Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ejup Ceraja: Tri krisma pasmesdite

| E enjte, 05.03.2009, 07:10 PM |


Ejup CERAJA 

(Tregim)

TRI KRISMA PASMESDITE

Ishte verë e fund viteve të gjashtëdhjeta të shekullit që sapo e lamë pas…Të gjithë sa ishin asaj pasmesdite në vendin e quajtur Kodër, ishin tubuar në njërin cep, që ishte ca    më i ngritur. Ata bënin shaka nga më të ndryshmet pa i lënë rend njëri-tjetrit, duke qeshur si në ndonjë kor gazmor. Kishte prej tyre, nga ata më hokatarët, që flisnin edhe ndonjë romuz. E atëherë shpërthenin të qeshura të papërmbajtura.

- Qoftë ogur për mirë - kishte thënë M., që atë ditë kishte qenë më me humor se çdo ditë tjetër. - Kështu  si i kemi marrë me vrull këto shaka dhe romuze të kripura, një Zot e di se ku do të na shpijnë?…

- Ku po të shkon mendja për ters?… - i kishin thënë gati një zërit të gjithë, që ishin ulur rreth tij si rreth sofrës kur shtrohet buka. Sakaq ia kishin dhënë të qeshurit në kupë të qiellit, pas një romuzi, që e kishte folur S., që, për humor, ua kalonte të gjithëve së bashku…

Natyra në atë pasmesdite ishte dukur disi e qetë. Vetëm ndonjë bilbil, nga ata më kureshtarët, ia kishte thënë këngës me atë zërin e tij të bukur e melodik, që hera-herës iu kishte përzier me zërin e dhjetëra e dhjetëra gjinkallave, që edhe ato ua kishin thënë këngëve për shtatë palë qejfe, të fshehura diku nën fletët e bungut shumëshekullor, nën hijen e të cilit verë për verë shtrohej dhe hahej kulaçi i barinjve, që simbolizonte përmbylljen e kohës së mëngjesit (mëngezit*), kryesisht, për bagëtitë e imta. 

Dy shtëllunga reshë dëborë të bardha ishin kacavjerrë njëra mbi Majën e Livadhit të Lisit e tjetra mbi Majën e mprehtë të Kroit të Kafes. Ato atëherë ishin dukur madhështore dhe ua kishin shtuar bukurinë si Livadhit të Lisit, ashtu edhe Majës së Kroit të Kafes. Dhe, ashtu madhështore siç dukeshin, ato herë pas here e kishin ndërruar si formën, ashtu edhe madhësinë pahetueshëm. Herë ishin dukur si dantella të mëndafshta në maje të kapuçave të nuseve në ditë feste, e herën tjetër ishin dukur si katarakte shkëmbore të lumenjve malorë të rrëpirë. Hera-herës edhe ishin zhdukur tërësisht nga  horizonti për t'u paraqitur serish në forma e madhësi të tjera…

Në atë rrëmujë gazi e hareje, që ishte kthyer në kob për të gjithë, në përgjithësi, e për M. e Z., në veçanti. Njëri (M.) kryes i veprës, tërësisht të paqëllimtë, e tjetri (Z.) pasues i saj plotësisht i pafajshëm. Kjo kishte ndodhur për shkak të një kënge të kënduar përmes transistorit me bateri, të cilët, në atë kohë, ishin bërë modë, sidomos nëpër fshatra malore në thellësi të bjeshkëve tona legjendare, siç qe rasti edhe me fshatin Kreshtëbardhë, ditën fatale, kur edhe ishte zhvilluar drama rrëqethëse e paqëllimtë, pa skenar dhe pa regjisor. Sakaq, në transistorin me bateri, mbase, ishte dëgjuar zëri kumbues e melodik i Luçie Milotit, se siç thoshte poeti: "Kur këndon Luçie Miloti,/ sillet moti për së mbari,/ rrezit dielli, gjelbëron bari,/… në pikë të dimrit çel behari…" Dhe, sapo e kishin dëgjuar atë zë të mrekullueshëm dhe atë këngë të bukur, që, ndoshta, për momentin as që u kishte shkuar mendja se kush po e këndonte, ishin ndërpre romuzet, shakat dhe të qeshurat si me sustë radioje. Dhe, kur kënga kishte arritur zenitin mjeshtëror të interpretimit, ishin dëgjuar ovacione të përcjella me duartrokitje, po fatkeqësisht edhe me rafalin e një revoleje kobzezë, që kishte vjellë nga tyta flakë të verdhë si të një kuçedre në filmat fantastikë. Ajo flakë, e cila me depërtimin e plumbit të parë nëpër tytën e ftohtë çeliku, e kishte tërhequr atë poshtë dhe plumbat tjerë kishin përfunduar në stomakun e atij me emrin Z. që, në atë moment, kishte qenë përpara saj në dy deri në tri metra largësi.

