| E hene, 13.04.2026, 06:59 PM |

Shkreli,
Engel, Bajraktari, Berisha, Topalli
ELIOT ENGEL DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Nga
Frank Shkreli
Ndarja
nga kjo jetë e kongresistit Eliot Engel ka rikthyer në vëmendje jo vetëm
figurën e një miku të madh të shqiptarëve, por edhe bashkëpunimin e tij të vyer
me përfaqësues të shquar të diasporës, mes tyre edhe aktivisti dhe biznismeni i
dalluar shqiptaro-amerikan, Harry Bajrkatari. Ky bashkëpunim, i ndërtuar mbi
përkushtim dhe vizion të përbashkët, ishte një shtyllë e rëndësishme në
promovimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ishte
një kohë kur politika amerikane dhe veprimtaria e diasporës shqiptaro-amerikane
u bashkuan në një aleancë të fortë për Kosovën dhe çështjen kombëtare
shqiptare, në përgjithsi. Bashkëpunimi mes Eliot Engel dhe veprimtarit të
njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari përbën një kapitull të rëndësishëm
në historinë e angazhimit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në një
periudhë kur çështja e Kosova kërkonte mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, ky
bashkëpunim u shndërrua në një urë lidhëse mes komunitetit shqiptaro-amerikan
dhe vendim-marrësve politikë në amerikane niveleve më të larta të qeverisë
federale të Shteteve të Bashkuara.
Harry
Bajraktari, si një nga zërat më aktivë të diasporës shqiptaro-amerikane dhe
botues i gazetës “Illyria”, luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe
mobilizimin e komunitetit shqiptaro-amerikan. Përmes aktiviteteve të shumta,
lobimit dhe informimit të vazhdueshëm, me shumë të tjerë aktivistë, ai ndihmoi
që çështja shqiptare e sdiomos çeshtja e Kososvës, të fitonte vëmendjen e duhur
në qarqet politike amerikane. Në këtë
kontekst, Eliot Engel u bë një aleat i palëkundur. Ai dëgjonte dhe merrte
seriozisht shqetësimet e komunitetit, duke i reflektuar ato në qëndrimet dhe
iniciativat e tij prej ligjvensi në Kongres. Bashkëpunimi i tij me Bajraktarin
dhe figura të tjera të diasporës ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e mbështetjes
amerikane për ndërhyrjen e NATO kundër regjimit terrorist sllavo-komunist të
Slobodan Milosheviçit.
Ky
partneritet nuk ishte vetëm politik, por edhe strategjik. Bajraktari dhe
komuniteti që ai përfaqësonte ndihmonin në artikulimin e qartë të kërkesave dhe
prioriteteve të shqiptarëve, ndërsa kongresiosti Engel i shndërronte ato në
veprim konkret në arenën politike amerikane dhe më gjërë. Përmes takimeve, aktiviteteve dhe komunikimit
të vazhdueshëm, të dy kontribuan në krijimin e një fryme bashkëpunimi që ndikoi
në mënyrë të qëndrueshme në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si asnjë hetë më
par në histlorinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Ata dëshmuan se kur
diaspora është e organizuar dhe e lidhur me përfaqësues të fuqishëm politikë,
ajo mund të luajë një rol vendimtar në çështje ndërkombëtare.
Sot,
bashkëpunimi i ngusht gjatë dekadave të kaluara mes Eliot Engel dhe Harry
Bajraktarit mbetet një shembull i qartë i fuqisë së unitetit dhe i ndikimit që
mund të ketë një komunitet i angazhuar në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Shpresojmë që trashëgimia e tyre vazhdojë të frymëzojë breza të rinj në
diasporë për të ndjekur të njëjtin rrugëtim të përkushtimit dhe veprimit.
Ky
bashkëpunim është një dëshmi e qartë se kur përfaqsues të politikës amerikane dhe përfaqsues të
komunitetit shqiptaro-amerikan bashkohen për një ideal të drejtë, ndikimi i
tyre mund të jetë i jashtëzakonshëm. Trashëgimia e Engel dhe kontributi i Harry
Bajraktarit mbeten një frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm edhe në
forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe në mbrojtjen e vlerave të
përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.