| E diele, 12.04.2026, 06:50 PM |
DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH” TË SHKRIMTARIT LLESH NDOJ
NGA
PROF. ASOC. DR. ROVENA VATA MIKELI
Mirdita
përbën një nga njësitë më të konsoliduara etnokulturore në veri të Shqipërisë,
e njohur si pjesë e Shqipërisë së Epërme, ku ndërthuren në mënyrë organike
faktorët natyrorë, historikë dhe kulturorë. Relievi i saj malor dhe organizimi
tradicional i qëndrueshëm kanë krijuar një strukturë të veçantë shoqërore dhe
kulturore, e cila ka garantuar ruajtjen dhe transmetimin ndërbreznor të
identitetit kolektiv. Në këtë kuptim, Mirdita nuk përfaqëson vetëm një hapësirë
gjeografike, por një sistem kompleks kuptimor me rëndësi të veçantë për
studimet albanologjike. Nga perspektiva semantike, vetë emërtimi “Mirdita”
mbart një dimension simbolik të veçantë, pasi lidhet me një formë përshëndetje
të përhapur në komunikimin njerëzor. Ky aspekt e tejkalon funksionin e thjeshtë
toponimik dhe i jep emërtimit një rezonancë universale, duke e shndërruar në
një shenjë identitare me kuptim të zgjeruar kulturor.
Në
planin gjeokulturor, elementë të tillë si Mali i Munellës funksionojnë si pika
referimi jo vetëm fizike, por edhe simbolike. Roli i tyre në ndërgjegjen
kolektive e tejkalon dimensionin hapësinor, duke u shndërruar në qendra rreth
të cilave ndërtohen narrativa mitike dhe struktura kuptimore, që organizojnë
përvojën e përditshme të komunitetit. Një komponent themelor i identitetit të
kësaj krahine është sistemi i normave zakonore, i cili mbështetet mbi një
kodifikim të pashkruar të sjelljes shoqërore. Brenda këtij sistemi, fjala
përfaqëson një instrument themelor komunikimi dhe njëkohësisht një bartëse të
kuptimeve simbolike. Doket, zakonet dhe besimet kanë krijuar një univers
normativ të qëndrueshëm, ku individi dhe komuniteti ndërveprojnë në mënyrë të
strukturuar. Ligjërimi folklorik, etnologjik dhe gjuhësor funksionon si një
mekanizëm i vazhdueshëm riprodhimi kulturor, duke siguruar vijimësinë e
traditës në kohë. Forma të tilla, si: lutjet, urimet, mallkimet dhe shprehjet
frazeologjike, përbëjnë forma të institucionalizuara të komunikimit kulturor.
Ato nuk janë thjesht mjete shprehje, por mekanizma për transmetimin e vlerave,
normave dhe strukturave mendore ndër breza, duke kontribuar drejtpërdrejt në
ndërtimin e identitetit kolektiv.
Kjo
pasuri etnokulturore gjen një pasqyrim të plotë në romanin “Shtjellë fatesh” të
autorit Llesh Ndoj, i cili rindërton një realitet social dhe kulturor të
Mirditës, përmes rrëfimit. Romani “Shtjellim fatesh” ndërthur dimensionin
historik, mitik dhe individual, duke krijuar një strukturë rrëfimore jo -
lineare që pasqyron kompleksitetin e marrëdhënieve shoqërore dhe varësinë e
individit nga sistemi normativ tradicional.
Një
nga aspektet më të rëndësishme të romanit është përdorimi sistematik i
toponimeve lokale. Emërtimet e hapësirave natyrore dhe vendbanimeve nuk kanë
funksion thjesht simbolik, por përbëjnë elemente thelbësore të strukturës
narrative dhe semiotike. Ato dëshmojnë vazhdimësinë historike të popullsisë,
rrisin autenticitetin e rrëfimit dhe funksionojnë si bartëse të kujtesës
kolektive, duke krijuar një lidhje organike midis hapësirës dhe zhvillimit të
ngjarjeve. Një dimension tjetër i rëndësishëm është pasqyrimi i jetesës
tradicionale bjeshkë - vrri, e lidhur me praktikën e transhumancës. Kjo formë
organizimi ekonomik dhe shoqëror ka ndikuar në forcimin e lidhjeve komunitare
dhe në transmetimin e normave morale, duke krijuar një marrëdhënie të
qëndrueshme midis njeriut dhe natyrës.
