| E hene, 13.04.2026, 06:51 PM |
Këndvështrim mbi veprën “Vështrim historik mbi mitologjinë pellazgo-ilire dhe falsifikimet greke, romake dhe serbe” të studiuesit Pjetër Nikolla
(Në
vend të urimit në ditëlindjen e 90-të të studiuesit Pjetër Nikolla)
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Vepra
e Pjetër Nikollës, “Vështrim historik mbi mitologjinë pellazgo-ilire dhe
falsifikimet greke, romake, serbe”, paraqitet si një përpjekje e gjerë, e
ngarkuar me pasion kombëtar, për të rishikuar disa nga çështjet më të
debatueshme të historisë së lashtë dhe të identitetit shqiptar.
Që
në faqet e para të librit, pra në parathënien e tij, autori e vendos qartë boshtin
e vet ideor: ai nuk dëshiron të ecë në gjurmët e historiografive që i
konsideron të shtrembëruara, por synon të paraqesë një të vërtetë që, sipas
tij, është lënë në harresë, është deformuar ose është fshehur me qëllim nga
tradita të ndryshme historiografike greke, romake dhe sllave. Kjo hyrje nuk
është thjesht një parathënie informuese, por një deklaratë programatike, një
lloj manifesti intelektual, ku autori e sheh veten jo vetëm si studiues, por
edhe si mbrojtës të një kujtese historike që e konsideron të cenuar.
Në
faqet hyrëse ai flet me bindje për lidhjen pellazgo-ilire-shqiptare, për
nevojën e mbështetjes në argumente të ashtuquajtura shkencore dhe për
domosdoshmërinë që shqiptarët të mos heshtin më përballë falsifikimeve
historike. Kjo e bën hyrjen një pjesë shumë domethënëse, sepse aty kuptohet
menjëherë se libri nuk do të jetë vetëm një paraqitje faktesh, por një tekst i
mbushur me ton polemik, me frymë mobilizuese dhe me një mision të qartë
identitar.
Duke
e lexuar librin në fjalë, del në pah se pjesa e parë, që nis rreth faqeve 11
dhe vijon deri afërsisht në faqen 20, e vendos lexuesin në botën e miteve të
pellazgëve, të cilët autori i paraqet jo vetëm si popull i lashtë, por si
popull themelor, gati hyjnor, i lidhur me fillesat e qytetërimit. Në këtë
pjesë, ai përpiqet të ndërtojë një univers ku pellazgët nuk janë thjesht një
emër i errët i antikitetit, por një trung i madh nga i cili janë ushqyer
qytetërime të mëvonshme.
Në
faqet ku ai u referohet edhe librave biblikë, vërehet prirja për ta vendosur
pellazgjinë në një horizont edhe më të gjerë, duke kërkuar lidhje ndërmjet
traditës mitike, kujtesës fetare dhe gjuhës shqipe. Këtu hyn edhe përpjekja e
autorit për të shpjeguar etimologjinë e personazheve mitike me ndihmën e
shqipes.
Pikërisht
në këtë pikë, libri fillon të marrë trajtën e një argumentimi që nuk ecën
gjithmonë sipas metodës së disiplinuar të gjuhësisë historike, por shpesh
mbështetet në ngjashmëri tingëllore, afri intuitive dhe asociacione që autori i
sheh si prova. Për një lexues kritik, kjo pjesë ngjall një reflektim të
dyfishtë: nga njëra anë vlerësohet përpjekja për t’i dhënë shqipes një rol
qendror në interpretimin e lashtësisë, por nga ana tjetër ndihet mungesa e një
aparati metodologjik më të saktë, i cili do t’i bënte këto pohime më të
qëndrueshme në rrafshin shkencor.
Kur
libri hyn në pjesën e dytë, rreth faqeve 22 deri në 41, ai shtrihet në një
territor edhe më të gjerë imagjinar e spekulativ: Atlantida e Platonit dhe
krahasimi i saj me Durrësin e përmbytur në Shqipëri. Kjo pjesë është ndër më të
veçantat e veprës, sepse autori ndërton një analogji mes rrëfimit platonik të
Atlantidës dhe fatit të Dyrrahut (Durrësit). Në disa faqe ai shkon madje deri
te hamendësime për ndërhyrje jashtëtokësore, duke e larguar tekstin dukshëm nga
historia dhe duke e afruar me hipoteza që i përkasin kufirit të imagjinatës dhe
të pseudoshkencës. Megjithatë, në këtë pjesë shihet qartë dëshira e autorit për
të treguar se toka shqiptare nuk është periferi e qytetërimit, por qendër e
tij, një vend ku mund të kërkohen jo vetëm gjurmë të antikitetit, por edhe
jehona të miteve më të mëdha të njerëzimit.
