Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fran Luli: Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën

| E premte, 03.04.2026, 06:48 PM |


Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën

(e autorit Gjon Marku)

(Reçension)

Nga Fran Luli

Si për çdo recension, edhe për këtë të Mirditës është e vështirë të pasqyrosh gjithë vlerat kulturore të një libri, monografie apo interviste. Aq më tepër bëhet e vështirë për një vëllim të posaçëm intervistash, ku dihet se të intervistuarit japin gjithmonë gjërat thelbësore, qenësore e kryesore për problemet që trajtojnë, për shkak të vetë hapësirës që u jepet në vëllim dhe kufizimeve të tjera në drejtim të sqarimeve, hollësirave apo referencave. Të gjitha këto të bëjnë të jesh domosdoshmërisht racional në përshkrimin e mendimeve të shprehura prej njërit e tjetrit autor.

Kjo përgjegjësi dhe vëmendje shtohet edhe më tepër kur ke përpara firma të njohura të shkencës dhe të kulturës shqiptare, si Dhimitër Shuteriqi, Zef Mirdita, Moikom Zeqo, Mark Tirta, Gjokë Beci, Ndue Dedaj, Anxhelo Massafra, bashkë me autorë të huaj, që duhen nderuar dhe respektuar edhe më tepër si njohës të kulturës dhe të jetës shqiptare, si: Kristofor Palmieri, Franc Vinsauer, Klarisa de Val, Peter Blomejer, Tobias Sveningsen (nga Austria, Anglia, Gjermania, Norvegjia).

Vëllimi hapet me prof. Dhimitër Shuteriqin, personalitet i shquar dhe i gjithanshëm i historisë dhe i kulturës sonë. Në fillim, ai merret me mbishkrimin e Kishës së Gëziqit, duke u shtrirë më tej te problemi i dinastive dhe i shtetit mesjetar të Arbërit, ku bënte pjesë edhe vetë Mirdita gjatë shek. XII dhe XIII. Kjo nuk është pa rëndësi për historikun e Mirditës.

Më tej, autori bën një lidhje origjinale midis Mirditës dhe Dukagjinit mesjetar, bashkë me Matin, si qendër gjeografike, por në atë kohë edhe politike të vetë shtetit të Arbërit. Janë probleme dhe tema të trajtuara mirë në historiografinë tonë prej këtij kërkuesi dhe arkivisti të njohur.

Në lidhje me ndihmesën që kanë dhënë mirditasit për kulturën kombëtare, Shuteriqi vë në dukje rëndësinë e Mirditës si pjesë e këtij shteti mesjetar, por përmend edhe kishat e manastiret në Gëziq e Rubik, në shek. XIII, si qendra të rëndësishme kulture dhe feje gjatë gjithë kohërave në jetën shqiptare.

Si individ të veçantë, autori dallon imzot Preng Doçin, si njeri të fesë dhe të librave, duke theksuar formimin prej tij të shoqërisë "Bashkimi", e cila, në thelb, kontribuoi në unifikimin e alfabeteve të shqipes, për të arritur më vonë te alfabeti që përdorim sot.

Një interes të posaçëm paraqet edhe vizatimi i gdhendur në një shkëmb të Rubikut, me emrin "Shkëmbi i Judejve", si dhe toponimi tjetër "Kepi i Judejve" (Rubik), ku judenjtë njihen si luftëtarë kundër herezisë së fuqishme mesjetare. Aty shtohet, sipas këtij studiuesi, edhe emri i mirënjohur i krahinës Bulgër, duke e lidhur me bullgarët "heretikë".

Shprehimisht, autori thekson: "E pra, Rubiku bën pjesë në krahinën e quajtur Bulgër, pra të 'bullgarëve heretikë' të Mesjetës! Ja një zbulim krejt i hatashëm" (f. 19).

Jup Kastrati bën objekt të intervistës së tij studimin "Topografia e Lezhës" të Preng Doçit, i cili ngjall interes, veçanërisht për onomastikën tonë, duke dhënë gjykimin e vet dhe të autorit rreth disa shpjegimeve dhe etimologjive të mjaft emërtimeve toponimike.

