| E shtune, 18.04.2026, 06:56 PM |
Dëshira për riatdhesim, vullkan i pashuar në shpirtin tim!
Ëndërr që nuk shuhet asnjëherë
I prirë nga dashuria për atdhe, me zemër dhe shpirtë të mbushur plot
mall dhe dashuri për vendin tim, jam munduar për më tepër se tre dekada rresht
nga perëndimi të bëjë diçka të mirë për vendin tim!
Ishte kjo një ëndërr e mbushur plot shpresë dhe nostalgji, me besim në
respektim të vlerave dhe në meritokraci!
Shkruan: Florim Zeqa
Por sot, ajo
ëndërr e imja është duke u venitur dhe kthyer në iluzion, për shkak se ata për
të cilët bëra më së shumti, më harruan dhe anashkaluan në çdo proces të jetës
dhe shtetndërtimit!
Ajo
(veprimtaria ime) që dikur më bënte të ndjehesha kreanr, sot po shndërrohet në
mashtrim dhe zhgënjim!
Megjithatë,
ende besoj në një të nesërme më të mirë për vendin tim.
Por, ajo
shpresë e mirë dhe dëshirë fisnike po pengohet nga njerëz të pashpirtë dhe pa
ndjenja kombëtare!
Pasi,
padrejtësitë tashmë ka marrë përmasa alarmante për të gjithë veprimtarët dhe
çlirimtarët e këtij vendi!
E mira
pengohet dhe luftohet ngado dhe kudo me të gjitha mjetet (anti)ligjore, kurse e
keqja gjen mbështetje të masave të gjëra popullore!
Kjo prapësi
nuk ka ndodhur asnjëherë në trojet tona shekullore!
Por, unë
prapë se prapë do të vazhdoj të qëndroj vertikalisht me të drejtën dhe të
vërtetën e përjetshme.
Pasi vetëm e
vërteta qëndron përjetësisht, kurse gënjeshtarët dhe mashtruesit, hipokritët
dhe zuzarët do të largohen një ditë dhe harrohen që ishin në këtë botë!
Prandaj, unë
nuk do të ndalem së punuari për të mirën e vendit dhe qytetarëve deri në frymën
e fundit, pavarësisht se ku ndodhem; në vendlindje apo emigrim!
Vendlindja
është 'alfa dhe omega' e çdo inspirimi, kurse puna në emigrim mbetet i vetmi
burim ekzistencial dhe suporti material në angazhimin tim atdhetar, publicistik
dhe intelektual!
Deri në këto
momente kur po i shkruaj këta rreshta, edhe pse kam bërë jo pak për shtetin e
Kosovës, nuk e kam as më të voglin satisfaksion material dhe as moral!
Përderisa
subjektet tjera politike i ofruan rreth vetes veprimtarët e mërgatës,
intelektualët dhe publicistët e niveleve mesatare, subjekti politik, të cilin e
mbështeta për dekada me mijëra shkrime autoriale nuk u kujdes as për një
falenderim publik, e lërë më të mendoj për ndonjë mirënjohje apo satisfaksion
tjetër moral.
Megjithatë,
ëndrra për kthim në vendlindje (riatdhesim) vlon si vullkan i pashuar në
shpirtin, t'a shijojë së paku në vitet e pleqërisë aromën e vendit tim të lirë,
ta ndjejë nga afër dorën e shtetit të pavarur dhe sovran për të cilin nuk e
kurseva as një minutë të jetës sime!
Krejt në
fund të këtij shkrimi të shkurtër, për lexuesit e rregullt dhe besnik ndaj
atdheut, po e ndaj këtë poezi të shkruar 10 vite më parë, e cila shërben si
testament për shumë atdhetar në emigrim.
Ëndërra për atdhe
Ditët e
gjata në mërgim,
shpresat për
kthim n'vendlindje m'i shtojnë.
Të shoh si
rritet atdheu im,
ta ndjejë
frymarrjen e lirë,
të popullit
tim.
Vendlindja
ime e shtrenjtë,
këtu
n'mërgim rri e vuaj,
me mallin
per ty, jetës kornizë i bëj,
panoramë e
ndjeshme, këtu në vend të huaj.
E kur të
vdes,
dua që dheu
i yt të më mbuloj.
Edhe i
vdekur, në varr,
aromën e
dheut ta shijoj,
nën erën e
blinit të djegur ndër shekuj,
ndoshta shpirtin qetësoj!