Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Dr. Vjosa Osmani – kurban në mbrojtje të rugovizmit

| E diele, 12.04.2026, 06:58 PM |


DR. VJOSË OSMANI - KURBAN NË MBROJTJE TË RUGOVIZMIT

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

"Presidentja Vjosë Osmani, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, bëri vetëm detyrën, si presidente e Republikës të Kosovës", - deklaroi ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu. Ata që mbrojnë të kundërtën, në drejtësi quhen "përralla juridike"!

Shkëlqimi i presidentes dinjitoze e brilante, Vjosë Osmani, na kujton mendje-ndriturin, Presidentin Ibrahim Rugova. "Gjithçka është diçka, vetëm injoranca nuk është asgjë", - na mëson një urtësi universale. Prandaj, të gjithë ata që nuk e dëshirojnë vazhdimin e mandatit të dytë presidencial të Vjosë Osmanit, duhet vënë një pikëpyetje të madhe, sidomos në momentumin e interesit aktual shtetëror.

"E shihni këtë zonjë, të ulur këtu, para meje? Ajo meriton gjithë respektin tonë, sepse lufton dhe punon për mbrojtjen e atdheut të saj",- e vlerësoi Presidenti amerikan, Donald Trump. Zërat inatçorë dhe xhelozia negative, për paragjykimin e kthimit në shtëpinë e saj lindake - LDK, të Vjosë Osmanit, lë të trusin dhe heshtin, sepse disa syresh kanë qenë shumë aktivë, për bërjen e Hashimit president, edhe pse dihej se ishte agjent i trefishtë.

Madje, ky soj kandidatësh të Kuvendit, refuzuan kërkesën e Vjosë Osmanit, që votimi për kuaotën e 50+1, për të drejtën e kandidimit për kryetar të LDK-së, të bëhet me votim të fshehtë, edhe pse rregullorja zgjedhore e rekomandonte. Ata, delegatët e atëhershëm, deputetë dhe anëtarë të Kryesisë të LDK-së të sotme, pjesë e klanit Mustafa, duhet të kërkojnë falje. Sepse më 25 maj 2015, e votonin, me aklamacion, votim të hapur, me ngritje dore, Isa Mustafën për herë të dytë për kryetar të LDK-së! Dhe, duke refuzuar votimin e fshehtë të kandidaturës për kryetare të LDK-së të Vjosë Osmanit. Në shenjë proteste Vjosa u largua nga salla e Kuvendit maskaradë "zgjedhore"!

Klasa politike në Kosovë është sulur si hienë kundër presidentes Vjosë Osmani! Vjosa po paguan parimësinë presidenciale. "Shpif, shpif, se diçka mbetet",- motoja makiaveliste, tashmë, në veprim.

Presidenti Rugova e la LDK-në më 47 % të votave të fituara. Ndërsa klani i Isa Mustafës e solli në 9.8 %, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ngaqë hisedar në zgjedhje ishte edhe Pacolli, me disa partiza djathtiste.

Ekspozeja që bëri kryetari Lumir Abdixhiku, pas Kuvendit të fundit të LDK-së, për konfirmim në vazhdimin e postit të kryetarit, ishte vendim i imponuar, por i duhur. Ai sqaroi shumëçka nga intrigimet klanore brenda strukturave të LDK-së, brenda Kuvendit, "por edhe "jashtë tij", - siç deklaroi ai. Sabotimi i bërë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kishte për qëllim arritjen e asaj humbje të thellë të LDK-së, për ta kthyer në udhëheqje të partisë klanin paraprak, të instruktuar nga ish-kreut fatal i LDK-së, Isa Mustafa.

PAN-i turpëruar nga LVV, se "nuk pranojmë asnjë lloj bashkëqeverisje me subjektet e kriminalizuara, pa bërë reforma të thella, deri në riformim të tyre", përmes argatëve të PDK-së, nuk lejoi as LDK-në të koalicionojë me LVV. Kështu që të gjithë fajësinë për zgjedhjet e kushtueshme, të panevojshme dhe të turpshme, populli ia faturoi LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025!

Për herë të parë, pas amshimit të Presidentit Rugova, kemi dëgjuar, tashmë, nga goja e kryetar Abdixhikut, se si mund t`i kthehet LDK-ja vetvetes, pa tutelën e PDK-së. Janë pikërisht sugjerimet tona, kërkesat e LDK-së të Mërgatës, në përputhshmëri të plotë me vizionin që kishte Presidenti Rugova në gjallje të Tij, për rrugëtimin djathtist të LDK-së.

Nëse shpalosja e atij plan-programi, të trajtuar, profesionalisht dhe mençurisht, nga kryetar Lumiri, do të bëhet moto e guidë e LDK-së, me bazë debatin demokratik dhe votimin e fshehtë, për të gjitha nivelet e strukturave të partisë, atëherë suksesi do të jetë i garantuar. Pa mëdyshje, premtimi i madh i dhënë nga kryetar Lumiri, nëse lëndëzohet në vepra, ai duhet ta meritojë të gjithë përkrahjen tonë, për ta bërë LDK-në, ashtu siç e meriton.

