| E hene, 20.04.2026, 06:56 PM |

GËZUAR 82- VJETORI I LINDJES I NDERUARI ÇERKIN HAJDAR PECI!
Nga
Bedri TAHIRI
Sot, më 20 Prill 2026, mbush plot 82
vjet, profesori, shkrimtari, publicisti e veprimtari i palodhur i çështjes
kombëtare, z. Çerkin Peci.
Urime dhe gëzuar edhe njëqind të tjera,
o koleg i nderuar!
Dhe, për ditëlindjen e tij janë përkujdesur
Breznitë Orëmira, që nxorën në dritë librin KUJTIME, duke e nderuar Bacin
Çerkin!
Meqë autori është në Gjermani, dhe ende
nuk di për këtë befasi, realizuar nga Breznitë Orëmira, unë, i autorizuar prej
Tyre, isha në Lena dhe nga pronari i saj, z. Hajdar Lubonezi, ku ishin të
pranishëm edhe krijues të tjerë, pranova ekzemplarët e librit, dhe, për
lexuesit, po e paraqes një urim të Breznive Orëmira:
BREZNITË ORËMIRA NDEROJNË
ATDHETARIN E DEVOTSHËM ÇERKIN PECI
Çerkin
Hajdar Peci, është një atdhetar i devotshëm dhe i
njohur e i respektuar për kontributin e tij të vazhdueshëm në shërbim të
atdheut dhe kombit, prandaj në 82 vjetorin e lindjes së tij, breznitë orëmira
nderojnë figurën e tij emblematike prej atdhetari të papërkulur, duke botuar
veprën e tij me kujtime të shkruara në Burgun e Dubravës.
Kujtimet e tij të shkruara në një kohë
zezonë e mugëtirash kur Kosova ishte ende nën okupimin serbo-jugosllav, vijnë
sot si një ogur i bardhë, në një kohë kur Kosova është shtet i pavarur por që fatkeqësisht
po kalon nëpër sfida të shumta.
Ato janë një shpalim kujtese i një
njeriu që atdheun e deshti dhe e don me mish e me shpirt, kujtime, ide dhe
mendime të një idealisti që nuk jepet në asnjë rast dhe që gjithmonë qëndron
krenar e ballëlartë në shërbim të idealeve më të larta kombëtare.
Të shkruara me një gjuhë të rrjedhshme,
me një stil të bukur e me një përkushtim të veçantë, Kujtimet e Çerkin Pecit janë sa krenare po aq edhe të
hidhura, sepse ato ngërthejnë në vete një realitet të hidhur të kohëve
tinëzare, nëpër të cilat u luajtën fatet e kombit e të atdheut tonë.
Me fjalën e tij të bukur shqipe, me
mendimin e tij të latuar bukur, me peshën e ideve të tij, me thellësinë e gjykimit
të tij, me përmasën e vizionit të tij largpamës si dhe me misionin e tij të
veçantë prej atdhetari e iluministi, prej mësimdhënësi e prej veprimtari, ai
ngre lart idealin kombëtar, nderon bashkëmendimtarët dhe bashkudhëtarët e tij,
si dhe ua çjerr maskat puthadorëve të shumtë e hipokritë të pushtetit
serbo-sllav që e kishte mbërthyer Kosovën në lak e në gjak.
I lindur dhe i rritur në një vatër të
qëndresës atdhetare që nuk u përkulë kurrë përpara hordhive të shumta barbare,
i edukuar me ndjenjën e theksuar të dashurisë ndaj gjuhës, kombit, atdheut dhe
flamurit kombëtar, i brumosur me idealet më sublime të Rilindjes Kombëtare
Shqiptare, Çerkin Peci eci gjithmonë drejt dhe qëndroi gjithmonë vertikalisht
në rrugën e shenjtë të shqiptarizmës.
Brezi i parë i kësaj vatre të
atdhedashurisë, e kishte luftuar me mish e me shpirt Serbinë e Parë (Mbretërinë
Serbo-Kroato-Sllovene). Të parët e tij: Fazli Smajli e Sadri Smajli, kishin
rënë dëshmorë duke mborjtur pragun e shtëpisë me grykën e pushkës në pranverën
e vitin 1921. Bashkë me ta kishin ra për të mos vdekur kurrë edhe Hajriz
Mustafa, Sylë Polaci (bashkëluftëtari sypatrembur i Fazli Smajlit), si dhe nipi
Bardhec Klladërnica (nip i Fazli e Sadri Smajlit). Në verën e po atij viti, si
pasojë e torturave më mizore në burg kishte vdekur edhe Ali Smajli, i cili
pushtuesit shekullor të truallit arbëror i kishte sfiduar edhe politikisht.
