Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: 1 Prilli - Rrena pa maskë

| E merkure, 01.04.2026, 06:14 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

1 Prilli - Rrena pa maskë

Një Prillin e kemi festë zyrtare,

ku rrena vishet si vajzë lozonjare;

del në shesh pa frikë, pa drojë, pa turp,

gjithë qeshin:- Eja, na gënje, moj çupë!

Po ne pse të çuditemi pandarë,

kur rrena na rritet si bari në arë?

Në komunë, në zyrë, krejt qëllimisht,

ajo firmoset me vulë - bëhet “zyrtarisht”.

Premtimet rriten pa leje si ndërtesa,

një kat për vota, dy për interesa;

rrena këtu s’është më thjesht një trill,

është me përvojë - jo vetëm për 1 Prill.

Na thonë: - Rritet paga - çmimi rrokulliset,

rinia kthehet sërish - fshati nuk braktiset;

por, rruga mbetet në letër vetëm si një hartë,

ndërsa rinia ikën, një nga një, ditë e natë.

Adresat “fshihen” si me magji nate,

njerëzit bëhen numra - pa zë e pa fate;

një rrenë burokratike, e ftohtë si mërzia,

që zbraz një vend më shumë se stuhia.

Dhe kur vjen 1 Prilli, çudia s’ka fund,

na thonë: “Sot mos i besoni askujt dhe askund!

Po ne qeshim hidhur, me të vërtetën e thjeshtë:

- Kur në vendin tonë 1 Prilli zgjat 365 ditë rresht…

(Karikatura marrë nga interneti)