe artistike, por edhe ato qeverisëse, sepse nuk mund të jetë ajo, e cila arrin të bëjë një punë kaq të rëndësishme për të. Në fund të fundit, vepra muzikore e Gacit është një pronë e të gjithëve dhe për më tepër, e shtetit shqiptar, dhe Shkodrës si qytet.  

Të dhëna mbi kompozitorin
 
Pjetër Gaci, lind më 27 mars të vitit 1931 në Shkodër, kompozitor, violinist dhe pedagog i muzikës. Në Shkodër kreu arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa shkollën e lartë e kreu në Konservatorin e Moskës “P. I. Çajkovski”. Ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te kënga  “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”. Vdiq më 27 mars 1995 në qytetin e Shkodër.

Marrë nga gazeta « Sot » për ZSH: A.Dalini