| E premte, 27.03.2026, 06:56 PM |
Kadri
Tarelli, shkruan:
Ka beteja
që duken të përjetshme, por nëse vazhdon të besosh në veten tënde, bota nuk do
të ketë zgjidhje tjetër, veçse të të dëgjojë.
Al Paçino
GJENERAL RAHMAN PARLLAKU
Një shekull jetë, shtrydhur në një libër
17 prill, 1919 – 15 shtator, 2019
Pse
nuk u dëgjua zëri tij? - Shqipëria do të ishte ndryshe...!
Mbase
jam vonë në kohë, po lexoj librin “Rrahman Parllaku, Gjenerali që sfidoi
kohërat”, libër i botuar kohë më parë, që unë e quaj më shumë, një “Monografi
politike”, të autorëve Halil Rama dhe Sakip Cami.
Mendoj
se kam të drejtë ta quaj kështu, pasi e gjithë jeta dhe veprimtaria e
Gjeneralit, pas moshës 20-vjeçare, është përfshirë në politikë. Si fillim me
njësitet guerile në qytetin e Vlorës, në Luftën antifashiste gjatë Luftës së
II-të Botërore. Më pas rreshtuar në formacionet ushtarake partizane, me detyra
të ndryshme, komandant e komisar të njësive ushtarake, që luftuan edhe jashtë
kufijve tanë, deri në Sanxhak të Bosnjës, përfshi edhe në Dardani.
Për
merita të veçanta i është dhënë titulli ”Hero i popullit” dhe “Nderi i kombit”.
Është dekoruar me 9 urdhra e tre medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit
ushtarak.
Më
duhet të them që në fillim, se ky libër “Monografi”, ka një qasje të veçantë,
pasi bën fjalë për një ushtarak, i cili qëndroi dhe arriti detyra të larta
shtetërore, gjithmonë në fushën ushtarake. Kështu shumë hollësi nuk mund të
bëheshin pjesë e njohjes nga lexuesit e shumtë. Ushtria ka në themel të saj “urdhrin”
dhe “Sekretin”, jo vetëm të forcave, kuadrit drejtues, armatimit, stërvitjen, etj,
etj, por edhe problemet që hasen gjatë kohës së shërbimit. Të gjitha mbeten të
heshtura, të mbyllura. Kështu që libri paraqet interes të veçantë, për t’u
lexuar me nge dhe pa u ngutur.
Nuk
jam i vetmi që e them, se libra të tillë janë një “Muze” i ndërtuar në letra,
që përfshijnë histori dhe i shërbejnë historisë. Studiuesit me të drejtë,
historinë e quajnë të ftohtë për personazhet dhe ca më shumë për lexuesin. Ndaj
po shtyhem të pyes: - “Po a mund të jetë e ftohtë një vepër ku ka jetë që
gjallon e lëviz në kohën pa kohë, siç ndodhi me Gjeneralin....!?
I
përshëndes autorët, pasi nuk është e lehtë të përmbledhësh rreth 80 vite të
jetës politike të këtij ushtaraku, përfshirë gjerësisht në ngjarje të trazuara
që ndiqnin njëra-tjetrën, si një orë e kurdisur keq. Ishte ndershmëria,
burrëria dhe mençuria e këtij njeriu, që mundi të përballojë situata të
vështira, madje edhe burgosje, për faje që nuk i kishte bërë.
Gjenerali,
duke qenë në rangun e lartë të detyrave në Parti dhe shtet, pati mundësi të
njohë nga afër të gjithë drejtuesit e kohëve, që gjatë luftës e në vazhdim,
pikërisht ata që krijuan histori dhe mbetën në histori, për të cilët jep
vlerësimet e tij, si njerëz, si drejtues dhe si shtetarë. Mund të përmend: Sejfulla
Malëshova, Nako Spiru, Enver Hoxha, i cili në ato vite të para e priste edhe në
shtëpi, Riza Dani, Ramiz Alia, Mehmet Shehu, Koci Xoxe, Beqir Balluku, Petrit
Dume, Hito Çako, Panajot Plaku, Fadil Hoxha në Dardani, etj, etj..... Çuditërisht
shumica të eliminuar nga diktatura, me akuza të sajuara.
