Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefqet Dibrani: Futurizmi fetar dhe pasojat e tij në zhvillimet gjeostrategjike të Kosovës

| E diele, 01.03.2009, 10:00 PM |


Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani
FUTURIZMI FETAR DHE PASOJAT E TIJ NË ZHVILLIMET GJEOSTRATEGJIKE TË KOSOVËS

NËNA TEREZE SI SIMBOL NACIONAL

Shkruan Shefqet Dibrani*

I kam lexuar me interesim disa nga shkrimet, reagimet, polemikat dhe komentet që i nxiti një Imam i besimit islam që predikon në kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.  Ky klerik, dhe  jo vetëm ky, duke shprehur dogmatizmin e tij futurist, shkon aq larg sa ka fyer një komb të tërë, sepse duke ia fyer figurat markante që e bëjnë kombin e shenjtë dhe të respektuar nga bota e qytetëruar dhe e emancipuar e fyen kombin si tërësi pa dallime fetare e regjionale.

Por duhet pranuar se deklarata e klerikut islam në Prishtinë na vjen pas një sërë librash dhe shkrimesh që derdhnin vrer mbi personalitetin e Nënë Terezës e mbi kultin e Ipeshkvisë Katolike të shqiptarëve të Kosovës me të vetmen arsye pse kjo Ipeshkvi inicioi ndërtimin e Katedrales në Prishtinë. Jo për gjë tjetër por vetëm sa për ta balancuar raportin e Ipeshkëvisë së Kosovës me Kishën Ortodokse Serbe e cila edhe sot e kësaj dite ka ndikim politik e diplomatik në rajon e më gjerë.

Futurizmi fetar i Imamit të Prishtinës vjen pas një mori shkrimesh gazetareske dhe pas traseve që po i paraprijnë një lloj fundamentalizmi fetar që me dashje apo pa dashje i kanë prirë klerik të paaftë, mjeran  fetar dhe sidomos struktura të sistemit komunist në Kosovë të cilat sikurse para luftës, po ashtu edhe gjatë luftës, e sidomos pas përfundimit të saj, kanë ushtruar ndikimin e tyre përçarës dhe antikombëtar mbi të ardhmen e Kosovës, jo vetëm në planin fetar, por në të gjitha rrafshet e zhvillimeve politike, ekonomike, kulturore, religjioze etj. 

Tash profesor universitar, madje akademik, janë bërë radikal dhe të padurueshëm në mbrojtje të Islamizmit, që thënë figurativisht na qenka mjaft i rrezikuar që nga shporrja e diktaturës serbe në Kosovë. Tani individ, intelektual e grupe të shumta që janë pozicionuar në vendet kyçe të shërbimeve informative e mediave në Kosovë nuk ishin, apo nuk deshën të ishin kurrë, mbase kurrë në shërbim të Kosovës dhe në të mirën e saj, sepse këta individ e këto mediume nuk e luftuan kurrë, mbase kurrë as krimin politik, as krimin ekonomik, as burokracinë e as padijeninë që shtrihej e po shtrihet rrufeshëm bashkë me të gjitha sektet e ndikimet fetare (sidomos ato që vinin nga Vendet e Lindjes), e që vërshuan, e po vërshojnë dendur e më dendur pa asnjë pengesë nëpër Kosovën me 11.800 metra katror. Madje emra publik e profesor universitar duke u yshtur herë nga halli, po më shumë nga lakmia e malli, kanë përgatitur një të ardhme të zymtë e jo të qet, sepse sa më e zymtë që të duket e sotmja, e nesërmja do të jetë e pa perspektiv qoftë në zhvillimet politike, ekonomike, arsimore, kulturore e sidomos ato religjioze që si duket do të marrin flamurin e shkatërrimit dhe të kundërshtimit të prezencës Amerikane në Kosovë. Dhe kjo gjë vije si një “mirënjohje?!” e pakontestueshme që i dedikohen Amerikës për gjithë ato shërbime, humane, politike e strategjike që ia ka bërë Kosovës?!...

Kosova si e tërësi gjendet në një anarki trishtuese, prandaj në këtë anarki ka pasur vend për devijime të shumta. Ta zëmë le t’ia hedhim një sy sistemit administrativ se në çfarë gjendje është ai dhe si i kryejnë zyrtarët e saj shërbimet e domosdoshme për qytetarët e atij vendi. (Ti lëmë ligjet e bukura që mund të ekzistojnë vetëm në letër, t’i lëmë spekulimet televizive që i drejtojnë apartakçinjët e sistemit serb në Kosovë), por gjendjen në Kosovë ta shohim me syrin realist. Ta shohim Kosovën dhe zhvillimet e saj me syrin e një evroamerikani i cili si altruist qëndron për pak ditë atje. Le të flasim me gjykimin e një intelektuali shqiptar që jeton në Evropë a Amerikë dhe të bëjmë krahasime pa paragjykime dhe pa ndikime e anime të frustruara  politike e fetare që po errësojnë të ardhmen e Kosovës. Le të krahasojmë të tashmen e Kosovës me vende e shtete që kanë dal nga luftëra më të mëdha, me vende që kanë pasur kriza edhe më të mëdha, me shtete që kosa e krimit ka rënë si rrufe mbi inteligjencën e atyre vendeve dhe të mësojmë nga e kaluara e trishtuar e tyre, se si ata kanë ditur të dalin nga këto kriza ekonomike, politike, sociale, kulturore, fetare e të tjerafarëshe që këtu nuk po i përmendi dhe ta zhvillojmë Kosovën me të vërtet ashtu siç duhet dhe ashtu si ajo e meriton, sepse këto dhjetë vite nuk janë të mjaftueshme për të na besuar se jemi të zotët për zhvillime pozitive. Vetëm me një administrim dhe zhvillim të tipit evropian mund të na besoj Amerika dhe miqtë e saj se ne jemi të zotët e vendit dhe se ne i jemi mirënjohës asaj për të gjitha investimet e bëra në fushën politike, ushtarake dhe diplomatike që ia dha Kosovës dhe kosovarëve.

