| E hene, 20.04.2026, 06:55 PM |
Në pritje të marrëveshjes historike LVV-PDK!
Shkruan:
Florim Zeqa
E kam thënë ditë më parë, po e përseris edhe
tani pas dështimit të pritur të negociatave të LVV-së me LDK-në, se bashkimi i LVV-së me PDK-në është zgjidhja më e mirë për vendin dhe
më optimale për Albin Kurtin.
Presidenti nga PDK-ja, zgjidhje
realiste për vendin
Pas dështimit të bisedimeve me
kryetarin e LDK-së, Albin Kurtit i ka mbetur vetëm PDK-ja si zgjidhje reale dhe
optimale për të mos e dërguar vendin në zgjedhje.
Arritja
e një marrëveshjeje politike me PDK-në dhe ofrimi i postit të presidentit për
z. Bedri Hamza është zgjidhja më realiste dhe më pragmatike e Albin Kurtit, jo
vetëm për zgjidhjen e krizës politike, por edhe për vazhdimin e qeverisjes
aktuale.
Bashkëqeverisja
LVV-PDK, përkatësisht koalicioni mes dy partive më të mëdha në vend, do të
prodhojë stabilitet politik dhe mbarëvajtje të
legjislaturës së X-të deri në fund të mandatit politik.
Për më tepër se kaq, ky do të ishte koalicioni më i
natyrshëm i pasluftës në Kosovë.
Bashkimi
i dy forcave politike me përafrim të bindjeve ideologjike do të ndikonte në
konsolidimin e të djathtës shqiptare në Kuvendin e Kosovës si opozitë
konstruktive, e cila gjithçka tjetër mund të quhet tani, vetëm opozitë jo!
Pra,
përafrimi i PDK-së me LVV-në, përveqse i natyrshëm, është i dobishëm për vendin, dhe më lehtë i arritshëm sesa që ishte bashkimi i
LDK-së me PDK-në në vitin 2007.
Andaj,
për të mirën e vendit duhet lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe inatet personale
për stabilitet institucional në shtetit tonë.
Bashkimi
i LVV-së me PDK-në duhet të jetë produkt i një kompromisi të dyanshëm, që i bie se,
LVV postin e presidentit duhet me ia dhënë partisë së dytë parlamentare, në
këtë rast PDK-së me 22 deputet në Kuvend dhe ndarjen edhe të disa ministrive
përkatëse në përputhje me fuqinë politike në Kuvend!
Kështu do të arrihej stabiliteti numerik në Kuvend
për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pse jo edhe arritjen e një
konsensusi politik për ndryshimet aq të nevojshme kushtetuese për zgjedhjen e
presidentit drejtpërdrejt nga populli dhe futjen e referendumit në aktin më të
lartë juridik, për deklarimin plebishitar të popullit për çështje kruciale që
determinojnë të ardhmen e vendit.
Albin
Kurti e ka rastin historik të dëshmojë lidership dhe pjekuri politike në
arritjen e koalicionit me PDK-në.
Në
të kundërtën, për dështimin eventual në zgjedhjen e presidentit, e tërë
përgjegjësia politike do të bie mbi të dhe Lëvizjen Vetëvendosje!
Në
të kundërtën, zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë asnjë rezultat pozitiv për
LVV-në, përveç rënies në elektorat dhe dobësimit të Albin Kurtit si lider më i
votuar në Kosovën e pasluftës!
Andaj, Kosova nuk ka kohë për të
humbur dhe as për të eksperimentuar zgjedhje të reja me forca të vjetra
politike pa ngjizjen e një alternative të re politike.