Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: 7 prilli i Toninit

| E diele, 12.04.2026, 06:44 PM |


Tonin Nikolli e Albert Habazaj

7 PRILLI I TONINIT

Albert HABAZAJ

Rrah mendjen... Kam tri ditë e dy net

Për të bukurën datëlindje të Toninit,

Vallë ku e gjejmë ne këtë të drejtë

T'i themi vetëm: ditë e zezë - 7 prillit.

Unë ndjej frymëmarrjen e një 7 prilli tjetër

Frymëmarrje të lirë, të plotë me lirika Drini:

Frymëmarrje vëllai me aromë nesër

Frymëmarrje të thellë me lulëzim prilli.

Frymëmarrjen e poetit që më ngjan si kreshnik,

Me dallgë të fuqishme dhe valë të arta,

Që i dhemb Atdheu nga bajlozi tek derdh rrezik

Tek na shkul rrënjët e na bën të prapa.

7 prilli një mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë

S'ka të bëjë me ditën e pushtimit,

Është i kaltër, si dritë shpirti vërtet

Është ditëlindja e vëllaut shpirtnor - Toninit.

Ai zadrimori lab, gjadrasori nga Mirdita

Është unë më i mirë në një trajtë tjetër,

Ishim të vegjël, të blertë u rritëm për Atdhe e libra

Mateshim me shqiponja, jo në vath me kecër.

Dashurinë për atdhe e kemi të pakufijtë

Me shpirt e me zemër, me trup e me vargje,

Unë jam marsian, ai është i prilltë

Ushtarë të përjetshëm për të shenjtat pragje.

E nuk kam pse të druhem e të vuaj

Ankthin e shpatës së Demokleut,

Kam 7 prillin e Toninit të dashtun dhe e quaj

Ditën e Vëllait mbi këtë faqe të dheut.

Tërbaç - Vlorë, e premte; 10 prill 2026.