Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Çdo edicion, lajmi i parë – qeveria!

| E enjte, 09.04.2026, 06:54 PM |


ÇDO EDICION, LAJMI I PARË – QEVERIA!

(edhe kur nuk ka asgjë për të thënë)

NGA NDUE DEDAJ

Ndodh vetëm tek ne, që dita televizive hapet dhe mbyllet me qeverinë, më saktë, çfarë tha Kryeministri në këtë apo atë takim qeveritar, konferencë shtypi, podcast. Nuk është faji i tij për këtë, por i mediave që “bëjnë” lajm çdo gjë të shqiptuar nga kreu i ekzekutivit, njëherësh dhe i mazhorancës qeverisëse, qoftë ajo dhe një batudë dosido?!...

Nuk nis ndonjëherë ditari i lajmeve me Rrjollin, që “lufton” për tokën e tij me ditë e me net, me javë e me muaj. Është një serial që nuk ka për t’u ndalur. Ka filluar në bregdet e do të vazhdojë deri në malet e larta drama e re “Toka jonë”, që nuk ka më për personazh Tuç Makun, e fshikulluar ideologjikisht, por grabitësit e tokave tona përmes shpërdorimit të vulës së shtetit.

Qeveria është e para në lajme dhe kur nuk ka asgjë të re për të thënë. Ajo nuk mund të mos jetë dhe në lajmet e fundjavës. Do gjendet se s’bën një sebep për ta bërë lajm qeverinë. Nuk rri dot qeveria pa qenë dhe në ditë pushimi në sy të popullit, por nuk rrinë as mediat pa qeverinë!? Dhe habia është kjo e fundit.

Sa për publikun, ai ka tjetër qasje ndaj lajmeve, thuhet se janë të shumtë ata që gjatë emisionit të lajmeve e çojnë televizorin te sporti, eksploreri i kafshëve etj. A nuk është ky vetë lajmi? Domethënë që njerëzit kanë respekt për veten dhe nuk rrinë të dëgjojnë bëmat e qeverisë çdo edicion lajmesh, dhjetë herë në ditë, deri në mesnatë...

Është sindroma e “Komitetit Qendror”, i cili nuk ka rënë aspak, por tash bën sikur flet me gjuhën e demokracisë. Gjithandej ngazëllim, arritje madhështore, flamuj fitoresh...

Asnjë fjalë për viktimat në miniera, arrestimet e “sabotorëve” të naftës, asgjësimin e grupeve puçiste në art, ekonomi e ushtri! Për to flitej vetëm në buletinet e brendshme të Partisë dhe sallat e gjyqeve politike me dyer të mbyllura, ndërsa BE-ja nuk merrte vesh asgjë...

Ajo ishte duke pritur vitin 2030 për të na bërë vend dhe ne shqiptarëve në sofrën europiane.

Ja ku jemi! Njëlloj, apo ndryshe nga dje?!...