Brezi i dytë i kësaj vatre qëndrestare
e kishte vazhduar sfidën e tij sërish me grykën e pushkës. Xhemë e Hajdar
Zhazha, jo vetëm që e kishin luftuar Serbinë e Dytë me mish e me shpirt duke e
zgjatur më tej sfidën ndaj armiqve të përbetuar të kombit shqiptar dhe
tradhtarëve me damkë, por edhe ia kishin dalur me zgjuarsinë e tyre sërish ta
mbushnin plot sofrën bujare të kësaj familjeje me tradita kombëtare.
Brezi i tretë, luftën me pushkë të
pararendësve të tyre, e kishte vazhduar me penë, me dije dhe me veprimtari të
parreshtur politike e ideologjike kundër Serbisë së Tretë. Ali Xhemë Peci e
Çerkin Hajdar Peci, kudo e kishin përhapur dhe e kishin mbajtur të gjallë
flakën e shqiptarizmës. Të frymzëuar nga gjaku i derdhur për liri nga
pararendësit e tyre, që të dy, ndonëse në rrethana jashtëzakonisht të vështira,
me mish e me shpirt, e kishin sfiduar pushtuesin serbo-sllav. Me ditar në dorë
e në bankat e shkollave, në mesin e popullit e në turmat që po e ndienin se
liria dalëngadalë do të vinte, në mesin e fshatarësisë atdhetare, të minatorëve
e të studentëve, në radhët e familjeve që ishin pozizcionuar drejt si dhe në
radhët e atyre që ende po mëdysheshin, ata e kishin çuar më tej luftën e tyre
politike dhe ideologjike, jo vetëm për një Kosovë të lirë e të shkëputur nga
prangat e robërisë serbo-sllave, por mbi të gjitha për një atdhe të lirë, të
përbashkuar e të përparuar.
Kjo luftë, sa epike po aq edhe
tragjike, sa e vështirë po aq edhe krenare, kishte kulmuar me lirinë dhe
pavarësinë e Kosovës, të cilës kjo derë atdhetare do t’ia falte edhe një
dëshmor në altarin e lirisë, luftëtarin sypatrembur Ramadan Çerkin Pecin-Danin,
në lule të rinisë.
Në këto kujtime shpaloset pra krenaria
e të qenunit shqiptar e bir shqiptari. Në to flet njeriu që vuan për lirinë e
kombit e të truallit të tij, njeriu i burgosur në Bastiljat e Beogradit të
Titojës. Në to shpaloset dëshira e zjarrtë e një nxënësi për dije dhe dritë,
por gjithsesi edhe ideali i një profesori eminent i cili dritën dhe dijen e ka
përhapur në mesin e nxënësve e në mesin e masave të gjëra, së bashku me zjarrin
e shenjtë të atdhedashurisë. Kujtimet e tij dëshmojnë se sa e vështirë ka qenë
të veprosh, jo vetëm politikisht por edhe ideologjikisht, se sa e vështirë ka
qenë të luftosh edhe kundër puthadorëve të shumtë e hipokritëve titistë, të
cilëve Baci ua ka çjerrur maskën shumë keq. Për më tepër se kaq, në këto
kujtime të cilat hedhin një dritë të re për një kohë e cila hera-herës sikur
qëllimisht mbulohet me tisin e një mjegulle jo të rastësishme, lajtmotivi
kryesor është atdhedashuria. Ndjenja e atdhadashurisë e përshkon këto kujtime
fund e krye, por është po kjo ndjenjë e cila e shquan protagonistin e ngjarjeve
të shumta e të veprimtarisë së parreshtur atdhetare, idealistin e papërkulur,
profesorin vizionar, atdhetarin misionar, politikanin largpamës e diplomatin e
shquar, profecia e të cilit i ka pri kohës prandaj edhe koha i ka dhënë të
drejtë mendimeve e veprimeve të tij politike dhe ideologjike.
