Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Në Koshare nuk ra kushtrimi, ndodhi mashtrimi!

| E shtune, 11.04.2026, 06:53 PM |


Në Koshare nuk ra kushtrimi, ndodhi mashtrimi!

Shkruan: Florim Zeqa

Siq dihet, beteja e Koshares u zhvillua nga 9 Prilli deri më 10 Qershor 1999 në kuadër të 'Operacionit Shigjeta', ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Serbe. Beteja u zhvillua rreth Koshares në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë bombardimeve të NATO-s. Është kjo njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më të suksesshme të luftës për çlirimin e Kosovës.

Të barrikaduar në Kuvend, të bashkuar në vendin e lavdisë

Ata që nuk po i bën bashkë interesi i shtetit, i bashkoj 9 prilli në Koshare!

Në Koshare u bën "bashkë" çlirimtarët dhe mercenarët, atdhetarët dhe tradhtarët, pushtetarët dhe opozitarët!

Politikanët u bashkuan në Koshare kinse për të nderuar dëshmorët, por në fakt mendjen e kishin tek mashtrimi i të gjallëve te vdekur në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare!

Politikanët me hipokrizi iu thurën lavde të vdekurve, ndërkohë që çdo ditë i poshtërojnë të gjallët me luftë klasash në Kuvendin e Kosovës!

Sa me fat janë dëshmorët në varre që nuk i shohin hipokrizitë e kusarëve politik siq i shohim ne çdo ditë mashtrimet e kësaj klase të shëmtuar politike!

Të gjallët e vdekur, që ishin pjesë e betejës së Koshares dhe jo vetëm, të ricikluar nëpër parti politike, evokojnë heroizmin dhe trimëritë e tyre para se të bëheshin ministra dhe deputet, kryeministra apo president, por asnjëherë të vetme nuk i tregojnë "peripecitë" e tyre, si u bën milionerë dhe supermilionerë për një mandat politik!

Në këtë moment pashmangshëm në mendje të vjen ajo thënja famoze e një super milioneri: "e vështirë është të arrihen milionat e parë, pastaj të tjerët vijnë pa problem"!

Këta janë "heronjt" e luftës që pa brekë i zuri nata, ndërsa mëngjesi i nxori milionerë!

Gjithçka edhe mund t'iu falej, sikur kësaj radhe në Koshare të binte kushtrimi: "Të bëhemi bashkë për të mirën e shtetit në zgjedhjen e presidentit"!

Por, edhe kësaj radhe, në Koshare ndodhi mashtrimi, me nderime plot hipokrizi u bë fushatë elektorale mbi gjakun e atyre që dhanë më të shtrenjtën-jetën e tyre për të bekuarën Liri që sot e gëzojmë në shtetin e pabarazive të mëdha!

Përderisa beteja e Koshares e ka simbolikën e bashkimit të dy krahëve të luftës në një organizim të përbashkët për çlirimin e Kosovës, 27 vite më pas nuk u bë shkas i bashkimit të politikanëve për të mirën e shtetit! Përderisa beteja e Koshares shënon thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, 27 vite më pas nuk u bë sinonim i thyerjes së ndasive partiake për forcimin e shtetit!

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!