| E marte, 21.04.2026, 07:59 PM |
Kosova si subjekt-shtet në të drejtën ndërkombëtare dhe identiteti kombëtar shqiptar: kundër konstruksionit të "kombit kosovar"
Shkruan:
Prof. Dr. Fejzulla Berisha
Kjo analizë trajton
në mënyrë të avancuar shkencore dhe juridiko-kombëtare raportin ndërmjet
shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe identitetit kombëtar të popullsisë së
saj shumicë. Duke u mbështetur në teorinë e shtetit, të drejtën ndërkombëtare
dhe analizën historike, argumentohet se Kosova përbën një subjekt të
konsoliduar shtetëror, ndërsa përkatësia kombëtare e shqiptarëve të Kosovës
mbetet pjesë integrale e trungut shqiptar. Koncepti i "kombit
kosovar", nëse interpretohet si kategori etno-kombëtare, paraqitet si
konstruksion politik pa bazë të qëndrueshme historike dhe shkencore.
1. Debati mbi raportin
ndërmjet shtetit të Kosovës dhe identitetit kombëtar të popullsisë së saj
përbën një nga çështjet më të ndjeshme në diskursin bashkëkohor juridik,
politik dhe akademik. Në këtë kontekst, artikulimi i nocionit të një
"kombi kosovar" kërkon një trajtim kritik dhe të argumentuar në
përputhje me teoritë moderne të kombit dhe shtetit.
Qëllimi i këtij shkrim-analize është
të sqarojë në mënyrë të strukturuar dallimin ndërmjet shtetit si kategori
juridike dhe kombit si kategori historiko-identitare, duke e vendosur rastin e
Kosovës në një kornizë të gjerë ndërkombëtare.
2. Shteti si kategori juridiko-ndërkombëtare
Në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, shteti
përkufizohet mbi bazën e elementeve themelore: territori, popullsia, pushteti
efektiv dhe aftësia për të ushtruar marrëdhënie ndërkombëtare. Republika e
Kosovës i përmbush këto kritere dhe përfaqëson një realitet të konsoliduar
shtetëror.
Procesi i shtetndërtimit të Kosovës është i lidhur
ngushtë me parimin e vetëvendosjes dhe me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar
për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Si i tillë, ai përbën një
rast tipik të transformimit politik dhe juridik në kontekstin e rendit
ndërkombëtar bashkëkohor.
3. Kombi si kategori historiko-identitare
Në literaturën shkencore, kombi konsiderohet si një
kategori historike e ndërtuar mbi gjuhën, kulturën, traditën dhe vetëdijen
kolektive. Shqiptarët përbëjnë një komb të konsoliduar historikisht, me
vazhdimësi të qartë identitare.
Shqiptarët e Kosovës janë pjesë e pandarë e këtij
kombi dhe përkatësia e tyre nuk mund të trajtohet si realitet i veçuar. Ajo
përfaqëson një vazhdimësi të drejtpërdrejtë të identitetit kombëtar shqiptar, e
cila ka shërbyer si bazë për artikulimin e kërkesave politike për liri dhe pavarësi.
4. Nocioni i "kombit kosovar" në analizë
kritike
Në planin teorik, dallimi ndërmjet kombit etnik dhe
atij politik është i pranuar gjerësisht. Në këtë kuadër, termi
"kosovar" mund të ketë funksion përshkrues në aspektin e përkatësisë
shtetërore.
Megjithatë, trajtimi i këtij nocioni si identitet
etno-kombëtar më vete nuk gjen mbështetje në kriteret shkencore. Ai nuk bazohet
në elemente dalluese të qëndrueshme, si gjuhë, histori apo traditë të
diferencuar nga ajo shqiptare.
Për rrjedhojë, "kombi kosovar", në këtë
kuptim, paraqitet si konstruksion politik, i cili mund të ketë funksion
instrumental, por jo legjitimitet shkencor dhe historik si identitet kombëtar
autonom.
5. Legjitimiteti kombëtar i shtetit të Kosovës
Një nga shtyllat themelore të legjitimitetit të
shtetit të Kosovës është pikërisht përkatësia kombëtare e shumicës së
popullsisë së saj. Procesi i çlirimit dhe i shtetformimit nuk ishte projekt për
krijimin e një kombi të ri, por për realizimin e të drejtave të një populli
ekzistues – popullit shqiptar në Kosovë.
Në këtë kuptim, identiteti kombëtar shqiptar nuk
është në kundërshtim me shtetësinë e Kosovës, por përbën një nga bazat e saj më
të rëndësishme historike dhe politike.
6. Shteti qytetar dhe balanca me identitetin
kombëtar
Kosova është konceptuar si shtet qytetar, në
përputhje me standardet ndërkombëtare të demokracisë dhe të drejtave të
njeriut. Ky model synon të sigurojë barazi dhe përfshirje për të gjitha
komunitetet.
Megjithatë, ky karakter qytetar nuk nënkupton
mohimin apo zëvendësimin e identitetit kombëtar shqiptar. Përkundrazi, ai
përfaqëson një kornizë institucionale brenda së cilës identitetet kombëtare
bashkëjetojnë në mënyrë të barabartë.
7. Kosova është shtet – jo
komb i ri në kuptimin etno-kombëtar. Ajo është një republikë qytetare e
konsoliduar në të drejtën ndërkombëtare, ndërsa shqiptarët e Kosovës mbeten
pjesë e pandarë e kombit shqiptar.
Termi "kosovar" mund të përdoret në
mënyrë legjitime si kategori qytetare dhe shtetërore, por jo si zëvendësim i
identitetit kombëtar shqiptar. Çdo përpjekje për ta trajtuar atë si të tillë
krijon paqartësi konceptuale dhe bie ndesh me realitetin historik dhe shkencor.
Në një rend ndërkombëtar kompleks, qartësia
ndërmjet shtetit dhe kombit mbetet kusht thelbësor për ruajtjen e legjitimitetit,
stabilitetit dhe kredibilitetit të Republikës së Kosovës.