| E hene, 20.04.2026, 06:54 PM |
Legjenda e Martës dhe amaneti babait
Nga
Albert Z. ZHOLI
Në
një dimër të egër, kur malet ishin mbuluar me një heshtje të bardhë dhe rrugët
humbnin nën dëborë, në një fshat në Veri të Shqipërisë jetonte një vajzë me
emrin Marta. E bukur dhe e bardhë si bora. Ishte e brishtë në pamje, por me një
shpirt të fortë si shkëmbi. Kishte lindur në një natë të bardhë dimri, kur bora
kishte mbuluar çdo gjë si një bekim. Një mbrëmje, babai i saj u sëmur rëndë.
Fryma i merrej me vështirësi dhe sytë i ishin mbushur me një ankth të
pashprehur. Ai e thirri Martën pranë shtratit dhe i dha një letër të palosur me
kujdes. -"Bijë,"-i tha me zë të dobët, -"këtë letër do ta çosh
në fshatin fqinj, te miku im i vjetër. I kam një borxh të rëndë... Gjysmën ia
kam larë, gjysmën tjetër... do t'ia çosh kur të shkrihet bora."
-Çfarë
borxhi baba?-tha Marta mes lotësh
-Bijë,
janë punë burrash. Marta e kuptoi që gaboi.
Ajo
e mori letrën me duar që i dridheshin, por nuk pyeti më. Amaneti i babait ishte
ligj për të. Të nesërmen në agim, pa u zbardhur mirë dita, ajo u nis. Era
priste si thikë, dhe dëbora i arrinte deri në gjunjë. Çdo hap ishte një luftë,
por ajo ecte përpara, me mendjen te fjala e babait. Fshati fqinj dukej si një
hije e largët përmes mjegullës së bardhë. Kur arriti, trokiti në derën e mikut
të babait dhe i dorëzoi letrën. Burri e lexoi me sytë që i mbusheshin me lot.
-"Babai yt është burrë i madh, i besës dhe trim" - tha ai.
-"Borxhi i tij nuk ishte veç për para... ishte për besë dhe ai tashmë para
meje i ka shlyer të gjitha me këtë letër të sinqertë. Tashmë i jam unë borxhli
atij! Ik e qetë bija ime dhe kujdes. " Marta nga gëzimi nga fjalët që
dëgjoi nuk qëndroi gjatë. Ajo duhej të kthehej. Donte të kthehej pasi besonte
se fjalët e mikut të babait mund ta shëronin babain. Ato fjalë mes lotësh të
mikut tregonin sinqeritet dhe pafajësi. Por kthimi ishte më i vështirë. Stuhia
ishte ngritur. Era ulërinte dhe dëbora binte pa pushim, duke fshirë çdo gjurmë
rruge. Bora e vogël eci sa mundi, por të ftohtit i hyri në kockë. Hapat iu
rënduan, sytë iu mbyllën dalëngadalë. U ndal për një çast... dhe aty mbeti. Të
nesërmen në fshatrat për rreth u dha alarmi. Ka humbur Marta vajza e bukur.
Kërkimet zgjatën disa ditë por më kot. Babai i shtrirë në shtrat se duroi dot
dhimbjen dhe vdiq me emrin e saj në gojë. Kur pranvera erdhi dhe bora filloi të
shkrihej, banorët e fshatit e gjetën trupin e saj të ngrirë, të mbështetur mbi
një shkëmb, sikur ende po ruante rrugën. Që nga ajo ditë, njerëzit thonë se në
atë vend bora nuk shkrihet kurrë plotësisht. Dhe kur fryn era e dimrit,
dëgjohet si një pëshpërimë e lehtë: -"Amaneti nuk vdes!" Dhe vajza
Marta mbeti përjetësisht në borë... si kujtesë e besës, sakrificës, respektit
ndaj babait, dhe dashurisë për fjalën e
dhënë.