Përveç makrotoponimeve të kësaj treve të gjerë, autori rendit edhe disa të tjera më pak të njohura, por me interes gjuhësor, si: Varoshi, Mërqinja, Mali i Shëlbuesit, Molungu, Kryezezi, Manatia, Gryka. Shpjegime të pranueshme jepen sidomos për Varoshin dhe Molungun, ndërsa mbeten të diskutueshme Bulgër dhe Lezhë (Lissus).

Këto emërtime vendesh shoqërohen edhe me përshkrime gjeografike, madje për disa prej tyre edhe mjaft të hollësishme. Në fund të intervistës jepet një gjykim i poetit të njohur arbëresh, Jeronim De Rada, rreth veprës së imzot Preng Doçit, ku shprehen vlerësime shumë pozitive, të mbështetura tërësisht në vlerat e saj.

Njohësi i mirë i historisë së krishterimit shqiptar, prof. Zef Mirdita, e titullon intervistën kështu: "Mirdita: shtyllë e katolicizmit, mbrojtëse e identitetit kombëtar", një titull mjaft kuptimplotë. Pyetjes për faktorët e ruajtjes së besimit katolik në Mirditë, autori, në radhë të parë, i përgjigjet duke renditur relievin gjeografik, kryesisht malor, ku pushteti osman nuk arriti të depërtonte plotësisht.

Mbi mundësinë e ekzistencës së një shteti të Arbërit në Gëziq të Ndërfanës dhe mbi rolin e derës princore të Gjomarkajve, prof. Mirdita, në përgjithësi, e vlerëson këtë derë si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e vetëdijes së unitetit politik, të mbështetur edhe nga krerët e klerit katolik.

Më poshtë, autori vlerëson veprat e shkruara për Mirditën, si ato të Pal Doçit, Ndue Dedës, Gjush Sheldisë etj., duke rekomanduar që të bëhet një përmbledhje e shkrimeve të ndryshme, të shpërndara në revista të kohëve të mëparshme, por, sipas nesh, edhe të kohëve të sotme.

Studiuesi i mirënjohur Jorgo Bulo ka për objekt vlerat kulturore të Mirditës dhe të mirditorëve, duke i dhënë një vend të veçantë Preng Doçit, si abat dhe si njeri i letrave. Më tej, autori vë në pah pasurinë e madhe të traditave arkeologjike, etnografike, gjuhësore, folklorike dhe kulturore të Mirditës.

Vend të rëndësishëm i jep edhe zhvillimit shpirtëror të kësaj treve, si një vend katedralesh, duke theksuar: "Traditat e jetës pagane dhe të qytetërimit kristian, të pasuruara me idetë e kulturës moderne të Rilindjes, i japin Mirditës një vend të veçantë për kontributin e saj në rrjedhat e kulturës kombëtare" (f. 52). Në fund, autori bën një paralelizëm domethënës midis pasurisë minerale të Mirditës dhe pasurisë shpirtërore e kulturore të saj.

Studiuesi i lashtësisë, Moikom Zeqo, shtjellon mitet dhe historinë e lidhur me Mirditën. Në thelb, ai thekson se Mirdita përmban shumë histori të pashkruara dhe se studimet e bëra deri më sot mbeten të pjesshme. Ai arrin në një lloj sinteze, kur shprehet: "Populli i Mirditës është esencialisht popull shqiptar" (f. 58).

Për këtë përfundim, ai paraqet disa argumente, ndër të cilat më i rëndësishmi është struktura gjeografike e Mirditës, që lidhet me një nga fiset më të rëndësishme ilire, atë të pirustëve, të njohur për shkrirjen dhe përpunimin e metaleve. Në këtë kuadër, ai i kushton vëmendje të veçantë epokave të hekurit dhe të bronzit, duke theksuar: "Kultura mineralogjike e ilirëve zë një vend kryesor në historinë antike të Evropës si kontinent dhe si qytetërim" (f. 59).

Vetëkuptohet që këto epoka kanë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë e Mirditës. Në pyetjen rreth etimologjisë së emrit "Mirditë", autori përpiqet të bëjë një analizë të hollësishme, duke u mbështetur edhe në mendimet e studiuesve të tjerë, por pa arritur në një përfundim përfundimtar shkencor. Me këtë rast, ai u drejton një vërejtje gjuhëtarëve, të cilët ende nuk kanë dhënë një shpjegim të plotë dhe të pranueshëm.

