Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lulëzime Çelami: Mozaik i veçantë nëpërmjet tregimeve jetësore

| E shtune, 28.03.2026, 06:49 PM |


Mozaik i veçantë nëpërmjet tregimeve jetësore

Libër me tregime "Mëkati përtej detit" i autorit Gjon Marku

Nga Lulëzime Çelami

Libri sjell para lexuesit copëza jete të shtrira në kohë dhe vende të ndryshme, të sinkronizuara bukur mes tyre. Të gjitha këto vijnë si një mozaik i jetës shqiptare, mozaik që përcjell ndjenja dhe emocione te lexuesi.

Autori shtrihet në kohë dhe përcjell traditën e popullit tonë, dashurinë dhe pathyeshmërinë e tij, të simbolizuar në shqiponjën dykrenare dhe krenarinë e këtij populli, ku "Mbi kryet e tyre janë thyer mijëra rrufe dhe njerëzit e atyre anëve e kanë shpirtin në palcën e gurit".

Janë më se të mjaftueshme porositë e nënës së Xhukanoviçit për të përcjellë shpirtin e një kombi që mbi gjithçka ka dashur lirinë. Janë pikërisht: "Kangët e djepit, këngët e vajit, vaji i këngës, kënga e qyqes, vaji i qyqes, këngëvaji i qokut" dhe klithma e një shqiponje që nuk mund të falë atë që e cënon në vendin e tij. Tmerri dhe frika nga trimëritë e një kombi, pa shumë stisje, i tregojnë udhën Xhukanoviçit.

Autori ecën në kohë dhe përsëri e sjell këtë temë tek tregimi "Nuse në kohë të luftës". Dashuria për vendin dhe urtia e malësorëve vijnë krejt natyrshëm në këtë tregim, pa shumë dramatizim dhe duke gërshetuar më së miri ankthin dhe gëzimin, që përcillen nga lotët binjakë të dalë nga i njëjti burim.

Koha të afron vështirësi të shumta, të paparashikueshme, por nëpërmjet episodeve të sjella, tipeve të personazheve dhe periudhave të ndryshme kohore, të gërshetuara mjaft mirë nga autori, lexuesi njihen me to. Kështu, "Arra në mes të arës", "Babai i Ildës", "Nuse në kohë të luftës" përcjellin sakrificën dhe zgjuarsinë e malësorëve për të bërë më të mirën e mundshme për familjen.

Problemet e shoqërisë sonë shtrihen natyrshëm në tregimet e autorit, ku ai nuk gjykon askënd, por rrëfen situata dhe përshkruan personazhe, duke i drejtuar në rrugë të destinuara për ta. E dhimbshme përcillet fati i nënë Sanijes, e cila nga vorbulla e thashethemeve etiketohet si shtrigë.

"Në udhën me muzg", ku Mikeli diplomohet në Padova e rikthehet në vendin e tij me dëshirën për t'i shërbyer, gjendet përballë një realiteti të dhimbshëm. Ai përballet me një sistem të tillë detyrues, për t'u veshur brenda dhe jashtë me errësirë, por pranon: "Më mirë mësues mes malesh sesa një jetë me ofiqe dhe të errët si nata", dhe në këtë bardhësi malesh ndeshet me gjurmët e errësirës, ndaj kundër parimeve të tij i duhet të pranojë: "Shqipet e maleve jetojnë mbi 100 vjet, megjithëse vdekja u vjen prej rritjes së sqepit të tyre".

Gjuha e zhdërvjellët dhe shprehjet e bukura popullore plotësojnë më së miri mozaikun e sjellë nëpërmjet këtyre tregimeve. Janë pikërisht këto thënie të urta e të veçanta që sjellin atë thesar të çmuar popullor dhe, njëkohësisht, përcjellin mesazhe të fuqishme.

"Mulliri dhe qoftëlargu i kanë vendin në përrua" vjen si porosi e nënës malësore për të birin, porosi që vjen nga një periudhë e largët.

Mentaliteti paragjykues vijon gjithnjë dhe pamjet e sjella tek babai i Ildës, ku dhimbja dhe burrëria, karakteristika të malësorëve tanë, kapen për dore për të kapërcyer këtë mentalitet, dhe sarkazma e përdorur tek tregimi "Është koha e tyre" tregon me forcë se dashuria triumfon mbi çdo vështirësi. Dy pamje të dhëna në mënyra krejt të ndryshme dhe për një qëllim.

Tema e migrimit, kjo plagë e shoqërisë sonë ende e hapur, sjell dy pamje: dhimbjen, vuajtjen dhe sakrificën për një jetë më të mirë dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të veçantë, rrugën e gabuar që kanë zgjedhur disa për të siguruar të ardhura, rrugë që i çon në një brerje ndërgjegjeje të tillë që nuk do të gjejnë qetësi në asnjë çast. Një gjetje e bukur është marrja e kutisë së fildishtë, e cila do të bëhej shkaku i vuajtjes shpirtërore të tyre.

Tregimi "Pijanecët e qytetit" mbetet sa real, aq dhe i veçantë, pasi solidariteti që gjejnë këta njerëz me këtë ves është vërtet domethënës. A nuk do të ishte mirë që një solidaritet të tillë ta gjenin njerëzit çdo ditë te njëri-tjetri?!

Figurat dhe shprehjet e shumta letrare, si: "lëndina thinjet, qielli arnohet, retë notojnë, mjegulla të hollet, errësira shkopsit kopsat, ..." dhe fjalë të rralla si latushkë, rrunaz, zateti etj., përcjellin te lexuesi një imazh të veçantë të botës reale.

Duke lexuar librin nga tregimi në tregim, jo vetëm që përfshihesh në botën e personazheve, por të duket sikur autori rrëfen ndijime të jetuara vetë, pasi përshkrimet janë mjaft të gjalla.

Urime!