| E diele, 29.03.2026, 06:58 PM |

Ekspozita skandaloze dhe rimohuesit e zellshëm
Nga
Ndue Ukaj
Ekspozita
skandaloze në të vërtetë është ekspozita reale e çmendurisë, në vorbullën e të
cilës është futë vendi ynë tash e sa kohë.
“Ne Shen'Gjin kanë ardh
d'y varka ,
n'i me mend , e n'i me
shkarpa
t'an shqiptart janë
mbledh n'kuvend ,
dona shkarpa e s'dona
mend!”
Më
duket se këto vargje satirike të Fishtës e pasqyrojnë ma së miri gjendjen tonë
të mjerë, ose më saktë, një sëmundje që po e gërryen përditë shoqërinë tonë:
një raport negativ me shtetin, historinë e me njëlloj aksiologjie elementare
vlerash, për të cilat shoqëritë normale nuk bëjnë debate përditë.
Se
ka një kanon identitar e kulturor.
Por,
mohuesit duan ta dëbojnë të vërtetën prej jetës njerëzore, pra duan përmbysje.
Dhe
e keqja e kësaj sëmundje, që e përmenda, nuk është sëmundja në vetvete, por mos
dëshira për ta diagnostikuar dhe kuruar atë. Ose më saktë, dëshira për të
jetuar tinëz me të, që i bie, me fjalët e Fishtës, dëshira për të mos marrë
mend, por shkarpa.
Ka
plot njerëz në sferën publike, që me afsh zemre bëjnë atë që nuk dinë dhe nuk
bëjnë atë që dinë.
Janë
kokëkrisur dhe mendojnë se e lëvizin rrotën e historisë.
E
kjo shihet edhe te puna e ekspozitës, skandali i së cilës është një britmë e
madhe që ka shpërthyer, por që ka jetuar tash e sa kohë në vendin tonë, ku
padija e keqdashja, e mbajnë përkrahu njëra-tjetrën.
Ndërkaq,
në një rrafsh tjetër, këtë skandal mund ta kuptojmë më mirë nëse e aktualizojmë
veprën e Ismail Kadaresë, sidomos “Mosmarrëveshjen”, ku ai flet për mohuesit
ose rimohesit kombëtar. Flet për sojin e këtyre që prodhojnë këso skandale.
Dihet,
secili komb i ka misionarët e mirësisë dhe keqdashësit.
E
këta të fundit punojnë me zell. Për ide proletare.
Çështja
është se këta që marrin shkarpa e jo mend, tash janë një me pushtetin, pra janë
sistem i konsoliduar mirë, dhe ata përqurren sa herë gjejnë një copë letre, si
dikur që bënin kur me afsh zemre donin ta çmitizonin figurën e Gjergj
Kastriotit, duke u shtirë se gjakonin të vërteta historike, a në fakt, bëhej
inxhiniering i mirëmenduar ideologjik, me qëllimin e qartë: të shkëputen
shqitparët nga perëndimi.
Kadare
thoshte se çdo popull ka në gjirin e vet një energji të kundër dhe se
rimohuesit janë të vjetër sa bota. Por, shtonte ai “e keqja e Shqipërisë ishte
se sasinë e rimohuesve e kishte tepër të lartë. Më të lartë se caku i
lejueshëm, pas të cilit kombi përmbysej”.
Pra,
e keqja, këtu, te ne është se ne jemi në prag të përmbysjes, edhe për faktin se
pushteti e mirëmban padijen, se e di mirë, duke bymyer atë, e bymen
ekzistencën e vet.