Në
këtë udhë mendimi, më ka mbetur e skalitur në mendje një thënie e gjeneralit,
si mësim për të gjithë ata që marrin detyrë, se ngritja e zërit nuk tregon as
forcë as zgjuarsi: - Kur u ngrit në përgjegjësi, Ministri i mbrojtjes i tha:
“Në këtë detyrë të duhet ta ngresh zërin dhe të tregohesh më i rreptë, pasi ke
shumë reparte në varësi”. Gjenerali u përgjigj: - “Nuk mund të ndërroj
karakterin sa here ndërroj detyrën, por kam besim se edhe pa bërtitur do ta
plotësoj detyrën”. Faqe 124
Një
meritë e autorëve vlen t’i thuhet në sy: – Ata mjeshtërisht i janë shmangur
komenteve apo diskutimit të ngjarjeve, duke lënë të flasin vetëm dokumentet dhe
vetë Gjenerali, duke e lenë këndonjësin, (si puna ime), të gjykojë e të
vlerësojë çdo veprim, duke i veshur kostumin secilit, sipas masës, modës dhe ngjyrës.
Në
këtë këndvështrim, libri “Monografi” është i ngushtë për kostumin e Gjeneral
Parllakut, që i përjetoi dhe përcolli të gjitha ngjarjet madhore, duke qenë vetë
aktor dhe spektator, që nga Kongresi i Përmetit, maj 1944, Çlirimi, zgjedhjet
parlamentare 1945 dhe eliminimi i grupit të deputetëve, kërkesat e udhëheqjes
Jugosllave për bashkimin e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, si fillim me
bashkimin ekonomik e më pas, vendosjen e ushtrisë nën një komandë ushtarake,
duke u shndërruar kështu në Republikë të shtatë.
Më
tej, ngjarje e madhe: Kongresi i Parë në vitin 1948, eliminimi i një numri të
madh kuadrosh që kishin bërë luftën N. Çl, me shkakun e sajuar si mbështetës të
Federatës Jugosllave. Shkëputja nga Jugosllavia dhe lidhja me Bashkimin
Sovjetik. Më tej ngjarjet e viteve 1960-1961, shkëputja nga Kampi Socialist,
largimi i flotës luftarake të Traktatit të Varshavës, lidhja me R.P. të Kinës. Etj,
etj.
Ngjarjet
rrjedhin e ndjekin njëra-tjetrën. E papritur “Heqja e gradave në ushtri”, 1967-1968,
vendosja e komisarëve politik. E trishtueshme dhe plot dhimbje, “Fshesa e hekurt”, në ushtri gjatë viteve
1973-1974, dhe eliminimi i një numri kuadrosh drejtues, mes tyre edhe Gjenerali
ynë, që shpëtoi nga pushkatimi, por u dënua me 25 vjet burg.
Unë
e quaj fat për Gjeneralin, që shpëtoi, kur të tjerët u pushkatuan: Beqir
Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako. Jeta nuk ka çmim. E quaj fat edhe për ne, për
të na sjellë të gjallë çastin e arrestimit në mjedis publik, një lloj terrori i
pëlqyer dhe ushqyer nga diktatura dhe diktatori, po ashtu edhe mbajtja për disa
muaj në tortura në hetuesi dhe nëpër burgje.
Nuk
jam cinik që kënaqem me vuajtjet e njeriut, të shkaktuar nga njeriu, kur njihem
me dhunën çnjerëzore që përdorte hetuesia dhe prokuroria mbi të akuzuarit,
përfshi edhe Gjeneral Parllakun, me aq shumë dekorata e vlerësime, të cilin pak
dit më parë, e nderonin duke e vënë në sofrën e parë. Po vaj halli për të
tjerët, që s’ishin si ai.....!? - Ç’ mund të themi për torturat që hoqën ata që
cilësoheshin “Armiq të klasës”, “Armiq të Pushtetit” apo “reaksionarë”, për të
cilët me qesëndisje, sot thuhet e quhet,
“Letërsi burgu”. Po dhimbjet e Gjeneralit si mund t’i quajmë......?
Vallë a ka përkufizim dhimbja e njeriut, veçanërisht kur është i pafajshëm.....!?
Them
përsëri, - “Ishte fat për ne”, sepse kujtesa dhe dëshmia e tij na ndihmon të
kuptojmë, se si vendoste prokuroria dhe gjykata tërësisht politike, në
diktaturë. Besoj mjafton ky shënim, ku prokurori, thotë: - “Akoma beson se
do të mbrohesh, kur akuzën e ka përcaktuar ai lart.......?! Ne po bëjmë
formalitetin këtu”. Faqe 329. - Mos o zot, më keq....! Mjerë ai që
futej në listat dhe ingranazhet e organeve të dhunës.
Libri
na mbush mendjen, se gjithçka qenka plotësisht e vërtetë, ndërkohë duhet
besuar, sepse e pranon dhe na rrëfen edhe Gjenerali. A nuk të dridhet zemra,
kur lexoj rrëfimin që të ngjeth mishin: “Një portokall në qeli, në natën e Vitit
të Ri”. Etj, etj. Faqe 190. Një skicë e thjeshtë, që fare mirë mund të
bëhet novelë, roman apo edhe film, ku ndërthuret dhuna dhe shpirti njerëzor.
