Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Ikja qiellore e Don Kelmend Spaçit, meshtarit të shpirtit të shenjtë dhe shërbestarit të shqiptarisë

| E premte, 03.04.2026, 06:58 PM |


Foto e gjeneruar nga IA

Ikja qiellore e Don Kelmend Spaçit, meshtarit të shpirtit të shenjtë dhe shërbestarit të shqiptarisë

Nga Albert Vataj

Ka ikje të frymshme që nuk janë thjesht largime nga jeta, por çarje në kujtesën e një kombi, këputja e një filli përbashkues që dëshmoi në kohë të terrta se besimi është mision dhe kombi qëndron përmbi çdo dallim dhe përkatësi.

Atëherë kur kjo tokë lahej me gjak dhe ëndrrat digjeshin në flakët e mizorisë, kur tmerret e luftës mësynin paqen dhe tempujt shpirtëror ngriheshin si një amanet që zgjohej nga thellësia e tokës dhe kohës për të dëshmuar shqiptarinë si besë dhe betim, ai Don Kelmend Spaçi ishte aty për të përmbushur misionin e shqiptarit dhe klerikut.

Ndarja nga jeta e Don Kelmend Spaçit është një humbje që rëndon jo vetëm mbi besimtarët, por mbi vetë ndërgjegjen shqiptare.

Ai nuk ishte vetëm një meshtar. Ishte një qëndresë. Një fjalë e thënë në kohën e duhur. Një derë e hapur kur bota mbyllej. Një kambanë që nuk thërriste vetëm për lutje e falje, por për jetë e shqiptari.

I lindur në Velezhë të Prizrenit, me rrënjë nga Spaçi i Mirditës, Don Kelmend Spaçi mbarti në shpirt një trashëgimi të dyfishtë, besimin dhe atdheun.

Në gjurmët e At Gjergj Fishta dhe Anton Çeta, ai nuk e pa kurrë fenë si kufi, por si urë, një urë që bashkonte shqiptarët përtej dallimeve, në një kohë kur të tjerët kërkonin t’i ndanin.

Në pranverën e errët të vitit 1999, kur regjimi i Sllobodan Millosheviç po ushqente urrejtjen dhe përçarjen, për të ngulur thonjtë e natës, terrorit dhe mizorisë, ai u bë dritë, u bë detyrë e lartë kombi.

Në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan, ai nuk pyeti kurrë kush ishte katolik e kush mysliman. Ai pa vetëm shqiptarë në rrezik. Dhe i strehoi. I ushqeu. I mbrojti. I shtriu dorën e vullnetit të Atit, për besim dhe shpresë.

Madhështia e tij nuk qëndron vetëm në aktin e strehimit dhe mbrojtjes. Ajo që e ngre Don Kelmendin në përmasën e një figure morale është ai çast përballë armëve, kur ai shqiptoi fjalët që tashmë i përkasin historisë:

“Këtu nuk ka myslimanë e katolikë. Këta janë shqiptarë.”

Kjo nuk ishte thjesht një deklaratë. Ishte një akt sovraniteti moral, një guxim që luftoi me zemët kundër tytave të nxehta dhe vdekjes së pamëshirshme.

Një refuzim për të pranuar logjikën e dhunës dhe për të parë vdekjen në sy.

Një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj barbarisë, një kurajë që u bë emblemë.

Ai nuk u tërhoq. Nuk negocioi me frikën. Nuk bëri kompromis me të keqen. Ai vendosi veten përpara jetëve të të tjerëve. Dhe në atë çast, ai nuk ishte më vetëm një prift, ai ishte vetë ndërgjegjja e kombit që fliste, ishte vetë shembulli i veprës lavdiplotë i bashkëjetesës së harmonishme ndërfetare. Ishte jetësimi i kësaj pavdekësie që e fisnikëroi besimin dhe e lartësoi kombin në një tokë të djegur nga zjarri i luftës.

Në ditët e Ramazanit, kambanat e kishës së tij binin për iftar. Një gjest që për shumëkënd mund të dukej i vogël, por që në të vërtetë përmbante një filozofi të tërë bashkëjetese.

Një kambanë që shpallte jo vetëm kohën, por edhe respektin. Një simbol që përkthente në tingull atë që At Gjergj Fishta e kishte shprehur në fjalë: “Bajram e Pashkë i kemi, por Shqipninë e kemi bashkë.”

Don Kelmend Spaçi ishte prifti që nuk e ndau kombin as para tytave të armëve. Ishte njeriu që e jetoi besimin si shërbim dhe atdhedashurinë si detyrë. Ishte dëshmia se në kohët më të errëta, drita nuk vjen nga fuqia, por nga karakteri.

Sot, ai nuk është më mes nesh. Por shembulli i tij mbetet. Dhe ndoshta, më shumë se kurrë, kemi nevojë për atë zë që thotë, jemi një.

Sepse njerëz si ai nuk vdesin. Ata bëhen shembull. Bëhen kujtesë. Bëhen standard.

Dhe mbi të gjitha, bëhen thirrje për zgjim dhe ndërgjegje. Bëhet e hyjta ndjenjë shëmbëllimi që lartësohet në qielloren e shpirtit të së njerëzishmes shqiptare, që lutet dhe falet në kishë e në xhami, betohet në flamur dhe flijohet në amanetin e një kombi.