Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Partia, repart i organizuar... i kryetarit

| E enjte, 26.03.2026, 06:56 PM |


PARTIA, REPART I ORGANIZUAR... I KRYETARIT

(Në vend të fejtonit)

NGA NDUE DEDAJ

Asgjë që ka të bëjë me politikën në Shqipëri nuk funksionon, si një lokomotivë e vjetëruar që i janë thyer ingranazhet e vetëm zhurmon e tymon. Sjellja politike është e njëjtë, si e të majtës, si e të djathtës. Askush nuk pipëtin në oborrin e dy partive, veç dy krerëve të tyre, që kacagjelohen paprerë mes tyre. Dikur ishte dhe ndonjë parti e tretë, por që tash është thuajse inekzistente. Kështu që fyelli i pluralizmit politik bie veç në dy vrima...

Dhe nuk lëshojnë pe kryetarët hijerëndë të partive, funksionarët e (pa)lodhur partiakë, propagandistët e zellshëm, militantët e palëkundur të partisë së socialistëve dhe ata të partisë së demokratëve. Zihen, grindën e shqyhen në tribuna, foltore parlamentare, studio televizive, rrjete sociale, në kafane, në autobus, në rrugë, kudo dhe kurdoherë. 35 vjet demokraci dhe sot asgjë e re nuk ndodh në frontin e politikës. Teksa në vitet e para ka pasur një laryshi politike. Forumet e partisë janë krejtësisht formale, zgjohen vetëm në fushatat elektorale, ato nuk kanë gjuhë, nuk thonë asgjë të veten, të gjithë luajnë “melodinë” e liderit. Njerëzit “jashtë kohë” janë individët as të majtë e as të djathtë. Ata nuk kanë një “strehë” ku të fusin kryet. Duke qenë kritikë konseguentë me të dy krahët, të majtët dhe të djathtët, duhet të përgatiten për të përballuar dy palë “heshta” shigjetuese...

Ky monizëm “dykrerësh” ngjet aq shumë me atë të djeshmin: liderë gjuhë-shthurur që nuk e shkojnë ndërmend lënien e postit, që kundërshtarin politik e shohin si armik të përbetuar, që i duan në rresht besnikët dhe cilido që guxon të thotë diçka ndryshe, kryqëzohet, fshikullohet, anatemohet, flakët jashtë radhëve. Partia është repart i organizuar... i Kryetarit. Ai e ka fatin tënd në dorë, ndanë postet, mandatet, tenderat, blerjen e mediave etj. Ai të bën të pasur ose të lë në varfëri. Nëse i duhesh për t’u përdoruar, të nxjerr nga hiçi e të bën ministër!...

Nuk ka konkurim politik, askush nuk kandidon përballë dy të mëdhenjve. As dje, as sot, as nesër. Kryetari vetë shkruan, vetë vulos. E keni para Asamblenë Kombëtare të socialistëve, apo Këshillin Kombëtar të demokratëve? Ku është ndryshimi, përpos ngjyrës së flamurit të secilës parti? Shahet kundërshtari vendçe. Nuk jepet asnjë alternativë zhvillimi. Asnjë program politik nuk afishohet. Dhe karvani shkon përpara. Lokomotiva tymon e tymos. Nuk ka qenë përherë kështu. Ka pasur brenda dhe jashtë forumeve partiake zëra të fortë kritikë. Ka dhe sot ish-ministra të mazhorancës që ngrenë problematika të rëndësishme të ekonomisë, diplomacisë, por askush nuk i dëgjon, pasi ata tashmë janë “revizionistë”. Historia e pluralizmit është e mbushur me plot përpjekje individësh politikë për t’i demokratizuar partitë, si djathtas, si majtas, për të drejtuar me idealizëm, për të krijuar frymë dhe standarde demokratike, për të reformuar në radhë të parë vetveten, qoftë dhe duke e “rishpikur” atë, por mjerisht ata janë flakur, ngaqë masa e partisë ishte populiste.

Nuk mund të bëhet debat politik askund dhe në asnjë nivel, sidomos mes partive kryesore, pasi palët janë në dy llogore dhe në llogore vetëm luftohet, nuk dialogohet. Që nga fillimet e pluralizmit, kur pati ndonjë rast, i keni parë më liderët kryesorë politikë të përballën nëpër studiot televizive? Po ministra të përballen me panele gazetarësh? Ministrat mund të flasin publikisht vetëm nga arratia, as nga burgu jo. Askush nëpër studiot e debateve nuk guxon të kritikojë të dy krahët njëherësh, pasi herën tjetër nuk do të kishte më vend aty. Kundraja politike është vetëm bardhë e zi! Si tash njëqind vjet, pavarësisht disa shkëndijave europianiste në politikë, herët e vonë, të politikanëve properëndimorë, që në një mënyrë a në një tjetër u fshinë nga skena politike një për një, që nga Gurakuqi, Malëshova e deri te Arbnori! Kemi vetëm një “shkollë partie”, atë të gjysmëshekullit të shkuar komunist dhe politika ka ngecur aty. Bëhet gjithçka për të qendruar vetë në pushtet! Një patologji tipike komuniste. Duke e njohur këtë etje të pakufizuar të njeriut për pushtet, bota e qytetëruar euro-atlantike ka vënë disa caqe, rregulla, norma, thënë ndryshe, disa kufizime të “lirisë” për të qenë vetëm njëri në pushtet.

Ne e dimë që kjo gjendje nuk ndryshom me këtë klasë politike, përgjegjëse për fatin e Shqipërisë që po braktiset dita-ditës, dhe nuk i shkrujmë këto radhë për të “ndryshuar” politikanët e sotëm dhe ndjekësit e tyre, por me shpresën se një klasë e re politike do ta zëvendësojë këtë të sotmen, krejtësisht të konsumuar. Është vetëm propagandë kinse hyrja në BE me këtë udhëheqësi politike, të djathtë dhe të majtë, pasi për mos-hyrjen janë përgjegjëse të dyja forcat politike.