| E diele, 19.04.2026, 03:59 PM |
ANATOMIA E KRIZËS DHE DEMONSTRATAT E 1981-IT SI ARTIKULIM I KËRKESAVE KOMBËTARE ( 3 )
(Broshura
e ilegales: Eksploatimi i egër nën prangat e rënda kolonialiste, Zëri i
Kosovës, Zvicër, 1987)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në
pjesën e titulluar “Struktura e rëndë ekonomike e Kosovës”, e ndërton
argumentin mbi një premisë themelor- raporti i qendrës politike të Beogradit
ndaj Kosovës paraqitet si i ngarkuar me armiqësi dhe i orientuar kundër
interesave shqiptare, çka—sipas autorit—nuk mbetet vetëm në nivel të diskursit
apo të qëndrimeve politike, por shndërrohet në një praktikë të
institucionalizuar kontrolli. Në këtë kuptim, teksti nënvizon se krerët e
Beogradit paskan vënë në veprim një spektër të gjerë masash
shtetërore—ushtarake, policore, politike e të tjera—me synimin që ekonomia e
Kosovës të mos funksionojë si trup i pavarur zhvillimor, por të reduktohet në
rol periferik, pra të shndërrohet në një “shtojcë” të ekonomisë serbe
(serbomadhe).[1]
Kjo mënyrë formulimi e bën të qartë se “struktura” ekonomike, sipas broshurës,
nuk është thjesht rezultat i dinamikave të tregut apo i nevojave të brendshme
shoqërore, por i një projekti politik që e modelon zhvillimin në funksion të
interesave të qendrës.
Në
vijim, tema e shpjegon këtë varësi strukturore duke u ndalur te logjika e
industrisë dhe te nevoja për burime. Theksi vihet te fakti se ekonomia—sidomos
industria—e Serbisë kishte nevojë për furnizime të sigurta me lëndë të parë,
prandaj, ashtu siç e paraqet teksti me një term vlerësues, “si çdo ekonomi
grabitqare”, ajo do të angazhonte të gjitha kapacitetet për t’i garantuar këto
burime. Këtu, nocioni i “burimeve të sigurta” shfaqet si kategori kyçe- ai
nënkupton se sigurimi i lëndëve të para nuk ishte vetëm çështje ekonomike, por
element strategjik, ku periferia shërben si rezervuar resursesh për qendrën
industriale.
Sipas
autorit, ky presion ekonomik i qendrës mbi Kosovën përcaktoi edhe arkitekturën
e vetë zhvillimit vendor- vendimet se cilat degë të ekonomisë dhe cilat sektorë
industrialë do të ndërtoheshin në Kosovë dhe nuk dalin si rezultat i një
planifikimi që synon diversifikim, punësim lokal ose zinxhirë të plotë prodhimi
për tregun vendor, por si rezultat i interesit të jashtëm për furnizim.[2]
Në këtë lexim, Kosova nuk trajtohet si hapësirë që duhet të zhvillohet sipas
nevojave të saj, por si hapësirë që duhet të organizohet sipas nevojave të
industrisë përpunuese serbo-jugosllave.
Materiali
e përmbyll këtë arsyetim me një përfundim të prerë strukturor, pas trysnive të
tilla, në Kosovë u ngritën vetëm ato degë ekonomike dhe të industrisë që
siguronin lëndë të parë dhe materiale riprodhuese për industrinë përpunuese të
qendrës.[3]
Me fjalë të tjera, zhvillimi vendor përkufizohet si zhvillim i njëanshëm dhe
funksional—jo zhvillim që e rrit autonominë ekonomike, por zhvillim që e
thellon varësinë, sepse e bën ekonominë vendore pjesë të zinxhirit prodhues të
një ekonomie tjetër, pa e lejuar të ndërtojë kapacitete të plota të përpunimit,
të vlerës së shtuar dhe të akumulimit të brendshëm.
Në
një mënyrë tjetër, ky fragment mund të lexohet si përpjekje për të artikuluar
një tezë të ekonomisë politike mbi marrëdhënien qendër–periferi: qendra e
industrializuar e përdor periferinë si zonë furnizimi, ndërsa vetë periferia
mbetet me strukturë prodhuese të pjesshme, me rol të kufizuar dhe me
perspektivë të reduktuar zhvillimore. Shkrimi, pra, e sheh “strukturën e rëndë”
jo vetëm si vështirësi ekonomike, por si strukturë të ndërtuar mbi hierarki, ku
vendimmarrja ekonomike dhe industriale është e orientuar nga interesat e
qendrës, ndërsa Kosova vendoset në funksion shërbyes ndaj atyre interesave.
