Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Toka nga sytë e hapësirës: mes dijes dhe iluzioneve njerëzore

| E hene, 06.04.2026, 06:58 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Këto janë pamjet më të reja të planetit tonë, Tokës, të fotografuara nga ekuipazhi i misionit Artemis II, i cili po udhëton drejt orbitës së Hënës.

Për shekuj me radhë, njerëzit, të pafuqishëm për t’u shkëputur nga Toka, e përfytyronin atë në mënyra nga më të ndryshmet, kryesisht si qendër të universit (gjeocentrizmi), ndërsa qiellin mbi të si seli të perëndive.

Këto përfytyrime ishin si iluzioni i banorëve të atij katundit të izoluar, të cilët, duke mos dalë kurrë prej tij, filluan të besonin se pikërisht aty ishte qendra e botës.

Ose si të burgosurit në Shpellën e Platonit, të cilët, duke kaluar gjithë jetën brenda saj, nisën të mendojnë se e gjithë bota fillonte dhe mbaronte në atë hapësirë të errët.

Duhej të vinte revolucioni shkencor në kohën e Iluminizmit Evropian dhe zhvillimi i teknologjisë që lindi prej tij, që njeriu të ngjitej në hapësirën përtej orbitës së Tokës dhe, prej andej, të shihte me sytë e tij formën e saj të vërtetë. Njëkohësisht, të zbulonte se qielli mbi të nuk ishte i banuar nga ndonjë fuqi e mistershme mbinatyrore, por një hapësirë e pafundme, e rregulluar nga ligje natyrore që mund të kuptohen nga arsyeja njerëzore.

Por njerëzit poshtë, në këtë planet të parëndësishëm në universin e pafund, nuk e përballojnë dot heqjen dorë nga iluzioni gjeocentrik, sepse janë mësuar të jetojnë në ngrohtësinë e ëndrrave të bukura. Njësoj si fëmijët.

Njerëzit, siç thotë Niçe, i mbyllin veshët për të mos e dëgjuar të vërtetën, sepse nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen. Madje, ata shpesh janë në gjendje shkojnë edhe më tej: ta luftojnë me dhunë të vërtetën për t’i ruajtur iluzionet e tyre.

___________

Një mision i ri hapësinor nga NASA u nis dje drejt orbitës së Hënës. Për herë të parë, pjesë e ekuipazhit është edhe një grua, me një emër shumë të bukur, Christina Koch.

Po aq i bukur edhe emri i misionit: Artemis, i marrë nga mitologjia greke. Romakët Artemisin e quanin Diana, ndërsa ilirët e quanin Zana. Natyrisht, ky emër, në kontekstin e këtij misioni shkencor, përcjell një mesazh të fortë: gratë mund t'i arrijnë krejt ato që i arrijnë edhe burrat. Ashtu siç i arrinte edhe Artemisi i mitologjisë së lashtë.

Derisa pamjet spektakulare të raketës që nis fluturimin drejt Hënës po shpërndahen gjithandej rrjetit global të informacionit, jemi plot "ankth", duke pritur reagimin mohues të budallëve të teorive konspirative dhe injorantëve të tregimeve me deve, që ende e rrejnë veten dhe të tjerët që u zënë besë, se me këto tregime mund të shpjegohet bota e shekullit 21.

___________

Është e kuptueshme q? kur ëndërrat janë të mëdha edhe zhgënjimi dhemb më shumë. Por duhet të jemi realistë. Turqia luan futboll që 120 vjet. Në atë kohê ne kemi qenë në mjerim absolut shkaku i sundimit të keq otoman dhe gjurmët e atij sundimi ende nuk janë zhdukur.

Ne jemi shtet vetëm prej 18 vitesh dhe fakti që arrijmë deri në këto nivele të garave ndërkombëtare është një arritje që meriton vlerësim të lartë. Kjo është, në masë të madhe, falë futbollistëve tanë të formuar dhe të kalitur në ekipet e mëdha evropiane.

Pra kemi plotësisht të drejtë të presim që në një të ardhme jo të largët, emri dhe himni ynë do të jehojnë fort në kampionatet më të mëdha të botës.

___________

Ktyneherë, kur shikonim filmat aksion të Sylvester Stallones dhe Arnold Schwarzenegger-it, ku heronjtë hynin në territorin armik për të shpëtuar shokët, thoshim: “Kjo ndodh vetëm në filma.” Sot nuk mund ta themi më këtë. Operacioni i fundit amerikan për të nxjerrë nga Irani pilotin e plagosur tregon se sofistikimi ushtarak amerikan ka lënë shumë prapa edhe skenaristët më të talentuar të Hollywood-it.

___________

Pashka është thelbi i krishterimit, religjionit më të madh në historinë e njerëzimit. Dhe ky thelb është përmbledhur në mënyrën më goditëse dhe më monumentale nga filozofi danez Soren Kierkegaard, në një fjali të vetme: Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron; martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.

Gëzuar!