| E diele, 05.04.2026, 06:53 PM |

Kulla
e Turkajve në Shënkoll të Lezhës, një ndërtesë që meriton vëmendje të veçantë
Nga
Paulin Zefi
Banesa
e familjes Turkaj në Shënkoll të Lezhës përfaqëson një nga shembujt më të
spikatur të arkitekturës së elitës drejtuese në Ultësirën Perëndimore të
Shqipërisë në fillim të shek. XX. Familja Turkaj udhëhoqi Bajrakun e Nikçit në
Kelmend të Malësisë së Madhe për pothuaj një shekull, nga themeluesi i kësaj
"dinastie", Gjekë Vuksani, i njohur kryesisht si Tur(k) Vuksani dhe
deri te Nikollë Dedë Kaçeli (Kapedani), duke ruajtur autoritetin lokal (në
Kelmend e në Bregun e Matës) dhe duke tërhequr edhe vëmendjen e vetë princit të
Malit të Zi, Knjaz Nikollës ose Krajl Nikollës. Familja e Turkajve kishte
lidhje miqësore me derën kapidanore të Mirditës, pasi Gjergj Kaçeli, i biri i
Kaçel Turkut, i lindur në Shënkoll të Bregut të Matës më 1846, kishte dhënë
motrën e tij, Marën (e njohur kryesisht si Mara Lleshja), në familjen e
Gjomarkajve. Po ashtu, i sipërpërmenduri Gjegj Kaçeli ishte bashkëpunëtor i
ngushtë dhe bashkëluftëtar i Ded Gjon Lulit. Krahas aktivitetit patriotik dhe
luftës heroike kundër pushtuesve osmanë dhe forcave serbo-malazeze, familja
Turkaj dha një kontribut të shënuar edhe në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të
Bregut të Matës, përfshirë dhurimin e tokës për ndërtimin e Kishës së
Shënkollit. Duke u mbështetur në analizën e gjurmëve të ruajtura të Kishës së
vjetër të Shën Kollit (mbi gërmadhat e së cilës është ndërtuar kisha e re që
ndodhet në qendër të fshatit me të njëjtin emër), e cila afërsisht ka pasur një
sipërfaqe prej 21.5 m × 9.45 m, G. Hoxha, L. Përzhita dhe F. Cavallini
sugjerojnë se ndërtimi i saj mund të datojë në shek. XVIII. E, pikërisht në
gjysmën e dytë të shek. XVIII vërehet një rritje e shtuar e pranisë së
malësorëve të Kelmendit në Bregun e Matës, si rezultat i privilegjeve të
fituara prej tyre nga Bushatllinjtë e Pashallëkut të Shkodrës (1757–1831).
Përsa i përket ndërtimit të Kullës, kjo kryevepër arkitekturore i atribuohet
prijësit te parafundit të familjes së Turkajve, i cili trashëgoi titullin e
bajraktarit të Nikçit, Lush Llani, i lindur në Shënkoll të Bregut të Matës në
vitin 1870. Ai ishte i biri i Llan Turkut dhe përmendet si një djalë trim dhe
shumë aktiv në çështjet kombëtare. Së bashku me të atin, mori pjesë në Kuvendin
e Pejës (23-29 janar 1899) të organizuar nga Haxhi Zeka, kuvend në të cilin u
themelua Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900), e njohur edhe si
"Besa-Besë." Po ashtu, ai shquhet në aksionet kryengritëse, që
zhvilluan kryengritësit bregamatas kundër administratës osmane për mospagimin e
taksave në vitet 1902-1904. Lush Llan Turku së bashku me Gjeto Cokun do të
arrestohen dhe internohej në Izmir të Turqisë për shkak të qëndrimeve të tij
ndaj sulltan Abdyl Hamitit II dhe pas kthimit në atdhe më 1908, organizoi
lëvizjen e malësorëve të Bregut të Matës për liri dhe pavarësi, duke
bashkëpunuar ngushtë me Cokajt dhe Llesh Nikë Dakën, i mbiquajtur “Leonidha i
Bregut të Matës.” Lush Llani është ndër krerët më të rëndësishëm që mori pjesë
në Kuvendin e Zejmenit (11 maj 1912) dhe, së bashku me krerët e tjerë malësorë,
mirditorë, zadrimorë dhe ata të Lezhës, mori pjesë në çlirimin e qytetit dhe në
ngritjen e Flamurit Kombëtar në Lezhë, më 3 dhjetor 1912. Po ashtu, ai u zgjodh
anëtar i Qeverisë së Përkohshme. Krahas miqësisë së trashëguar familjare me
Gjomarkajt e Mirditës, Lush Llani ishte po ashtu mik i Toptanëve të Tiranës, me
të cilët kishte marrëveshje pronësie (në Breg të Matës e Gurrëz të Kurbinit)