Në
vijim të argumentit mbi orientimin e njëanshëm të zhvillimit ekonomik,
materiali e konkretizon tezën e tij përmes një pasqyre sektoriale, Kosova,
sipas tekstit, është shtyrë drejt një modeli të industrializimit që privilegjon
industrinë bazike dhe aktivitetet shfrytëzuese, duke e lënë ekonominë vendore
të lidhur kryesisht me nxjerrjen dhe përpunimin primar të resurseve minerare.
Në këtë këndvështrim, përmendja e degëve si metalurgjia me ngjyrë—me një varg
produktesh dhe nënproduktesh të lidhura me xehet e plumbit dhe zinkut (p.sh.
koncentrati i zinkut, koncentrati i plumbit, plumbi i papërpunuar, plumbi i
rafinuar, zinku elektrolit)—si edhe prodhimi i arit e argjendit, industria e
jometaleve (magneziti i papërpunuar, magneziti kaustik i pjekur, magneziti
sinter), industria e thëngjillit dhe ajo e elektroindustrisë, nuk shërben vetëm
si listim informativ. Përkundrazi, ky enumerim e ka funksionin të dëshmojë se
profili industrial i Kosovës është ndërtuar si profil furnizues- një ekonomi e
ndërtuar mbi bazën e burimeve, jo mbi bazën e zinxhirëve të plotë të vlerës së
shtuar dhe të përpunimit të avancuar.
Në
terma të ekonomisë politike, ky model prodhon një strukturë zhvillimore
asimetrike. Kosova mbetet e ngarkuar me sektorët që lidhen me nxjerrjen dhe
fazat e para të përpunimit, ndërsa fazat më fitimprurëse—përpunimi i thellë,
teknologjia, produktet finale, akumulimi më i madh i vlerës—priren të
zhvendosen jashtë saj. Si pasojë, “zhvillimi” i shpallur në letër mbetet i
pjesshëm në praktikë, sepse nuk e ndërton autonominë ekonomike të vendit, por e
bën atë gjithnjë e më të varur nga roli i saj si burim lënde të parë.
Materiali
shkon edhe më tej duke e vlerësuar këtë orientim si zhvillim me pasoja të
rënda. Ai argumenton se vazhdimi i theksuar i degëve bazike—në trajtën që ishte
ndjekur deri atëherë—do të kishte efekte “katastrofale” për Kosovën. Thelbi i
këtij shqetësimi lidhet me natyrën e pasurive minerare, ato konsiderohen të
papërsëritshme dhe, si të tilla, të fundme. Nëse eksploatimi vazhdon në mënyrë
“sistematike” dhe “intensive”, paralajmëron teksti, do të vijë një kohë kur
këto burime do të shteren[4].
Këtu, argumenti merr edhe një dimension të qartë të qëndrueshmërisë- kritika
nuk është vetëm ndaj pabarazisë në përfitime, por edhe ndaj logjikës së
konsumimit të burimeve pa një strategji afatgjatë që të ruajë kapacitetet
zhvillimore për brezat e ardhshëm.
Pikërisht
në këtë nyje, materiali e lidh analizën ekonomike me shprehjet publike të
pakënaqësisë kombëtare. Ai e interpreton parullën e njohur të demonstratave
studentore të vitit 1981—“Trepça punon, Beogradi ndërtohet”—jo si slogan
të rastit, por si formulim i përmbledhur i një përvoje të gjerë padrejtësie.
Sipas këtij leximi, parulla përfaqësonte një ndërgjegjësim të drejtpërdrejtë
për mekanizmin e transferimit të vlerës: puna, nxjerrja dhe prodhimi në Kosovë
shiheshin si bazë mbi të cilën ndërtohej përparimi diku tjetër. Kësisoj, ajo
shndërrohet në “shprehje të thellë” të pakënaqësisë dhe protestës së
shqiptarëve kundër eksploatimit të Kosovës.[5]
Përndryshe,
ky fragment e bën të qartë se teksti synon të tregojë një lidhje organike midis
strukturës ekonomike dhe shpërthimit të kundërshtimit social. Një ekonomi e
ndërtuar mbi shfrytëzim dhe përpunim primar, një model që konsumon burime të
fundme dhe që kanalizon përfitimet jashtë hapësirës vendore, krijon kushtet për
delegjitimimin e rendit dhe për artikulimin e revoltës. Në këtë kuptim, parulla
e vitit 1981 del si një “përkthim” i analizës ekonomike në gjuhën e protestës-
një fjali e shkurtër që bart brenda saj një diagnozë të gjatë.
