Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Metafora e pritjes shqiptare

| E enjte, 26.03.2009, 07:32 PM |


Doli nga shtypi libri “Elegji për lotin” i autorit Ilir Hajdari

METAFORA E PRITJES SHQIPTARE

“Poetizimi i pritjes së cilës i janë “lodhur gjunjtë”, sjell para lexuesit një poezi me shprehje, e cila është larg çdo proleksiteti dhe, të shumtën e rasteve, arrinë në kufijtë e eliptizmit të preferuar që në antikë”, ka thënë redaktori i librit, mr. Kadrush Radogoshi.

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, këto ditë nxori nga shtypi librin me poezi “Elegji për lotin” të autorit Ilir Hajdari. Sipas autorit, ky libër ka një kohë bukur të gjatë që ka fjetur e botuar në mendjen time, por për shkak të rrethanave të ndryshme, para dhe gjatë luftës, por edhe të ndryshimeve të tjera që ndodhën pas saj, mbeti e heshtur deri më sot. Ndërsa, për veçantinë e këtij libri, Ilir Hajdari është shprehur se, ka poezi të periudhave të ndryshme që nga koha kur ka nisur të shkruaj vargje. “Në këtë përmbledhje poezishë, janë përfshirë tri periudha të rëndësishme të popullit shqiptar në Kosovë: gjendja e rëndë pas rrënimit të autonomisë, koha e luftës dhe rënkimet e atdheut e të popullit të Kosovës për të ecur përpara”, ka thënë Hajdari, i cili ka falemnderuar për vlerësimet dhe ndihmesën e njerëzve intelektualë të Gjakovës, që libri “Elegji për lotin” ta shoh dritën e botimit.

Redaktori i librit “Elegji për lotin”, mr. Kadrush Radogoshi, e ka cilësuar një prezantim të autorit para lexuesit me metaforizmin e pritjes proverbiale shqiptare, qoftë ajo individuale, apo kolektive. “Aktualizimi tematik i kësaj poezie na shpije tek fati i individit të këtij nënqielli, i cili pos peshës së rëndë të jetës individuale, bartë edhe peshën e fatit kolektiv, e cila për poetin ishte shumë e rëndë në rrethana të pushtimit të gjatë kolonial dhe të një çlirimi të gjymtuar, të përgjakur dhe të pikëlluar pë rata që u mungojnë”, ka thënë Radogoshi. Redaktori Kadrush Radogoshi, duke e vlerësuar edhe më tej poezinë e Hajdarit thekson se: “Poetizimi i pritjes së cilës i janë “lodhur gjunjtë”, sjell para lexuesit një poezi me shprehje, e cila është larg çdo proleksiteti dhe, të shumtën e rasteve, arrinë në kufijtë e eliptizmit të preferuar që në antikë”.

Ndryshe, autori i këtij libri, Ilir Hajdari, me profesion është gazetar dhe jeton e vepron në Gjakovë.