| E premte, 03.04.2026, 06:50 PM |
Anton Marku
Është një qiri
që askush nuk mund ta ndezë
pos teje
PA GJETHE
Në cilën borë u fsheh
gjithë ai dimër
kur njësoj
u vishnin e u zhvishnin
të dielat tona në fundjavë?
Të dehur me gotën e parë
lidhur për shtrat
pangopshëm
Dhjetëra herë
nisur nga e para
Atë vit
aq e pa mëkatshme
dukej e bardha
Para saj
gjithçka tjetër humbte peshe.
Ditën që do të ikësh
mos e përplas derën
Pas shpine
mos i puth gishtat një tjetri
Nuk patëm kohë për më tepër
rrugët na bënë udhëtarë
Do të mbetesh brymë
që fle në duart e mia
E vonuar në ardhje
e ngutur në shkuarje
E padenje për kthim.
VETËM TI
Është një qiri
që askush nuk mund ta ndezë
pos teje
Është një prag dere
që pret hapat e tu
Është një dhomë
që lutet për kthimin tënd
Jam unë
me kokën mbështetur për mur
ulur mbi prag
me një qiri në dorë.
MAJI
Maji do të vijë
e ne do të duhemi
përsëri
Në të sotmen e
dikurshme
gojëve do të
lëshojmë puthje
Që dita të mos e
ndajë
atë që nata
bashkon.
A ka më mirë
se të më mbulojë
dimri
në gjoksin tënd
Vesë të bëhem
përreth buzëve tua
Pafundësisht të
zgjasë
përkohshmëria
jonë.
Anton Marku, 02.04.2026