Çerkin Peci është baba i ushtarit të
atdheut dhe i dëshmorit të kombit, i Ramadan Pecit-Danit.
Ai është edhe nipi i dëshmorit që ra
për Shqipërinë Etnike-Xhemë Smajlit.
Pra, në të dy krahët e tij janë dy
dëshmorë të lirisë, dy engjëj të përjetësisë.
Politikisht ai është rreshtuar prej
kohësh në rrugën e shqiptarizmës, ku prijnë përjetësisht idealet e Abdyl, Naim,
Sami e Mithat Frashërit: për një Shqipëri të lirë, demokratike e të përparuar,
të udhëhequr nga elita e mirëfilltë intelektuale kombëtare.
Ideologjikisht, ai ka qëndruar dhe
qëndron vertikalisht duke e ngritur gjithmonë krenarinë mbi lumturinë,
interesat kombëtare mbi ato personale, dhe duke mos pranuar as edhe një izëm
tjetër, çfarëdoqoftë ajo.
Nuk është pra rastësi që në misionin
dhe vizionin e tij, Çerkin Peci nuk e ka kërkuar kurrë lirinë si lëmoshë por si
një të drejtë të patjetërsuar, të cilën nëna natyrë ia ka dhënë që në lindje të
diellit një populli autokton.
Si e tillë, kjo vepër është vepër e
kujtimeve, e mendimeve, e ideve, e koncepteve, dhe e vizioneve të qarta
politike, të cilat mbeten aktuale sot e mot, gjë që ia shton peshën kësaj
vepre, e cila mbetet sa origjinale po aq edhe aktuale me porositë e mëdha dhe të
qarta, me postulatet e shumta e të drejta se si duhet të zgjidhet përfundimisht
çështja e madhe shqiptare.
Në të shquhet dashuria për gjuhën
shqipe, për arsimin shqip, për popullin e përvujatur e për njerëzit e varfër,
si dhe urrejtja për armiqtë shekullor e për shërbëtorët e tyre të shumtë e të
verbër.
Kësaj vepre ia shtojnë vlerën më shumë
edhe poezitë atdhetare e meditaitive, të shkruara ca në Burgun e Dubravës e ca
në mërgim. Në to mbizotëron motivi i atdhedashurisë, i sakrificës për liri e
për atdhe, si dhe respekti e mirënjohja për lëvizjen studentore, për martirët e
lirisë e për minatorët trima e atdhetarë.
Në përgjithësi, këto kujtime, dëshmojnë
se flaka e atdhedashurisë u mbjat e gjallë nga tre berza luftëtarësh, të cilët
me pushkë dhe me penë luftuan për lirinë e shenjtë të mëmëdheut, ndjenjë kjo e
cila u bart edhe tek brezat e tjerë.
Në mënyrë të veçantë, dashuria për
shkollën, për dritë dhe për dije, ishte pjesë e pandalshme në rrugëtimin
atdhetar të Xhemë e Hajdar Zhazhës, gjë që u mishërua aq shumë dhe aq bukur,
duke u trashëguar edhe tek Ali e Çerkin Peci.
Ali Xhemë Peci është bashkudhëtar dhe
bashkëmendimtar i politikanit largpamës dhe idelologut të çlirimit të shtetit
shqiptar nën flamurin kuqezi (SH.SH.SH. F. K. Z), Shaban Shalës së Letancit, i
cili u martirizua për Flamur e për Atdhe.
Çerkin Hajdar Peci është bashkudhëtar
dhe bashkëmendimtar i atdhetarit zemërzjarrtë e i nacionalistit të përbetuar
për ta bërë Shqipërinë sërish, të lirë e të përbashkuar; i Jusuf Gërvallës, të
cilin dora e zezë serbo-sllave ia ndërpreu veprimtarinë prej një uragani të
çështjes kombëtare shqiptare.
Që të dy, Ali Xhemë Peci e Çerkin
Hajdar Peci, në veprimtarinë e tyre të vrullshme politike e ideologjike priren
nga fryma kombëtare e nacionalizmës shqiptare.