Sa i përket enigmës dhe historisë së Shën Aleksandrit të Mirditës, studiuesi i kushton një trajtim të gjerë, duke e analizuar që nga origjina dhe në vijimësinë historike, mbështetur në shkrimet dhe relacionet e misionarëve të shekujve XVII dhe XVIII.

Vihet në dukje, veçanërisht, roli i rëndësishëm i benediktinëve, si në përhapjen e abacive mesjetare, ashtu edhe në zhvillimin kulturor të vendit. Autori ndalet gjithashtu te figurat e tre shenjtorëve të tjerë: Shën Prokopi, Shën Dhimitri dhe Shën Nestori, të cilët, si martirë të fesë, paraqesin një ndërlidhje të natyrshme me figurën e Shën Aleksandrit.

Etnografi nga Oroshi, Mark Tirta, e trajton Mirditën në planin e botës së jashtme, si një trevë të njohur nga studiues të ndryshëm. Pyetjes se ç'vend zënë mitet në mendësinë e banorëve të Mirditës, autori i përgjigjet menjëherë: "Mitet, ritet e besimit me zanafillë pagane zënë një vend të veçantë në etnokulturën e krahinës së Mirditës" (f. 81), duke e shtjelluar më tej këtë ide gjatë përgjigjes.

Në lidhje me shkrimin e tij "Mirdita në gojën e të huajve", vihet në dukje se shumë studiues të huaj, që kanë vizituar Mirditën, kanë lënë dëshmi dhe vlerësime për të, sidomos për autonominë gjatë sundimit osman, për ligjet dhe traditat dokësore, si dhe për rolin e abacisë dhe të kapidanit të kësaj krahine të gjerë. Si autorë të njohur të huaj përmenden: A. Boué, G. Hahn, Hecquard, F. Nopcsa, E. Durham, G. Meyer, Degrand, M. Lambertz, F. Cordignano etj.

Për pyetjen e fundit, rreth vlerave të botimeve të fundit nga autorë vendas, etnologu i njohur shpreh vlerësime pozitive, duke dhënë edhe këshilla e sugjerime konkrete, si: forcimi i kërkimit shkencor në arkiva, në literaturë dhe në terren, si dhe organizimi i tryezave të rrumbullakëta.

Mirditori tjetër, Pal Doçi, e titullon intervistën e tij me një pyetje domethënëse: "Pse nuk u mbajt në Orosh kjo konferencë?". Pyetjes se ç'përfaqëson figura e imzot Preng Doçit, abat i Mirditës, në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, historiani i jep tri përgjigje kryesore:

a) Preng Doçi është një nga figurat madhore të Rilindjes;

b) ai ka bashkëpunuar dhe luftuar me Preng Bibë Dodën;

c) Preng Marka Prenga përfaqëson një dimension të veçantë historik, të cilin autori e shtjellon në mënyrë të argumentuar.

Një pyetje tjetër me interes lidhet me raportin midis Kanunit dhe Mirditës. Autori e konsideron të vështirë një përgjigje përfundimtare, por thekson: "Temën 'Kanuni dhe Mirdita', në mënyrë të përgjithshme, e ka shtruar Dom Prend Suli qysh në vitet '30 të shekullit XX; pra është një çështje e hapur, me interes filozofik dhe historik" (f. 93).

Dy pyetje i drejtohen autorit edhe për figurën e njohur të Ambroz Marlaskës, një personalitet mirditor me formim të gjerë intelektual, doktor në filozofi. Autori e vlerëson lart këtë figurë, si në planin e dijes, ashtu edhe në veprimtarinë atdhetare e fetare. Në një nga përgjigjet e tij, ai shprehet: "Unë kam përvijuar profilin e Marlaskajt si sociolog, erudit, historian e etnolog, gjuhëtar, pedagog, publicist, deputet" (f. 95), duke e paraqitur kështu si një figurë poliedrike.

Më poshtë renditen disa nga veprat e këtij dijetari, ndër të cilat veçohen: "Një moment historik pazotësie në fushën e arsimit në Shqipëri", "Ligjëratë mbi Shqipninë", "Shënime historike", "Historia e Kryqit të Kuq", "Jeta e shqiptarëve", "Fjalor latin", "Mbi ortografinë e sotme".

