| E shtune, 18.04.2026, 06:55 PM |
ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
Nga Frank Shkreli
Shkoi në amshim në
moshën 76-vjeçare lahutari i njohur i Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj,
njëkohësisht, edhe një nga figurat më autentike të folklorit shqiptar. I lindur
në Nikç të Kelmendit, Malësi e Madhe, ai kishte filluar t’i binte lahutës që në
moshë të re. Ashtu si pothuaj shumica e lahutarëve të shekullit të kaluar të
atyre trojeve edhe Jonuz Delaj është frymëzuar nga vepra madhore, “Lahuta e
Malësisë” e At Gjergj Fishtës. Kryetari i Bashkisë, Malësi e Madhe, Z. Tonin
Marinaj duke shprehur ngushëllimet e tija familjes dhe kolegëve të tij, për këtë
burrë të talentuar dhe të merituar tha se vepra e Jonuz Delajt to “mbetet e
përjetshme për të gjithë malësorët” dhe për të gjithë shqiptarët.
Në një njoftim të
botuar në portalin e Bashkisë, Malësia e Madhe, jepet lajmi i zi se Malësia dhe
mbarë Kombi shqiptar humbi një nga zërat më të rrallë të saj. Një ruajtës të
trashëgimisë kombëtare dhe një dritë që ndriçoi kulturën dhe shpirtin e
malësorve dhe të gjithë shqiptarëve. Shqiptaria humbi Jonuz Delajn, artistin e
madh, Lahutarin e radhë, të “pa-arratishëmin”, siç e cilësoi këngëtari i njohur
malësor Nikollë Nikëprelaj. Me lahutën në duar dhe me zemrën plot dashuri për
traditën, ai i këndoi historisë sonë dhe trimërisë. Zëri i tij nuk ishte
thjesht muzikë, por identitet, ishte një frymë që bashkonte brezat, thuhet në
njoftimin e Bashkisë Malësi e Madhe.
Këtë instrument muzikor Jonuz Delaj ka thënë se e ka trashëguar nga
babai dhe gjyshi që ishin mjeshtra të lahutës. Si motit, Lahuta dhe pushka
ishin binom i çdo familje malësore. Thuhej në ato kohëra, se fëmijët bëheshin
ose të pushkës ose të lahutës.
Por sot, në heshtjen
e maleve të Malësisë së Madhe, ku jehona e lahutës ka qenë gjithmonë
frymëmarrja e shpirtit shqiptar, sot ndjehet një mungesë e thellë. Është shuar
një zë që nuk ishte, thjesht, i një njeriu, por i një epoke i një kujtese dhe i
një tradite të lashtë. Largimi nga kjo jetë i lahutarit të madh, Jonuz Delaj,
është një humbje e pazëvendësueshme për kulturën kombëtare shqiptare. Ai nuk
ishte vetëm interpretues i lahutës. Ai ishte një ruajtës i historisë, një
rrëfimtar i gjallë I trimërive dhe i dhimbjeve të popullit shqiptar, Në lahutën
e tij kumbonin legjendat e kreshnikëve të maleve tona, sakrificat e të parëve
dhe krenaria e Malësisë. Çdo varg i kënduar prej tij, mbante mbrenda shqpirtin
e një kombi që nuk harroi kurrë rrenjët dhe identitetin e vet të lashtë. Me një përkushtim të rrallë dhe dashuri të
thellë për traditën, ai me një numër të vogël lahutarësh të tjerë, arrijti ta
mbajë gjallë një art që sot rrezikohet të zbehet nga koha. Në odat dhe
festivatlet e shumta ku ai kçndonte, njeëzit nuk dëgjonin vetëm muzikë. Ata
përjetonin histori, ndjenin emocion dhe lidheshin me identitetin e tyre
stërgjyshor.
Sot, ndërsa Jonuz
Delaj nuk është më midis nesh, trashëgimia që la pas mbetet e pavdeshme. Lahuta
e tij do të vazhdojë të jetojë në kujtesën e atyre që e kanë dëgjuar, në
zemërat e atyre që e deshën dhe në duart e brezave, që shpresojmë se do
frymëzohen prej tij në të ardhmen.
U prehsh në paqe, o
mjeshtër i madh i lahutës, Jonuz Delaj. Zani yt as i lahutës tënde nuk do
shuhen kurrë, sepse jehona do të vazhdojë të dëgjohet ndër male, në histori dhe
në shpirtin e çdo malësori e shqiptari, kudo që gjënden sot nepër botë.!
Youtube
--
Jonuz
Delaj – “malsoret janë ma te naltë se malet”—Këngë me lahutë
Youtube --Jonuz
Delaj - Kanga e Nores nga viti 1976

At Gjergj Fishta dhe
vepra e tij, Lahta e Malcisë, frymëzues të lahutar[ve si Jonuz Delaj

Jonuz Delaj, Lahutari
i Malësisë së Madhe dhe i mbarë Kombit shqiptar u nda nesh: i frymëzuar nga vepra madhore, “Lahuta e Malësisë” e At
Gjergj Fishtës.

Jonuz Delaj (I pari nga e djathta në foto me disa lahutarë nga Rugova) njihet si një ndër lahutarët që ka mbajtur gjallë këngën epike në zonën e Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës. Ai ka kënduar për trimat e Malësisë, nderin dhe historitë e fisit. Figura e tij lidhet me odat tradicionale ku lahuta ishte qendër e kuvendit.