| E shtune, 18.04.2026, 06:55 PM |
Viron Kona dhe libri i tij “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”
Nga Bujar AGALLIU
- Redaktor i librit
Sapo ka
dalë libri më i ri për fëmijë i shkrimtarit të njohur Viron Kona, i titulluar “Kolipoçi
shkon urgjent në bashki!” Me këtë personazh tërheqës dhe me aventurat e tij
fëmijërore, lexuesi i vogël është njohur fillimisht te libri “Kolipoçi, ngrënësi i qershive”, kurse në këtë libër,
pra, “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”, vijojnë aventura të tjera tërheqëse të këtij vogëlushi:
-Ku po shkon me kaq nxitim, o Kolipoç?
-Në bashki.
-Ç ‘punë ke ti në bashki?
-Kam një problem urgjent, vetëm kryetari i bashkisë mund të ma zgjidhë!
Kalimtarët dëgjonin dhe nënqeshnin. Kolipoçi njihej
në qytet si një ngrënës i madh qershish, apo ashtu i kishte dalë nami, por ata
s’mund ta merrnin me mend se ç ‘problem urgjent mund të kishte ai me kryetarin
e bashkisë në atë ditë të nxehtë vere!
Ndërsa Kolipoçi vijonte të ecte serbes drejt
bashkisë, njerëzve u tërhiqte vëmendjen edhe një çantë shumë e madhe, që
vogëlushi e mbante me vështirësi. -Çfarë do të ketë brenda asaj çante?! -
pyesnin ata njëri-tjetrin të habitur...
Shkrimtari Kona e njeh mirë botën e fëmijëve dhe di
t`i tërheq ata si me magji drejt mesazheve kryesore të tregimeve. Ai, me
përvojën që ka, njeh mirë edhe zyrat dhe administratën e shtetit, ndaj, artistikisht krijon situata të këndshme
e me humor, ku “përplaset” këmbëngulja e Kolipoçit për të takuar kryetarin, me pengesat që i sjellë atij, fillimisht
roja te dera e jashtme e bashkisë, i vetëquajturi Barbaxhan. Përballë atij njeriu, Kolipoçi
tregon qetësi dhe zgjuarsi, tregon edhe respekt për rojën, por edhe i përgjigjet
me mençuri dhe me dinjitet kur ai e bullizon...
Kolipoçi arrin të hyjë në bashki dhe në katin e parë
takohet rastësisht me Dallëndyshen, specialisten e artit, e cila është dashamirëse
dhe e qeshur. Ata të dy, duke folur për librat dhe vlerat e tyre, vënë në dukje
se libri është lënë pas dore. “-Kioska
që dikur ishte librari, është shndërruar
në qebaptore dhe kafene...” - i thotë Kolipoçi specialistes së artit. “-Shumë
të rinj dhe të rritur, - i thotë ajo,- dinë të gjithë
llojet e lokaleve, emrat e tyre të çuditshëm, por vetëm ndonjë qytetar i rrallë
e di se ku ndodhet libraria...” Nga biseda e Kolipoçit me specialisten e artit,
lexuesi mëson se “librat” janë mbyllur me
kyçe të mëdhenj në disa kioska të vjetra, atje, ata janë të zhubrosur nga
lagështia, ndërsa mjaft libra të përdorur, por edhe të rinj, i shikon më shpesh
në trotuare, duke pritur të blihen nga kalimtarë që kalojnë indiferentë ndaj
tyre... Ndërkaq, mbetet në mendje të lexuesit episodi te hyrja e një shkolle ku,
një shitës farash luledielli, çdo mëngjes e sillte kazanin e madh të mbushur
plot e përplot me fara dhe, kur mbaronte mësimi, kazani është krejt i boshatisur. Nxënësit përtypin gjithë ditën
fara luledielli...në vend që të “përtypin” libra. Po aq interesant dhe tërheqës
është veprimi i mençur i Kolipoçit dhe fëmijëve të tjerë, për të rigjallëruar
zakonin e vjetër, që praktikohej dikur për Ditën e Librit:
“-Ne, - i tha Kolipoçi specialistes së
artit, - së bashku me Bubulinon dhe të tjerë kemi vendosur që ta
rigjallërojmë zakonin që, në Ditën Botërore të Librit, të shkojmë pranë
librarisë së madhe të qytetit dhe, cilitdo që blen një libër, t’i dhurojmë një
trëndafil. Mezi po e presim që të vijë ajo ditë...”
Kësisoj, si pa kuptuar
fëmijët mësojnë se Dita Botërore e Librit është caktuar më 23 prill të
çdo viti, pasi 400 vjet më parë, më 23 prill 1616, u ndanë
nga jeta shkrimtarët e mëdhenj Shekspir, Servantes dhe De la Vega. Fëmijët
mësojnë gjithashtu se ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka
origjinën në zonën e Katalonjës, në Spanjë, madje atje ishte zakoni që, atij që
blinte një libër, i dhurohej një trëndafil. Këtë zakon ata do ta bëjnë edhe në Ditën
e Librit për Fëmijë, që festohet çdo vit më 2 prill (në këtë datë është ditëlindja e shkrimtarit të shquar
danez për fëmijë, Andersen).
