| E marte, 31.03.2026, 06:55 PM |

“Drita” e Mimoza Hafizit, ku fotonet kalojnë përmes thjerrëzave të shpirtit, për t’i dhënë kuptimsi qenies
Nga
Albert Vataj?
Romani
“Drita” i Mimoza Hafizi, i astrofizikanes që zgjedh fjalën të përshkojë dhe
përshkruaj dritën, këtë mister dhe mishërim të gjithçaje, këtë ngulmim dhe
shëmbëllim të kuptimsisë së gjithsisë dhe qenies, këtë shkas mrekullimi dhe
ëndje magjepsjeje, është zbulesa e liturgjisë së shpirtërores që zbret nga
pafundësia si një ikonë nga tabloja, për të përbashkuar në etjen tonë për
zotërim skajet ekzistenciale, dhe për të zbërthyer, jo dhe aq grimcat e dritës,
se sa për ta çliruar njeriun nga ngujimi i ngurtësisë, përmes dritës së drituar
nga rrëfimtaria.
Njeriu
jeton me dritën, prej dritës, për dritën, në dhënien e gjithçkaje të zotërimit
përnmes dritës dhe dijes. Dhe momenti kur ky mister rreket të gjej
përputhshmëri përmes lëndës së shpirtit, shndërrohet në skajin ku nevoja jonë
prej thërrmijash drite, gjurmon të gjej përplasjen që e shndërron në vullnetin
e etern të krijimit
Drita,
si grimcë dhe si qenie, si lëndë kuantike dhe si vërshim etern fati njerëzor,
vjen në këtë akt të epër komunikimi për të bashkëndarë me lexuesin shtresëzimet
e asaj pranie që çdoditshmëria mbrun, njëjt si ato fotone, dritën, dhe
udhërrëfen fatin e Dritës që në këtë narrativë të Mimoza Hafizit, vjen përplot
mbushur me magjinë që eksploron vetë drita si sfidë dhe sendërtim.
Autorja
në këtë libër guxon që nëpërmjet fjalës të na kumtojë mrekullinë e krijimit,
dhe e shuguron këtë ligjërim të ngopur me dritë, duke u orvatur ta sjellë te
ëndja jonë e leximit, si një qasje e ndryshtë, unike përnga subjekti dhe fabula,
thellësia e ndërthurjes së gjëndjeve dhe zakonshmërieve jetësore, të cilat
vijnë të rrëfejnë një botë, në përbërje të së cilës është gjithësia në
gjithçkanë e saj përbërëse. Me hapa të matshëm jetësor, personazhet e këtij
libri vijnë të na tregojë jo tamam udhën për në yje, por për dimensionin që çel
hapja e shpirtit kah përshkueshmëria e dritës dhe hapësirës.
E
si do të ishte një mënyrë tjetër më magjike për të ndërtuar një komunikim, duke
e gdhëndur fjalën me dritë, përjetimin me shpërthim, ëndrrën me prekshmëri
skajesh.
Edhe
për ata që janë pjesë e mrekullisë së dritës, dhe që shkenca u mundëson të
hyjnë përmes deriçkës së dëshirimit kureshtues, në pafundësinë e papërmasshme,
përmes fotoneve të dritës dhe formësimit të gjëndjes përmes fjalës.
Libri
“Drita” i Mimoza Hafizi, botuar nga Albas, është një nga ato raste të rralla
kur shkenca nuk mbetet në laborator, por kalon në territorin e ndjeshmërisë dhe
bëhet letërsi, lëndësi e prekshme dhe depërtuese, një përpjekje për ta
përkthyer universin në gjuhën e shpirtit.
“Drita”
nuk është thjesht një roman, por një ndërthurje e guximshme midis fizikes
kuantike dhe përjetimit njerëzor. Dy skajet që as imagjinata nuk ka mundur t’i
bashkojë, siç guxon astrofizikania Mimoza Hafizi ta bëjë, për të kurorëzuar në
këtë kulmim të përvojës romaneske, të mundshmen e mëndjes dhe përshkueshmërinë
e shndërrimit të jetësoreve në përjetime, ku qenia gjithnjë është më shumë se
si e tillë, si grimca drite, si një spektakël fotonesh që na shpei te
përceptimi kuantik.
