Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nafi Baxhaku: BIK-u, tolerancë apo indiferencë ndaj dukurive vehabiste

| E hene, 02.03.2009, 09:28 PM |


BIK-u, tolerancë apo indiferencë ndaj dukurive vehabiste

Nga Nafi Baxhaku, Suedi
 
Kohë më parë, në një gazetë javore kosovare kam shkruar lidhur me atë se çka po ndodh në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK). Ndërkohë ndodhen edhe rrahje në xhami, gjë që edhe për këtë kam paralajmëruar në maj të vitit 2007.
Edhe pse ishin qëllime të mira këto paralajmërime, hasën në vesh të shurdhër. Madje nuk pati reagime të duhura, heshtën organet përgjegjëse. Kur këta heshtin të tjerët veprojnë. Si pasojë erdhi deri tek rrahja masive ne xhaminë në fshatit Zabel i Ulët, por edhe në Xhami dhe institucione të tjera fetare islame. Këto raste tronditën besimtarët dhe shkaktuan shqetësim në opinion. Pa marrë parasysh motivet e ngjarjeve, dhe akterët e tyre, ato duhet dënuar ashpër, madje duhet të izolohen si të tilla që asnjëherë mos të ndodhin. Ngjarjet e tilla nuk do t’u kishin hije ase njerëzve të dehur nëpër kafehane, e lëre më myslimanëve, edhe më keq hoxhallarëve.
Është fakt i pamohueshëm se në të kaluarën nuk ka pas konflikte mes shqiptarëve katolikë, ortodoksë e myslimanë. Pse në këtë kohë po ndodh ky konfrontim mes myslimanëve, edhe atë në xhami?  Kjo është pyetje që dihet përgjigjur përgjegjësit e institucionit më të lartë islam në vend. Mëkat i madh para Zotit, turp para njerëzve, material propagandistik për kundërshtarët e islamizmit dhe të Kosovës. Sa keq!
Kjo duhet të ishte si një alarm për BIK, e cila duhet të shtojë përgjegjësinë e krerëve fetarë, imamëve dhe të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe të strukturave shtetërore, për zgjidhjen e problemeve në kuadër të institucioneve legjitime. Bartësit e fanatizmit dhe primitivizmit fetar duhet luftuar me ligj dhe me mekanizma legjitim shtetërorë.

Virusi (vehabi) përçarës

Shkrimin tim e kishte lexuar një vehabist, i cili një ueb-faqe më cilëson si ‘mosbesimtar’, apo properëndimor, ndjek mësimet dhe propagandën e tyre, bashkëpunëtor i kafirave, shekullarist, që ndjen rrezikun nga Ehli Sunneti (Vehabit)”. Kjo është gjuha e vehabistëve.
Është për t’u befasuar që derisa heshtin disa zëra që nuk duhet të shtihen, të cilët shtirën se janë shqiptarë dhe myslimanë të mirë, në skenë na dalin kundërshtarë të Islamit, sikurse E.Kalaj, i cili në një gazetë ditore thotë: ”Shqiptarët nuk duhet të marrin pjesë në luftën e BIK-ut”. Do pyesja këtë zotëri se kush me kënd qenka duke luftuar? Po edhe le të jetë një lloj lufte kjo, megjithatë shtrohet pyetja se a nuk janë shqiptarë njerëzit të cilët e udhëheqin BIK-un, a nuk është BIK-u i popullit të Kosovës?
Zoti i mëshirshëm fenë islame e ka shpallur për të gjithë njerëzit dhe popujt e botës.
Shqiptarët myslimanë me shekuj kanë jetuar (sikurse edhe sot) me këto bindje dhe ndjenja.
Nëse dikush nuk beson dhe nuk shkon në këtë vije, kjo nuk dmth se ka të drejtë për t’i lënduar ndjenjat e të tjerëve. Kjo nuk është e drejtë e as njerëzore.
Është e pakuptueshme që disa myslimanë dhe hoxhallarë, kohëve të fundit, me sjelljet e tyre po e dëmtojnë imazhin e fesë islame në Kosovë. Vite më parë kamë shpreh frikën që në të ardhmen ngjarje të tilla sikur në Bosnje, Sanxhak, Maqedoni, Shqipëri, të mos ndodhin askund. Për fat të keq veprimi i virusit (vehabi) përçarës, dhe në anën tjetër indiferenca dhe qëndrimi i balancuar i krerëve te BIK-ut, rezultuan me arrogancë e rrahje masive në xhaminë e Zabelit në Drenas e gjetiu. Ku na shpie kjo? Vetëm në humbje, në turpe e rreziqe.
Ngjarje te tilla më së shumti tronditin dhe lëndojnë zemrat e besimtarëve të mirëfilltë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Kjo ndjenjë është më e theksuar kur kemi të bëjmë me shqiptarët, ata myslimanë që jetojnë jashtë Kosovës. Megjithatë, antiislamët dhe antishqiptarët pas këtyre ngjarjeve të turpshme në mesin e myslimanëve tashmë po i fërkojnë duart, për t’i forcuar ”argumentet” e tyre antishqiptare dhe antiislame. Këto kurrsesi nuk duhet lejuar. Ju që besoni e dini një thënie nga Kurani famëlartë: ”O ju që besuat, bëhuni ndihmëtarë të Zotit...”. E ne, çka po bëjmë në këtë rast?!

