| E hene, 13.04.2026, 06:58 PM |
GEGNISHTJA, GJUHË E BUZUKUT DHE E SHTETIT SHQIPTAR
NGA
NDUE DEDAJ
Gjuha
shqipe në rrjedhën e saj historike është një, para se të jetë e ndarë në dy
dialekte dhe të folme trevash të ndryshme, të cilat kanë vlerën se e pasurojnë
dhe nuk e ndajnë kurrësesi, ndaj askush nuk mund të përjashtojë apo zvogëlojë
njërin apo tjetrin krah të saj. Gjuha nuk pranon “tutorë” të asnjë natyre.
Asnjë urdhër nuk e vdes dot paskajoren, aq më pak krejt gegnishtën,
muzikalitetin e saj. Marjana nga Dukagjini është dëshmi e gjallnisë së
gegnishtes si gjuhë shqipe e lashtë, ndaj në “duelin” e stisur nga rrjetet
sociale Marjana – Standardi, nuk ekziston problemi, nuk ka një konflikt. Gjuha
rron më gjatë se gjithë breznitë njerëzore të shekujve, ajo pret dhe përcjell
folësit e saj të rinj, sigurisht duke mos i shpërfillur kodet e kohëpaskohshme
të funksionimit të saj publik, por duke mos i parë ato si tabu, që nuk mund të
ndryshojnë në asgjë, me çka nuk kuptojmë kalimin e “stafetës” nga njëri dialekt
te tjetri.
Asgjë
nuk do të kishte ndodhur, nëse ajo që foli në dialekt nuk do të ishte deputetja
Koçeku dhe ku, në Kuvendin e Shqipërisë. Përkundrazi, nëse do të kishte folur
në dialekt ajo Mariana e djeshme e bujtinës në Lumin e Shalës, kur ende nuk
ishte bërë deputete, do ta kishim përmendur pozitivisht, duke shkruar sa mirë
që një vajzë që ka studiuar jashtë vendit flet në gjuhën e Gjon Buzukut! Dhe
vërtetë ky është lajmi. Një vajzë që flet ambëlsisht gjuhën e gjyshes së saj.
Ajo nuk foli në gjuhë të huaj në Kuvend, por në shqipen e të parëve dhe të
mbramëve të vet. Nuk ka arsye për keqkuptim këtu. Edhe në rastin e një
diskutimi me shkrim në gegnisht të asaj apo dikujt tjetër. Do të ndryshonte
puna te aktet e Kuvendit si institucion.
Përpos
identitetit të saj gjuhësor, ka gjasë që Marjana ka “gabuar” qëllimisht, pasi
ka kujtesë dhe kulturë gjuhësore të para vitit 1972, dhe ajo e di se gazeta e
parë e pavarur e shtetit shqiptar, “Përlindja e Shqipnisë”, 24 gusht 1913,
është e shkruar në gegnisht. Në tituj janë fjalët gege: Shqipni, Vlonë etj. Dhe
ajo gazetë kishte për kryeredaktor një toskë të ndritur si Dhimitër Beratin dhe
mbështetës shkrimtarin dhe luftëtarin e njohur Mihal Grameno. Historiani
deputet Ardit Bido shkruan se kjo gazetë “u bë zëri i Shqipërisë së re dhe se
në faqet e saj u pasqyruan ligje, vendime zyrtare, thirrje për bashkim
kombëtar” etj.
Po
ashtu deputetja e re e di se dhe në kohën e Zogut gjuhë zyrtare e shtetit
shqiptar ishte gegnishtja, siç e kishte pasë përcaktuar Komisia Letrare e
Shkodrës, dëshmi e përdorimit të së cilës në administratë është dhe pasaporta
shqiptare, në kapakun e së cilës ishin renditur disa këshilla të shkruara në
gegnisht, që do të kishin vlerë dhe sot, si “Ta dish dhe të jesh i sigurt se
fatbardhsia dhe lumturia e jote gjindet në Shqipni e cila t’ep nder e të fal
emnin shqiptar”, “Ruaje mirë karakterin komtar dhe kryenaltsin shqiptare;
bindju ligjeve dhe urdhnave të vendit kudo që të jesh”, “Çdo shqiptar asht
vëllau Yt: nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ket nevojë”, “Mos e përbuz
gjuhën e nanës s´ate, tue fole në gjuhë të huej kur nuk asht nevoja”, “Ndero
flamurin e atdheut tand: kush nuk e nderon Shenjin e komsis, shnderon vehten e
vet”, “Dashuria për atdhe ndihet ma tepër në mërgim, prandaj ketë dashuri ruaje
edhe kur të këthejsh në vendin t’and”. Këtë pasaportë kanë mbajtur asokonë në
Europë e Amerikë dhe ata që më vonë do ta fshinin gegnishten nga ligjërimi
zyrtar.
Në
dialekt ka folur e shkruar dhe shkrimtarja e parë shqiptare Musine Kokalari,
por kjo nuk e ka kufizuar aspak ligjërimin e saj artistik, përkundrazi
toskërishtja e saj e pasuron shqipen me një visar gjuhësor të rrallë, ashtu si
dhe ajo e Konicës, Lasgushit, Kutelit etj. Çfarë do të thoshim nëse një
“zonjëzë” (siç e thërriste Sotir Kolea, Musinenë) e re do të na fliste sot në
Kuvend me gjuhën e gjallë të novelës “Siç më thoshte nënua plakë?”...
Duhet
shmagur çdo “debat” artificial, në punë të gjuhës dhe dialekteve.