Ajo
nis si një reflektim mbi dritën, këtë “dhuratë bujare të natyrës” dhe vetë
misterin e krijuesit, që ka zbritur nga katet e pafundësisë shkallareve të
përfytyrimit, për të marrë trajtë, të shndërrohet në një rrëfim ku enigmat
shkencore bëhen ura për të kuptuar dhe kumtuar marrëdhëniet njerëzore. Po, për
t’i kremtuar atij fjalën si fijëza që na ndërlidhin me grimcat e dritës, për të
ngjizur magjepsjen, atë që zgjon dritën brenda nesh, për ta bërë edhe atë si
lëndë kuantike, me të cilën nuk merret vetëm fizika por edhe forma që ne i
japim momenteve që na bashkojnë me dritën në dritshmërinë që përpjekjet
njerëzore udhëtuan drejt saj, prejkur ajo u shpërbë në ngjyra përmes prizmit,
derimtash që ligjësia kuantike, e shtyt tej skajin e kuptimsisë.
Në
thelb, libri ndërton një paralelizëm të thellë, ashtu si fotonet, që në botën
kuantike mund të qëndrojnë të lidhura përtej distancave, edhe njerëzit mbeten
të lidhur në mënyra të padukshme, përtej hapësirës dhe kohës, përtej gjëndjeve
dhe përjetimit. Një satelit, një kërkim shkencor, një enigmë fizike, të gjitha
këto bëhen pjesë e një narrative ku historia e universit ndërthuret me historitë
intime të njerëzve.
Kështu,
drita nuk është vetëm objekt studimi, por metaforë, e njohjes, e dashurisë, e
misterit, e forcës së fjalës dhe mrekullisë së krijimit, që lëndëzuar në shpirt
rrëmben trajnë e formshme që na orvatet ta rrokim me kuptim.
“Drita”
është një befasi në letërsinë shqipe, por nuk është një habi në ndërtimin e
njohjes që vjen. Autorja, Mimoza Hafizi është një figurë që e përfaqëson rrallë
këtë dyzim krijues, një mendje e formuar në disiplinën rigoroze të fizikës
teorike dhe një shpirt që kërkon të shprehet përmes artit, të deshifrojë përmes
fijëzave të holla të ndijimit, grimcat përbërëse të dritimit. E formuar në
Universitetin e Tiranës dhe në institucione prestigjioze në Francë, ajo është
një nga zërat më të rëndësishëm të astrofizikës shqiptare, me një karrierë të
gjatë akademike dhe kërkimore. Nuk është rastësi, por vijimsi, me të cilën ajo
ka kërkuar të vijë përmes komunikimit liximtar. Është përvojë dhe sprovë që ajo
ballafaqon në këtë realitet gjëmimtar të sfidave të fjalës dhe komunikimit,
tashmëri e librit që paradoksalisht e gjen veten në një betejë të
ngadhënjimshme.
Mimoza
Hafizi nuk mbetet vetëm në orbitën e shkencës, duke u vërtitur në formalizimin
e kuptimsisë së rregullit në kaosin kozmik. Del vullnetlirë për të prishur rregullin
e katedrës. Kërkon liri shpirti përmes fjalës dhe krijimit, jo dhe aq për t’i
ikur hijes së rëndë të akademizmit, se sa për t’i kumtuar misionit të saj
qëllimin.
Në
veprat e saj letrare, si edhe më herët te romanet “Infiniti blu” apo “Duke
pritur supernovën”, ajo dëshmon se universi nuk është vetëm objekt matjeje, por
edhe përjetim estetik dhe filozofik.
Në
“Drita”, kjo dyfishësi arrin një pjekuri të veçantë, unike dhe të pagjasë në
letërsinë shqipe. Mimoza Hafizi, një shkodrane që vjen të dëshmojë vazhdimsinë
e një tradite dhe shkëlqimsinë e yjësisë që lartësuan shpirtin dhe hyjnizuan
fjalën. Ajo hyn në një hapësirë ku fjala bëhet instrument ndriçimi, dhe drita
është Dritë e njerëzishme, e bardhë, përjetim, emocion, dashuri, gjithçka
tokësore nën peshën e përshkueshmërisë së dritës. Ajo nuk shpjegon vetëm
fenomenet, ajo i përjetëson ato në ndjesi. Ajo nuk na tregon thjeshtë se si
zbërthehet drita, por ka privilegjin të na dëshmojë, se përmes së njerëzishmes
të depërtojmë thellë brenda kësaj grimce, me të cilën ne jemi të përbërë dhe
gjithçka e jona ka atë përmasë dhe rrokshmëri të kuptimsisë dhe pranisë së
jetës.
Në
planin shkencor dhe në atë që ne duam të gjithëpranojmë, drita është paradoks,
njëkohësisht grimcë dhe valë, një entitet që sfidon intuitën dhe na befason.
