| E diele, 12.04.2026, 06:55 PM |

Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për respektimin e të drejtave të tyre gjuhësore. Ja si shprehen Çelik Petriti dhe Fitim Çaushi:
-
Qeveria shqiptare po fokusohet në prioritetet e brendshme dhe për turp, po
shmang këtë problem me rëndësi mbarëkombëtare
-
Nëse kjo do të ndodhte me pakicat maqedonase në Shqipëri qeveria Maqedonase nuk
do të heshtëte.
-
Qeveria jonë, qeveri frikacake ka frikë se mund të hapi debate të ndërlikuara
në arenën ndërkombëtare.
-
Studentët nuk kërkojnë një të drejtë të re, por zbatimin e një të drejte
ekzistuese.
-Pankartat
"Shqipja nuk negociohet" dhe "Respekto ligjin për gjuhët"
janë më shumë se slogane – ato janë një akuzë direkte.
-
Fakti që një e drejtë kërkohet me protesta tregon mungesë funksionimi të shtetit.
-
Qeveria shqiptare ka zgjedhur të veprojë përmes kanaleve diplomatike dhe jo me
deklarata publike.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Studentët shqiptarë nga disa qytete të Maqedonisë së Veriut janë
ngritur në protestë në Shkup ditët e fundit, duke kërkuar respektimin e të
drejtave të tyre gjuhësore dhe barazi në sistemin arsimor dhe profesional.
Studentët theksojnë se, megjithëse gjuha shqipe është zyrtare dhe e garantuar
me ligj, provimi që u hap rrugën profesioneve si avokat, gjyqtar, apo prokuror
zhvillohet kryesisht në maqedonisht, duke krijuar pabarazi dhe pengesa reale
për ta. Me pankarta si "Shqipja nuk negociohet" dhe "Respekto ligjin
për gjuhët", ata kërkuan: zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, zbatim
të plotë të ligjit për gjuhët, fund të diskriminimit institucional. Për më
tepër në datën 9 Prill një përplasje e fortë mes partive shqiptare, në pushtet
dhe në opozitë, ka ndodhur në seancën e fundit të kuvendit në Maqedoni të
Veriut. Shkak është bërë pikërisht protesta e studentëve për përdorimin e
gjuhës shqipe dhe protesta e studentëve që kërkojnë që provimi i jurisprudencës
të bëhet edhe në shqip. Rina Ajdari, deputete e BDI, u shpreh: "Kur një e
drejtë që është e shkruar në ligj kërkohet në rrugë, atëherë problemi nuk është
te studentët, problemi është te institucionet, problemi është te ju. Dhe këtë
radhë institucionet nga kjo qeveri pa legjitimitet etnik, e ju si përfaqësues
shqiptar është dashur me kohë të merrni përgjegjësi nëse ju cënohen të drejtat
e shqiptarëve në vend. Në fund të fundit çfarë kuptimi ka përfaqësimi politik,
nëse qytetarët ende duhet të dalin në protestë për të drejtat e tyre
elementare". Bekim Sali, zëvendëskryeministër i RMV-së, deklaroi:"Për
informimin tuaj dhe të opinionit, studentët kanë qenë të pranuar nga unë, ditën
e parë kur kanë marrë iniciativën me nënshkrimet dhe shqetësimi i tyre është
dëgjuar dhe në mënyrë institucionale jemi përgjigj dhe kemi marrë masat e
duhura për ta zgjidh atë problem dhe ai problem do të zgjidhet. Studentët
shqiptarë do ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe".
-Por si qëndron e vërteta rreth këtij problemi? Pse ky qëndrim i qeverisë
së Maqedonisë së Veriut? Po qeveria shqiptare pse hesht?Ja si shprehen Çelik
Petriti dhe Fitim Çaushi:
Çelik Petriti-shkrimtar
Pse
shpërtheu debati për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut?
Protesta e studentëve
shqiptarë në Shkup nuk është një reagim i rastësishëm, por një sinjal i qartë i
një problemi të mbartur prej kohësh: hendeku mes ligjit dhe zbatimit të tij në
praktikë. Edhe pse gjuha shqipe është e garantuar si gjuhë zyrtare në Maqedonia
e Veriut, studentët pretendojnë se në sektorë kyç – si ai i drejtësisë – ajo mbetet
e përjashtuar. Provimi i jurisprudencës, që hap rrugën për profesione si
avokat, gjyqtar apo prokuror, zhvillohet kryesisht në maqedonisht. Kjo, sipas
tyre, krijon një pabarazi reale dhe cënon konkurrencën e ndershme. Ligji
ekziston, por a zbatohet? Në thelb të protestës qëndron pikërisht kjo pyetje.