- Oh, nëna ime!… - kishte klithur Z. - Më kanë marrë plumbat në vend të keq. Dhe, pasi ishte munduar t'i ngopi mushkëritë me ajër të pastër, me një zë të ngjirur, që i kishte shkuar duke iu shuar si u shua zëri me sustë në radio, kishte shtuar: - Pa marrë parasysh rrjedhën a përfundimin tim, kush për këtë nuk bën e nuk guxon të marrë ndonjë veprim. Këtë ua përcillni edhe të tjerëve e sidomos babait. Pas një pushimi të mundimshëm nga dhembjet, kishte shtuar edhe këtë: - Kjo është një rastësi krejtësisht e paqëllimtë. M. e kemi vëlla dhe ashtu duhet ta keni edhe tash e pas, pa marrë parasysh përfundimin tim! I kishte mbyllur sytë, duke i shtrënguar dhëmbët nga dhimbjet, që i rriteshin si rritet fitili i llambës, kur ngritët ai me rrotëzën lëvizëse…

"Mos qoftë gjë e keqe dhe ndonjë e ligë!…" - kishte thënë nënë H., sapo e kishte dëgjuar rafalin e revoles.

Lajmi i plagosjes së Z., tok me emrin e M.-së si “doras”, në shtëpinë e zjarrit, vetëm për një çast, ishte pritur si bubullima në qiell të kthjellët. Vetëm në odën e burrave, ku rrinte axha B., ky lajm ishte pritur pa ndonjë bujë e shqetësim të madh. Ishte pritur si diçka që ishte e thënë se duhej të ndodhte, në kohën e vet, herët a vonë.

Axha B. ishte  ngritur në këmbë. Dhe, duke e ndezur një cigare duhan Taraboshi, të cilën e kishte dredhur vetë me shije, kishte shkuar në drejtim të shtëpisë së zjarrit. Ashtu duke ecur oborrit të rrëpirë, pa bastun në dorë, ishte tretur në mendime: "Të ngutem pak ma shpejt se mos po u shpëton ndonjë fjalë e keqe a e ligë, se helbete gra janë ato, e po na ligështojnë në këto momente kur duhet të jemi më të fortë se kurrë…"

Kishte hyrë në shtëpi të zjarrit. Të shoqen, H., e kishte gjetur të qetë, të ulur në shkëmb pranë oxhaku. Madje edhe pa lot në sy. "Dihet se bijë e kujt është kjo, nga ç'derë ka dalë. Nuk e koritë kjo as fisin e vet e nuk më koritë as mua!…" - kishte menduar axha B. shpejt e shpejt përpara se të fliste. Ajo ishte ngritur në këmbë sipas traditës, duke i thënë:

- Eja njeri!…

Pasi ishin shikuar sy më sy për një copë herë, axha B. kishte shtuar:

