| E enjte, 09.04.2026, 06:58 PM |
"Gegnisht" bjen në Shkodër penat dhe parmendat e lëvrimit geg
Nga
Albert Vataj
Në
një kohë kur standardizimi rrezikon të zbehë nuancat e pasurisë sonë gjuhësore,
çdo përpjekje për ta rikthyer gegnishten në qendër të vëmendjes letrare nuk është
thjesht një akt kulturor, por një ngjarje me peshë identitare. Ajo që do të
ndodh në Shkodër me edicionin e pestë të “Gegnisht”, nuk është vetëm një
konkurs, por një lëvizje e ndërgjegjshme për të rishkruar marrëdhënien tonë me
gjuhën, për ta parë atë jo si një mjet të kufizuar komunikimi, por si një
univers të gjallë, ku memoria, ndjeshmëria dhe estetika bashkëjetojnë.
Shkodra,
qyteti që historikisht ka qenë një nga qendrat më të ndritshme të kulturës
shqiptare, bëhet edhe një herë skena ku fjala merr dimension solemn. Në këtë
hapësirë, ku tradita nuk është relike, por frymëmarrje, bëhet me dije zhvillimi
i edicionit të pestë të Çmimeve “Gegnisht” në Letërsi, një ngjarje që tashmë e
ka kapërcyer stadin e një iniciative dhe është shndërruar në një institucion
moral e estetik të krijimtarisë shqipe.
Ky
konkurs nuk është një thirrje e zakonshme për pjesëmarrje ai është një ftesë
për rikthim, rikthim te rrënjët, te një idiomë që ka lindur dhe është rritur me
këngën, me rrëfimin, me epikën dhe me mendimin filozofik. Gegnishtja, e cila
për shekuj ka qenë mbartëse e një tradite të jashtëzakonshme letrare, këtu
rivjen jo si nostalgji, por si potencial i gjallë krijues, si një gjuhë që ende
ka shumë për të thënë.
Struktura
e këtij edicioni është ndërtuar mbi një simbolikë të fortë, katër çmime, katër
shtylla, katër emra që përfaqësojnë kulmet e mendimit dhe të shkrimit në
gegnisht. Çmimi “Ndre Mjeda”, që i kushtohet poezisë, sjell në kujtesë finesën
e vargut dhe përkushtimin ndaj formës që mishëroi Ndre Mjeda. Prozës së
shkurtër i jepet emri i Ernest Koliqi, një prej themeluesve të prozës moderne
shqipe, që e ngriti gegnishten në një nivel të lartë artistik. Eseja mban emrin
e Arshi Pipa, mendimtarit që e pa letërsinë si një akt të ndërgjegjes kritike
dhe të lirisë intelektuale. Ndërsa përkthimi poetik nderon figurën e Gjon
Shllaku, i cili solli në shqip me një mjeshtri të rrallë zërat më të mëdhenj të
letërsisë botërore, dhe monumentin klasik, Iliada.
Këto
emra nuk janë thjesht referenca, ato janë orientime, yjësi të gegnishtes,
udhëprirje dhe pasurim i një prej thesareve kombëtare.
Organizatorët
vendosin një standard, një kërkesë për cilësi dhe një etikë krijimi që nuk
pranon kompromis me mediokritetin. Prandaj edhe rregullat e konkursit janë të
qarta dhe kërkuese, tekstet duhet të jenë të pabotuara, të papublikuara më
parë, dhe mbi të gjitha, të shkruara në gegnisht, jo si një detyrim formal, por
si një zgjedhje estetike dhe identitare.
Tema
e lirë që u ofrohet pjesëmarrësve është një hapësirë e hapur për imagjinatën,
por edhe një sfidë për autenticitetin. Në këtë liri, autori nuk ka asnjë alibi,
ai përballet drejtpërdrejt me vetveten dhe me gjuhën që zgjedh të përdorë. Kjo
e bën “Gegnisht” një laborator të vërtetë krijimi, ku fjala testohet, peshohet
dhe lartësohet.
Juria,
e përbërë nga personalitete të letrave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e
Veriut, garanton një vlerësim të gjithanshëm dhe një dialog ndërshqiptar, ku
gegnishtja nuk shihet si një dialekt i kufizuar gjeografikisht, por si një
pasuri e përbashkët kulturore. Kjo qasje e shtrin ndikimin e konkursit përtej
kufijve administrativë, duke e kthyer atë në një platformë të unitetit
kulturor.
Por
më shumë se një garë, “Gegnisht” është një akt kujtese. Është një homazh për
ata që e kanë bërë këtë gjuhë të këndojë me dinjitet dhe thellësi, për ata që e
kanë kthyer në një mjet të komunikimit të shenjtë mes shpirtit dhe lexuesit. Në
këtë kuptim, gegnishtja nuk është vetëm një formë e shqipes; ajo është një
mënyrë e të ndjerit dhe e të menduarit, një ritëm i brendshëm që i jep fjalës
një ngarkesë të veçantë emocionale dhe estetike.
Afati
i fundit, 30 prilli 2026, nuk është thjesht një datë teknike; ai është kufiri
simbolik i një ftese që kërkon përgjigje. Dhe çdo përgjigje që vjen në këtë
konkurs është një dëshmi se gegnishtja jeton, jo në muze, por në mendjen dhe në
shpirtin e atyre që e shkruajnë.
Në
fund, kjo nismë mbetet një nga dëshmitë më të qarta se kultura nuk mbijeton
rastësisht. Ajo kërkon përkushtim, vizion dhe institucione që e mbështesin.
“Gegnisht”, në këtë kuptim, është më shumë se një konkurs, është një akt besimi
në fuqinë e gjuhës, në aftësinë e saj për të ruajtur kujtesën dhe për të
ndërtuar të ardhmen.
Sepse
gegnishtja, si çdo pasuri e vërtetë, nuk kërkon vetëm të ruhet, ajo kërkon të
jetojë, të përdoret, të krijojë. Dhe pikërisht në këtë akt krijimi, ajo dëshmon
se është ende një gjuhë e gjallë, e denjë për të kënduar, për të menduar dhe
për të mbetur.
