| E hene, 13.04.2026, 06:50 PM |

Pension familjes së Bajram Currit
Nga
Kastriot Dervishi
Më
30 tetor 1926, mbledhje e Dhomës së Deputetëve.
Bisedim mbi projektligjën mbi lidhjen e nji pensioni të përmuejshëm
familjeve të Bajram e Hysni Currit (në parim).Këndohet projektligja si pason:
I-Tue
marrë parasysh gradat ushtarake si kolonel e major qi kanë pas të ndyerit
Bajram e Hysni Curri, me qëllim që të lehtësohet gjendja e vështirë financiare,
në të cilën gjendet familja e tyne, u nepet pension i përmueshëm prej 250
franga ari familjes së Bajram Currit dhe 150 franga ari familjes së Hysni Currit.
II-Kjo
ligjë hyn në fuqi qysh prej ditës së shpalljes.
III-Ministria
e Financave ngarkohet me zbatimin kësaj ligje”.
Mihal
Kaso: “Nuk kam asnji kundërshtim për lidhjen e kësaj familje nji pension, por
dy pika më bajnë të them se ky projekt duhet t’i kthehet prap qeverisë. E para
asht se simas art.39 të statutit si çdo projekt-ligjë qi sjell me vete barrë
financiare duhet të ketë dhe burim se nga vijnë këto të ardhura qi t’i bahet
ballë kësaj pagese.
Zana:
Asht fondi i pensionit ushtarak.
Mihal
Kaso: Pra masi nuk ka me se do t’i bahet ballë kësaj pagese, duhet që t’i
kthehet qeverisë për të na tregue se me çdo t’i bajë ballë. Pika e dytë asht se
jemi tue bisedue ligjin e pensionit. Pra, pa patur ligjë pensioni, nuk mund të
themi dhe të lidhim pensione.
Kolë
Mjeda: Z.Kryetar! Qeveria që ka bërë këtë proponim dhe kërkon qi t’i lidhet nji
pension familjes së të ndjerit Bajram Curri, meriton falenderime nga ana e
Dhomës së Deputetëve se ka bërë një detyrë të shenjtë. Nuk do të hyj ma thellë,
por si thashë këtu, qeveria ka bërë nji detyrë patriotike dhe unë e falenderoj.
Na që jena në Shkodër e dijmë mirë se familja e të ndjerit Bajram Curri ka
mbetun shumë ngushtë dhe duhej t’i lidhje nji pension.
Milto
Tutulani: Unë do të them dy fjalë edhe sa
për të rrëzuar argumentet qi tregon z.Mihal Kaso mbi mospranimin e këtij
projekti. Arsyet qi tregon z.Mihal Kaso, mundet të jenë të drejta kur kërkohesh
nga ana e qeverisë nji shtim kredie në fondin e personave.
Por
këtu na vjen nji projektligjë për të krijuar nji pansion tue e paguar qeveria
prej fondit të pensioneve që ka. Prandaj asht nevoja të na tregojë se me ç’fond
do t’i bajë ballë kësaj pagese, kurse fondi për këtë qëllim ekziston.
Kryetari
Kostaq Kotta: Po e vë në votë. Kush asht antar të pranohet, në parim të ngrerë
dorën.
Pranohet
në parim dhe i referohet komisionit”.