Sot qytetet e Kosovës janë përpara një shkatërrimi urbanistik, kurse shkatërruesit, përkatësisht pronarët e gjiganteve ekonomike a të ndërtimit i kanë ulëset edhe në parlamentet komunale e deri te Parlamenti i Kosovës. Ku janë mediumet e “pavarura” dhe analist batakçinj që din të flasin aq shumë për Kosovën, por që deri më tani nuk kanë thënë gjë për të ardhmen e saj.

Kosovës i erdhi Drita e Pavarësisë, por e ka mbuluar Terri informativ që e drejtojnë ata që drejtuan edhe në kohën e regjimit serb dhe nuk e kanë mend as të reformohen dhe as të ndryshohen. Pastaj Kosovën e ka mbuluar Terri i Elektranave që nuk prodhojnë dritë në kohën kur thuhej se Kosova ka dhe prodhon rrymë edhe për vendet e rajonit?! Në këtë Terr të përgjithshëm na janë bërë analist dhe komentator (qoftë në radio, gazeta apo televizione të shumta), udbash të kulluar, bij udbashash, bashkëpunëtor publik të shërbimit informativ serb, komunist e enverist të përbetuar, kriminel e dilenxhinj, që në vallen e tyre po lozin injorant e të padijshëm që kanë zënë vende e poste politike në të gjitha strukturat politike e administrative të Kosovës, kurse ison po ua mbajnë Grupe e Organizata Joqeveritare të cilat gllabërojnë fonde e fondacione që iu kanë dedikuar zhvillimeve të Kosovës, dhe sikur ngarendin për të trashur krimin sepse duke u korruptuar vet nuk mund të luftohet krimi i organizuar, padija dhe frustrimet e imamëve të azdisur e yshtur nga organizata më ekstreme që burimin e kanë diku në shkretëtirat e Lindjes së Afërt.

Po ku është katandisur, mjekësia, ku ka vajtur shkenca dhe kultura e saj, ku janë sistemet edukativo-arsimore e..., një mori faktesh të tjera që e shtrëngojnë dhe e kanë vënë në ankth qytetarin e pafajshëm të këtij vendi të bekuar nga Zoti dhe Amerika.

Janë këto disa nga rrethanat e krijuara ku i kanë lëshuar fushëveprim futurizmit islamik në Kosovë me përmasa shqetësuese. Le të bëhet një analizë e sinqertë dhe të shihet se si janë ndryshuar rrënjët e Kulturës Islame në Kosovë duke e larguar nga shtrati i saj tradicional në emër të restaurimeve  në Monumentet e Kultit dhe Besimit Islam në Kosovë duke ndryshuar koncepti tradicional mjaftë tolerant e liberal me një koncept që predikim ka dhunën dhe urrejtjen siç e dëgjuam ditë më parë. Pastaj le të jepen shënime të sakta se sa monumente të kultit e besimit kanë mbirë mbi Kosovën pa asnjë koncept dhe shtrirje të kontrolluar, pa leje ndërtimi e miratime, madje edhe nga vet Bashkësia Islame e Kosovës e cila është më përgjegjësja e gjithë këtij invazioni të shfrenuar. Vetëm në këto vitet e fundit janë ndërtuar e modernizuar universitete fetare e ku japin ligjërata edhe intelektual që propagandojnë një lloj rreziku nga Prezenca Amerikane në Kosovë. Sot në hapësirën shqiptare janë më të fuqishme Shtëpitë Botuese që botojnë libra të Kultit e Fesë se sa Akademitë Shtetërore, më të forta se sa Universitetet Publike dhe kanë një arsenal shumëfish më të fuqishëm se i gjithë potenciali tjetër Kombëtar.

Sot prodhohen e distribuohen revista e gazeta me ndikim fetar të cilat drejtohen nga shkrimtar, analist, intelektual që ndikojnë dhe drejtojnë politiken e Kosovës, që kanë krijuar luks e mirëqenie marramendëse në Kosovë dhe kjo heshtet. Prandaj është koha që politikanët e Kosovës dhe sidomos inteligjencia e saj të vetëdijesohet për rrezikun permanent që po i kanosët Kosovës. Sidomos inteligjenca e re e cila nuk bart fajin e së kaluarës duhet të marrë fatin e vendit në duart e saj e të mos lejoj gjykime futuriste të atyre që dje sugjeronin kosovarët se “Rruga e tyre për në Evropë duhet të kaloj nëpër Beograd” ose të atyre që “Mallkonin lutjet e së Premtes” që bëheshin në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më shumë se për të tjerët për tu hartuar një “Strategji Kombëtare” barra bie   mbi Shërbimin Inteligjent të Kosovës, ku duhet sa më shpejt  të hartoj strategjitë e saja për ta mbrojtur Kosovën edhe në rrafshin e futurizmit dhe të fundamentalizmit fetar.

Adresa: shefqet.dibrani@bluewin.ch

*Sh. Dibrani, është autor i dhjetë librave (poezi, analiza politike dhe kritikë letrare), gazetar dhe veprimtar politik si dhe anëtarë i mjaftë asociacioneve kulturore në Zvicër.
?

Zvicër, 1 Mars 2009.