Në vazhdim, në katin e dytë të bashkisë, pas një
keqkuptimit me punonjësen e pastrimit të
bashkisë, shfaqet një nëpunës i rreptë administrate, i cili kërkon ta pengojë Kolipoçin
që të hyjë te zyra e kryetarit. Kolpoçi përfshihet në debat me nëpunësin
burokrat. Episodet dhe dialogët që fshehin një humor të brendshëm shoqërojnë bisedën
mes atyre të dyve. Më në fund, ishte zotësia e vogëlushit që e bënë të
ndërroj mendim zyrtarin burokrat:
Kolipoçi e pyeti:
-Po ti
zotëri, nuk ke qenë asnjëherë i vogël?
-Sigurisht,
unë s`kam lindur burrë i madh!
-E po,
kur ti ishe i vogël, kështu do të doje të silleshin të rriturit me ty!? Unë
besoj që kur ke qenë fëmijë, dikush s’i ka dëgjuar kërkesat e tua për të
luajtur e për t`u argëtuar, apo jo? Dikush me siguri atëherë të ka thënë: “Qepe
gojën dhe mos bëj fjalë! Ne kemi halle të mëdha, po na nxjerr koka tym, kurse
ty të është bërë mendja fushë futbolli dhe top!” Më thuaj të drejtën, të ka
ndodhur ndonjëherë ndonjë gjë e tillë?”
Atëherë
nëpunësi burokrat i kthehet kujtimeve të tij të fëmijërisë...Çdo njeri ka
kujtime nga fëmijëria... Më në fund ai i
thotë vogëlushit: -“Ma fitove zemrën, Kolipoç!” Pas kësaj ai e ndihmon
vogëlushin që të shkojë te zyra e kryetarit.
Kryetari i bashkisë e mirëpret vogëlushin dhe mes
tyre zhvillohet një bisedë e këndshme, por edhe situata të bukura, dialogë që
përcjellin mençurinë e Kolipoçit dhe mirëkuptimin e kryetarit. Ai befasohet me
zgjuarsinë e fëmijëve, por dhe ndihmën që ata japin për mbajtjen pastër të qytetit,
si dhe në mbjelljen e pemëve për zbukurim dhe për pastrimin e ajrit nga ndotja
dhe nga gazrat... Aty Kolipoci
zbulon qëllimin e ardhjes së tij në bashki: Kompania e ndërtimit “Qiellorja”
kërkon t`u zërë fëmijëve të lagjes “Pranvera” fushën e tyre të lojërave, duke
ngritur atje një qiellgërvishtës. Kësisoj fëmijët e lagjes “Pranvera” kanë shkruar dhjetëra
letra, që Kolipoçi i ka futur në çantën e tij të madhe. Fëmijët duan që
kryetari i bashkisë t`i lexojë letrat e tyre...
Pasi njihet me kërkesat e fëmijëve, kryetari
bashkëbisedon me zyrën e projektimeve të bashkisë dhe bashkërisht vendosin që “qiellgërvishtësi”
të ngrihet në një vend tjetër, kurse
atje ku ishte fusha e fëmijëve, të ngrihet një park i madh sportiv... Gjatë bisedës,
kryetari bashkëbisedon me Kolipoçin edhe rreth disa vizatimeve të thjeshta
artistike të fëmijëve, ku ata qortojnë edhe zakonin për përdorimin e tepruar të
celularit...Autori nënvizon se celulari ka
vlerat e tij për fëmijët dhe të gjithë njerëzit, por
ai vë në dukje se edhe libri ka vendin e vetë dhe nuk duhet të ndihet i braktisur.
Si redaktor i librit, e vlerësoj artin e kujdesshëm
të tregimit nga zoti Kona, portretizimin e karaktereve, mesazhet mbresëlënëse
që libri përcjellë si dhe faktin që lexuesi duhet doemos të njohë dhe të
respektojë të drejtat e fëmijëve. Interesant është edhe përmendja nga autori i
shkrimtarit të njohur Xhek London, i cili thotë: “Nëse ju nuk do të gjeni
kohë të lexoni e të studioni, atëherë edhe bota nuk do të gjejë kohë t`ju vërë
veshin dhe t`ju dëgjojë”.
Libri “Kolipoçi
shkon urgjent në bashki”, në 100 faqet e tij, krahas bukurisë artistike dhe
pasqyrimit të disa probleme bashkëkohore që kanë të bëjnë me edukimin e mirë të
fëmijëve, i argëton lexuesit e vegjël, nxit tek ata dëshirën për leximin e
librit, si dhe përcjellë te prindërit, te shoqëria dhe tek autoritetet
shtetërore mesazhe mbresëlënëse.
Urime dhe
falënderime autorit Viron Kona për këtë libër plot mbresa, mesazhe dhe emocione!