Poeti Gjokë Beci trajton jetën, artin dhe shpirtin krijues të Mirditës, duke u përqendruar në përvijimet thelbësore. Që në përgjigjet e para, autori vë në dukje vlerat e mëdha artistike dhe kulturore të Grupit Folklorik të Mirditës në vitin 1968, si dhe më vonë të Ansamblit "Mirdita" (1978), me "Grupin e burrave" si shtyllë kryesore.

Në vijim, ai analizon më në hollësi këtë ansambël, duke veçuar figura si Dava Gjini dhe Tomë Lleshi, për të arritur në një përfundim sintetik: "...mund të kujtoj se nga 13 numrat e atij koncerti brilant, asnjë plasaritje artistike nuk ka pasur" (f. 103).

Një pyetje tjetër i drejtohet të intervistuarit lidhur me traditat folklorike shqiptare, e në veçanti me ato të trevës së Mirditës. Poeti dhe kritiku në fjalë ngre lart vlerat e mëdha artistike të këtyre traditave kulturore, sidomos në këngët e dasmës, elegjitë, vajet, këngët e punës dhe ato të atdhedashurisë, duke përfshirë gjithashtu edhe veshjet e kostumet shumëngjyrëshe, të gjitha të realizuara me një mjeshtëri të rrallë artistike.

Në një moment të kësaj përgjigjeje, autori sintetizon: "Vetëm këto pak fjalë të vërteta, natyrisht, do të mjaftonin për të vërtetuar faktin se Mirdita është jetë. Më tej – Mirdita është ar" (f. 105).

Pyetjes së hollë: "Besoni se bukuria mund të përsëritet?", poeti – njëkohësisht edhe estet – i përgjigjet me pasion, duke shprehur dëshirën për të rikthyer vlerat e dikurshme, ndonëse e pranon se kjo nuk është e lehtë. Ai vendos disa kushte thelbësore, si p.sh.: "duhet, së pari, të gjendet mënyra për të ringjallur atë krenari që na pushtonte dikur për vlerat e traditës sonë", si dhe "...të gjendet mënyra për të na rigrupuar" (f. 108).

Në vijim, autori sqaron ndikimin e dukshëm të vendlindjes në frymëzimin e tij poetik, një dukuri e pranishme edhe te shumë krijues të tjerë. Ai nuk e mohon për asnjë arsye origjinën dhe efektet e saj, duke vënë në dukje, me një ton kritik, tendencën e disa të rinjve për të shmangur këtë identitet, duke u përpjekur të paraqiten artificialisht si të ardhur nga qytete të njohura. Ndërkohë, ai thekson se shkolla dhe kultura e përforcojnë këtë ndikim, duke e bërë më të plotë, më të qëndrueshëm dhe më të orientuar drejt përsosmërisë. Jo rastësisht, ai shprehet: "...të ndikohem dhe të ndikoj" (f. 109).

Publicisti dhe analisti i njohur, Frrok Çupi, trajton temën e mirditorëve si njerëz me pasion për të renë, për të rrallën dhe për të veçantën. Që në përgjigjen e parë, ai shpreh një lidhje të fortë emocionale me vendlindjen e tij, Blinishtin, të cilën e përshkruan me një metaforë të bukur si "perlë mahnitëse", që e ka ushqyer dhe frymëzuar në krijimtarinë e tij, përmes bukurive natyrore dhe pasurisë shpirtërore jo vetëm të këtij vendi, por të gjithë Mirditës.

Një analizë të zgjeruar autori i kushton kontributit të Mirditës në kulturën kombëtare, duke theksuar se kjo trevë ka tërhequr më shumë interes nga studiues të huaj sesa nga ata vendas. Ndër të huajt përmenden veçanërisht Edith Durham, Z. Majani dhe N. Jorga. Megjithatë, Çupi ndalet më tepër te studiuesit anglezë, duke e lidhur këtë me marrëdhëniet historike dhe aleancat e Mirditës me Britaninë. Ai thekson: "Udhëtarët dhe studiuesit anglezë kanë pasur lidhje të afërta me Mirditën" dhe shton se "mirditorët, nën kryesimin e prijësit të tyre Preng Bib Doda (Plaku), kanë qenë aleatë të Britanisë në Luftën e Krimesë" (f. 118–119).