dhe ndërsa në verën e vitit 1914 luftoi kundër forcave dumbabiste të Haxhi
Qamilit, duke dhënë një kontribut të shënuar në mbrojtjen e Princit të
Shqipërisë, Wilhelm Wied. Andej nga fundi i vitit 1914 dhe në fillim të Luftës
së Parë Botërore (1914–1918), kur forcat austro-hungareze po marshonin nga
Durrësi në drejtim të Shkodrës përmes arave të mbjella të familjes Turkaj, ato
u bllokuan menjëherë nga vetë bajraktari Lush Llani, i cili, për pasojë, u
arrestua dhe u internua për plot 18 muaj në Austri. Ndërsa në verën e vitit
1919, bashkë me trimat e Bregut të Matës, u përfshi në çetat e lirisë me Bajram
Currin dhe Azem Galicën, duke rënë heroikisht në Pejë gjatë luftimeve të
zhvilluara kundër ushtrisë pushtuese serbe. Përfaqësuesi i fundit i kësaj
familjeje që trashëgoi titullin e bajraktarit të Nikçit, siç e kam përmendur
pak më lart, ishte Nikollë Dedë Kaçeli (Kapedani). Pas vrasjes së Lush Llanit
në vitin 1921, ai e ushtroi këtë funksion deri në vitin 1945, kur vendi jonë
hyri në një fazë të re politike, e cila shënoi fundin e institucioneve
tradicionale dhe solli privacione e përndjekje krejtësisht të pamerituara ndaj
përfaqësuesve të tyre. Megjithatë, përkundër sfidave me të cilat u përballën,
trashëgimia e pasur dhe vlerat e spikatura të familjes Turkaj në Bregun e Matës
vazhduan të mbeten të gjalla dhe të ruhen nga pinjollët e saj, jo vetëm gjatë
regjimit komunist, por edhe në ditët e sotme. Simboli kryesor dhe më emblematik
i kësaj familjeje, që njëkohësisht përfaqëson edhe një simbol të statusit dhe
prestigjit të saj shoqëror, është pikërisht Kulla e Lush Llanit, e njohur
kryesisht si Kulla e Turkajve. Ajo ndodhet në pjesën veriore të fshatit
Shënkoll dhe në jug të Rrilës, në krahun e djathtë të rrugës automobilistike
Lezhë–Shënkoll, rreth 9 km larg qytetit të Lezhës. Kulla e Turkajve u ndërtua
nga mjeshtër dibranë nga Golloborda gjatë viteve 1917–1919 dhe i gjithë procesi
i ndërtimit ka zgjatur rreth 2 vite e 3 muaj, duke nisur në fillim të vitit
1917 dhe përfunduar në pranverën e vitit 1919. Kulla është ngritur mbi themelet
e një objekti më të hershëm, të ndërtuar andej nga fundi i shek. XIX nga
bajraktari i Nikçit dhe pinjolli i famshëm i kësaj familjeje, Llan Turku. Ajo
ngrihet mbi një truall fushor dhe dallohet për një volumetri të qartë: një trup
qendror masiv me planimetri katërkëndëshe (16.50 × 12 m), i përbërë nga dy kate
të plota, si dhe një kullë imponuese në pjesën jugore me planimetri katrore (7
× 7 m), e zhvilluar në tri kate të plota dhe me lartësi maksimale që arrin
rreth 11 m, e cila shërbente si element vrojtimi, identitar dhe prestigji. Kjo
ndërtesë përfaqëson një tipologji banese tradicionale me zhvillim të ndarë në
disa faza, ku bërthama fillestare është zgjeruar me volume të reja, duke
krijuar një planimetri komplekse dhe një çati shumëplanëshe. Ky lloj organizimi
përbën një dëshmi të drejtpërdrejtë të mënyrës së jetesës dhe të evolucionit
familjar ndër breza. Kjo formë, shumë e rrallë për rajonin e Lezhës, e afron
banesën me tipologjitë urbane të Shkodrës, duke dëshmuar një shkallë të avancuar
zhvillimi shoqëror dhe arkitektonik në mjedisin rural të Shënkollit dhe të
gjithë Bregut të Matës. Fasadat e suvatuara, sot pjesërisht të degraduara,
ruajnë ende simetrinë e elementëve arkitekturorë. Veçanërisht dallohen harqet
gjysmërrethore të dritareve në fasadën jugore, të shoqëruara me korniza të
theksuara, të cilat dëshmojnë ndikime neoklasike dhe sidomos elementë të
arkitekturës së ndikuar nga modeli austriak i fund shek. XIX dhe fillim shek.
