Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Në Pazar të Milotit tash shiten edhe libra!

| E diele, 29.03.2026, 06:05 PM |


NË PAZAR TË MILOTIT TASH SHITËN EDHE LIBRA!...

Nga Ndue Dedaj

Altini, një miku im biznesmen nga Rrësheni, më shkruante dje: “Profesor, si je? U nisa për në pazar të Milotit për të blerë një pajisje për Bar-in, por teksa po kontrolloja tregun, u habita kur në mes të rrugës gjeta disa libra që po i shiste një person me ngjyrë. Librat ishin rifuxho në kuti kartoni, dhe mes tyre më zuri syri edhe një libër tëndin me poezi. I “zoti” po i shiste me një çmim simbolik: për mos t’i parë në mes të rrugës, i thashë sa bëjnë të gjitha që ti marr unë? Ai u gëzua që doli dikush që po ia merrte të gjitha librat dhe pa i kërkue çmim më bëri përsëri ulje. Po ti nis me foto se ku ndodheshin librat - me këtë po të jap një shkas që ti të shkruash diçka, se ku ka mbërritë shoqëria e sotme!?...”

Faleminderit Altinit. Nuk mund të ndodhte ndryshe në rastin e tij, ai është rritur në një kullë Kodër-Rrësheni me qoshe të gdhendura dhe portë të skalitur me mbishkrime, ku falë paraardhësve të tij, libri ka qenë gjithnjë në “shtëpinë” e vet, që në vitet e para të shekullit të kaluar, pasi stërgjyshi i tij ishte ndër mësuesit e parë të Mirditës së asaj kohe.

Mjerisht në “pazar” tash ka dalë dhe libri. Nuk ka më vend në shtëpitë moderne “qytetare” për të! Sa biblioteka të pasura dijetarësh kanë dalë në “ankand”. Më tregonin se diku në Tiranë shihet një ballkon i mbushur plot me libra, çka ka ndodhur mbasi i zoti apo e zonja e tyre ka ndërruar jetë. Mund të ketë qenë shkrimtar, shkencëtar, përkthyes, mjek a kushedi se çfarë profesioni zotëria apo zonja dhe bashkë me të është shuar dhe biblioteka e tij/saj!...

Mund të zgjatemi sa të duam me komentin tonë, por a ka zgjidhje? Nëse ekziston vullneti i mirë, po! Kemi lagje të tëra qytetesh të mëdha pa librari dhe biblioteka. Shteti, biznesi, shoqatat kulturore, shkollat etj. mund ta ndryshonin këtë realitet të trishtë, që libri mos të marrë udhën e pazarit, por të shkojë lehtësisht te lexuesit.