Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Getoar Mjeku: Dita e Mësuesit shënohet në Teksas

| E enjte, 12.03.2009, 07:30 PM |


Dita e Mësuesit shënohet në Teksas

NDEROHET ME MIRËNJOHJE MËSUESI DHE KRIJUESI NUHI VINCA

Studentët dhe veprimtarët shqiptarë i ndanë mirënjohje të veçantë shkrimtarit, i cili u urua me telefon edhe nga ambasadori Avni Spahiu.

Nga Getoar Mjeku

HOUSTON, 7 Mars — Mallëngjim dhe krenari u ndje në mesin e shqiptarëve të Teksasit të shtunën mbrëma, kur të shoqëruar nga studiuesi Nuhi Vinca shënuan Ditën e Mësuesit dhe të mësonjëtores kombëtare.
Shqiptarët kujtuan përmes veprimtarisë së Prof. Dr. Vincës rolin e arsimin në çlirimin dhe zhvillim kombëtar. Theks i veçantë u vu mbi thyerjen e kufijve që ndanë shqiptarët ndër shekuj, kur para flamurit kombëtar dhe atij shtetëror të Kosovës, Dr. Vinca dhe folës të tjerë nga të tri shtetet shfaqën pikëpamjet e tyre për arsimin.
Dr. Indrit Hoxha nga Shkodra foli për themelimin e shkollës shqipe të Korçës më 1887 si gurthemel i qëndresës kundër përpjekjeve të armiqve për shuarjen e identitetit dhe bashkimit tonë kombëtar. Kjo çështje u prek edhe në paraqitjen e biografisë së Dr. Vincës, prej së cilës u nënvizuan tri meritat kombëtare e letrare që ia kanë numëruar kritikët: themelimin e gjimnazit të parë në Strugë, veprën e parë në rrethin e Strugës, si dhe monografinë e parë për kulturën shpirtërore të struganëve.
Meritë e veçantë, sipas folësve, është puna 20-vjeçare e Dr. Vincës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një prej shtyllave kombëtare më të damkosura nga pushteti serb. Megjithatë, regjimi i huaj nuk arriti të ndalë veprimtarinë e studiuesit tonë, përkundër ndalesave dhe kufizimeve diskriminuese.
Si folësi kryesor i tubimit të Hjustonit, Dr. Vinca u përqendrua në zhvillimin historik të alfabetit dhe shkrimit shqip si thelb i përngurtësimit të kombit shqiptar dhe krijimit të shtetit të pavarur. Ai u fokusua në ruajtjen e njëshmërisë së kombit duke kujtuar thëniet e figurave të mëdha kombëtare. Kujtoi në veçanti Petro Nini Luarasin, që thirri: “Vramëni... por mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe.”
Ndërkaq, studentët dhe veprimtarët shqiptarë i ndanë mirënjohje të veçantë shkrimtarit “për punë të palodhshme gjysmëshekullore për letërsinë, arsimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, si dhe për frymëzimin e vazhdueshëm të brezave të ri të kombit tonë.”
Mirënjohjes për Dr. Vincën, që paraqet edhe mirënjohjen për të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e arsimit, iu bashkëngjitën edhe përmes lidhjes telefonike kryediplomati kosovar në Uashington, Avni Spahiu, dhe përfaqësues të organizatave studentore anembanë Amerikës. Spahiu uroi “Prof. Dr. Vincën dhe të gjithë mësuesit shqiptarë, me përkulje ndaj punës së tyre që çoi më shumë se çdo angazhim tjetër në pavarësinë e Kosovës.”
Telefonata e studentit Alban Fetahu nga Texas Tech University ishte veçanërisht mbresëlënëse për pjesëmarrësit, të cilët u nxitën të kujtojnë mësuesit e tyre në çdo mbërritje në jetën profesionale dhe për hir të krenarisë së tyre kombëtare. Një arritje e tillë ishte shpërblimi më i madh për mësuesin Nezir Bulliqi, që shprehu falënderim për Dr. Vincën dhe të gjithë veprimtarët që kishin luftuar analfabetizmit në vitet e pas-LIIB. Mësuesi Nezir kujtoi se vështirësitë e shumta kurrë nuk e ndaluan dëshirën për t’i ndihmuar bashkëkombësit e tij në ditët më të vështira.
Veç bashkëkombësve, kremtes iu bashkëngjitën edhe miqtë tanë amerikanë dhe libanezë për të cilët u lexuan përkthimet e poezive të Nuhi Vincës. Siç u tha në varg, shqiptarët po rritet në numër dhe me vepra. Sot në Hjuston, qytetin e katërt më të madh në SHBA, jetojnë e punojnë rreth 5 mijë shqiptarë. Në shtetit e Teksasit bashkësia shqiptare numëron rreth 20 mijë frymë, kryesisht të përqendruara në Dallas.