Që të dy kanë qenë nga tri herë të
burgosur nëpër kazmatet jugosllave, e të përjashtuar nga procesi
edukativo-arsimor, si kundërshtarë të përbetuar të politikës së verbër të
‘vëllazërim-bashkimit’ titist, si dhe të ideologjisë kuqaloshe që në tokat
shqiptare solli murlani i Moskës e kolera e kuqe.
Që të dy, ashtu sikurse edhe të parët e
tyre, kanë dhënë për Atdheun dhe nuk kanë marrë nga Atdheu.
Prandaj, Shqipëria e ribashkuar dhe
liria e popullit shqiptar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, janë misioni dhe
vzioni i tyre atdhetar e intelektual, janë krenaria dhe lumturia e tyre, janë
kënaqësia e tyre më e madhe, janë vetë ardhmëria dhe përjetësia e tyre.
Ndërkaq, dashuria e veçantë për librin
që kanë që të dy, përcillet si një ogur i bardhë ndër brezat e tjerë atdhetar
të këtij trungu familjar, jo vetëm si një bekim i madh por edhe tejet i rrallë
të cilin veç Perëndia di t’ia fali dikujt, së bashku me madhështinë e ndjenjës
së atdhedashurisë.
Këta breza trashëguan kështu edhe emrat
e të parëve të tyre. Brezi i dytë trashëgoi emrat e paharruar të Fazliut e
Sadriut, bashkë me ate të Aliut, sepse breznitë orëmira kanë ecur e do të ecin
gjithmonë në shtegun e dritës e të dijes, në rrugën e në fushën e nderit,
gjithmonë ballëlartë e krenarë pse Zoti na fali shqiptarë e bij shqiptarësh.
Prandaj, për atdhetarët e mirëfilltë,
vlen ajo që tha Asdreni: Amanet iu lëmë shpirtat tanë! Poeti
tha se atdheu fillon tek zemra e nënës. Ndërkaq, Napoleoni me të drejtë thoshte
se në prehër të nënave lindin kombet. Atdheu sërish po mblidhet në kështjellë
të kujtesës. Kohët po dëshmojnë se dinë të jenë shumë ziliqare, sadhe të
padrejta. Kujtimet e Bacit, të botuara në 82 vjetorin e lindjes së tij, hedhin
dritë për të shkuarën por më shumë edhe mbi të ardhmen, e cila çuditërisht
duket e paqartë, ndonëse janë derdhur lumenj me gjak. Kalldrëme kujtimesh
shpalosur përmes mendimesh, të cilat Baci i tha gjithmonë me guxim, me
vendosmëri, por edhe me mençuri.
Është kohë paradoksesh, madje jo të
pakta!
Ata që do të duhej ta gëzonin atdheun,
ata që kanë bërë vite e dekada burgjesh, baballarët dhe nënat e dëshmorëve, e
veçmas fëmijët e heronjve dhe dëshmorëve, në vend se ta gëzonin atdheun për të
cilin kanë derdhur aq shumë gjak etërit e tyre, ka kohë që nuk mund ta gëzojnë brenda
atë.
Ata, janë jashtë atdheut!
Në një shtet të dytë shqiptar, të
krijuar pas njëqind vjetësh prej krijimit të shtetit amë, do të duhej të kishte
shumë më shumë shqiptarë brenda tij, sidomos në një shtet të krijuar me aq
shumë gjak, skarifica, therrorizime e vuajtjte të panumërta!...
Gjithsesi, një paradoks i cili breznive
orëmira nuk ka se si të mos ua kujtojë fjalët lapidare të poetit dhe dijetarit
dhe përkthyesit të mrekullueshëm orientalist Vexhi Buharasë, për atdheatrin dhe
dijetarin e Beratit e të gjithë Shqipërisë, të përndriturin Islam Vrionin,
shkruar më 1941:
‘Jeta
e Islam Beut është jeta e një patrioti të vlefshëm, jetë plot përpjekje,
vujatje, therorira e veprime të gjalla për të mirën e Atdheut që i fali jetën
dhe bukurinë. Islam Vrioni, plak 80-të vjeçar, i pastër shpirtërisht, ishte
simbol i një veprimi të paprerë dhe i një ideali të lartë. Tek i ndjeri Islam
Vrioni, jeta shkrihet në idenë dhe ideja në jetë, për të lindur ideali i lartë.