Në
strukturën e romanit një rol të veçantë zënë elementet folklorike, veçanërisht
këngët dhe vajtimet. Këto forma nuk funksionojnë si elemente dekorative, por si
komponentë të rëndësishëm narrativë, të cilët ruajnë dhe transmetojnë kujtesën
historike dhe emocionale të komunitetit. Ato përforcojnë identitetin
etnokulturor dhe krijojnë një dimension simbolik, që lidh të kaluarën me të
tashmen. Romani “Shtjellë fatesh” paraqet gjithashtu një gamë të gjerë
praktikash dhe normash tradicionale, që rregullojnë jetën familjare dhe
shoqërore. Roli i njerkës në strukturën familjare, rregullat e trashëgimisë,
marrëdhëniet ndërfisnore dhe institucionet sociale tradicionale pasqyrojnë një
sistem të konsoliduar normativ, i lidhur ngushtë me të drejtën zakonore dhe
dokesore. Këto elemente evidentojnë rëndësinë e nderit, përgjegjësisë morale
dhe organizimit kolektiv në jetën e komunitetit.
Një
dimension i veçantë i veprës është trajtimi kritik i periudhës së realizmit
socialist, duke përdorur ironinë dhe satirën. Përmes humorit dhe relativizimit
të diskursit ideologjik, autori evidenton kontradiktat e sistemit dhe ruan një
qëndrim kritik, duke treguar rezistencën e identitetit kulturor ndaj imponimeve
ideologjike. Në pjesët përmbyllëse të romanit trajtohet përplasja midis
traditës dhe modernitetit. Proceset e urbanizimit, migrimit dhe zhvillimit
teknologjik, sjellin transformime të dukshme në strukturat shoqërore dhe kulturore,
duke ndikuar në dobësimin e disa praktikave tradicionale dhe në ndryshimin e
marrëdhënieve ndër njerëzore. Megjithatë, kujtesa kolektive dhe normat morale
vazhdojnë të funksionojnë si mekanizma mbrojtës të identitetit. Nga një
perspektivë shumë disiplinore, romani përfaqëson një vepër me vlera të shumta.
Ai funksionon njëkohësisht si tekst letrar, dokument etnologjik, burim
folklorik dhe dëshmi e së drejtës zakonore.
Në
planin gjuhësor, vepra ruan dhe dokumenton pasurinë e dialektit mirditor, duke
e shndërruar në një arkiv të rëndësishëm të trashëgimisë gjuhësore. Nga
pikëpamja letrare, romani karakterizohet nga ndërthurja e elementeve historike,
mitologjike, folklorike dhe satirike, duke krijuar një univers narrativ
kompleks, ku historia individuale dhe ajo kolektive bashkëjetojnë në harmoni me
njëra - tjetrën. Struktura e ndërthurur e rrëfimit dhe përdorimi i gjuhës
figurative i japin veprës një dimension estetik dhe interpretues të thelluar.
Si
përfundim mund të themi se romani “Shtjellë fatesh”, mund të konceptohet si një
“tekst - univers”, në të cilin ndërthuren gjuha, historia, folklori, e drejta
dhe arti. Përmes kësaj ndërthurje, romani arrin të dokumentojë dhe të
interpretojë identitetin kulturor të Mirditës, duke krijuar një urë të
qëndrueshme midis së kaluarës dhe së tashmes.
Në
këtë kuptim, vepra përfaqëson jo vetëm një arritje letrare, por edhe një burim
të rëndësishëm për studime ndërdisiplinore, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe
aftësinë e kulturës shqiptare për t’u përshtatur pa humbur thelbin e saj.
Tiranë, më 06 prill 2026