- Erdha se thashë… Këtu ai e kishte ndalur zërin jo për t’i dhënë peshë, por kishte pushuar pakëz. - Thashë mos po ligështoheni e po flisni ndonjë fjalë, që nuk i shkon derës sonë. Apo mos po e merrni kujën. M. e kemi si djalë tonin. Ai është si vëlla i birit tonë. Taksiratit nuk i iket. Ajo që është e thënë të bëhet do të bëhet edhe pa dëshirën tonë. Këto ndodhi nuk janë në dorën tonë, janë në dorë të Krijuesit, andaj nuk kemi çka të sëkëlldisemi edhe aq. Dhe, pasi kishte heshtur për pak kohë, kishte shtuar:

- Duhet të shikojmë e t'i flasim M. se ai, e di, do ta marrë këtë si diçka shumë tragjike… Kështu është shkruar të bëhet dhe kështu u bë. Djalin duhet afruar e duhet folur. Është i ri e "i riu si veriu" - thotë një fjalë… I kishte ndërpre mendimet në gjysmë, për t'ua dhënë një zgjidhje edhe më kuptimplote. Se, iu kishte bërë sikur ajo që po ia thoshte të shoqes në atë moment, nuk e shprehte tërë atë që ai e ndiente në shpirt e që e përjetonte me zemër. "Do të dalë vetë deri në Kodër, - kishte thënë më vete, - që të shikoj më për së afërmi se çfarë ka ndodhur. Sado që kjo po ma bren shpirtin si krimbi drurin e thatë për Z. tim, hëpërhë më tepër jam i merakosur për M. e t'i flasë vetë që të mos e merr këtë si tepër tragjike. Sado që s'do mend se është tepër e dhimbshme!…"

- Grua! - i kishte thënë më në fund së shoqes. - Po dalë vetë deri në Kodër që të shoh se si është puna.

- Ani njeri. Po ki mendjen e mos u ligështo le të jetë si të jetë!… - i kishte thënë e shoqja, duke e rregulluar mafesin në kokë.

I kishte takuar rrugës. E kishin sjellë Z. në odë. Nënë H., duke iu afruar djalit, kishte pyetur, si pa të keq, krejt instinktivisht:

- Si ndodhi kështu?…

I vëllai i M. më i ri se ai, kishte thënë në atë habi:

- E vrau vëllai im M!…

- Shuaj, lokes mos e fol atë fjalë!… Zoti ka thënë që kështu të bëhet dhe kështu është bërë!…

 

                            *          *          *

Z. e kishin nisur për në qytet që të arrinin sa më shpejt që të ishte e mundur te mjekët në spital. E kishin vënë, gjysmë të alivanosur, në të vetmin mjet për udhëtim që e kishin në raste të tilla e të ngjashme në një qerre me qe, derisa të zbrisnin në rrugën automobilistike. Njërin e kishin dërguar me vrap deri në asfalt që ta ndalonte cilindo mjet, që do të shkonte në drejtim të qytetit të Mitrovicës, duke ia shpjeguar ndodhinë.

Vrushkujt e gjakut pothuaj se ia kishin ndalur krejt, duke i vënë duhan e tul buke në varret si vrima të depërtimit të plumbave, të cilët fatbardhësisht nuk kishin depërtuar anë e kënd trupit se revolja kishte qenë e kalibrit të vogël. Sa herë që kishte bërë qerrja rramabamabam nëpër rrugën tërë gropa-gropa të fshatit, ai i kishte shtrënguar dhëmbët nga dhimbja e mundimshme, sa dukej se po i nxirrnin shkundja, po kujë e gjëmë nuk kishte lëshuar. "Do të mbahem burrë!…" - kishte menduar më vete sa herë që kishte arritur t'i lidhte skajin me skaj të mendimeve të cpirruara në mijëra e mijëra vende e të degdisura si ashklat buzë cungut të druve.