Kur
ndalet te etimologjia e emrit Atlantida apo te anagrama e emrit Atlanta në
shqip, autori mbetet besnik ndaj mënyrës së vet të interpretimit, e cila është
më shumë intuitive dhe identitare sesa filologjikisht e verifikueshme. Edhe aty
ku përmend Shekspirin në lidhje me Durrësin, ai synon të ndërtojë idenë se
Shqipëria ka qenë në vëmendjen e kujtesës së madhe kulturore evropiane. Kjo
pjesë, pra, edhe pse e dobët në aspektin e provueshmërisë shkencore, është
shumë e fortë në aspektin e imagjinatës kombëtare.
Në
pjesën e tretë, rreth faqeve 44 deri në 53, libri ndalet te Lufta e Trojës.
Këtu autori përpiqet të japë një lexim të ndryshëm nga versioni klasik, duke
theksuar rolin e pellazgëve, të akejve, të dardanëve dhe të Trojës si pjesë e
një realiteti më të afërt me botën ilire e shqiptare sesa pranohet zakonisht.
Në faqet ku trajton argumentet mbi falsifikimet e Luftës së Trojës, ai synon të
rrëzojë narrativën tradicionale dhe të tregojë se historiografia klasike ka
lënë në hije elemente që mund të çonin drejt një lidhjeje më të fortë me
pellazgo-ilirët. Edhe këtu ai nuk mjaftohet me një analizë të ftohtë, por
shkruan me ton denoncues. Lufta e Trojës nuk paraqitet vetëm si një ngjarje e
largët mitiko-historike, por si një nyjë e madhe ku, sipas autorit, janë bërë
shtrembërime të hershme që më pas kanë ndikuar në gjithë vetëdijen historike të
Evropës Juglindore.
Në
faqet 57 deri 66, ku trajtohet lashtësia dhe autoktonia e pellazgëve dhe
vijimësia e tyre te shqiptarët, e madje edhe te etruskët, libri merr një
drejtim edhe më të drejtpërdrejtë identitar. Kjo është zemra ideologjike e
veprës. Autori nuk e paraqet autoktoninë thjesht si një tezë të mundshme, por si
një të vërtetë që, sipas tij, është e provuar, por e mohuar. Kur shkruan se
shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, ai nuk lë shumë hapësirë për hezitim.
Kjo e bën tekstin të fuqishëm si shpallje, por njëkohësisht e bën të cenueshëm
si argument shkencor, sepse historia dhe etnogjeneza janë fusha që kërkojnë
kujdes, krahasim burimesh dhe pranim të kompleksitetit. Megjithatë, duhet
pranuar se pikërisht kjo siguri absolute është ajo që i jep librit frymën e tij
të veçantë: ai nuk është shkruar për të dyshuar, por për të pohuar.
Pjesa
kushtuar gjuhës shqipe, nga faqja 71 e deri rreth faqes 89, është një tjetër
gur themeli i veprës. Autori e konsideron shqipen si një nga gjuhët më të
vjetra në botë dhe si mbartëse të gjurmëve të drejtpërdrejta pellazgo-ilire. Ai
përpiqet të sjellë vlerësime, deklarime dhe klasifikime që, sipas tij, e ngrenë
shqipen në një shkallë më të lartë vlerësimi historik dhe shkencor. Për
lexuesin shqiptar, kjo pjesë mund të ketë një efekt krenarie, sepse flet për
gjuhën jo vetëm si mjet komunikimi, por si dëshmi e një lashtësie të lavdishme.
Megjithatë, edhe këtu ndihet nevoja për një dallim të qartë midis entuziazmit
kombëtar dhe standardeve të gjuhësisë krahasimtare. Autori e ndërton argumentin
e tij me bindje, por jo gjithmonë me aparatin kritik që do të kërkohej në një
studim universitar. Kjo nuk e zbeh domosdoshmërisht peshën emocionale të
tekstit, por e kufizon peshën e tij në mjedisin akademik.
