Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Letra e fundit si akt i dashurisë dhe dorëzimit të Virginia Woolf për Leonard Woolf

| E shtune, 28.03.2026, 06:53 PM |


Letra e fundit si akt i dashurisë dhe dorëzimit të Virginia Woolf për Leonard Woolf

Nga Albert Vataj

Ka ikje që nuk janë thjesht largime, por një formë e fundit e të qëndruarit, në kujtesë, në dhimbje, në dashuri. Letra e lamtumirës së Virginia Woolf nuk është vetëm një testament i një shpirti të lodhur, por një dokument i rrallë i intimitetit njerëzor, ku fjala bëhet njëkohësisht strehë dhe rrëfim i kapitullimit.

Më 28 mars 1941, në Rodmell, pranë brigjeve të qeta të River Ouse, ajo vendosi t’i japë fund një beteje që kishte kohë që zhvillohej në brendinë e saj. Nuk ishte një impuls i çastit, por një vetëdije tragjike, e përpunuar në heshtje dhe në vetmi. Ajo kishte njohur më parë errësirën e mendjes, por këtë herë, siç shkruan vetë, nuk shihte më kthim.

Letra që i lë Leonard Woolf është një ndër më të dhimbshmet në historinë e letërsisë, jo për patosin e saj, por për kthjelltësinë e saj therëse. Ajo nuk kërkon falje në kuptimin moral, por përpiqet të shpëtojë tjetrin nga rrënimi që ndjen se po i shkakton. Kjo e bën letrën një akt paradoksal, një vetëflijim i përzier me një përkujdesje të fundit.

Në këtë tekst të shkurtër, Woolf arrin të përmbledhë gjithë dramën e ndërgjegjes së saj: ndjesinë e shpërbërjes mendore, pamundësinë për të përballuar një tjetër rikthim të çmendurisë, dhe mbi të gjitha, një mirënjohje të pakushtëzuar për dashurinë që kishte marrë. Ajo e njeh Leonardin si shpëtimtarin e vetëm të mundshëm, dhe pikërisht për këtë arsye vendos të largohet, për të mos e tërhequr atë në humnerën e saj.

Letra nuk është një përfundim, por një reflektim i fundit mbi një jetë që, pavarësisht errësirës, njohu dritën e dashurisë. “Nuk mendoj se dy njerëz mund të ishin më të lumtur se ne”, kjo fjali mbetet si një gur themeli në rrënojat e një fundi tragjik. Ajo nuk e mohon jetën; përkundrazi, e pohon atë në kulmin e saj më të ndritshëm, përpara se të dorëzohet përballë errësirës.

Në këtë mënyrë, letra e Virginia Woolf nuk është vetëm një lamtumirë, por një formë e fundit e shkrimit si shpëtim, një përpjekje për të rregulluar botën, përpara se të largohet prej saj. Ajo mbetet një dëshmi se edhe në skajet më të errëta të ekzistencës, njeriu kërkon të ruajë një rend: rendin e dashurisë, të mirënjohjes dhe të së vërtetës së tij më intime.