Studentët nuk kërkojnë një të drejtë të re, por zbatimin e një të drejte
ekzistuese: përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në
proceset , që lidhen me karrierën e tyre profesionale. Pankartat "Shqipja
nuk negociohet" dhe "Respekto ligjin për gjuhët" janë më shumë
se slogane – ato janë një akuzë direkte ndaj institucioneve për moszbatim dhe
neglizhencë.
Përplasja
politike: përgjegjësi apo retorikë?
Debati u zhvendos shpejt
nga rruga në parlament. Në seancën e fundit të kuvendit në Maqedonia e Veriut,
përplasja mes partive shqiptare në pushtet dhe opozitë nxori në pah një tjetër
dimension të krizës: përdorimin politik të çështjes së gjuhës. Deputetja Rina
Ajdari (BDI) e artikuloi problemin si dështim institucional, duke theksuar se
fakti që një e drejtë kërkohet me protesta tregon mungesë funksionimi të
shtetit. Ajo ngriti pikëpyetje mbi rolin e përfaqësimit politik shqiptar në
qeveri. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali u përpoq të qetësonte
situatën, duke deklaruar se institucionet kanë reaguar dhe se problemi është në
proces zgjidhjeje, madje duke premtuar se provimi do të zhvillohet edhe në
shqip. Ky dualizëm – protestë në rrugë dhe premtime në institucione – lidhet me
disa faktorë: Presioni publik: Reagimi
i studentëve detyron institucionet të veprojnë më shpejt dhe të japin përgjigje
konkrete. Çështjet e gjuhës janë shumë të ndjeshme dhe ndikojnë
drejtpërdrejt në elektoratin shqiptar. Zbatim
selektiv i ligjit: Edhe kur ekzistojnë ligje progresive, mungesa e
mekanizmave të fortë të zbatimit krijon boshllëqe që prodhojnë pakënaqësi. Gara politike mes partive shqiptare: Secila
palë përpiqet të paraqitet si mbrojtësja më e fortë e të drejtave kombëtare.
Premtimi për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe mund të shuajë përkohësisht
tensionet, por thelbi i problemit mbetet: a do të zbatohet ligji në mënyrë të
qëndrueshme dhe të barabartë? Nëse jo, protesta e sotme mund të jetë vetëm
fillimi i një cikli të ri reagimesh qytetare. Sepse, siç treguan studentët në
Shkup, kur e drejta nuk garantohen në institucione, ajo kërkohet në rrugë.
Ndrësa Qeveria jonë për turp, po tregohet qeveri frikacake ka frikë se mund të
hapi debate të ndërlikuara në arenën ndërkombëtare.
-Fitim
Çaushi-shkrimtar
Heshtja e Qeverisë të
Shqipërisë ndaj çështjes së studentëve shqiptarë në Maqedonin e Veriut nuk
është thjesht neglizhencë e momentit, por pjesë e një qasjeje më të gjerë
diplomatike dhe politike. Pse kjo heshtje? Mos vallë Parimi i mosndërhyrjes.
Por ka një kufi. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet shmangin komentet
direkte mbi çështje të brendshme të një vendi tjetër, por jo kur shteti
Maedonas vepron me dy standarte. Tirana zyrtare përpiqet të mos perceptohet si
faktor presioni mbi Shkupin, sidomos për tema të ndjeshme etnike si gjuha, por
edhe të heshtë është e dëmshme. Maqedonia e Veriut është një shtet me balanca
të brishta ndëretnike. Çdo reagim i fortë nga Shqipëria mund të interpretohet
si ndërhyrje dhe të përdoret nga qarqe nacionaliste për tensionim të situatës,
por ka rrugë e forma që shteti ynë të ndërhyjë. Shpesh, qeveritë zgjedhin të
veprojnë përmes kanaleve diplomatike dhe jo me deklarata publike. Mund të ketë
komunikime të brendshme që nuk bëhen publike për të shmangur përshkallëzimin. Qeveritë, përfshirë atë të Shqipëria,
shpesh fokusohen në prioritetet e brendshme dhe shmangin temat që mund të hapin
debate të ndërlikuara në arenën ndërkombëtare. Por në fakt duhet të ketë një
reagim të ashpër. Nëse kjo do të ndodhte me pakicat maqedonase në Shqipëri
qeveria Maqedonase nuk do të heshtëte!