M. kishte shkuar paralel me kokën a tij, duke ia larë mollëzat e faqeve me lot bilur, që i kishin pikuar pareshtur si pikojnë strehët pas kalimit të një rrebeshi shiu. - Mbaju, vëlla!… - i kishte thënë M. Sa herë që ai i kishte çelur sytë me qerpikët e rëndë, që iu kishin rënduar sikurse të kishte copa plumbi brenda tyre. Ndërsa më vete ashtu përmallshëm, kishte menduar kohë pas kohe: "Zot i Madhërishëm e Fuqiplotë ki mëshirë e ndihmona të shkojmë sa më shpejt në spital dhe ki mëshirë e shpëtoje edhe këtë herë…" E herën tjetër e kishte trimëruar vetën, duke menduar ogure për mirë: "Po arritëm ta çojmë të gjallë në spital, e kam një parandjenjë se me ndihmën e Zotit dhe me operimin e mjekimin e mjekëve, kësaj radhe, do të shpëtojë…" Kështu, në sedrën e M. të vrarë e të zgavruar në mijëra e mijëra vende si sitë rëre, ndërroheshin shkëndijëza shprese si liqtë në tezgjah.

                                        *          *          *

Z. e kishte marrë pak vetën pas atij operacionit të gjatë e të suksesshëm. Sipas mjekëve hëpërhë i kishte shpëtuar më të keqes. Seç herë ishte dukur se ai po shkonte  më afër jetës se sa  vdekjes. Axha B. një ditë i kishte thënë M.:

- Sot do të shkojmë së bashku te Z. dhe nga aty do të shkojmë e të bujmë te çika ime e madhe në fshatin aty afër... M. e kishte vizituar Z. në fillim për çdo ditë e më vonë çdo të dytën ditë. Sa herë e kishte vizituar iu kishte bërë zemra mal nga gëzimi, duke vërejtur se ai po këndellej "si me fyzë", siç i thonë një fjale.

- Si të thuash e si të duash ti axha B. i kishte thënë M. Kërkesat e dëshirat tua janë ligj për mua… Nisemi kur të thuash ti…

Z. e kishin gjetur mirë. Sado që kishte folur ngadalë, kishte qenë në gjendje të bisedonte pa reshtur… Por, iu kishte përmbajtur këshillave të mjekëve që të mos fliste shumë e të mos e mundonte vetën, andaj e kishte parë të udhës që të mos e mundonte vetën edhe aq shumë duke folur.

Ishin ndarë nga Z. tejet të kënaqur. M. sa s'kishte fluturuar nga gëzimi. Iu kishte bërë sikur s'po shkelte nëpër tokë, por po fluturonte. Dorën në zemër edhe axha B., edhe pse nuk epej, ishte tejet i kënaqur dhe mjaft i gëzuar. Sa për të birin, që kishte bërë mirë, aq edhe për M. që e shihte aq të gëzuar. "Kush ngutet, për…" - thotë populli. I Kishte ardhur në kujtesë kjo frazë krejt si rastësisht. Ndërsa këtë e kishte rrumbullakuar: "Po të isha treguar i paburrë, e po të isha ngutur, ku do të më kishte mbetur fytyra ime sot?… Ku?…" Nga këto mendime axhën B. e kishte shkëputur zëri i M., i cili i kishte thënë:

- Do të kthehemi këtu në hotel për një drekë! Të lutem mos ma bëjë qejfin dysh!… Axha B. nuk kishte folur, por e kishte tumirë mendimin e M. me lëvizje koke. "Nuk është në nderin tim t'ia prishi qejfin sot për dy arsye: për atë se duket shumë i gëzuar dhe se Z., falë Zotit, kishte bërë më mirë. Siç dukej i kishte shpëtuar më të keqes tash për tash…" - i kishte rrumbullakuar mendimet, duke hyrë brenda…

 

.          .          .