Le ta ndjekim patriotin e shquar të Beratit në udhën e jetës së tij gjatë
sundimit osman dhe do ta dëgjojmë që të nxjerrë kurdoherë zërin e tij të ëmbël
për çështjen shqiptare. Ndiqeni Islam Benë dhe do ta gjeni herë duke u përfytur
me ndonjë pashë osmanlli, herë nëpër shtëpiza të futura, duke ia mësuar shqipen
djelmënisë së asaj kohe bashkë me Babë Dudë Karbunarën, herë në vuajtje të
kapërcyeshme, herë nëpër male dhe herë nëpër mbledhje me rendësi në Kongresin e
Dibrës bashkë me Dervish Himën, Aqif Pashë Elbasanin, Hafiz Ali Korçën etj.’
Pa dyshim, një kronikë në gurrë për një
burrë me ballë Shqipërie:
‘As
trembjet dhe frikësimet e Qeverisë Otomane, as zotimet e ryshfetet që ishin
gati t’i jepnin qeveritarët osmanë, as edhe rytbeja e ndonjë pashallëku që mund
t’i zotonte sulltani, nuk puthnin dot përpara ndjenjës së kthjellët e
patriotike që ndizej në shpirtin e Islam Bej Vrionit…
Duhet të jemi të lirë, i thoshte Islam Beu djelmërisë.
Liria, një fjalë e padëgjuar ose e dëgjuar rrallë në qytetin tonë deri në atë
kohë, u përhap menjëherë me anën e zërit të urtë të Islam Beut. Islam Vrioni
fillon si një mësonjës i palodhshëm t’ia mësojë popullit kuptimin e lirisë në
thellësinë e saj.’
Një kronikë në gur, e cila të bëhet se
është shkruar pikërisht sot dhe jo dikur:
‘Kur më në fund Zoti që punon me
drejtësi, deshi që vendi ynë të qetësohet, Islam Bej Vrioni u tërhoq mënjanë
për ta kaluar tepricën e jetës së tij në prehje. Mirëpo a e dini se çfarë
qëndrimi morën njerëzit e qeverisë së parë ndaj Islam Vrionit? Lëre mos e pyet:
“Një patriot”. Dhe vetëm kaq.”Një veteran si gjithë të tjerët që kreu detyrën e
tij.” Këto ishin fjalët e vetme të qeveriatrëve të saj kohe.
Dhe kur dilnin ndonjëherë broshura në
kujtim të atdhetarëve (edhe këto sa për të perkëdhelur popullin), emri i Islam
Beut nuk dukej fare, ose andej nga fundi në një cep, i zbehtë dhe pa sqarime.
Islam Beu u harrua si u harruan edhe patriotët e tjerë. Lëre mënjanë qeverinë po
të ashtuquajturit shkrimtarë mendjelirë si nuk gjetën aq kohë sa t’i kushtonin
penën e tyre veprës së Islam Beut. Po të zihej në gojë i veteranit beratas,
“një patriot si gjithë të tjerët”, thoshte libre-penseja e asaj kohe. Dhe vetëm
kaq! Hajde se në atë kohë shkrimtarët tanë, nuk gjenin volinë dhe rrethanat, po
tashti në fund si nuk u kujtua ndonjë i ri që të flasë pakës për këtë burrë të
madh?...’
Megjithatë, sërish na shafqet poeti
Lasgush Poradeci dhe epiteti që ai i dha Nikolla Naum Naços: “Në Fatos i
Vetranësisë Shqiptare”.
Pa dyshim, edhe një pagëzim që vetëm
breznitë orëmira dijnë ta bëjnë e ta mbajnë gjallë.
Në ditëlindjen e 82-të, Bacë Çerkinit i
urojmë shëndet dhe suksese, jetësimin e idealit të Shqipërisë së Përbashkuar,
si dhe jetë të gjatë.
Duke shprehur ndjenjën e respektit më
të thellë si dhe të mirënjohjes së pakufi, për jetën dhe veprën e tij
atdhetare, ne shprehim njëkohësisht krenarinë tonë të ligjshme prej breznive
orëmira, duke qenë gjithmonë bashkëudhëtarë dhe bashkëmendimtarë krenarë të
tij, dhe duke besuar në Porosinë e Madhe që na la Ismail Qemali, po në Kujtimet
e tij, se ka Perëndi edhe për Shqipëri, se forca ngadhënjehet nga drejtësia,
dhe se sot e mot: Është e jona Shqipëria!