Kujt i shërbejnë ngjarjet e shëmtuara ndër myslimanë

Kjo ngjarje ndër besimtarët islamë, po u siguron edhe gazetarëve, të cilët për islamin nuk dinë as ABC-në, që të bëjnë emisione dhe shkrime spektakulare. ”Kështu e han pazari”, do të thoshin ata, edhe pse nuk kanë dy lidhje me besimin dhe me islamin në përgjithësi. Për gjithë këtë dukuri duhen të merren së pari BIK-u, por edhe shteti dhe ligji.
Për shkak se këta dy të parët nuk po merren sa duhet me këtë dukuri, një gazetar në një gazetë ditore shkruan: ”Në vend të kreut të BIK-ut, me vehabistët ka filluar të merret Mulla Osman Musliu”. Ky është një konstatim ndoshta i drejtë dhe i vërtetë i gazetarit, por njëherësh është edhe një lajm shumë brengosës.
Ka kohë që konstatohet se institucionin më të lartë islam në Kosovë e ka përfshi kaosi dhe anarkia. Unë nuk dua të besoj në këtë konstatim, por nga ajo që po shihet mund të ketë një dozë të së vërtetës në këto konstatime. Edhe për kreun e këtij institucioni, z.Naim Tërnava thuhet se ”ka frikë të madhe nga vehabistët”. Heshtja e tij tashmë po ma shton këtë bindje dhe e mbështet konstatimin paraprak. Kjo për më tepër shton dyshimin dhe brengosjen se me çfarë pasojash do të përfundon e gjithë kjo gjendje, si do të ”lidhet thesi”.
Nuk e di sa kanë njohuri gazetarët dhe opinioni në Kosovë për Vehabizmin dhe veprimtarinë e vehabistëve. Duhet ditur se kjo dukuri nuk është çështje aq e thjeshtë që mund ta zgjidhë një ose disa Mulla Osmana, madje as një hoxha Shefqet, që mundohet ta mohojë përhapjen e kësaj dukurie në Kosovë. Nuk duhet harruar se vehabistët nuk janë aktivë dhe të organizuar vetëm në Kosovë dhe faktin se kush qëndron pas tyre dhe kush i financon ata.?! Për këtë arsye duhet një qasje më e mençur dhe jokonfliktuoze. Besimtarët janë vëllezër dhe si të tillë duhet të sillen dhe të kuptohen. Por, në këtë rast nuk po ndodh kështu. Kjo më detyron të mendoj se dikush dëshiron që në mesin e myslimanëve të mbjellë një farë përçarëse dhe ndarëse. Nuk duhet lejuar që në emër të fesë islame njerëz ose grupe të ndryshme, të financuara nga dikush, për interesa te caktuara, (të huaja), të manipulojë, sidomos me rininë dhe popullin e shumëvuajtur. Populli duhet ta di të vërtetën dhe të vazhdojë me aktivitete fetare në kuadër të institucioneve zyrtare me mirëkuptim, kulturë e tolerancë.
Mulla Osmani me të drejtë e kritikon Naim Tërnavën për dobësitë që janë pasqyruar në punën e BIK-ut dhe për tolerancën në heshtje që ka bërë ndaj vehabistëve. Kritika e tillë nuk është e parë ndaj kreut të BIK-ut. Frika nga njerëzit këtu nuk ka vend. Duhet të përballemi sot me të keqen, sepse nesër do të jetë vonë.
BIK-u punëson 2000 njerëz të cilët kanë përgjegjësi të madhe para Zotit dhe popullit. Edhe ata janë të obliguar që të gjejnë forcë dhe mënyrë që BIK-u të mbahet dhe forcohet me shtylla të njoma, në mënyrë që myslimanët në Kosovë të udhëhiqen në mënyrë të dinjitetshme dhe që imazhi i tyre të përmirësohet deri në piedestal. Kjo mund të bëhet vetëm me një udhëheqje të vendosur që nuk bënë kompromise ndaj asnjë dukurie devijuese dhe që rrënon imazhin e islamizmit dhe të shqiptarëve të Kosovës.

