Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Një shembull i heshtur i fisnikërisë shqiptare në rrethin e Ulqinit

| E hene, 30.03.2026, 06:55 PM |


NJË SHEMBULL I HESHTUR I FISNIKËRISË SHQIPTARE NË RRETHIN E ULQINIT

Nga Frank Shkreli

Në kohë kur shpesh dëgjojmë më shumë për ndarje sesa për bashkim, mbeten ende njerëz që, pa zhurmë, mbajnë gjallë vlerat më të mira të traditës sonë. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për komshiun tonë, Profesor Dul Asllani, besimtar mysliman nga Amulli i Poshtëm/Fraskanjel, afër Ulqinit, i cili me përkushtim dhe respekt kujdeset për varrezat e të parëve të tanë në vendlindje. Promul UlqiniOnline | Facebook 

Ky akt i Profesor Asllanit -- Dul Asllani, profesor i kimisë dhe drejtor i shkollës 9-vjeçare “Mark Nucullaj” në Shtoj të Ulqinit -- nuk është, thjesht, një gjest mirësjelljeje. Është një akt i pastër njerëzie dhe një dëshmi e rrallë e kulturës sonë të bashkëjetesës. Në këtë kujdes të përditshëm për kujtesën e familjes tonë, pa kërkuar asgjë në këmbim, pasqyrohet një virtyt i thellë shqiptar: respekti për tjetrin dhe për të shenjtën e tij.

Në një shoqëri ku shpesh mbizotëron zhurma e përçarjes, shembuj të tillë flasin më fort se çdo fjalim. Ata na kujtojnë se harmonia ndërfetare nuk është vetëm pjesë e historisë sonë kombëtare, por një realitet që vazhdon të jetojë përmes njerëzve të thjeshtë dhe fisnikë.

Le të jetë ky një falënderim publik nga ana e jonë -- e familjes së gjyshit tonë dhe burrit të urtë të fisit Lukë Tomë Mirukës Shkrelit-- për Profesor Dul Asllanin. Por edhe një vlerësim për të gjithë ata që, si ai, ruajnë me dinjitet dhe përulësi vlerat që na bashkojnë e që na bëjnë krenarë si komb, kudo qofshin të përhapur nepër botë. Një akt fisnik e humanitar si ky i Profesor Asllanit duhet të promovohet, të inkurajohet dhe të lëvdohet si shembëll i gjallë sot i bashkjetesës fetare ndër shqiptarët.

Mirënjohjen tonë të sinqert, Profesor Dul Asllani. Në emër të familjes së madhe të Lukë Tomë Shkrelit dhe të kushërinjve tanë, varret e të cilëve gjëndën gjithashhtu në ato varreza, falënderimet tona më të sinqerta për këtë gjest fisnik tuajin.

Fran (Gjeto Luka) Shkreli

Postimi i plotë i lajmit në Promul UlqiniOnline Promul UlqiniOnline | Facebook –"Sa bukur! Të lumtë profesor!

FRASKANJEL: Dega e dafinës në varrezat e fqinjëve të tij te besimit katolik nga prof. Dul Asllani është më shumë se vlerë

Nga fshati Fraskanjel në Ulqin vjen një veprim që dëshmon se bashkëjetesa fetare e shqiptareve nuk është thjesht një koncept, por një vlerë e jashtezakonshme e jona.

Prof. Dul Asllani, dje, që ishte “E diela e Larit”, një javë përpara Pashkëve katolike, ka kryer një gjest respekti. Ai ka vendosur degë dafine mbi varret e fqinjëve të tij të besimit katolikë nga fshati Amull i Poshtëm. Pothuajse pjesa më e madhe e banorëve të shumtë që dikur kishte ky fshat jetojnë prej dekadash në mërgim.

Me këtë veprim, Duli jo vetëm që nderoi kujtimin e tyre, por edhe plotësoi simbolikisht ritin katolik të kësaj dite të shenjtë, duke u bërë zëri dhe dora e munguar e familjarëve të tyre.

Në një status të publikuar ai shkruan: “Për të gjithë kojshit e mij nga Amulli. I ndimoftë e Dijela e Larit. Respekte për juve.”  Pjesa më e madhe e banorëve të Amullit të Poshtëm, njëjtë edhe si të fshatrave tjera nga Ana e Malit, kanë emigruar që në vitet ’70 drejt Shteteve të Bashkuara.

Dul Asllani, profesor i kimisë dhe drejtor i shkollës 9-vjeçare “Mark Nucullaj” në Shtoj, përmes këtij gjesti të thjeshtë, por të mbushur me kuptim, dha një mesazh të fuqishëm: kur njerëzimi dhe respekti mbizotërojnë, feja nuk ndan, përkundrazi, bashkon.

Një degë dafine mbi një varr nuk është verpim i thjeshtë, por një kujtesë se vlerat më të bukura shqiptare jetojnë ende.

Varri i Gjyshit tonë Lukë Tom Mirukës Shkreli në varrezat familjare midis fshatit Amulli i poshtëm dhe fshatit Fraskanjel