Fisnikëria nuk dhurohet, ajo lind në shpirt dhe vdes me shpirtin.
Unë
e vlerësoj librin edhe për disa arsye, në dukje fare të thjeshta:
.
Si fillim:
Gjenerali është ndër të paktë njerëz që kërkon falje publike, duke qenë dikur i
përfshirë në strukturat e larta drejtuese të shtetit. Lexoni këto pak radhë: –“Ndjesë
publike, si bashkëpërgjegjës për krimet e diktaturës komuniste. Jo se kam qenë
i përfshirë drejtpërdrejt apo i implikuar në krime e procese politike, por
sepse më ra për pjesë të shërbeja në atë sistem makabër”. Faqe 314.
.
Në vazhdim,
“Letra nga burgu i Burrelit”, janar 1988. Letër e shkruar me vonesë, në
vitin 1988, që i drejtohet udhëheqjes lart në kupolë, ku në krye bën thirrje
për drejtësi: “Na burgosët padrejtësisht, mos na vdisni para kohe, ndaloni
torturat çnjerëzore! – Ishte një thirrje që kërkonte drejtësi. - Po a e
dëgjoi kush...? – Mund të pyesë çdo
këndonjës.
“Një
letër që akuzon”, po e quaj unë. – “Kur isha në detyra të larta partie dhe
shteti, kurrë nuk më shkonte mendja se bëheshin veprime të tilla antiligjore në
pushtetin tonë”. - Shkruan Gjenerali. Faqe 192.
Besoj
se janë mjaft këto pak fjalë. Por nuk e di sa ka besuar Gjenerali, për t’i
prekur sado pak drejtuesit e shtetit që komandonin strukturat e dhunës, për të
vendosur e prodhuar drejtësi. E vërteta është se edhe pas “letrës”, nuk u bë
asgjë. Vetëm pas tre vitesh, kur diktatura u shemb në 1991, si gjithë të
burgosurit politik, u lirua edhe Gjeneral Parllaku. (Mars 1991)
Në
këtë letër, më bëjnë përshtypje këto pak fjalë, shkruar imët: - “Kjo letër
është shkruar nga Burgu i Burrelit, ku nga 318 të burgosur, 298
prej tyre ishin bashkëluftëtarë të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë”. Faqe 192.
Ç’
koment mund t’i bëhet këtij shënimi, që në heshtje flet shumë!?
.
Më kryesorja:
“Thirrja për Pajtim Kombëtar”, pjesa më e ndritur e librit dhe e jetës
së Gjeneralit. Do të mjaftonte vetëm ky veprim logjik dhe politik, që Gjeneral
Rahman Parllaku të vendosej në piedestal të vlerave kombëtare. Po mbushen
dhjetë vjet pas thirrjes, (Nëntor 2016, sot 2026), drejtuar kryetarit të
Kuvendit dhe të gjithë kryetarëve të partive politike, pjesëmarrëse në Kuvendin
e Shqipërisë. Një “Platformë pajtimi”, me vlera atdhetarie, që mund të
ndryshonte ndjeshëm ndjesinë dhe trashëgiminë e përçarjes politike që vazhdon
edhe sot e kësaj dite, si vazhdim i “Luftës së klasave”, trashëguar nga diktatura.
Më mbushet mendja, se ende paska burra që i dhimbset atdheu dhe kombi.
Shqiptaria s’paska vdekur.
Qofsha
i gabuar, por Gjeneral Parllaku është i pari dhe i vetmi që ndërmerr një hap të
tillë politik. Nuk di si ndjehen sot pjesëmarrësit në atë takim historik? - A i
vret sadopak vetëdija kombëtare...!? - Pse nuk vepruan për ta ndryshuar këtë
realitet të dhimbshëm...? - Kush i pengoi? – Pse heshtën si murgu në qeli....? -
Harrojnë se Partitë shkojnë e vijnë, ndërsa kombi rron në shekuj. Më keq akoma,
kur “përçarja”, i shërben interesit të Partive, apo interesit vetjak, (Një
bythë për karrigen e pushtetit).
Paçin
faqen e zezë....! Historia ndëshkon, nuk harron....! I madh bëhesh dhe i madh mbetesh,
vetëm kur i shërben kombit dhe mëmëdheut.
Mbase
e teproj, por libri po më shpon dhe po ma kujton diçka më shumë: - Unë, si pjesa
dërmuese e shqiptarëve, shpresuam se kjo plagë vrastare e përçarjes, e mbjellë
dhe e rritur për 50 vjet, do të mbyllej me “Pajtim Kombëtar”, që në ditët e
para të demokracisë. Nuk u bë as atëherë, as në ditët e sotme. Pyetja “Pse?”,
ngrin në buzë. Nuk dinin apo nuk donin.....!? E para nuk më bind, e dyta është
më e besueshme, por dhemb si plagë e pambyllur, sa herë preket.