Në
faqet 91 e më tej, ku trajtohen shkrimi dhe alfabeti pellazg, si dhe më pas
ardhja e pushtuesve helenë grekë, libri fiton një ton akuzues edhe më të fortë.
Helenët, danaenët, dorianët, kadmenët dhe Pelopsi paraqiten si ardhacakë,
pushtues dhe përvetësues të një trashëgimie më të hershme pellazge. Kjo pjesë e
librit është ndërtuar mbi një kundërvënie të qartë: vendasit autoktonë në
njërën anë dhe të ardhurit uzurpatorë në anën tjetër. Në këtë mënyrë, historia
e lashtësisë interpretohet si një proces i dhunshëm zëvendësimi kulturor, ku
emrat, hyjnitë, miti, gjuha dhe kujtesa iu rrëmbyen popullsisë pellazge. Kjo
mënyrë rrëfimi ka fuqi të madhe letrare dhe polemike, sepse krijon qartësi dhe
tension, por në të njëjtën kohë rrezikon të thjeshtëzojë tej mase realitete
shumë të ndërlikuara historike. E megjithatë, për autorin, ky është pikërisht thelbi:
të tregojë se nuk kemi të bëjmë me zhvillime neutrale, por me përvetësime të
qëllimshme.
Nga
faqet 121 e në vazhdim, kur hyn te popullsia ilire e gadishullit ilirik, te
qytetet, mbretëritë, madhështia e Ilirisë, ardhja e fiseve pushtuese nga veriu,
e deri te dardanët ilirë dhe trojanë, libri fiton një strukturë më historike
dhe më të lidhur me toponiminë, etnografinë dhe traditën e kujtesës shqiptare.
Këtu autori shpalos me më shumë siguri një botë ku Iliria nuk është një nocion
i largët muzeal, por trualli i gjerë i një vazhdimësie që shkon deri te
shqiptarët e sotëm. Dardanët marrin një vend të veçantë, jo vetëm si fis ilir,
por edhe si urë me Trojën, duke i dhënë historisë shqiptare një thellësi epike.
Këto faqe janë ndër më të fortat për lexuesin kombëtar, sepse atje lidhen
Kosova, Iliria, Troja dhe identiteti. Edhe kur ka teprime interpretative,
autori arrin ta ngrejë rrëfimin në një nivel ku historia bëhet pjesë e
ndërgjegjes së gjallë dhe jo thjesht përmbajtje libri.
Kur
arrin te faqet 151 e më pas, me konfliktet me Maqedoninë dhe Bellum Dardanicum,
si dhe sidomos te ardhja e sllavëve në gadishullin ilirik dhe falsifikimet e
shovinistëve serbë, libri hyn në hapësira ku lashtësia takon traumën historike
moderne. Në këto faqe autori shkruan jo vetëm si studiues, por si dëshmitar
moral i një historie të përgjakur. Ai flet për gjenocidin serb ndaj
shqiptarëve, për dëbimet masive, për politikat e shkombëtarizimit. Kjo pjesë ka
një ngarkesë të fortë emocionale dhe politike. Nuk kemi më vetëm një debat për
pellazgët apo etimologjitë, por për vuajtjen historike të një populli. Këtu
libri merr pothuajse trajtën e një aktakuze. Për një lexues shqiptar, sidomos
nga trojet e prekura nga dhuna, kjo pjesë mund të ketë forcë të madhe
përjetuese.
Megjithatë,
pikërisht për shkak të kësaj force, do të kërkohej edhe më shumë kujdes
dokumentar dhe balancë argumentuese, në mënyrë që dhimbja e drejtë të mos e
zëvendësojë krejt filtrin kritik.
Faqet
kushtuar Epirit, shkatërrimeve romake, ndarjes së Perandorisë dhe tragjedisë së
çamëve, si edhe gjenocidit ndaj tyre, e zgjerojnë më tej horizontin e librit.
Autori e sheh Epirin jo si një periferi të huaj, por si një truall të lidhur
ngushtë me lashtësinë pellazgo-ilire dhe me fatin e shqiptarëve. Kur flet për
djegien e 70 qyteteve të Epirit dhe Ilirisë, ai përpiqet të vendosë në kujtesën
historike jo vetëm një tragjedi të lashtë, por një vazhdimësi plagësh që
shkojnë deri në shekullin XX. Në këtë mënyrë, libri nuk e ndan antikitetin nga
koha moderne, por i lexon të dyja brenda së njëjtës logjikë të cenimit të një
trungu autokton.