Simbioza e oportunizmit

Në mesin e myslimanëve si duket ka shumë oportunizëm. Të gjithë flasin kundër dukurive që prishin imazhin tradicional islam, ndërsa publikisht askush nuk merr guximin të thotë asnjë fjalë. Kjo vlen edhe për Mulla Osmanin, i cili këtë e ka thënë publikisht pasi që i ndodhi një konflikt me atë grup njerëzish, të cilët mendojnë se myslimanizmi ndërtohet vetëm me mjekra e me imazhe te huaja. Po të kemi më shumë opinione publike për këtë dukuri të huaj në Kosovë, dhe nga gazetarët, por për ma shumë nga udhëheqësit e BIK-ut, pasojat nuk do të ishin ato çfarë i kemi sot, se disa hoxhallarë, që ka dyshime se i përkasin vehabizmit, nuk do të duhej të kishin vend në institucionet e BIK-ut për arsye të shumta. Pikërisht kjo qasje e udhëheqësve të BIK-ut dhe vartësit e tyre po sillen konform me institucionet e tjera shtetërore. Kjo nuk përkon me një institucion që ka një mision shumë të shenjt se çdo institucion tjetër. Duke i parë këto dobësi, edhe vehabistët po e shikojnë shansin e tyre për të dalë në skenë. Ata edhe ashtu po shitën si besimtarë më të devotshëm dhe në këtë mënyrë duhet të jetë edhe një pretekst për të marre udhëheqësit e BIK-ut. Kjo heshtje e BIK-ut përcillet me rreziqe të shumta jo vetëm për masën myslimane të Kosovës, por edhe për vet BIK-un.
Gazetat dhe gazetarët në këtë aspekt shkruajnë dhe komentojnë varësisht nga preferencat e tyre personale, apo arsye të tjera. Në këtë rast atyre nuk ju pengon nëse është dikush vehabist ose jo. Kështu, disa gazeta në Kosovë, një hoxhë, të cilin Mulla Musliu e cilëson si vehabist, gazeta në fjalë e quan reformator.

Reformator, apo diçka tjetër

Rexhep Boja, në cilësinë e kryetarit të BIK-ut, në një intervistë kishte thënë: ”Në Kosovë ka hyrë gjithçka dhe mundohen nga jashtë të shkatërrojnë Bashkësinë Islame.” Po sot, cilët janë ata? Mos iu janë vënë në shërbim të të huajve, që mundohen së pari të marrin BIK-un, e mandej ”ta reformojnë” islamin?
Se kush nga hoxhallarët apo të tjerë në Kosovë është udhëheqës i vehabive, unë nuk e di, por jam i sigurt se vehabistë ka në Kosovë. Prezenca e tyre është e dukshme. Ata dallohen si nga dukja e jashtme, ashtu edhe nga sjelljet dhe qëndrimet e tyre kudo. Teologë dhe intelektualë të njohur në media kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me prezencën e vehabistëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Sanxhak, Serbi, Bosnje…
Hoxhë Shefqeti, M.A.Vehabin na e paraqet si reformator por, nuk tregon ku gjendet emri i tij në krahasim me reformatorët e tjerë islamë? Këtu ai fsheh faqet e zeza të historisë së Abdylvehabit, i cili kishte bërë krime ndaj myslimanëve të pafajshëm. Kjo i përngjanë propagandës marksiste-leniniste, me të cilën dikur indoktrinohej rinia shqiptare në Kosovë. Nëse për Abdylvehabin po mësuakan fëmijët në shkollat fillore të Arabisë Saudite, kjo s’ka asgjë të përbashkët me Kosovën dhe rininë shqiptare. Në Arabinë Saudite kjo mund të jetë normale, sepse Saudët dhe Abdylvehabi i kanë bashkuar mendjet, shpatat, dhe kanë bërë miqësi kundër Halifit, me qellim për ta bërë mbretërinë, e cila edhe sot sundon në mënyrën më primitive në vendet e shenjta të të gjithë myslimanëve të botës. ”Reformat” e Abdylvehabit nuk i ka pranuar, e as që i zbaton ndonjë shtet arab, e as islamik. Këtë nuk e bën as Turqia e sotme moderne. Atëherë pse këtë ta bëjnë shqiptarët e Kosovës? Kjo është absurde, antiislamiste e antikombëtare, apo më mirë të thuhet anakronizëm.
Ata që sot flasin në emër të Kuranit dhe synetit të Profetit do të duhej që nxënësve të shkollave, qoftë edhe në Arabinë Saudite dhe shtete të tjera, t’i mësojnë që të kërkojnë një reformator tjetër, i cili do t’u shpjegonte se as Zoti e as Pejgamberi ynë nuk i ka urdhëruar myslimanët të jetojnë nën regjimet totalitare, e as nën sundimin e mbretërive, sikurse që është Arabia Saudite. Përkundrazi, i ka urdhëruar ata që t’i kundërshtojnë deri në mposhtje definitive.
Reforma më kuptimplote është interpretimi korrekt dhe zbatimi i Kuranit famëlartë.

Kosova Sot