Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Ndahet nga jeta republikani i devotshëm Avdil Ramadani

| E enjte, 09.04.2026, 06:54 PM |


Bujanoc: Ndahet nga jeta republikani i devotshëm Avdil Ramadani

Nga Sevdail Hyseni

Me dhimbje të thellë është pranuar lajmi për ndarjen nga jeta të Avdil Ramadanit, njërit prej figurave më të përkushtuara të angazhimit politik dhe qytetar në Komunën e Bujanocit dhe më gjerë në Luginën e Preshevës. Ai njihej si një republikan i devotshëm, aktivist i palodhur dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në këtë trevë.

I radhitur në Partinë Republikane, në cilësinë e kryetarit për rajonin e Luginës së Preshevës, Avdil Ramadani nuk reshti asnjëherë së punuari për të adresuar problemet e shumta, të trashëguara ndër vite, me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Me një përkushtim të rrallë dhe një besim të palëkundur në idealet e lirisë, demokracisë dhe barazisë, ai ishte gjithmonë në vijën e parë të përpjekjeve për ndryshim.

Duke ndjekur gjurmët e të parëve të tij nga Novosella e Bujanoci: Mulla Selimi, Doktor Ilazi, Mulla Mefa etj., Avdili ndërtoi një profil të veçantë si në fushën e politikës, ashtu edhe në atë të humanitetit. Ai zhvilloi takime me përfaqësues të niveleve të larta politike në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, duke kërkuar zgjidhje konkrete për hallet dhe sfidat e shqiptarëve të Luginës. Angazhimi i tij nuk ishte i kufizuar vetëm në Malësinë e Bujanocit, por shtrihej në tërë hapësirën shqiptare të kësaj ane.

Një ndër kontributet më të veçanta të tij ishte përpjekja për bashkimin e faktorëve republikanë shqiptarë në një platformë të përbashkët. Në këtë kuadër, ai ndërmori iniciativa për të afruar dhe koordinuar veprimet me përfaqësues të rëndësishëm të këtij spektri politik në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, duke organizuar takime në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd. Ky vizion për bashkëpunim dhe unitet e bënte atë një figurë të dalluar dhe largpamëse.

Rruga e tij nuk ishte e lehtë. Në përpjekjet e tij politike, ai shpesh u përball me sfida dhe presione, madje edhe me sulme fizike nga persona të panjohur. Por, përkundër të gjitha këtyre, ai nuk u tërhoq kurrë nga misioni i tij, duke mbetur i palëkundur në qëndrimet dhe idealet që përfaqësonte.

Familja Ramadani, me traditën e saj të fortë atdhetare, vazhdon të mbetet një simbol i qëndresës, vizionit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Ata kanë dëshmuar ndër breza se dashuria për atdheun nuk është vetëm një fjalë, por një rrugë që kërkon sakrificë, përkushtim dhe guxim.

Në këtë drejtim, ndarja nga jeta e Avdil Ramadanit lë një boshllëk të madh jo vetëm në familjen e tij, por edhe në jetën politike dhe shoqërore të Luginës së Preshevës. Ai, do të kujtohet si një njeri i fjalës dhe i veprës, si një idealist që nuk u dorëzua përballë vështirësive dhe si një atdhetar që e deshi vendin e tij pa kushte. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë në mendjet dhe zemrat e atyre që e njohën dhe e vlerësuan, ndërsa rruga që ai ndoqi do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë. I qoftë i lehtë dheu i tokës, që e deshi aq shumë.