Në
punimin “Vëllimi i pamjaftueshëm dhe struktura e rëndë e investimeve”,
autori ndërton një lexim të përmbledhur, por të ngjeshur, mbi mënyrën se si
ishte konceptuar dhe zbatuar politika e investimeve në Kosovë në periudhën para
vitit 1981. Ai e paraqet investimin jo si proces teknik të shpërndarjes së
kapitalit në funksion të zhvillimit, por si instrument politik dhe mekanizëm i
kontrollit ekonomik. Në këtë optikë, investimet nuk kuptohen si përgjigje ndaj
nevojave reale të një krahine, por si rezultat i vendimmarrjes qendrore—pra, i
strukturave të pushtetit që caktonin përparësitë, ritmet dhe kufijtë e
zhvillimit.
Teksti
nis nga një premisë e qartë- në sistemin jugosllav, vendimet se ku dhe sa të
investohej në republika apo krahina nuk merreshin në mënyrë autonome në nivel
lokal, por përcaktoheshin nga “klika pushtuese” e Jugosllavisë.[6]
Ky formulim e vendos menjëherë Kosovën në pozicionin e një hapësire ku politika
e investimeve vjen “nga lart”, e orientuar nga interesa që tejkalojnë (dhe
shpesh i anashkalojnë) prioritetet e brendshme të zhvillimit. Rrjedhimisht, për
autorin, investimi bëhet shenjë e marrëdhënies qendër–periferi: sa më i
kontrolluar të jetë investimi, aq më e kontrolluar bëhet edhe ekonomia.
Brenda
kësaj kornize, autori e përshkruan politikën e Beogradit për investimet në
Kosovë si të ndërtuar mbi një prag minimal, të investohej vetëm aq sa ishte e
nevojshme për të garantuar furnizimin me lëndë të parë dhe materiale
riprodhuese në sasi të mjaftueshme për ekonominë e Serbisë (në radhë të parë)
dhe, më gjerë, për ekonominë e Jugosllavisë.[7]
Kështu, investimi nuk shfaqet si mjet për ta rritur kapacitetin e brendshëm të
Kosovës për prodhim të larmishëm për përpunim të avancuar apo për akumulim
vendor, por si mjet për ta siguruar funksionin e saj furnizues në zinxhirin e
përgjithshëm industrial serbo-jugosllav. Për pasojë, teksti sugjeron se
“zhvillimi” lejohej vetëm në atë masë sa i shërbente nevojave të ekonomisë
qendrore.
Paralelisht
me këtë, autori vëren se politika e investimeve synonte të siguronte edhe atë
që ai e quan “minimumin e ekzistencës”—madje e formulon edhe më prerë si
“shkalla më e ulët e jetesës” për banorët e Kosovës.[8]
Ky detaj është thelbësor në argumentin e tij- mjafton të ruhet një nivel i
tillë jetese sa të mos shpërthejë menjëherë kriza sociale, por jo aq sa të
krijohet mirëqenie e qëndrueshme, emancipim ekonomik apo ngritje e ndjeshme e
standardit të jetesës. Me këtë, autori sugjeron një politikë të kalkuluar:
investimi si dozë minimale stabiliteti, jo si strategji zhvillimi.
Më
tej, në temë artikulohet kjo politikë si “shoviniste” dhe pretendon se ajo
kishte dy qëllime kryesore, të cilat në pamje të parë mund të duken
kontradiktore, por që në thelb funksionojnë së bashku si dy anë të së njëjtës
strategji. Së pari, synimi ishte që të investohej sa më pak në objektet
ekonomike kosovare, ndërkohë që të sigurohej sa më shumë lëndë e parë për
ekonomitë serbo-jugosllave.[9]
Kjo do të thotë: të nxirret maksimumi i resurseve me minimumin e kapitalit të
kthyer në Kosovë—një logjikë që e rrit varësinë dhe e ngurtëson strukturën
periferike të ekonomisë vendore.
Së
dyti, autori thekson se politika nuk lidhej vetëm me sasinë e ulët të
investimeve, por edhe me “strukturën” e tyre. Këtu ndarja bëhet e qartë, nuk
mjafton të thuhet se investohej pak; duhet parë edhe ku investohej dhe për
çfarë. Pra, edhe kur investimi ndodhte, ai orientohej drejt sektorëve dhe
kapaciteteve që e përforconin rolin shfrytëzues të Kosovës—sektorë që prodhonin
lëndë të parë dhe materiale riprodhuese—dhe jo drejt degëve që do të mundësonin
cikël të plotë prodhimi, përpunim të thellë, teknologji, apo zhvillim të
qëndrueshëm të tregut vendor.
Në
fund, autori ndërton një tezë të ekonomisë politike, vëllimi i investimeve
ishte i kontrolluar dhe i pamjaftueshëm, ndërsa struktura e tyre ishte e tillë
që e mbante Kosovën në një pozitë funksionale ndaj qendrës—me zhvillim të
kufizuar, standard jetese të ulët dhe rol furnizues në ekonominë
serbo-jugosllave. Kësisoj, investimet paraqiten jo si shenjë e integrimit të
barabartë, por si mekanizëm i riprodhimit të pabarazisë.
