| E enjte, 09.04.2026, 08:04 PM |

PLANET E ERRËTA TË BEOGRADIT: NJË SKENAR PËR SHKATËRRIM DHE ZHDUKJE
“Gërshërët”,
“Kafshimi i miut” dhe “Patkoi”
(Programet e elaboratet serbe antishqiptare –
XII)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Historia e popullit shqiptar në Kosovë nuk është shkruar
vetëm me mundin dhe sakrificat e popullit të tij, por edhe me përpjekjet e
pareshtura të armiqve për ta zhbërë atë. Në prag të shekullit të ri, kur bota
po përpiqej të ndërtonte ura paqeje, Beogradi përgatiti skenarë të errët për të
realizuar ëndrrën e tij të vjetër – një Kosovë të zbrazët nga shqiptarët dhe të
mbushur me serbë. Midis viteve 1991-1999, në bodrumet e politikës së tij
shoviniste, u hartuan tre projekte të pastra gjenocidale, të cilat, nëse do të
ishin realizuar plotësisht, do të kishin ndryshuar përgjithmonë hartën etnike
të Kosovës.
Nuk ishin projekte të zakonshme politike, nuk ishin plane
për zhvillim apo bashkëjetesë. Ishin strategji të ftohta të inxhinierisë
demografike, të ndërtuara mbi filozofinë e spastrimet etnik, mbi doktrinën e
zhdukjes së një populli të tërë. Serbizimi i Kosovës ishte objektivi final, një
ëndërr e kahershme që Beogradi kërkonte ta kthente në realitet me anë të
dhunës, terrorit dhe manipulimit.
Projekti "Gërshërët" ishte menduar si një dorë
e padukshme, një strategji që nuk do të lëvizte me tanke e armë, por me
infiltrim dhe kontroll. Ky projekt kishte për qëllim kapjen e skenës politike
në Kosovë, duke futur elementë të besuar të Beogradit në të gjitha poret e jetës
publike, për të ndarë, manipuluar dhe destabilizuar nga brenda. Synimi ishte i
qartë: të krijohej një realitet artificial, ku shqiptarët nuk do të mund të
udhëhiqnin vetveten, ku vendimet do të merreshin nga njerëz të kontrolluar, ku
Kosova do të sundohej pa pasur nevojë për okupim të drejtpërdrejtë.
Projekti "Kafshimi i miut" ishte më i egër në
natyrë dhe kishte për qëllim shkatërrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
forcës që kishte lindur si përgjigje ndaj shtypjes së egër dhe spastrimit
etnik. Ky projekt synonte të fuste përçarje mes radhëve të luftëtarëve të
lirisë, të dobësonte rezistencën dhe ta tjetërsonte atë nga një forcë
çlirimtare në një entitet të brishtë dhe të manipulueshëm. Beogradi e dinte
mirë se një luftë nuk fitohet vetëm në fushëbetejë, por edhe duke shkatërruar
shpirtin e saj, duke krijuar dyshime dhe duke kthyer vëllezërit kundër
njëri-tjetrit.
Por historia nuk shkruhet vetëm nga ata që hartojnë plane
shfarosjeje. As "Gërshërët" nuk arritën të shkurtonin shpirtin e
lirisë, as "Kafshimi i miut" nuk arriti të kafshonte zemrën e
rezistencës, as "Patkoi" nuk arriti të shkelte një popull që ishte
betuar të qëndronte në këmbë.
Dhe kështu, Kosova mbijetoi. Jo sepse planet e errëta u
ndalën vetvetiu, por sepse shqiptarët nuk u përkulën, sepse çdo tentativë për
t'i asgjësuar, vetëm sa ua shtoi vendosmërinë për të jetuar si të lirë. Dhe
sot, në çdo fushë dhe mal të Kosovës, në çdo gur të rrugëve të saj, në çdo
fjalë të shqipes që kumbojnë brez pas brezi, gjendet një dëshmi e gjallë se
asnjë memorandum, asnjë projekt, asnjë plan i hartuar në hijet e Beogradit nuk
mund të shfarosë të vërtetën e një kombi që ka rrënjë më të thella se urrejtja
e pushtuesve të tij.
