| E hene, 16.03.2009, 07:02 PM |
R e c e n s i o n
NJË LIBËR QË NA KA MUNGUAR
Nga Ramis Kelmendi
1.
Është jo pak për t’u habitur dhe, madje-madje, si zor edhe të shpjegohet ky fenomen yni kaq i rrallë dhe gati-gati i pakonceptueshëm për të tjera mjedise: Botimi i librave që bëjnë fjalë për seksin dhe për dashurinë. Ndryshe deri edhe nga vendet qe na rrethojnë, të cilët tashmë kanë krijuar një fond bukur të mirë librash kësodore, duke krijuar cikle dhe biblioteka të veçanta, ne këtu, në Kosovë, vijojmë të mbajmë rezerva dhe gjithandej – mbështetur dhe shtyrë nga një moral i rremë dhe provincial – librat për seksin dhe seksologjinë edhe sot e kësaj dite i konsiderojmë tabu. Libra “të pahijshëm”. Libra “të turpshëm”. Libra që një “njeri i edukuar” as i lexon, as i ka në bibliotekën e vet.
Për sqarim:
Nuk është fjala për libra pornografikë, por, në radhë të parë e mbi të gjitha, për libra edukativë, për libra që mësojnë, sidomos të painformuarit, qofshin ata të rinj a të vjetër, gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë intime, me seksin dhe dashurinë.
Prej shumë kohësh libra të tillë u botuan – sidomos të përkthyer, por jo pak edhe me autorë shqiptarë – edhe në Shqipëri. Nga më të njohurit dhe më të popullarizuarit atje është Hamit Beqja, që tashmë ka disa libra të kësaj natyre.
Një surprizë jo pak e lakmuar këtu ndër ne, prandaj, është libri ,,Dashuri dhe Seksë”, përgatitur, përkujdesur dhe ideuar nga autori, dhe hezitimi i autorit të librit për të dalë me emrin dhe mbiemrin e vet të plotë, flet po ashtu se edhe ai vetë është “viktimë” e mentalitetit prapanik dhe e blasfemisë sa i përket “problematikës” se seksit.
Sidoqoftë, u gjend edhe ndër ne një krijues edhe kureshtar, edhe kurajoz, që bëri atë që s’e bëri askush ende këtu, ndër ne. Doli me librin aq të nevojshëm e të dobishëm, që na ka munguar shumë dhe të cilin do të duhej ta kishte çdo familje.
2.
Përse është më se i domosdoshëm ky libër, i pari kësodore me një autor vendës?
Është i domosdoshëm, shumë i dobishëm, praktik dhe i drejtpërdrejtë, sepse bën fjalë, vë pikën mbi i dhe fut gishtin në “plagë” lidhur me çështjet më të panjohura dhe më neuralgjike të jetës sonë intime, duke ndjekur parimin: “Çdo gjë që u ndihmon njerëzve është e dobishme, gjërat që fshihen nuk e ndihmojnë askë”.
Flitet në këtë libër për gjithçka që keni besuar se dini për seksin, për dashurinë dhe përgjithësisht për jetën intime, edhe pse më e shumta e këtyre “njohurive” lë shumë për të dëshiruar, ose vuan jo pak nga mos informimi.
Autori /anonim?!/, siç e pohon edhe vetë mu në hyrje të librit, interesimin për këtë “tabu” tonën e ka ushqyer prej shumë vjetësh, edhe pa menduar se kështu do t’i vinte temelet e një libri me shumë interes, sidomos për lexuesin shqiptar. Për të riun dhe për të moshuarin. Për burrin dhe për gruan. Për vajzat dhe për djemtë. Gjithmonë duke u mbështetur, jo vetëm në librat e kësaj natyre, por asgjëmangut edhe duke shfrytëzuar përvojën e vet jetësore.
Lexuesi do të gjejë në këtë libër jo pak tema intriguese e provokative, thuajse të gjitha “të ndaluara” e “të paedukatë”, mësime, shembuj dhe përvoja nga më të ndryshmet. Fjala vjen: seksi dhe dashuria, ndikimi pozitiv i seksit, si dashuron femra e si dashuron mashkulli, ç’duan meshkujt e ç’duan femrat në seks, seksi oral, flirti, orgazma, xhelozia, seksi dhe depresioni, ëndrrat erotike, virgjëria, akti seksual, pastërtia morale, etj. etj.
3.
E veçanta e këtij libri dhe merita jo e vogël e hartuesit të tij është se, kryesisht, u përgjigjet atyre pyetjeve, që zgjojnë më së shumti kërshërinë tone. Pyetje, të cilat, për shkak edukate konservative dhe një morali arkaik, më e shumta e të interesuarve dhe e të interesuareve nuk kanë kurajo qytetare, jo vetëm t’ua bëjnë të tjerëve, por, jo rrallë, mendojnë se bëjnë pa le se ç’mëkat para Zotit e para robit, edhe po t’ua bëjnë ato pyetje edhe vetvetes.
Me fjalë tjera, ky më i pari libër këtu ndër ne mbi edukatën seksuale, shquhet edhe për një varg njohurish dhe mësimesh të tjera si e si të ndihmojë mashkullin dhe femrën për të pasur një jetë sa më të pasur e më të lumtur; si e si të eksitohen më shumë; si e si të jenë më të lumtur në shtrat, në familje dhe në shoqëri; si e si të përdorin metodat më të mira për të arritur kënaqësi seksuale; si e si ta duan më shumë e më mirë njëri-tjetrin; si e si të jenë më të arsimuar dhe më të edukuar edhe seksualisht; si e si ta luftojnë njëherë e përgjithmonë paragjykimin primitiv dhe absurd se gjithçka që ka të bëjë me seksin dhe seksi vetë është – tabu, është turp i madh, është paedukatë; si e si t’i luftojnë këto paragjykime tona absurde dhe konservative, për të mos thënë edhe primitive.
Hartuesi a sajuesi i këtij libri gëzon përkrahjen dhe miradinë tonë, jo vetëm pse idenë e vet të vjetër për ta shkruar këtë më të parin libër autorial mbi seksin këtu ndër ne e ka ushqyer me vite në vete dhe, më së fundi, ja, edhe e nxori në dritë. Por, ka dhe një meritë të madhe, se, kështu, mbase do të inkurajojë edhe autorë të tjerë për të ndjekur rrugën e tij dhe për të botuar libra të reja kësodore.
Me këtë libër, them, autori edhe e legalizoi dhe i hapi rrugën kësaj gjinie të tabuizuar.
Prof. Ramis Kelmendi
Bal COLI