Gjithmonë, me ndjenjat e falenderimit
të veçantë për misionin dhe vizionin e shpalosur nga Baci Ynë i Madh-Çerkin
Hajdar Peci, i cili me jetën e tij si dhe me veprën e tij atdhetare përmes së
djeshmes i flet të sotmes dhe të ardhmes sonë si komb:
‘Jam i lumtur që jam i lindur në këtë Kosovë, ku nuk
zhvillohet jeta e fjetur, nga
rrjedh se edhe populli im, sipas porosisë së Ismail Qemalit, jeton dhe
gjallon i zgjuar. Është krenari të mos pendohesh që je bir i një kombi të
këtillë. Por edhe është një luftë e pa kompromis kundër të keqes, kundër të
gjitha atyre shtrembërimeve që tentojnë të mohojnë qenien tonë autoktone me
tendencë që të na zhvendosin,
madje kolektivisht nga këtu.
Andaj për këso edukate i jemi mirënjohës, babës Hajdar, i
cili vërtetë gëzoi prestigj familjar, shoqëror dhe kombëtar. Dha prej vetes krejt
çka mundi e, krejt çka dijti, pa kursye mund as kohë. Dijti shumë dhe mundi
shumë dhe përherë i pathyeshëm e i papërkulur, me një autoritet të shkëlqyeshëm
të një shqiptari të vërtetë! Posaçërisht ishte koshient për edukumin dhe shkollimin tonë. Familja jonë u bë e dalluar,
jo për pasuri materiale, po për pasuri shpirtërore, morale dhe ideore.
Ndjenja e çlirimit nga serbo-sllavia ishte krenaria jonë kombëtare dhe ishte pikësynim yni kryesor.
Vaji për atdheun qenka më i rëndi, peshuaka sa edhe vetë jeta.
Vaji për atdheun po u transferuaka në sakrificë dhe, në urrejtje kndër armikut.
Tash më kujtohet dashuria e nënës. Ai përqafim i
këndshëm. Vërtetë, vetëm atdheu i gjason nënës, me gjithë dashurinë e tij!
Falë brezit
studentor të vitit 1981, që ishtë kontinuitet i drejtpërdrejtë i vitit 1968-të
dhe demontratave të tyre, edhe populli shqiptar i Kosovës u kthye në rrugën e
Zotit. E kthei besimin aty ku duhet, në fatin e vet e jo në mëshirën e
pushtuesit serbo-sllav.
Shumë herë kam menduar se sa e vrazhdë do t’më ishte jeta
pa ditar në dorë. Shumë herë kam pasur oferta nga kolegët të punësohëm në
ekonomi, ku të ardhurat do t’i kisha tre herë më të mëdha, po asnjëherë nuk më
ka shkuar mendja ta ndërroj profesionin.
Kam pasur parasysh interesin kombëtar, andaj kam vijuar punën në arsim, aty ku
kam mbjellë ndjenjat patriotike. Arsimin e kisha në zemër, më tepër për arsye
të suksesit kombëtar sesa atij arsimor. Shumë intelektualë më kanë
zhgënjyer në rrugën e kombit, vetëm nxënësat jo.
Ishim krenarë pse vuanim për atdhe dhe popull, për kombin
tonë që gjendej në rrugën e madhe të lirisë, rrugë e cila u trasua me vuajtje,
burgosje, vrasje, varfëri. Mendoj, se shpërblim më të madh prej Perëndie nuk
ka, se kur njeriun e bind për veprimtari
patriotike. Vetëm të mos jemi këmbëngulës që vetëm ne të jemi ata që e
kurorëzojmë lirinë! Krenaria ka hije vetëm kur bëhet me sakrifica dhe me
therrorizime, kështu siç bëri populli im, duke dhënë bijtë dhe bijat më të mira
në altarin e lirisë, duke mos mbetur thjesht viktima, por dëshmorë dhe heronj.
