| E shtune, 14.03.2009, 12:02 PM |
Ejup CERAJA
DYSHI I SINQERITETIT DHE PESA MERITORE
(Nga ditari i një mësuesi - skicë për tregim)
Bardh Kreshtëbardhi hyri në korridor të shkollës, duke i shkundur këmbët nga dëbora, që iu kishte ngjitur atij mëngjesi, e që reshte qetë-qetë e fjolla-fjolla. E vuri pallton në vjerrëse si rëndom. E hapi kasafortën dhe e përgatiti materialin e nevojshëm për hartimin e parë nga gjuha amtare…
Ai para dy javësh ua kishte treguar nxënësve datën, ditën dhe orën për hartimin e parë me shkrim. Po ashtu ua kishte treguar edhe temat e mundshme të hartimit, për të cilat nxënësit do të shkruanin, duke i porositur ata që të tubonin materialin e nevojshëm. Ai i udhëzoi nxënësit se ku do të mund të gjenin material për ato tema. Si duhet sistemuar një material i tillë dhe si duhet shfrytëzuar ai material gjatë hartimit. Po ashtu ua sqaroi nxënësve mënyrën e marrjes së pjesëve (fragmenteve) të drejtpërdrejta në formë citati. Madje e shfrytëzoi rastin dhe ua shpjegoi nxënësve edhe kuptimin teorik të fjalës "citat", duke u thënë se fjala citat vjen nga gjuha latine: citare = që do të thotë përmend, thërras në ndihmë si dëshmi diçka të shkruar që më parë… Sa herë e trajtojmë një temë me shkrim, ne mund ta marrim një mendim të një tjetri, që e ka trajtuar përpara nesh të njëjtën temë, për ta bërë më bindëse atë që ne e themi për te gjatë shkrimit tonë. Kur e thërrasim në ndihmë si dëshmi një mendim a një ide të dikujt tjetër, që ka thënë diçka të ngjashme përpara nesh, atë mendim të tij e vejmë në thonjëza, duke theksuar librin nga e kemi marrë tekstin, faqen ku gjendet teksti i marrë për citat, vendin dhe vitin e botimit dhe autorin e veprës së cituar. Ai, po ashtu, i porositi nxënësit se ditën e hartimit mund të marrin edhe fjalor qoftë drejtshkrimor, qoftë normativ të gjuhës shqipe. Madje ua shpjegoi edhe mënyrën e kërkimit të fjalëve në fjalor. Se, u tha ai si në shaka, fjalorët janë për ne që merremi drejtpërdrejt me gjuhë, andaj gjatë hartimeve me shkrim fjalorët na duhet t'i kemi pranë për konsultime të nevojshme…
Derisa nxënësit hartonin të qetë në heshtje, ku vetëm rrotullimi i ndonjë flete për konsultim të materialit e prishte disi heshtjen, Bardhi u kredh në mendime, që herë-herë i vinin të mjegullta si mëngjeset vjeshtore… Ato mendime Bardhin e kthyen në motet e largëta, kur edhe ai vetë kishte qenë nxënës i shkollës së mesme. Dhe, gati si rastësisht, mendimet iu ndalën, si ndalet matësi kohor në garat atletike sapo garuesi prek, qoftë edhe me majën e flokëve vijën e cakut, në një orë hartimi si kjo e sotit. Kur edhe ai vetë kishte qenë nxënës i klasës së dytë të shkollës së mesme. E tërhoqi në mendje një paralele në mes kësaj ore të hartimit dhe asaj atëherë: "Libra, fletë e fletore të gjitha t'i veni brenda. asgjë nuk dua t'ju shoh mbi bankë, përpos fletores së hartimit dhe lapsit, qartë!… Atij, që ia gjej edhe një fletë të pashkruar mbi bankë, do ta nxjerrë jashtë nga ora e hartimit dhe vështir se do ta gjejë rastin për ta përmirësuar gabimin…" - u kishte thënë atëherë profesori…. "Çfarë ndryshimi ka në mes të këtij hartimi të sotit dhe atij të atëhershmit?!…" - tha Bardhi më vete, duke u ngritur në këmbë…
* * *
Pas darkesh, asaj mbrëmjeje, Bardhi ndenji deri vonë pas mesnate, duke i kontrolluar hartimet. Mbet i kënaqur me nivelin e dijës që kishin treguar nxënësit në trajtimin e temave. "Liria në të hartuar e ka arrirë qëllimin e vet…" - mendoi më vete Bardhi, duke e marrë fletoren e fundit për kontrollim. Fletorja e nxënëses N. N. shkëlqente nga pastërtia dhe nga shkrimi i bukur. Sado që i hapej goja për gjumë, ai e hapi fletoren dhe filloi leximin e hartimit. E lëshoi lapsin mbi fletore dhe u afrua t'i freskojë pakëz sytë. Pasi e vuri edhe një lugë sheqer në gojë, u afrua serishmi te tavolina e punës. "Hartim i bukur…" - tha më vete, por?…
Fletoren e nxënëses N. N. e la me një anë pa ia vënë notën. "Do ta shohim në orën e korrigjimit dhe aty do t'ia vejmë notën këtij hartimi…" - tha, duke u ngritur.
* * *
Kur i erdhi radha fletores së nxënëses N. N. Bardhi tha me një tonë të qetë se ky hartim është mjaft i bukur, i shkruar me një përkujdesje e me një bukurshkrim e pedanteri meritore. Ama…përmbajtja lenë për t'u hamendur se nxënësja N. N. ka harruar ta vejë këtë tekst në thonjëza si citat, edhe nëse e ka mësuar këtë tekst përmendësh. Unë, siç po e shihni, këtij hartimi nuk i kam vënë notë, pa biseduar këtu shtruar me nxënësen N. N.
Nxënësja N. N. u ngrit ngadalë në këmbë e skuqur all në fytyrë. Me sy të ulur drejt bankës, kërkoi falje nga Bardhi dhe shokët për gabimin e bërë, duke u zotuar se një gabim të tillë nuk do ta përsëris më.
- Të lumtë - tha Bardhi - se zotimi për ndreqjen e gabimit të bërë edhe i (pa)qëllimtë qoftë ai, është pranvera e viteve të mira.
- Këtë hartim - tha në vazhdim Bardhi - për pedanterinë në të shkruar, në një anë dhe për sinqeritetin, në anën tjetër, kësaj radhe, nëse pajtoheni edhe ju, ta cilësojmë me notën - dy…
Në hartimin e dytë punimi i nxënëses N. N. u cilësua me notën tre, në hartimin e tretë me notën katër dhe, për kënaqësinë e të gjithëve, hartimi i katërt i nxënëses N. N. u cilësua me notën pesë, si punimi më i mirë i tërë klasës dhe u lexua përpara nxënësve dhe u diskutua për te…