Me ndjeshmëri të veçantë, autori ndalet te figura e udhëtares dhe studiueses angleze Edith Durham, e cila e ka njohur dhe përshkruar në mënyrë të thellë Mirditën. Më tej, ai vë në dukje interesin e vazhdueshëm të të huajve për këtë krahinë malore, të varfër në burime materiale, por të pasur në vlera kulturore dhe shpirtërore.

Në këtë kuadër, theksohet qëndresa e veçantë e Mirditës ndaj pushtimit osman, duke ruajtur të paprekur fenë katolike: "Është e vetmja krahinë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, që mundi të ruajë të paprekur nga pushtimi osman besimin dhe edukimin katolik" (f. 120).

Një tjetër aspekt ku ndalet autori është ruajtja e identitetit të fortë shoqëror të mirditorëve, ku ndikojnë faktorë historikë, gjeografikë dhe shoqërorë. Ndër elementet që përmenden është edhe ndalimi i martesave brenda fisit apo bajrakut, gjë që ka ndikuar në ruajtjen e një strukture të qëndrueshme shoqërore. Në këtë kontekst, ai shprehet se kështu "rritet mundësia për ruajtjen e një vazhdimësie të pastër shoqërore" (f. 120).

Publicisti tjetër mirditor, si dhe autor i disa monografive, Ndue Dedaj, shfaqet si një ndër zërat më përfaqësues dhe më të përkushtuar ndaj Mirditës. Me veprat e tij të shumta kushtuar kësaj treve, ai mund të krahasohet metaforikisht me një rrap të rrënjosur thellë në tokën e Kaçinarit. Jo rastësisht, intervistën e tij e titullon "Mirdita – shtet etnokulturor", duke e konceptuar atë si një entitet me identitet të veçantë, pothuajse "shtet më vete".

Në një nga përgjigjet e tij, ai vë në dukje kontributin e disa figurave të shquara të letrave dhe studimeve nga Mirdita, si Zef Gjinali, Dom Nikollë Kimza, Dom Dodë Koleci, Dom Prend Suli, të cilët kanë dhënë ndihmesë të çmuar në fusha të ndryshme të dijes. Në këtë vazhdë përfshihet edhe vetë Ndue Dedaj me veprat e tij, ndër të cilat veçohen: "Ajzbergu i Hanës", "Toka e Katedraleve", "Kanuni dhe koha e sotme", "Kaçinari", "Këndej kaloi koha" etj.

Një pyetje e veçantë i kushtohet studimit të tij të rëndësishëm "Toka e Katedraleve", për të cilin autori jep një përgjigje të shkurtër, por domethënëse. Që në fillim, ai thekson: "Kisha katolike e Mirditës ka mbetur kisha më e paepur, sepse ajo ruajti të pazhbërë një bashkësi njerëzore dhe një bashkësi vlerash" (f. 129).

Më tej, ai evidenton katër kuvendet benediktine të Mirditës, duke nënvizuar rolin e tyre të rëndësishëm në përhapjen e fesë dhe kulturës: "Aty përgatiteshin klerikë për viset veriore e deri në Dalmaci" (f. 129). Ky fakt dëshmon se Shqipëria jo vetëm ka marrë ndikime kulturore nga jashtë, por ka qenë edhe dhënëse e tyre.

Në këtë kontekst përmenden edhe udhëtarë dhe relatorë të shumtë, ipeshkvij e abatë, si: M. Bici, B. Orsini, P. Mazrreku, P. Budi, P. Bogdani, Gj. Bardhi, M. Skura, S. Gaspari, V. Zmajeviç, P. Duoda, së bashku me një varg të gjatë klerikësh vendas të ditur e të përkushtuar.

Pyetja e fundit lidhet me vizionin intelektual për të ardhmen e Mirditës, për të cilin Dedaj shfaq një ton disi pesimist. Ai e lidh këtë me mungesën e kushteve të përshtatshme për arsim dhe zhvillim kulturor të rinisë, e cila shpesh detyrohet të marrë rrugën e emigrimit. Në përfundim, ai shprehet: "Shpopullimi është vdekja e së nesërmes; si i tillë, i papranueshëm" (f. 138).

