Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Luftëtarët shqiptarë që fshehin municionin nën urë, një gravurë që rrëfen historinë e vitit 1903

| E hene, 06.04.2026, 06:55 PM |


Luftëtarët shqiptarë që fshehin municionin nën urë, një gravurë që rrëfen historinë e vitit 1903

Nga Albert Vataj

Ka imazhe që nuk janë vetëm pamje të ngrira të një çasti, por dritare të hapura drejt kujtesës së një populli, një populli të lindur në luftë dhe të kalitur në zjarrin e luftës dhe përpjekjeve shekullore për liri. Një nga këto është një gravurë e vitit 1903, ku një grup luftëtarësh shqiptarë, të veshur me rrobat karakteristike të veriut, Shkodrës dhe malësisë, janë të përkulur mbi disa arka municionesh, duke i fshehur nën një urë guri. Nuk ka zhurmë, nuk ka britma lufte, por tensioni, vendosmëria dhe heshtja burrërore përshkojnë çdo vijë të kësaj vepre.

Është një skenë që na flet pa fjalë për mënyrën si është përgatitur dhe mbajtur gjallë lëvizja për liri, larg tribunave dhe parakalimeve zyrtare. Është një pamje që mishëron aktin e padukshëm, të heshtur dhe të rrezikshëm, që shpeshherë ishte themeli i atyre kryengritjeve që historia më vonë i regjistroi me emra të mëdhenj.

Kjo gravurë nuk është thjesht një dëshmi artistike, është një kthesë vizuale e kujtesës sonë kolektive, e realizuar nga një sy i huaj që ka ditur të shohë përtej shifrave të luftës dhe ka kapur ndjesinë e pragut të kryengritjes. Le të hedhim një vështrim më të kujdesshëm mbi këtë vepër, për të kuptuar çfarë fshihet nën urën e gurit, jo vetëm municion, por histori, qëndresë dhe amanet.

Kjo është një gravurë e realizuar nga artisti britanik, R. Caton Woodville në vitin 1903, dhe titullohet “Luftëtarët shqiptarë fshehin municionin nën urë” (Albanian fighters hiding ammunition under a bridge). Ajo përfaqëson një skenë dramatike dhe të ngarkuar me tension nga fillimshekulli XX, një periudhë e trazuar në Ballkan, kur shqiptarët, nëpërmjet organizimeve të fshehta dhe të armatosura, po përgatiteshin për kryengritje kundër sundimit osman, në emër të çlirimit dhe vetëvendosjes kombëtare.

Personazhet e paraqitur në këtë gravurë janë të veshur me kostume tradicionale shqiptare, xhoka, tirqe, jelekë me armë dhe shokë, që sugjerojnë origjinën e tyre nga zonat malore të Shqipërisë së Veriut. Veshjet e tyre, në veçanti, të kujtojnë tiparet e kostumeve të trevave të Shkodrës dhe malësive përreth saj, çka përforcon bindjen se realizuesi i veprës është frymëzuar nga ajo zonë etnografike.

Në këtë linjë, është e mundur që ura e paraqitur të jetë një nga urat historike të Shkodrës, si Ura e Mesit, ndonëse kjo e fundit është më e madhe dhe më monumentale. Megjithatë, ura e gravurës mund të përfaqësojë një urë më të vogël e periferike, tipike e ndërtimit osman, e përdorur nga kryengritësit për fshihjen e municioneve apo kalimin e karvaneve me furnizime.

Në qendër të skenës vihen re arkat e municionit, të cilat po fshihen me kujdes nën urë. Kjo tregon për mënyrën konspirative dhe të rrezikshme me të cilën sigurohej armatimi për kryengritje. Një nga detajet interesante është mbishkrimi mbi arkat: “MART PEA”, një mbishkrim që nuk përkon me ndonjë fjalë shqipe, por ka shumë të ngjarë të jetë një shënim i stilizuar nga artisti. Ky mund të përfaqësojë një formë të shkurtuar për "munition militaire" (frëngjisht) ose “military parts/ammunition” (anglisht), apo të jetë një etiketë fiktive, siç ishte praktikë e zakonshme në gravurat dokumentare të kohës. Qëllimi ishte të shquhej përmbajtja ushtarake e ngarkesës, pa hyrë në hollësi teknike të saktësisë.

Autoria është e konfirmuar nga nënshkrimi i artistit në këndin e majtë poshtë, R. Caton Woodville, një ilustrator i njohur për vizatime që pasqyronin konflikte të kohës, shpesh për revistat e mëdha evropiane si The Illustrated London News.

Një element tjetër intrigues është gdhendja dekorative në pjesën e sipërme të murit të urës, në të djathtë. Ajo duket të jetë një reliev ornamental, ndoshta me simbole që mund të jenë osmanë apo alegorikë, por pa një identifikim të saktë heraldik. Këto simbole, ndonëse të papërcaktuara, kanë funksion shprehës brenda veprës, duke i dhënë asaj një nuancë autentike dhe ndjesinë e një vendndodhjeje të koduar.

Duhet theksuar se shpesh artistët e huaj që realizonin skena ballkanike, si në këtë rast, përdornin një kombinim të observimit të drejtpërdrejtë, përfytyrimit artistik dhe burimeve të dorës së dytë (fotografi, përshkrime gazetash apo udhëtarësh), ndaj çdo element duhet parë edhe si pjesë e kompozimit ilustrativ, jo domosdoshmërisht një dëshmi fotografike.

Viti 1903 përkon me një periudhë të tensionuar në Ballkan, me shpërthimin e kryengritjeve në Maqedoni dhe Kosovë, dhe përgatitjet për Lidhjen Shqiptare të Pejës, si dhe lëvizje të ngjashme në veri dhe jug të vendit. Kjo gravurë, në këtë kuptim, bëhet një pamje e gjallë e përpjekjeve të luftëtarëve shqiptarë për të organizuar qëndresën, shpesh në fshehtësi, duke mbajtur lidhje me patriotë brenda dhe jashtë vendit, për të siguruar armë dhe mbështetje logjistike.