Gjeneral
Parllaku e tha fjalën e tij. Ai ndërroi jetë, duke mos e parë të realizuar këtë
ëndërr shekullore, të dëshiruar nga të gjithë Shqiptarët.
.
Këndonjësi
nuk do të lodhet të gjejë në vazhdim, se duhet përmendur veprimtaria për një
kohë të gjatë, si anëtar themelues, më pas edhe drejtues i OBVL, prej gati 35-vjetësh.
Duke e bërë të njohur këtë organizatë, jo vetëm brenda vendit, me një numër të
madh anëtarësh, por të njohur edhe ndërkombëtarisht, në Ballkan dhe në botë, si
anëtare e denjë e 123 vendeve në “Federatën Botërore të Veteranëve”, ku
aderojnë rreth 150 milion anëtarë.
. Siç po vërej në libër,
mendoj se nuk duhet ta kaloj në heshtje, një tjetër fushë, ku Gjenerali
shpërfaq kulturën dhe guximin për të thënë të vërtetën. Bëhet fjalë për
publicistikën ku ka shumë artikuj të pasqyruar në shtypin e kohës. Një tregues
i shkëlqyer i përkushtimit ndaj problemeve madhore që kaloi dhe po kalon vendi
ynë. Një personalitet që gjithë jetën është marrë me veprimtari politike, nuk
mund të qëndronte indiferent, pavarësisht moshës që e mbushi dhe e kaloi një
shekulli jetë intensive.
. Nuk mund të rri pa
përmendur kohën e studimeve të Gjeneral Parllakut, në Akademinë “Vorshillov”, në
Moskë, nga më të njohurat në ish Bashkimin Sovjetik. Është një përvojë jete që
të lë pa fjalë dhe që mund të frymëzojë cilindo, veçanërisht të rinjtë. Këtu
preket dhe përjetohet gjatë, guximi dhe burrëria e një shqiptari, si Rrahman
Parllaku, i dalë pa shumë shkollë, nga rrethanat e jetës dhe nga lufta
partizane, i cili arin të mbarojë shkëlqyeshëm akademinë, duke ua kaluar edhe
atyre që kishin mbaruar akademi dhe shkolla ushtarake në vendet e tyre.
Besoj,
se si mësues që e nisa dhe e grisa jetën në arsim, mund të shprehem me një
kërkesë, që ua drejtoj kolegëve mësues e drejtues shkollash, sepse shumë herë
vuajmë të gjejmë heronj, të cilët mund të frymëzojnë nxënësit dhe të rinjtë
tanë. Shpesh shtyhemi të marrim shembuj edhe nga letërsia botërore. Mjerisht,
duke harruar heronjtë që i kemi në mesin ton dhe nga rrënjët tona. (shpesh për
mungesë informacioni).
Nuk
gaboj që po e rëndoj fjalën: Ky është faj, jo gabim. Janë strukturat që duhet
të mendojnë. Dikush duhet ta shtyjë më tej problemin dhe “heronjtë tanë”, të
gjejnë vendin e duhur në programet mësimore, në arsimi 9-vjeçar dhe atë të
mesëm. Përvoja pozitive në jetë, e vlen të përgjithësohet dhe përvetësohet për
të ecur përpara me forcën e mendjes, guximit, durimit dhe vullnetit.
. Duke tejkaluar zgjatjen
e shkrimit, besoj se e vlen të përmendet edhe një tjetër anë, ajo letrare dhe
krijuese. Gjeneral Parllaku i la si trashëgim letërsisë dhe historisë edhe dy
librat e tij: “Mirënjohje për familjet vlonjate, që më mbajtën si birin e tyre”
dhe “Kosova e lirë. Ëndrra e jetës sime”.
Besoj
nuk është pak...! Po a janë thënë të gjitha....!? Jam i bindur se ka ende shumë
për të thënë, për jetën edhe veprën e këtij “Heroi” që bëri epokë.
Mbeten profetike këto pak fjalë, si amanet për vete dhe
për ata që mund të njohin sado pak jetën dhe veprimtarinë e Gjeneral Rrahman
Parllaku:
-
“Në këtë jetëgjatësi, jam
përpjekur t’i shërbej me ndershmëri popullit dhe atdheut tonë të shtrenjtë”.
Koha do ta çmojë jetën dhe veprën e tij.....!
Urime autorëve Halil Rama dhe Sakip Cami! Një
vepër e tillë ju nderon!
Kadri Tarelli
Durrës. Mars 2026.