Vargun e autorëve mirditorë e vijon Nikollë Loka, publicist dhe studiues i fushës letrare. Objekt i intervistës së tij është Rilindja Kombëtare në Mirditë, ku ai paraqet në mënyrë historike rolin e kësaj krahine gjatë kësaj periudhe të rëndësishme, duke përmendur figura të njohura si P. Zarishi, P. Doçi, Gj. Gazulli etj.

Në një përgjigje tjetër, ai ngre disa çështje që kërkojnë vëmendje dhe trajtim të mëtejshëm në studimet historike dhe kulturore për Mirditën. Ndërsa në përgjigjen përmbyllëse, ai ndalet te ajo që e quan "metafora e lirisë", e lidhur me vetë emrin "Mirditë", duke theksuar: "Mirdita është një emër i bukur, që i flet së kaluarës dhe së ardhmes".

Monsinjori italo-arbëresh Anxhelo Massafra paraqitet me intervistën e titulluar "Mirdita, shtëpi e katolicizmit", një formulim mjaft kuptimplotë. Në përgjigjet e para, ai ndan mbresat dhe konsideratat e tij për Mirditën gjatë shërbimit kishtar në këtë krahinë, në periudhën e vështirë të tranzicionit shqiptar, veçanërisht në vitin 1997. Ai shprehet:

"Është e vërtetë, edhe unë s'e di si kam patur mundësi për të tejkaluar një moment shumë të vështirë njerëzor, shpirtëror, nga ana shoqërore dhe nga ana kishtare, kur në Shqipëri kishim humbur arsyen, logjikën, kishim humbur gjithçka. Vetëm Zoti na ka liruar nga kjo e keqe, nga humnera më e tmerrshme" (f.148).

Këto çaste të vështira, Monsinjori i kaloi së bashku me të tjerët dhe me përkrahjen e madhe të besimtarëve mirditorë, duke shërbyer me përkushtim dhe duke lutur Zotin. Ai vë në dukje punën e madhe dhe kujdesin në ndërtimin e katedrales së Rrëshenit, si një simbol të rëndësishëm për këtë krahinë me besim të fortë fetar. Në një pyetje tjetër, ai thekson se dioqeza e Rrëshenit ka më shumë kisha të ndërtuara sesa ajo e Shkodrës. Monsinjori flet gjithashtu për hapjen e shkollës profesionale "Shën Jozef Punëtor", ku të rinjtë e fshatrave mësojnë zanate dhe përgatiten për punësim. Në përgjigjen e fundit, ai trajton çështjen e ndërlikuar të pajtimeve ndërpersonale, jo vetëm në Mirditë, por dhe brenda dioqezës së Shkodrës, përmes konceptit të simbolikës së "Shtëpisë së Paqes", një vend i kuptimshëm dhe i rëndësishëm për shërimin e plagëve shoqërore.

Administratori Apostolik i dioqezës së Rrëshenit, Patër Kristofor Palmieri, intervistën e tij e titullon "Rindërto mbi të gjitha njeriun!". Që në fillim, ai përshkruan punën e madhe tetëvjeçare të meshtarëve në dioqezë dhe mbështetjen e pashoqe të Vatikanit dhe të komunitetit katolik të Mirditës. Ai thekson lidhjen e Kishës me komunitetin jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë kulturor dhe arsimor, duke shprehur:

"Është për këtë që aty ku mbërrin Kisha, Ungjilli, aty arrin promovimi i njeriut, kultura, dhe gjithçka që favorizon dinjitetin e njeriut" (f.158).

Një tjetër përgjigje trajton rëndësinë e ndërtimit të katedrales së re në Mirditë:

"Për atë që beson, ajo është shtëpia në të cilën Hyu takohet me popullin e tij, por mund të ndriçojë edhe atë që akoma ecën në errësirë..." (f.160).

Ai flet gjithashtu për emërimin e tij në drejtimin e dioqezës, për punën dhe përkushtimin e tij fetar në këtë krahinë të gjerë, duke renditur një varg arritjesh që dëshmojnë ndikimin e tij të qëndrueshëm në zhvillimin e jetës kishtare dhe kulturore të Mirditës.

Ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, Monsinjor Zef Simoni, trajton kryesisht çështjen e pastërtisë morale dhe fetare të mirditorëve gjatë historisë. Intervista e tij konsiderohet një nga më të studiuarat dhe të argumentuarat në këtë botim. Monsinjori ngre lartë ndjenjën e fortë fetare të katolicizmit në këtë krahinë dhe tek banorët e devotshëm, duke theksuar prerazi:

"Besimin katolik e ka asimiluar e pëlqyer me rranjë" (f.166).