Dhe ajo, po, ajo, në planin letrar të Hafizit, ajo merr një dimension tjetër,
bëhet përvojë njerëzore, një prani që depërton në vetëdije dhe në marrëdhënie.
Kjo
është forca e librit, e fjalës dhe ligjërimit. E bën të prekshme atë që zakonisht
është abstrakte. Fotonet nuk mbeten më ekuacione, ato bëhen impulse ndjenjash,
gjëndje që ne i shohim, por nuk i perceptojmë. Ngatërrimi kuantik nuk është më
vetëm teori, bëhet metaforë e lidhjeve që nuk shpjegohen, por ndihen, duke
ardhur përmes rrëfimit të andshëm tekstshkrues të Hafizit, trajtë e befasishme
e zakonshmërisë, që gjen te puna dhe përpjekja, te dëshirimi dhe ëndrra, te
atyshmëria e paformë, trajtën e mbushur me dritë dhe kuptim.
“Drita”
është gjithëpoaq një ftesë për të parë përtej sipërfaqes së realitetit, për të
hyrë shpirtërisht siç shkenca kuantike hyn në deshifrimin e rebusit të dritës
dhe nënshtrimin e krenarisë sonë të rreme. Ajo nuk synon vetëm të informojë,
por të zgjojë një mënyrë tjetër të të menduarit, një mënyrë ku shkenca dhe
arti, fjala dhe përjetimi, gjëndja dhe zakonshmëria, nuk përjashtojnë
njëra-tjetrën, por e plotësojnë, duke na thënë përmes një zëri etern, po, kjo
është jeta, prej drite, grimcash dhe çfarëtjetër na përshkon.
Në
këtë kuptim, libri është një akt ndërmjetësimi, midis dijes dhe ndjesisë, midis
universit dhe njeriut, të matshmes dhe pakufishmërisë. Dhe ndoshta kjo është
arritja më e madhe e Mimoza Hafizi. Ajo nuk na mëson vetëm çfarë është drita,
por na bën ta ndiejmë atë, ta vështrojmë të vërshimshmen e jetës prej drite
brenda dhe përreth nesh.
Hafizi
i trajton fotonet jo thjesht si mbartës të ndërveprimit elektromagnetik apo si
grimca pa masë që udhëtojnë me shpejtësi limit, por si lajmëtarë të kuptimit,
si zbritja vullnetmirë e duarve të qiellit që zbrazen në prehrin e lutjeve tona
për nënshtrim dhe kopulim.
Nëpërmjet
stilit të saj, fotoni pushon së qeni vetëm një material kuantik, por
shndërrohet në një mjet që ndriçon ligjësitë e ndijimeve. Ajo na tregon se
drita që vjen nga yjet e largët nuk mbart vetëm informacion mbi temperaturën
apo përbërjen kimike, por mbart kohën, kujtesën dhe lidhjen tonë organike me
universin.
Mimoza
Hafizi në këtë libër shfaqet si një alkimiste e fjalës. Ajo përdor autoritetin
e saj akademik për të na bindur se shkenca nuk është armike e shpirtërores, por
një formë tjetër adhurimi për bukurinë e rregullit universal, i cili është i
tillë përmes nesh. Kalimi nga formula te proza poetike bëhet aq rrjedhshëm, sa
lexuesi harron që po mëson për procese komplekse astrofizike dhe ndjen sikur po
shikon një pikturë të gjallë të realitetit.
Libri
është njëherash një ftesë për ta parë botën me një sy të dyfishtë, me mendjen e
mprehtë të kërkuesit dhe me zemrën e hapur të artistit. Hafizi dëshmon se kur
drita kalon përmes thjerres së shpirtit të saj, ajo nuk zbërthehet thjesht në
ngjyra, por në emocione që e bëjnë shkencën të perceptueshme edhe për ata që
nuk njohin gjuhën e matematikës.
"Drita"
i Mimoza Hafizit nuk është një tekst mbi optikën apo fizikën kuantike, ai është
një urë e ndërtuar me saktësi shkencore dhe ndjeshmëri poeti, midis të
prekshmes dhe të pashpjegueshmes, të papërmasshmes dhe thelbësores, të
mistershmes dhe magjikes. Kur një astrofizikane e përmasave të saj zbret nga
katedra e mistereve të kozmosit për t'u marrë me artin e fjalës, ndodh një
fenomen i rrallë, jemi sakaq dëshmitar të një ngjarjeje, drita zhvishet nga
ekuacionet e ftohta dhe vesh petkun e një përjetimi shpirtëror.
Ndjeje
dhe përjetoje çdo grimcë drite në fjalët e "Drita"!