Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Trishtohen lulet nga marsi i hidhur

| E shtune, 28.03.2026, 06:50 PM |


TRISHTOHEN LULET NGA MARSI I HIDHUR

Në kujtim të tragjedisë së 28 Marsit 1997 në kanalin e Otrantos me përmbytjen e Katërit të Radës

Nga Albert HABAZAJ

Trishtohen lulet nga marsi i hidhur

Dhe bregu bregut i mban mëri,

Për jetët pa faj që thellë kanë ikur

Vyshken lulet nga ai mars i zi.

Përvitshëm, kur vjen njëzet e tetë marsi

Rituali i pikëllimit nxin nga ritet mortore,

Sa thonë që Otrantos buza e shpirti i plasi

Sa thonë që dhe dallgët ndihen fajtore.

Të pafajshmit ata që i hipën ëndrrës

Dhe u bënë qivure në fund të detit,

Nga drithërima ime dhemb refren i këngës

Nga harrimi, nga heshtja rrëqethëse e shtetit.

Përditë në monument të memories ata

I kemi me frymën tonë fatkeqët në gjëmë,

As nënat shamizeza, as Shqipëria s’u dha

Nuk thahen lulet, se në kopsht kanë rrënjë.

Vlorë, 28 Mars 2026