Atë natë kishin ndenjur deri vonë pas mesnate, duke biseduar herë gjëra me peshë, e herën tjetër diç të parëndësishme. M., që ishte një llafazan i llojit të vet, atë natë, për fillim, kishte preferuar heshtjen. "Unë jam i zëni në faj, andaj s'më takon edhe aq të flasë. Do të përgjigjem vetëm në ndonjë pyetje të rastit ose të drejtpërdrejtë… Kështu kësaj radhe, ma thotë mendja, se është e duhet të jetë në nderin tim…" Po ajo heshtje e tij e preferuar nuk kishte zgjatur shumë, sepse axha B. kishte thënë prerë:

- Fjalën e ka M., tani, ta dëgjojmë!…

"Hëhë, kishte bërë ai më vete, ec e bëja fjalën dysh axhës B!…"

?!…

Të nesërmen në mëngjes, sipas një tradite fqinjësore, kishin ardhur ca fqinj, që ishin nga katunde të ndryshme me mentalitete e zakone të tjera nga ato të axhës B. Pasi ishin përshëndetur dhe kishin këmbyer pyetjet e rëndomta për shëndetin e njëri-tjetrit dhe të familjeve në përgjithësi, ai më i moshuari dhe më kryesori e kishte pyetur axhën B. pa të keq:

- A i ke dhënë besë dorasit dhe për sa ia ke dhënë atë?…

Axhës B. i kishte shkuar buza në gaz. Dhe, pasi kishte shtuar më vete se tjera zakone të jetës kemi ne andej, kishte thënë:

- As nuk ma ka kërkuar besën, as nuk ia kam dhënë atë!…

- Si ashtu?!… - i kishin thënë gati në një zë. Ai ta paska koritur shtëpinë dhe ta paska humbur autoritetin ty e familjes përpara syve të botës.

Axha B. derisa e kishte ndezur një cigare me duhan të sertë Taraboshi, të cilat i mbështjellke, gati, më mirë se "të makinës", siç thoshin ata shpesh, i kishte përcjellë me bisht të syrit reagimet e M. Iu kishte  dhimbsur në shpirt, kur kishte vërejtur se atij po i kalonin nëpër fytyrë ngjyra të llojllojshme si të një ylberi pas shiut pranveror, u kishte thënë:

- Vëllai te vëllai nuk ka pse të kërkojë besë. A po e shihni këtë djalë këtu?… Të gjithë i kishin kthyer kokat nga M., i cili ishte bërë all në fytyrë. E pra ky është ai "dorasi" sipas jush, që po u dashka... të kërkojë besë te vëllai i vet, për një vepër krejtësisht të rastësishme dhe tërësisht të paqëllimtë. Jo ore, jo! Për kokën e atij djali që e kam në spital, duke u shëruar, më shumë jam merakosur për këtë se sa për djalin tim, që e ka pasur taksirat. Se ai po pat ymër e jetë, me ndihmën e Zotit dhe me barërat e mjekëve do të shërohet… Ndërsa   po e ka të caktuar ta përfundojë jetën vetëm me këto vite që i ka jetuar deri më sot, mos nga kjo do të kishte ardhur një shkak tjetër dhe ai do ta përfundonte jetën deshëm apo nuk deshëm ne. Ky vetëm është gjendur krejt rastësisht në atë moment kritik aty sa për ta pësuar këtë mërzi, që po mundohem t'ia largoj. Për këtë shkak e kam marrë dhe e marrë pas vete që të mos mërzitet se ky është ende i ri. E i merr urdhrat e Zotit si diçka tragjike. - e kishte përfunduar axha B. rrëfimin e vet, që shprehte burrëri, dhembje e dashuri përnjëherë...**)

            _____________

*) Mëngezit – kështu quhej atëherë koha nga ora shtatë deri në ora dymbëdhjetë, kohë që i lëshonin bagëtinë e imta pa qengja e kecër për t’i kullotur dhe i kthenin në shtëpi për t’i mjelë (për t’ua marrë qumështin). 

**) Ndodhia nuk është e imagjinuar.

Korrik - 2004