Vetëm të bashkuar, LDK-ja do të ngritët sërishmi, duke u bërë një konkurrente serioze në skenën politike të Kosovës. Mbi të gjitha, nuk ka afera kriminale dhe as hajnore. Dhe, nuk ka pasur kurrë struktura të krimit, siç ka ndodhur me subjektet kriminale të PAN-it. E majta staliniste e Kosovës, siç janë subjektet e koalicionuara në PAN, janë munduar dje, përpiqen edhe sot, ta bëjnë hisedare LDK-në në vrasjet politike!

LDK dhe LVV kurrë nuk kanë pasur struktura kriminale, vrastare

"Edhe neve na janë vrarë 100 ushtarë",- thonë eksponentët e PAN-it, duke aluduar se i ka vrarë LDK-ja! Këto vrasje i adreson, madje saktësisht, Hashim Thaçi, por jo tek LDK-ja. "E krijova Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, sepse po vriteshin dëshmitarët e Hagës!" Më troç nuk ka se si thuhet. Ai pranon se vrasjet politike kanë ndodhur, "por unë nuk jam pjesë e tyre". Këto vrasje ua faturon komandantëve zonalë.

Djemtë e Kosovës, 10 të ekzekutuar në Kumanovë dhe të tjerët të burgosur në Idrizovë, kanë kuptuar hilenë e madhe, kurthin e ngritur nga "komandantët" e tyre dhe kërkojnë gjykim ndërkombëtar. Por, siç ka thënë Prokurori i Kosovës, Sylë Hoxha, për rastin e vrasjes zyrtare në burg të Astrit Deharit: "Vrasjet që i kryen shteti, nuk zbulohen kurrë!"

Struktura vrastare kurrë nuk ka pasur as LDK-ja dhe as LVV. Prandaj koalicionet e tyre, qoftë edhe në bashkëqeverisje, janë të natyrshme, të pranueshme. Përkundër PAN-it, i cili ka përgjakur ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, LDK-në dhe Kosovën, nuk mund të këtë asnjë lloj koalicioni apo bashkëqeverisje.

LDK-ja duhet t`i prijë profilizimit të së djathtës të Kosovës. Vjosë Osmani duhet t`i prijë këtij profilizimi, duke e joshur për bashkim të gjithë të djathtën. Skena politike e Kosovës, është skajshëm e kontaminuar, e helmuar. LDK-ja aleatë të vetëm mund ta këtë LVV, tashmë, si parti politike heterogjene. Sepse spastrimi nga elementët ultra-majtistë është bërë natyrshëm, duke u vetëlarguar. Shumëzimi rapid, i shpejtë i Organizatës të dikurshme të LVV, me të rinj shkollarë, me emancipim bashkëkohor pro-perëndimorë, ka ndryshuar shumëçka brenda saj.

LDK-ja dhe LVV duhet ta denoncojnë PAN-in për falsifikimin e qëllimshëm, gjoja, si parti të djathta. Përkundrazi, PDK-AAK-NISMA kanë qenë dhe mbetën parti të ekstremit të majtë, të ideologjisë së mykur komuniste-staliniste. Dëshmi faktike janë lidhjet e saj me social-komunistët e Tiranës. PAN dhe PS i bashkuan edhe mediat e kuqe, duke i bërë palë me politikën serbo-sllave. Batoni me lukuninë e tij mediatike, udhëheqë kampanjen intriguese kundër LDK-së dhe LVV, por edhe kundër shtetit të Kosovës.

Idealistët e hershëm të LPK-së, disa syresh u ekzekutuan gjatë luftës, nga klani i LPK-së së Re, për ta shmangur konkurrencën në çlirim, kanë denoncuar tri shtete sabotuese të luftës: Francën, Shqipërinë dhe Serbinë, përmes argatëve-hafije të tyre, brenda "UÇK-së të LPK-së", të cilën nuk e lejuan të angazhohet në luftën çlirimtare. Lëvizakët e hershëm idealistë, të përjashtuar me puç në vitin 1997, janë të drejtpërdrejtë në denoncimin e tyre, duke i nominuar me emra.

E djathta e Kosovës nuk duhet ta kopjojë të majtën enveriste-komuniste të Shqipërisë, me autokratin Edvin Rama. Me ndihmën dhe instruktimin e së majtës ruse-serbe, përçau shqiptarët, e drogoi Shqipërinë dhe vazhdon t`i poshtërojë shqiptarët, në mënyrën më të poshtër dhe kriminale. Përkundrazi, duhet të ndihmojë në emanipimin e tyre, duke i spastruar radhët nga kriminelët dhe hajnat zyrtarë të bollshëm, të cilët janë "instaluar" në strukturat udhëheqëse të subjekteve të tyre politike dhe ua kanë zënë frymën.

Mania e përtokjës të opozitës, siç ka ndodhur në Shqipërinë londineze, nuk ndihmon në zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë, të shtetit. Pa një opozitë të fortë dhe kontrolluese të pozitës, nuk mund të këtë as pozitë të suksesshme.

Hapi i parë që duhet të ndërmarrë e djathta e bashkuar e Kosovës, duhet ta denoncojë dhe detyrojë PAN-in, madje me fakte të bollshme, se ka mashtruar dhe gënjyer shqiptarët, duke u vetëquajtur si subjekte të djathta, ndërkohë që janë ekstremi i majtë i politikës kosovare.

Të inkriminuarit enveristë-stalinistë, duhet neutralizuar, duke mos u dhënë hapësirë dhe mundësi ndikuese në parti. Vetëm varri e drejton kurrizon!