Operacioni "Patkoi"- një skenar për
shfarosje, një betejë për mbijetesë
Në
errësirën e politikës serbe, aty ku planet nuk hartoheshin për të ndërtuar një
të ardhme, por për të shkatërruar një popull, u lind një operacion që do të
mbetej njollë e përjetshme në kujtesën e njerëzimit. "Patkoi" – një
emër që mbart në vetvete peshën e fatit të rëndë që ishte përgatitur për
shqiptarët e Kosovës. Një emër që nuk kërkonte maskim, që nuk e fshihte
brutalitetin e qëllimit të tij, por e shpallte hapur, me ftohtësinë e një
makinerie gjenocidale.
Prandaj,
në errësirën e korridoreve të pushtetit serb, larg syve të botës dhe nën vellon
e një fshehtësie të hekurt, u ngjiz projekti famëkeq sekret “Patkoi”, i
përgatitur në Beograd nga institucionet shtetërore serbe gjatë viteve
1998–1999. Ai nuk ishte thjesht një plan politik apo ushtarak i zakonshëm;
ishte një ndërmarrje e ftohtë, e përllogaritur me egërsi, një nga skenarët më
të zymtë e më çnjerëzorë që kishte pjellë mendësia antishqiptare përgjatë
historisë së saj të errët. Brenda tij nuk fshihej vetëm dhuna si mjet, por një
synim i paramenduar deri në hollësi: goditja e qenies shqiptare në vetë trungun
e saj jetësor.
Ky
projekt, i lindur nga urrejtja dhe i ushqyer nga logjika e spastrimit, mbante
në thelb një objektiv të fundit strategjik sa mizor aq edhe të frikshëm:
zbrazjen masive të Kosovës nga popullsia e saj autoktone shqiptare, shkuljen e
njerëzve nga trojet e tyre, ndarjen e familjeve nga vatrat, dhe shndërrimin e
një toke të gjallë në një hapësirë të heshtur, të varfëruar nga fryma e atyre
që e kishin banuar brez pas brezi. Ishte një përpjekje për ta lënduar jo vetëm
trupin e një populli, por edhe kujtesën e tij, trashëgiminë e tij dhe të
drejtën e tij për të ekzistuar në tokën e vet.
“Patkoi”,
në këtë kuptim, nuk paraqet vetëm një emër projekti, por një simbol të një
politike të egër çrrënjosjeje, ku mekanizmat shtetërorë u vunë në shërbim të
një ideje shkatërrimtare: spastrimit etnik të Kosovës. Në të u përmblodhën
qëllime të kahershme, të veshura herë me gjuhë politike e herë me justifikime
ushtarake, por që në esencë synonin të njëjtën gjë — boshatisjen e hapësirës
shqiptare nga vetë shqiptarët. Dhe pikërisht për këtë, ky projekt mbetet një
nga dëshmitë më tronditëse të egërsisë së planifikuar kundër popullit shqiptar,
një njollë e rëndë në kujtesën historike të fund shekullit XX.
Projekti
"Patkoi" ishte skenari më mizor dhe më i hapur – një plan i pastër
për spastrim etnik, një strategji që kërkonte të detyronte shqiptarët të
largoheshin nga trojet e tyre, duke përdorur forcën, dhunën dhe terrorin e
pamëshirshëm. Si një patkua që shtrëngohet mbi tokë, ky projekt synonte të
rrethonte dhe të shtrydhte popullsinë shqiptare nga të gjitha anët, duke e
detyruar të largohej me dhunë, ndërkohë që në vend të saj do të vendoseshin
kolonë serbë. Ishte një skenar që rikthente kujtimet e errëta të Luftës së Dytë
Botërore, një operacion që do të linte pas fshatra të djegura, rrugë të
mbushura me refugjatë dhe plagë që nuk do të shëroheshin kurrë.