Gjithkush, që ka gjak shqiptari, bën atë që mundet për të
mirën e atdheut, pa kërkuae shpërblim. Shpërblimi më i madh është jetësimi i
pavarësisë dhe bashkimit kombëtar shqiptar, siç thotë e nderuara Elena Gjika: Gjëja e parë për t’u bërë, është
të zgjohet në kombin tonë ndjenja e
bshkimit të tij! Pastaj Petro Nini Luarasi na la amanet: Edhe nëntëdhjetë e
nëntë herë në rënçim, të njëqintën herë
duhet të ngritemi!
Serbo-sllavinë më së shumti e mundonte emri shqiptar,
flamuri kuqezi dhe krenaria shqiptare. Lutem gjithmonë që këto tre begati kurrë
të mos na humbin! Ndodhemi në gojën e Europës, dhëmbët e së cilës shumë herë na
përtypën. Po Zoti i madh na dha fuqinë e
Feniksit dhe shumë herë u ringjallëm. Kam frikën se ndikimet e okupimeve do të
kenë pasoja në të ardhmën në organizimin e shtetit shqiptar modern dhe
demokratik.
Pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar ishte më i
varfëri e, sidomos na që mbetëm nën okupimin jugosllav. Jugosllavët, syrin e
kishin te Kosova, sepse shqiptarët e Kosovës gjithmonë ishin sakrifikuar për
liri e çlirim, andaj shteti jugosllav i kushtoi vemendje të veçantë
shkatërrimit të idealit kombëtar shqiptar në Kosovë. Jugosllavët e dinin se
këtu në Kosovë fillon dhe mbaron shqiptarizma.
Populli, si popull, i çmonte njerëzit e angazhuar për
atdhe e liri. I donte ata, qoftë edhe tinëz. Kjo më jepte shpirt dhe shpresë,
sepse ashtu e shprehte se është i gatshëm edhe vetë të angazhohet, posa
të jipej kushtrimi. Ashtu edhe ndodhi, me rastin e luftës së UÇK-ës.
Edhe sot, më tepër e ndiej vetën bir populli se bir
familje. Andaj kur plangprishësit e lëndojnë popullin shqiptar s’mund rri pa
reaguar. E sot plangprishësit janë institucionalizuar, për fat të keq. Me ligje
e kanë institucionalizuar shpirtin korruptiv të tyre mbi kurrizin e popullit
shqiptar në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë.
Me qenë atdhetar, do të thot me e respektue, me e dashtë,
me çmue, me e nderue dhe me qenë çdoherë i gatshëm të sakrifikohësh për atdhe.
Kombëtar mund të konsiderohet ai njeri, i cili vepron në
të mirë të popullit aq sa punon edhe për veten e tij. Ideologji e mirëfilltë
kombëtare është ajo për të cilën njeriu është në gjendje të therrorizohet, gjithnjë në të mirë të
shoqërisë dhe njerëzimit. Përjashtim gjithsesi bëjnë njerëzit, të cilët në pushtetin okupator ishin të
përkëdhelurit e tij.
Kosova jonë është e dashur për ne. Edhe vorri është i
këndshëm në këtë truall. Këtu edhe vuajtja bëhët krenari që të çon te besimi, se një ditë do
të bëhët më mirë! Është ky vend, të cilin krali dhe mbreti dëshiron ta bëjë për
vete, përndryshe krenaritë u mbesin të mjera. Po ja ky vend i yni se i yni!
Tapi nga Zoti i madhërishëm! Në këtë dhe, sado gëzimet të jenë të shkurtra, ato janë të thella
dhe të qëndrueshme. Njeriu është i krijuar prej dheut të kësaj bote, andaj edhe
duhet që kësaj toke, këtij atdheu t’ia kthejmë borxhin. Atdheu edhe kur të
vdesim e kur familja na largon, ai na pranon në gjirin e tij. Pra është shumë
bujar.
Për atdhe, jo vetëm që lindim e vdesim, po duhet edhe të
jetojmë e të veprojmë për të.
Është vështirë t’i takosh një populli të robëruar, por
është kënaqësi t’i shërbesh atij.
Populli ynë sot vuan për një koalicion të mirëfilltë
kombëtar, për t’iu përgjegjur në mënyrë të duhur, kërkesave dhe interesave
kombëtare.
Është momenti që tërë gjeografia kombëtare të jetë në një
zonë veprimi dhe në të njejtat valë kombëtare dhe të
paraqes një
organizim të përbashkët, sepse ndryshe prapë do të mbesim të copëtuar edhe më
zi se që jemi!
