| E diele, 19.04.2026, 03:58 PM |

Arti i pikselit
Vështrim
mbi ekspozitën personale të artistit Hekuran Sokoli, e cila u hap dje në
'Ulpiana Art Center' (ish-bunkeri i Ulpianës) në Prishtinë
Nga
Ilir Muharremi, kritik i artit
Arti
tejkalon të vërtetën, madhështia dhe fuqia e tij është si detyrë të arrijë në
aspiratat më të thella të artistit, ta hulumtojëzonën e pahulumtueshme, të asaj
që pushon brenda vetes, qëështë e thjeshtë dhe në kuptim është e lartë dhe e
veçantë. "Arti nuk e riprodhon atë që shohim, përkundrazi, na bën të
shohim", thotë Paul Klee. Këtu Klee refuzon idenë klasike të artit si
pasqyrë e realitetit dhe e vendos atë si një akt që e prodhon vetë perceptimin.
Pra, arti nuk është një kopje e botës, por një mënyrë për ta hapur atë për ta
bërë të dukshme atë që zakonisht mbetet e fshehur në përditshmëri. Çka është
katrori për artin, ose a është katrori art? Arti si logjikë ndaj një forme të
thjeshtë, por të bukur në esencë. "Katrori nuk është një formë e
pavetëdijshme. Ai është krijim i arsyes intuitive", thotë Kazimir
Malevich. Një logjikë, një rregull i brendësisë, një përsosje dhe rezultat
matematikor nga krijimi drejt shkencës, sepse arsyejadhe forca strehohen te
sfera e shkencës. "Më pëlqen ende të besoj se katrori është një shpikje
njerëzore", pohon Josef Albers. Katrori nuk ekziston si i tillë jashtë
mendjes, ai është rezultat i një akti rregullimi, abstragimi dhe idealizimi. Në
këtë kuptim, katrori bëhet dëshmi e aftësisë njerëzore për të krijuar rend aty
ku realiteti është i parregullt. Ai përfaqëson një dëshirë për qartësi,
ekuilibër dhe kontroll, një formë që nuk pasqyron botën, por e riformulon atë
sipas logjikës së mendimit. Prandaj, katrori nuk është thjesht figurë gjeometrike,
ai është shenjë e ndërhyrjes së njeriut në realitet, një simbol i mënyrës se si
ne ndërtojmë kuptim përtej asaj që është dhënë. Katrori në art nuk është
thjesht figurë gjeometrike, por një formë e pastër që simbolizon rendin,
ekuilibrin dhe ndërhyrjen e mendjes njerëzore mbi realitetin. Ai nuk gjendet në
natyrë në mënyrë perfekte, prandaj përfaqëson një abstraksion, një mënyrë për
ta riformuluar botën.Për Kazimir Malevichin, katrori ishte "pikë
zero" e artit, një formë e çliruar nga çdo përfaqësim. Ndërsa për Josef
Albersin, ai u bë mjet për të eksploruar perceptimin dhe marrëdhëniet e
ngjyrave. Pra, katrori vetë nuk është art, por bëhet art kur përdoret me qëllim
dhe kuptim. Në thjeshtësinë e tij, ai mbetet një nga format më të fuqishme për
ta menduar artin.
"Dëshmitarët
e pikseluar", një titull domethënës që e krijon në ekspozitën e tij
Hekuran Sokoli, me kuptim poetik e filozofik, një përballje me figura të
fshehura prapa katrorëve, të fragmentuara në njësi digjitale gjatë punës së tij
si gazetar, prodhon një tension të ndjeshëm mes të dukshmes dhe të padukshmes.
Në ekran, dëshmitarët nuk shfaqen më si identitete të plota, por si struktura
të përkohshme ngjyrash, si prani që lëvizin ndërmjet shfaqjes dhe zhdukjes.
(frymëzuar nga ekranet televizive, prania e dëshmitareve me kokë të mbuluar,
imazh katrori). Pikërisht në këtë hapësirë liminale lind impulsi për t'i
përkthyer këto imazhe në gjuhën e pikturës. Këto konfigurime vizuale, të
ndërtuara mbi ritme gjeometrike dhe ndërthurje kromatike, rezonojnë me
disiplinën formale të Bauhaus-it, si dhe me ndjeshmërinë e pikturës së Paul
Klee dhe teorinë e ngjyrës së Johannes Itten. Në këto punime, katrori nuk
paraqitet më si një njësi neutrale formale, por si një pikë ndërmjetëse mes
pranisë dhe mungesës. Struktura e rrjetit krijon një rend që në pamje të parë
sugjeron racionalitet dhe kontroll, por brenda këtij rendi zhvillohet një
lëvizje e heshtur e ngjyrave, një dridhje e brendshme që e prish çdo stabilitet
të plotë. Kjo e bën sipërfaqen të duket si një fushë ku perceptimi nuk
vendoset, por vazhdimisht negocion me atë që mund të shihet dhe atë që i
shpëton shikimit. Ngjyra këtu nuk është thjesht cilësi optike, ajo funksionon
si gjendje. Tonet e errëta tokësore bartin një peshë të heshtur, ndërsa
ndërhyrjet më të ndritshme krijojnë çarje në këtë densitet. Në këtë tension,
për Johannes Ittenin ngjyra nuk ishte vetëm fenomen fizik, por përvojë e
brendshme dhe pikërisht në këtë nivel këto punime fillojnë të artikulohen si
hapësira të ndjeshmërisë, jo vetëm të shikimit. Fragmenti, i përsëritur në
mënyrë modulare, nuk e humb individualitetin e tij. Çdo katror mbetet një botë
e vogël e mbyllur, por njëkohësisht i detyruar të ekzistojë në raport me të
tjerët. Kjo marrëdhënie e brishtë ndërmjet pjesës dhe tërësisë evokon një
logjikë që mund të lidhet me intuitën poetike të Paul Klee, ku forma nuk është
përfundim, por proces, një gjendje në zhvillim të vazhdueshëm.
Megjithatë,
ajo që u jep këtyre punimeve një dimension më të thellë është prania e një
imazhi që nuk shfaqet plotësisht. Përtej rendit gjeometrik, perceptohet një
figurë e mundshme, e shpërbërë, që refuzon të bëhet e qartë. Kjo e vendos
veprën në një raport kritik me aspiratën e Kazimir Malevichit për një art të
çliruar nga çdo referencë. Në vend të një "ndjenje të pastër", këtu
kemi një kujtesë të filtruar, një realitet që nuk zhduket, por mbetet si gjurmë
brenda abstraksionit. Punimet e Hekuranit nuk janë as plotësisht abstrakte dhe
as figurative, ato qëndrojnë në një zonë ndërmjet, ku imazhi është gjithmonë në
prag të shfaqjes dhe zhdukjes. Pikseli shndërrohet në një njësi ontologjike, jo
vetëm ndërtim vizual, por dëshmi e një pranie të ndërprerë. Dhe pikërisht në
këtë ndërprerje, në këtë pamundësi për ta parë plotësisht, hapet një hapësirë
reflektimi ku arti nuk paraqet, por sugjeron, nuk tregon, por lë të kuptohet.