Ai përshkruan devocionin e thellë të besimtarëve dhe rendit një varg festash dhe shenjtorësh të nderuar: Pashkët, Këshndellat, Sh. Aleksandrin, Shënkollin, Shmarkun, Shëlbuemin, Shemhillin dhe Shnaprenden. Monsinjori vë në dukje kremtimin solemn të pagëzimeve, kurorëve dhe salikimeve, si dhe përdorimin e ujit të bekuar dhe bekimeve.

Ai thekson binomin "Fe e atdhe", duke shtuar si element të tretë kulturën dhe qytetërimin, një trinome që kleri shqiptar e ka ndjekur dhe ruajtur. Monsinjori vlerëson veçanërisht rolin e madh të Abacisë së Oroshit dhe rendit personalitete të njohura fetare dhe kulturore që ka nxjerrë Mirdita, duke përmendur dinastinë e Gazulloreve gjatë shtatë shekujve, Imzot Prengë Doçin, Dodë Kolecin dhe të tjerë, duke analizuar kontributin e tyre në fusha të ndryshme.

Në një përgjigje tjetër, ai shprehet qartë:

"...Mirdita gjatë krejt historisë së vet ka ruajtur, me gjithë ndeshtrashat dhe rreziqet e shumta, fenë katolike, së parit përballë skizmës së Lindjes në vitin 1054 dhe ka luftuar kundër pushtimeve osmane..." (f.170).

Kur trajton rolin e meshtarëve dhe drejtimin e kishës nga misionarët e huaj italianë, Monsinjori vlerëson punën e tyre, duke theksuar se drejtimin e Kishës shqiptare e bën kleri vendas, ndërsa misioni i huaj ofron ndihmë dhe përkrahje. Ai shkruan:

"Shqipëria të drejtohet nga ipeshkëvij të vendit. Misioni i huej do të punojë, tue ndihmue kishën. Të kihet parasysh se misioni i huej asht edhe i përkohshëm" (f.174).

Një tjetër përgjigje trajton lidhjet midis komunitetit katolik dhe Kishës në sferën shoqërore dhe kulturore. Monsinjori thekson se këto lidhje realizohen kryesisht përmes hartimit dhe promovimit të librave, aktivitetit të koreve të kishës dhe këngëtarëve, si dhe përmes hapjes dhe funksionimit të shkollave dhe institucioneve të ndryshme me karakter fetar dhe laik.

Ai trajton gjithashtu çështje të ndjeshme dhe delikate që lidhen me ruajtjen e vlerave morale dhe integritetin e komunitetit, duke evidentuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet klerit dhe popullit.

Një çështje tjetër që trajtohet është ajo e pajtimit të gjaqeve. Autori vë në dukje rolin e madh të Kishës dhe të misionarëve të saj gjatë gjithë kohërave, duke përmendur meshtarë të njohur si: P. Pazi, P. Bazhdari, F. Kordinjano, Gj. Karma, M. Harapi, bashkë me fratela, të cilët kanë ndërmjetësuar dhe pajtuar deri në 4 mijë gjaqe. Ky mision vepron edhe sot nën drejtimin e meshtarëve D. Makaj, E. Troshani dhe L. Kçira.

Në përgjigjen e fundit bëhet fjalë për hartimin e veprave të ndryshme mbi historinë e Kishës, por fatkeqësisht vetëm për një hark kohor gjysmë shekullor dhe jo më gjerë. Aty përmenden autorë të ndryshëm si: Imzot Z. Simoni, K. Gjolaj, Z. Pëllumbi, P. Pepa, D. Gjeçaj, K. Çefa, S. Pepa, L. Zadeja, A. Plasari, F. Radovani, A. Çapaliku, P. Doçi, N. Deda etj.