Në
faqet 191 e deri rreth 223, ku trajtohen besimet e lashta pellazgo-ilire,
Dodona dhe hyjnitë që, sipas autorit, i përvetësuan helenët grekë, libri
kthehet sërish në zemrën mitologjike të tij. Zeusi, Demetra, Persefoni, Athena,
Poseidoni, Apolloni, Afrodita, Artemisa, Akili, Herkuli, Hermesi – të gjithë
vendosen në një kornizë ku paraqiten si figura të një bote fillimisht pellazge,
të përvetësuar më vonë nga helenët. Kjo pjesë është e rëndësishme, sepse zbulon
synimin e vërtetë të autorit: ai nuk dëshiron vetëm të mbrojë një popullsi apo
një territor, por të rikthejë tërë themelin simbolik të qytetërimit mesdhetar
në një origjinë pellazgo-ilire. Kjo është padyshim pjesa më e guximshme e
veprës. Ajo ka fuqi të madhe imagjinative, por po aq edhe dobësi metodologjike,
sepse transferimi i hyjnive nga një traditë në tjetrën kërkon kujdes të madh
krahasues në fushën e historisë së religjioneve, mitologjisë dhe filologjisë
klasike. Megjithatë, si projekt intelektual, kjo pjesë është ndoshta më
përfaqësuesja për ambicien e autorit.
Faqet
e fundit të librit, ku vijnë thënie brilante, deklarime personalitetesh,
studime që autori i quan me vlera të jashtëzakonshme, kritika ndaj përkthimeve
të “Iliadës” në 16 gjuhë dhe, në fund, thirrja që historianët shqiptarë të mos
heshtin, e shndërrojnë librin në një manifest të hapur kombëtar. Këtu autori e
lë pas çdo lloj përmbajtjeje të ftohtë akademike dhe i drejtohet drejtpërdrejt
ndërgjegjes shqiptare. Koha, sipas tij, po krijon një shans në anën e kombit
shqiptar; historia e vërtetë duhet shkruar; institucionet duhet të zgjohen;
studiuesit duhet të flasin; heshtja është bashkëfajësi.
Ky
përfundim e përmbyll librin jo si një studim që kërkon vetëm të lexohet, por si
një tekst që dëshiron të veprojë, të tronditë, të nxisë përgjegjësi dhe të
thërrasë në mobilizim.
Në
tërësi, kjo vepër e Pjetër Nikollës duhet parë në dy rrafshe. Në rrafshin e
parë, ajo është një tekst i zjarrtë patriotik, me tone të forta identitare, i
shkruar nga një autor që ndien misionin për të mbrojtur një të vërtetë që beson
se i është mohuar kombit të vet. Në këtë rrafsh, libri ka peshë emocionale,
forcë mobilizuese dhe aftësi për të nxitur debat e vetëdije. Në rrafshin e
dytë, si tekst me pretendim shkencor, ai mbetet problematik, sepse shpesh e
zëvendëson metodën me bindjen, verifikimin me deklarimin dhe analizën
krahasimtare me sigurinë përfundimtare. Por ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe
veçantia e tij: ky nuk është një libër i shkruar për të ruajtur neutralitetin,
por për të shpërthyer kundër një historie që autori e ndien si padrejtësi të
grumbulluar ndër shekuj.
Prandaj,
si recension dhe si reflektim, mund të thuhet se kjo vepër nuk lexohet thjeshtë
si një libër historie, por si një akt ndërgjegjeje kombëtare, si një përpjekje
për të zgjuar kujtesën, për të kthyer sytë nga lashtësia, për të vënë në dyshim
versionet zyrtare dhe për ta bërë historinë jo vetëm dije, por edhe betejë.
Edhe kur lexuesi nuk pajtohet me të gjitha tezat, ai nuk mund të mos e vërejë
se libri buron nga një pasion i vërtetë për kombin, për gjuhën, për lashtësinë
dhe për dinjitetin historik të shqiptarëve. Në këtë kuptim, vepra e Pjetër
Nikollës mbetet një thirrje e hapur: që historia shqiptare të mos lexohet më me
nënshtrim, por me guxim, me vetëdije dhe me përgjegjësi.
Klinë, më 11 prill 2026