"Patkoi" ishte më shumë se një operacion
ushtarak – ai ishte një betejë kundër vetë ekzistencës së një kombi. Ishte një
plan i hartuar me një precizitet të dhunshëm, një skenar i llogaritur me
gjakftohtësi që synonte zhdukjen fizike, dëbimin dhe nënshtrimin e një populli
që kishte guxuar të kërkonte lirinë.
Ky projekt i errët e kishte të ndarë skemën e tij me
detaje të tmerrshme:
1.000.000 shqiptarë të dëboheshin jashtë Kosovës – të
shpërnguleshin me dhunë nga shtëpitë e tyre, të linin pas dheun e shenjtë të të
parëve, duke u tretur si refugjatë në botën e huaj, pa një gur ku të
mbështesnin kokën, pa një prag ku të kthenin sytë.
500.000 të vriteshin dhe të likuidoheshin – gjysmë
milioni jetë të shuheshin, gjysmë milioni ëndrra të priteshin në mes, gjysmë
milioni burra, gra e fëmijë të zhdukeshin në humnerën e harresës, duke lënë pas
vetëm dhimbje dhe dhembë të shtrënguar nga ata që mbeteshin për të kujtuar.
500.000 të tjerë të mbeteshin në Kosovë, por të
nënshtroheshin Serbisë – të mbijetonin jo si qytetarë, jo si njerëz me të
drejta, por si hije që ecin në tokën e tyre, të heshtur, të frikësuar, të
privuar nga vetë identiteti i tyre. Një numër që, sipas planeve serbe, nuk do
të ishte më kurrë kërcënim, një popull i thyer, i rraskapitur, i kthyer në rob
në tokën e vet.
Kjo nuk ishte një luftë. Kjo ishte një përpjekje për të
ndryshuar historinë me dhunë. Ishte një strategji që nuk kishte për qëllim
pushtimin e Kosovës, por shkatërrimin e saj, pastrimin e saj nga njerëzit që e
kishin mbajtur gjallë për shekuj, nga ata që i kishin dhënë shpirtin, gjuhën,
kulturën. Ishte një përpjekje për ta kthyer një truall të lashtë në një
hapësirë të re për një Serbi që ëndërronte ta rishkruante historinë me duar të
përgjakura.
Por historia nuk mund të tjetërsohet me memorandume e
plane të shkruara në errësirë. Ajo nuk mund të fshihet me deportime dhe
ekzekutime masive. Sepse popujt që kanë rrënjë të thella në tokën e tyre nuk
mund të shkulen me dhunë. Sepse ata që e kanë lirinë si amanet të shenjtë nuk
mund të nënshtrohen.
Dhe kështu, Operacioni "Patkoi" mbeti jo si një
sukses i Serbisë, por si një dëshmi e qëndresës shqiptare. Nuk ishin 500.000
ata që u nënshtruan – ishin 2 milionë ata që u ngritën. Nuk ishin 1 milion ata
që u zhdukën nga Kosova – ishin ata që u rikthyen më të fortë se kurrë. Dhe nuk
ishte Kosova ajo që u bë një hije e së kaluarës – ishte Serbia ajo që mbeti e
njollosur nga një gjenocid që s’e realizoi dot.
Sepse historia nuk u shkrua sipas dëshirave të
pushtuesve, por sipas betejave të atyre që nuk u gjunjëzuan kurrë.
