| E marte, 31.03.2026, 06:55 PM |
Portret letrar
Zaim
Haliti - Një jetë në shërbim të fjalës së shkruar dhe kulturës shqiptare
Nga
Sevdail Hyseni
Në
letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë,
emri i Zaim Halitit zë një vend të veçantë si krijues i fjalës së mprehtë, i
mendimit të përqendruar dhe i humorit të hollë që shpesh shndërrohet në reflektim
shoqëror. Ai është një nga ata autorë që kanë ditur ta përdorin fjalën e
shkurtër për të thënë shumë, duke e shndërruar aforizmin në një formë të
veçantë komunikimi me lexuesin.
I
lindur më 7 nëntor 1960 në Tërrnofc të Bujanocit, në zemër të Luginës së
Preshevës, Zaim Haliti u rrit në një mjedis ku tradita, fjala dhe rrëfimi
popullor kishin peshë të veçantë. Kjo atmosferë kulturore e hershme ndikoi në
formimin e tij shpirtëror dhe intelektual, duke i ushqyer dashurinë për gjuhën
shqipe dhe për letërsinë.
Rrënjët arsimore
Studimet
universitare i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në
Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, një shkollë e rëndësishme për formimin e
shumë intelektualëve shqiptarë. Këtu ai thelloi njohuritë mbi letërsinë,
kulturën dhe gjuhën, duke e forcuar më tej lidhjen e tij me botën e shkrimit.
Pas
përfundimit të studimeve, Zaim Haliti iu përkushtua profesionit të mësuesit dhe
profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke punuar në disa shkolla në
vendlindje. Përmes këtij misioni ai kontribuoi në edukimin e brezave të rinj,
duke ua përcjellë dashurinë për librin, për gjuhën dhe për kulturën kombëtare.
Përveç
veprimtarisë arsimore, Haliti ka qenë aktiv edhe në jetën kulturore dhe
mediatike të Luginës së Preshevës. Për disa vite me radhë ai drejtoi revistën
për kulturë dhe informim “Jehona”, një ndër botimet më të njohura të gazetarisë
së shkruar në këtë rajon. Nën drejtimin e tij, revista u shndërrua në një
hapësirë të rëndësishme për botimin e krijimeve letrare, mendimeve kritike dhe
debatit kulturor.
Botimet letrare dhe
mediatike
Krijimtaria
letrare e Zaim Halitit është e gjerë dhe e larmishme. Përmes krijimeve të tija
artistike, sidomos skicave humoristiko-satirike dhe aforizmave, ai shpesh arrin
të zbulojë paradokset e jetës, dobësitë njerëzore dhe kontradiktat e kohës.
Shumë
nga shkrimet e tij janë botuar ndër vite në gazeta dhe revista në Kosovë dhe në
hapësirën shqiptare, shpesh të nënshkruara me inicialet ZAHA, një pseudonim që
për shumë lexues është bërë sinonim i humorit të mençur dhe i satirës së
përmbajtur.
Ndër
veprat më të njohura janë libri me aforizma “Kur të qeshë fati” (1994), i
botuar si bashkautor në kuadër të revistës letrare Fjala në Prishtinë, si dhe
“Aforizma me shigjeta” (2015), një përmbledhje që dëshmon mjeshtërinë e tij në
këtë zhanër. Në të njëjtin vit ai botoi edhe monografinë “Flatrim i fjalës”,
kushtuar krijuesit Skënder Gashi, si dhe librin satirik “Rrahagjoksët”, ku
përmes skicave humoristike pasqyrohen dukuri të ndryshme të jetës shoqërore.
Këto ditë kanë dalë nga shtypi edhe dy vepra të reja të autorit: “Monografia e
Jehonës” dhe “Toponomia e Tërrnofcit”, si dhe po ashtu, ka në dorëshkrim edhe
libra të tjerë me tregime humoristike dhe aforizma.
Angazhimi
i tij në jetën kulturore dëshmohet edhe nga fakti se është anëtar i Shoqatës së
Krijuesve, Artistëve dhe Shkrimtarëve “Naim Frashëri” në Fushë Kosovë, një
organizatë që bashkon shumë autorë dhe krijues shqiptarë.Krijimtaria e Zaim
Halitit është pritur mirë si nga kritika letrare ashtu edhe nga lexuesit,
ndërsa ai vazhdon të mbetet aktiv në botën e shkrimit.
Lidhja me vendlindjen
Sot,
Zaim Haliti jeton në Fushë Kosovë me familjen e tij, bashkëshorten dhe tre
fëmijët. Megjithatë, lidhja e tij shpirtërore me vendlindjen - Tërrnofcin e Bujanocit
- mbetet e fortë dhe e pashkëputur. Në shkrimet e tij shpesh ndjehet një mall i
thellë për vendin e lindjes, për njerëzit dhe për kujtimet që e kanë formuar si
njeri dhe si krijues.
Në
fund, mund të thuhet se Zaim Haliti është një nga ata autorë që e kanë ruajtur
besnikërisht dinjitetin e fjalës së shkruar, duke e përdorur humorin, satirën
dhe mendimin e përmbledhur për të reflektuar mbi jetën dhe shoqërinë. Ai mbetet
një zë i veçantë në kulturën shqiptare të Luginës së Preshevës – një krijues
që, edhe me pak fjalë, di të thotë shumë.