Për
ta bërë të prekshme dhe të verifikueshme tezën e tij mbi padrejtësitë
strukturore që, sipas broshurës, i janë bërë Kosovës brenda kornizës
jugosllave—dhe veçanërisht nën ndikimin e qendrës serbe—autori nuk mjaftohet me
përshkrime të përgjithshme, por e mbështet argumentin edhe në të dhëna
statistikore. Kjo zgjedhje metodologjike është e rëndësishme, sepse e zhvendos
diskutimin nga niveli i vlerësimeve normative në terrenin e krahasimit të
matshëm, nëse politika e investimeve ka qenë e padrejtë, kjo duhet të shfaqet
edhe në mënyrën si është shpërndarë kapitali zhvillimor dhe në ritmet e
investimeve ndër vite. Në këtë kuptim, statistikat që sjell autori synojnë të
shërbejnë si “dëshmi e ftohtë” e një realiteti të “ngrohtë” politik- pabarazisë
në trajtimin e Kosovës.
Autori
propozon një mënyrë të qartë krahasimi, në vend që të flitet vetëm për shuma të
përgjithshme investimesh, ai e vë theksin te investimet ekonomike për një
banor—një tregues që synon ta relativizojë madhësinë e popullsive dhe të mundësojë
një krahasim më të drejtë midis Kosovës dhe mesatares jugosllave. Brenda këtij
kuadri, ai shënon pjesëmarrjen e investimeve për banor të Kosovës në raport me
mesataren jugosllave në disa momente kyçe historike. Rezultatet, siç paraqiten
në broshurë, krijojnë një trajektore të pabarazisë që lëviz në mënyrë të
çrregullt, por me prirje të përgjithshme të dobësimit: më 1947 investimet për
banor në Kosovë arrinin 51.2% të mesatares jugosllave; më 1953 bien në 24.2%;
më 1970 ngjiten në 45.6%; ndërsa më 1981 ulen në 5.0%.[10]
Këto shifra, në optikën e autorit, nuk janë thjesht numra: ato janë tregues të
një raporti të pabarabartë që, në vend se të korrektohet me kalimin e kohës,
prodhon një hendek gjithnjë e më të thellë në momentet vendimtare.
Mbi
bazën e kësaj serie të dhënash, autori nxjerr përfundimin se me kalimin e
viteve investimet në Kosovë kanë ardhur duke u zvogëluar në mënyrë të dukshme.[11]
Edhe pse të dhënat përfshijnë një rritje relative në vitin 1970 krahasuar me
1953, prania e rënies drastike në 1981 e përforcon idenë e një prirjeje
strukturore, në prag të shpërthimit të demonstratave dhe të krizës
sociale-politike, niveli relativ i investimeve për banor në Kosovë paraqitet
jashtëzakonisht i ulët krahasuar me mesataren federale. Kjo, në interpretimin e
materialit, sugjeron jo vetëm një deficit ekonomik, por edhe një kontekst të
përshtatshëm për rritjen e pakënaqësisë shoqërore, sepse investimi publik dhe
zhvillimi janë të lidhur drejtpërdrejt me standardin e jetesës, punësimin,
infrastrukturën dhe perspektivën sociale.
Më
tej, autori e thellon argumentin duke deklaruar se nga këto fakte rezulton se
investimet ekonomike “as për së afërmi” nuk përkojnë me nevojën e madhe që
Kosova kishte për përmirësimin e bazës së saj materiale.[12]
Me këtë ai nënkupton se Kosova, si hapësirë me prapambetje dhe deficit të
infrastrukturës prodhuese, do të duhej-në një logjikë të barazisë zhvillimore-të
trajtohej me prioritet investimor për të kapërcyer hendekun. Mirëpo, sipas
broshurës, ndodh e kundërta: Kosova merr një pjesë disproporcionale të vogël,
çka e bën pabarazinë jo vetëm rezultat, por edhe mekanizëm që riprodhohet.
Në
fund, diskriminimi investimor paraqitet si faktor me pasoja të gjera për
zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës.[13]
Autori e sheh këtë si një zinxhir shkakor: investime të pamjaftueshme - bazë
materiale e dobët - kapacitete të kufizuara prodhuese dhe
infrastrukturore - stagnim social dhe ekonomik - thellim i pabarazisë
dhe rritje e tensioneve. Në këtë
mënyrë,
statistikat funksionojnë si pikë mbështetjeje
për
një tezë më
të
madhe se pabarazia nuk është vetëm
perceptim politik, por është e regjistruar në
treguesit e zhvillimit dhe në vetë
arkitekturën e shpërndarjes së
resurseve.
Vijon