Epoka e qëndresës dhe lirisë- Lufta e fundit në
Kosovë (1998-1999)
Në pragun e shekullit të ri, kur bota po hynte në një
epokë të re, Kosova përjetoi njërën nga betejat më të mëdha për ekzistencën e
saj. Ishte një luftë që nuk filloi në vitin 1998, sepse rrënjët e saj ishin të
thella në historinë e një populli që kurrë nuk kishte pranuar të zhdukej. Ishte
një luftë që nuk ishte vetëm e pushkëve, por e shpirtit, një përballje mes
shtypjes dhe dinjitetit, mes dhunës dhe rezistencës, mes errësirës dhe shpresës
për liri.
28 nëntori i vitit 1997 shënoi daljen e hapur të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, një moment kur hija e rezistencës u kthye në një dritë
të pashuar. Nuk ishte një thirrje për luftë, por një betim për mbrojtjen e një
populli që për dekada të tëra ishte shtypur, përndjekur dhe mohuar. Ishte
jehona e një historie që nuk mund të heshtte më, një shpallje e vendosmërisë se
Kosova nuk do të përkulet më kurrë para dhunës së pushtuesit.
Por pushtuesit nuk e pranuan këtë sfidë pa e kthyer hakun
e tyre të egër. Nga 5 deri më 7 mars 1998, në Prekaz, ndodhi një nga ngjarjet
më tragjike që do të trondiste ndërgjegjen e botës – masakra mbi familjen
Jashari. Ishte një sulm që nuk synonte vetëm një familje, por vetë shpirtin e
rezistencës shqiptare. Ata që e menduan këtë akt si një fund për qëndresën, nuk
e kuptuan se Prekazi nuk u shua – ai u bë një monument i gjallë, një flamur i
përjetshëm i luftës për liri.
Dhe gjaku nuk u ndal me kaq. Masakrat e shumta që ndodhën
në çdo cep të Kosovës, ku forcat serbe nuk bënin dallim mes burrave, grave apo
fëmijëve, treguan fytyrën e vërtetë të regjimit që donte të shfaroste një
popull të tërë. Por, në këtë det dhimbjeje dhe gjaku, një ngjarje do të bëhej
dëshmia e pakundërshtueshme e gjenocidit serb: Masakra e Reçakut.
Janari i vitit 1999 e gjeti Reçakun të mbuluar me trupat
e pajetë të civilëve të pafajshëm, të vrarë pa mëshirë, të masakruar me të
njëjtën egërsi që kishte shoqëruar gjithmonë strategjinë e Beogradit. Ishte një
akt që nuk mund të fshihej, një krim që e tronditi ndërgjegjen botërore dhe që
bëri të qartë se kjo luftë nuk ishte më vetëm një çështje shqiptare – ishte një
betejë midis drejtësisë dhe barbarisë.
Dhe kur bota u bind se në Kosovë nuk kishte më kohë për
të pritur, nisën bombardimet e NATO-s, që për 77 ditë goditën makinerinë
vrastare të Serbisë. Ishte momenti kur historia ktheu faqe, kur ata që kishin
parë, por kishin heshtur, vendosën të veprojnë. 77 ditë zjarri mbi pozicionet e
paramilitarëve serbë, 77 ditë ku qielli mbi Kosovë nuk ishte më dëshmitar i
dhimbjes, por i shpresës.
Dhe pastaj, në qershor të vitit 1999, Kosova u çlirua.
Fitorja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e NATO-s
shënoi një kapitull të ri për popullin shqiptar të Kosovës. Jo vetëm një fitore
ushtarake, por një triumf i dinjitetit mbi dhunën, një shpallje e zëshme se
Kosova nuk do të ishte më kurrë një rob e fatit të saj, por një komb që do të
ecte drejt lirisë me kokën lart.
Dhe kështu, një epokë e re nisi për Kosovën – një epokë
që lindi nga hiri i tragjedive, por që mbijetoi me fuqinë e shpresës dhe të
besimit në të ardhmen. Kosova nuk ishte më një vend i shtypur, por një simbol i
qëndresës, një histori e shkruar me gjak, me dhembje, por mbi të gjitha, me
vendosmërinë për të jetuar si të lirë.
Vijon