XX. Pothuajse të gjitha dritaret janë të pajisura me kangjella metalike të
punuara me një nivel të lartë artistik, me funksion njëkohësisht mbrojtës dhe
estetik. Ballkoni i hekurt në katin e tretë, i vendosur në fasadën lindore të
kullës jugore dhe i mbështetur mbi një strukturë konsolore, përbën një element
me vlera të veçanta kompozicionale dhe lidhet me modelet e banesave të
shtresave të konsoliduara ekonomikisht. Muret e katit përdhes, të ndërtuara me
gurë gëlqerorë, ndërsa katet e sipërme kryesisht me tulla të kuqe dhe më pas të
suvatuara, paraqiten sot mjatt të amortizuara, me zhveshje të shtresës së
jashtme dhe ekspozim të materialit bazë. Trashësia e tyre e konsiderueshme
sugjeron një funksion të qartë mbrojtës dhe izolues. Kati përdhes i trupit
qendror masiv të ndërtesës paraqet ndërhyrje më të vona, duke përfshirë dy
veranda të vogla me soleta betoni, që janë të mbështetura mbi kolona të
thjeshta kuadratike, të cilat krijojnë hapësira hyrëse gjysmë të mbuluara.
Çatia me pjerrësi të ulët, e mbuluar me tjegulla tradicionale dhe e pajisur me
oxhakë monumentalë, përforcon karakterin tradicional dhe qëndrueshmërinë e
ndërtesës, ndërsa strehët lehtësisht të dala mbrojnë fasadat nga reshjet
atmosferike. Hapësira e brendshme ndriçohet nga një numër i madh dritaresh.
Ndërsa, në planin funksional, banesa paraqet një organizim të brendshëm me një
holl ose hapësirë qendrore, rreth së cilës shpërndahen dhomat e banimit dhe një
ambient i madh për pritjen e miqve, në përputhje me modelin patriarkal dhe
mikpritës të shtëpive të mëdha shqiptare. Katet e sipërme shërbenin kryesisht
për banim, ndërsa kati përdhes për funksione ekonomike dhe shërbimi. E ndërtuar
në një periudhë tranzicioni, në prag të konsolidimit të shtetit shqiptar, Kulla
e Turkajve përbën një dëshmi të rrallë të mënyrës se si shtresa e përfaqësuesve
të lartë të institucioneve tradicionale afirmoi identitetin e saj përmes
arkitekturës. Ndërtesa ruan elementë të dukshëm të trashëguar nga periudha
osmane, veçanërisht në strukturën e bazës dhe përdorimin e gurëve gëlqerorë në
katin e parë, ndërsa katet e sipërme, ndërtuar kryesisht me tulla të kuqe,
shfaqin një ndikim të qartë perëndimor. Stilistikisht, elementët austriakë
spikasin në trajtimin e volumetrisë, simetrinë e fasadave dhe detajet
dekorative, duke dëshmuar një ndërthurje të rrallë mes traditës lokale dhe
estetikës perëndimore, që rrallë haset në arkitekturën shqiptare të fillimit
shek. XX. Kjo banesë përbën një objekt me rëndësi të veçantë, jo vetëm për
historinë, arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore të Shënkollit dhe Bregut të
Matës, por edhe për gjithë rajonin e Lezhës dhe për trashëgiminë kulturore të
Shqipërisë, duke pasqyruar vlerat e saj unike dhe rolin e saj të veçantë në
identitetin historik dhe kulturor të vendit tonë. Duke marrë parasysh shkallën e lartë të
amortizimit dhe nevojën për të parandaluar degradimin e mëtejshëm, ky monument
historik duhet t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë dhe masave të mbrojtjes
konservuese, të cilat duhet të realizohen me urgjencë. Për më tepër, ai duhet
të përfshihet në rrjetin kombëtar të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit
kulturor, duke i siguruar kështu vlerësimin dhe promovimin e merituar në nivel
kombëtar.
Paulin Zefi
Lezhë: 30.03.2026.