Vetëm një rrugë shpie kah mirëqenja atdhetare: ajo e vetëdijës
kombëtare. Këtë rrugë e kanë vu hajnat tonë në rrugë pa krye, seps me hajni nuk
bën. Kurrë shqiptarëve s’u ka pasë hije hajnia.
Hajnia, për shqiptarët, ka qenë vesi më i shëmtuar, pas
tradhtisë.
Rinia, dikur do të analizojë dhe do të sheh se një popull,
i lindur dhe i rritur në robëri, vështirë e ka të nxjerr nga gjiri i vet
prijësa më të devotshëm, sepse qëllimi i armikut është që ta zbehë, sa të
mundet racën shqiptare.
Populli shqiptar, në viset e pushtuara nën Jugosllavi,
ishte i huaj në atdheun e vet.
Nuk janë pak 115 vjet dhunë sllave; shfarosje e
asimilime! Këto janë vitet e tragjedisë ndër më të rëndat të popullit shqiptar
nën pushtimin e dyfishtë: okupimit dhe komunizmit. Është fakt dhe rrezik, se
kur rrinë bashkë ujku dhe qengji, për një kohë të gjatë, disi rritet besimi,
duke e zgjatur qengji jetën, vetëm deri sa ujku të uritet.
Na duhet të konkurojmë Europën me ndjenjën e punës, me
besën shqiptare, me trimërinë, me mikpritjen, me respektin familjar e atdhetar,
gjëra që në shumë vende të Europës mungojnë.
Në shikim të parë përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës
duken paksa politike, po
vërtetë ato për ideal kanë pasur karakter kombëtar, sepse kishin për bazë
Porosinë e Madhe për atdhe dhe popullin shqiptar. Kjo ishte porosi e gjithë
shtresave popullore, me përjashtim të komunistave në shërbim të pushtuesit
jugosllav. Porositë e mëdha askush nuk mund t’i ndryshojë, sepse janë parimore,
nga rrjedh se si të tilla
janë të patjetërsueshme. Ato burojnë nga mendja dhe zemra e popullt, që për
mbulesë kanë gatishmërinë e populit për sakrificë në çdo kohë dhe në çdo mënyrë
që e kërkon atdheu. Populli ynë, kurdoherë besimin ia ka dhënë inteligjencës,
pavarësisht se ndonjëherë ka dalur i tradhtuar nga disa syresh! Vetëdia e saj
për rolin prijatar dhe për obligimet që ka në jetësimin e Porosisë së Madhe të
kombit, duhet të jetë gjithmonë në nivel të përgjegjësisë. Lum ai që arrinë t’i kryej
obligimet e Porosisë së Madhe!
Plani Kombëtar duhet të përfshijë parimet kryesore, jashtë të cilave nuk mund të
dali askush. Plani Kombëtar duhet të përfshijë dhe të përmbajë në vete tërë
përspektivën kombëtare, për të mos i lënë askujt mundësi të manipulojë me të.
Ai duhet të jetë shumë konkret, pa kurrfarë aludimesh. Pra, Plani Kombëtar duhet
të jetë binar i realitetit dhe fatit të kombit shqiptar, jashtë të cilit nuk mund të
ketë lëvizje nga dashakeqët tanë!
Por edhe Kushtetuta që do të hartohet të jetë e bazuar në
kornizat e Planit Kombëtar Shqiptar të Republikës së Kosovës.
Kosova është një nyje i lidhur moti në histori, rreth
zgjidhjes të së cilës, janë të interesuar, jo vetëm sllavët, po edhe europianët
dhe amerikanët, sepse, vërtet,
mu këtu në Kosovë mund të cenohen dhe të rrezikohen interesat euro-amerikane.
Vetëm të bashkuar mund të mbijetojmë në këtë Ballkan ku
fqinjë kemi këta dy popuj, prej të cilëve kemi vuajtur gjithmonë. Këta dy popuj
ngulfatin civilizimin në Ballkan. Këta kurrsesi nuk lejojnë zhvillimin e një
civilizimi të mirëfilltë në Ballkan.
Nuk duhet të lejojmë të na okupojë politika, po duhet që
ne ta okupojmë politikën.’