Franc Vinsauer, prift dhe intelektual austriak i formuar mirë, trajton lidhjet midis Austrisë dhe Mirditës. Në përgjigjet e tij të shumta, në mënyrë të përmbledhur, ai flet për punën e madhe të kryer në ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave dhe objekteve të tjera sociale në Mirditë, si dhe për lidhjet kulturore midis Austrisë dhe krahinës. Ai thekson:

"Lidhja Mirditë-Austri ka sjellë shumë të mira sipas historisë. Lufta dhe mjerimi janë përvojat tona të përbashkëta në shekullin e kaluar. Ne kemi mundësi të mësojmë me njëri-tjetrin dhe nga njëri-tjetri të krijojmë një shkëmbim" (f.184).

Vinsauer, nismëtar i krijimit të "Karitasit Mirdita", kontribuoi me ndihma materiale dhe shpirtërore gjatë dhjetë viteve në fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë njerëzore. Objektivat për të ardhmen janë premtues: rindërtimi i Muzeut Historik të Rrëshenit, hapja e kurseve në gjuhë të huaja, aftësimi profesional i të rinjve dhe projekte të tjera. Ai shpreh dëshirën e tij për arritjet e Mirditës me fjalët:

"U bëftë Mirdita përsëri një vend i lulëzuar, këtë gjë e dëshiroj dhe shpresoj të mund ta përjetoj" (f.184).

Pedagogia e Universitetit të Kembrixhit në Angli, Klarisa De Vval, në intervistën e saj mbështet tezën se mirditorët kanë një sens të theksuar të identitetit. Në njohjen e parë me Mirditën (Rrëshen), ajo shprehet:

"Dendësia e intelektualëve në qytet më habiste dhe ishte një faktor ndikues në vendimin tim që të lidhesha me qytetin" (f.190).

Rreth vlerave të antropologjisë sociale, një degë e re shkencore në Shqipëri, ajo shpjegon qartë problemin dhe metodat e kërkimit në këtë fushë. Ajo thekson se forma më rezultative është njohja direkte dhe nga afër e grupit që studiohet. Po ashtu, ajo nënvizon rëndësinë e njohjes së gjuhës së popullit, veçanërisht të shqipes, duke shkruar:

"Gjuha shqipe më pëlqen shumë, pavarësisht nga gramatika e ndërlikuar, sepse fjalori është shumë i pasur" (f.194).

Ajo shprehet gjithashtu për disa projekte të parashikuara në fushën e arsimit në Mirditë dhe thekson aftësitë krijuese të intelektualëve mirditorë:

"Jam e bindur që ju, intelektualët e Mirditës, luani një rol të rëndësishëm" (f.195).

Studiuesi gjerman Peter Blomejer, në intervistën e tij, trajton temën "Mirditasit, njerëz të pavarur, krenarë dhe shumë mikpritës" si cilësi morale dhe virtyte të tyre. Ai flet për lidhjet dhe marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke veçuar mbështetjen në fusha të ndryshme si bujqësi, shëndetësi, drejtësi, legjislacion dhe arsim. Sa i përket prirjes së nacionalizmave në Ballkan, ai shprehet:

"...ajo çka synohet është të arrihet zbutja e nocionit kufij në kuptimin e uljes së rëndësisë së kufijve" (f.200).

Për studimet e tij mbi zakonet dhe traditat e Mirditës, Blomejer thotë:

"...për këtë studim nuk kam përfshirë vetëm Mirditën, por dhe Shkodrën e Tropojën" (f.201).

Sa i përket Kanunit të Lekë Dukagjinit, ai shpreh mendimin se në rrugën e zhvillimit modern të Shqipërisë, zbatimi i normave kanunore është i vështirë për shkak të ndryshimit të kohërave.

Ish-ambasadori norvegjez në Shqipëri, Tobias Sveningsen, intervistën e titullon "Mirdita, qendër e qëndresës popullore shqiptare". Ndër përgjigjet e para, ai flet për Fondacionin e Zgjidhjeve të Konflikteve dhe ndihmat e tij, sidomos në zonat e Mirditës, duke përmendur trajnimet e ndryshme për mësuesit dhe nxënësit.

Në një përgjigje tjetër, del qartë njohja e Mirditës prej këtij studiuesi, edhe në planin historik, duke theksuar:

"Mirdita në albanologji njihet si një nga qendrat e kulturës shqiptare" (f.205).

Sa i përket marrëdhënieve Shqipëri-Norvegji, ai vë në dukje ndihmat dhe investimet norvegjeze, veçanërisht në sektorin e energjisë shqiptare.