| E marte, 24.03.2026, 06:59 PM |

BOMBARDIMET
E NATO-s DHE SHPËRNGULJA BIBLIKE
Shkëputje
nga libri: "Rugoven si e kam njohur", botim i UETPRESS-it, Tiranë
Nga Gani Mehmetaj
Në orën 20.00 të datës 24 mars të vitit 1999, presidenti i
ShBA-së, Bill Klinton, doli në ekran. Më të tronditur ishim ne që e ndiqnim,
sesa ai që do të shpallte fillimin e një lufte, fundi i së cilës nuk dihej. Të
gjithë shpresonin se ai do të jepte lajmin për nisjen e bombardimeve, zemra më
rrihte fuqishëm, m’u duk se do të më dilte nga gjoksi. As ata që më rrinin
pranë, nuk qetësoheshin, lëviznin me karrige, luhateshin apo shtrëngonin
grushtet. Dikush qau.
Klintoni, që në fjalët e para kumtoi se pas përpjekjeve për
zgjidhjen paqësore të konfliktit, në konsultim me aleatët, u vendos fillimi i
bombardimeve derisa të gjunjëzohej shteti mujshar. Ai vazhdoi të fliste për
shpëtimin e shqiptarëve nga gjenocidi, për aksionet humanitare, për fundin e
krimeve serbe, ndërsa njerëzit përqafoheshin në mes vete. Ndërsa të gjithë u
ngritën në këmbë me eufori, pa dashje më shkoi nëpër mend: Si do t’i bëhej
halli popullatës brenda rrethojave të hekurta! Si do t’ia bënin serbët pas
bombardimeve? Do të nisnin gjuetinë e shtrigave, apo do të hapnin kufijtë e do
të dëbonin popullatën? Televizionet jepnin pamje satelitore të caqeve serbe që
bombardoheshin, ndërsa ne i ndiqnim si të qemë tifozë futbolli, por të një
ngjarjeje më dramatike - nuk vendosej fati i një ndeshjeje, porse fati i një
kombi.
Disa u përpoqën të lidheshin me telefon me njerëzit e tyre,
atje ku shpërthenin bombat. Lidhjet e ngarkuara vetëm sa ushtonin, po bëhej
shurdhëri e frikshme. Për herë të parë, nisi të binte euforia e gëzimit për
bombardimet.
Gjithë natën e kaluam në kërkim të lajmeve të reja.
Televizionet sikur përsërisnin veten e njëra-tjetrën, me pamjet e njëjta dhe
raportimet e ngjashme. Na mbyste padurimi. Kërkonim diçka që s’ishte në
televizor, kërkonim imazhet e familjeve tona, brenda shtëpive, në dhomat e
mbyllura me errësim të detyrueshëm. Na e merrte mendja që rrinin të cucërruar
me veshët e mprehur për të kapur jo vetëm shpërthimet e predhave të
aeroplanëve, por edhe zhurmat më të vogla rrugëve të qytetit e korridoreve të
banesave. Të gjithë shihnim të tronditur nga ajo që po ndodhte, sidomos nga ajo
që mund të ndodhte. Diku nëpër rrugë e rrugica vraponin në errësirë ushtarët
serbë, në panik nga avionët e NATO-s.
Të nesërmen e të pasnesërmen, lajmet erdhën ogurzeza.
Paramilitarët e policët serbë hynin nëpër shtëpi e apartamente, dëbonin banorët
shqiptarë, flitej se nisën t’i zbrazin lagje të tëra. Dyert e shqyera e dhomat
në rrëmujë, stolitë e vjedhura e fotografitë - kujtime që do të digjeshin në
tërbimin e parë të flakëve të zjarrit.
Të paralizonte në tru pamja e banorëve, që braktisnin vatrën
të tmerruar. Disa prej tyre nuk arrinin të dilnin nga banesa. Pamjet e qyteteve
e katundeve të lëna shkretë, me kolonat e gjata të refugjatëve që u ngjiteshin
bjeshkëve e rrugëve të përbaltura, nisën të pushtonin ekranin e televizioneve
botërore.
Lajmet e cunguara vinin gjithnjë e më të frikshme, nga
burime të ndryshme. Ndonjë gazetar që raportonte duke iu ruajtur policisë
serbe, lajmëronte se lagje, madje qytete të tëra dukeshin fantazma, ku lëviznin
vetëm policët serbë e qentë e uritur. Policët tërboheshin, qentë e mbanin
veten.
Secili nga ne kërkonte familjen e vet në ndonjë imazh të
filmuar, në kolonat e refugjatëve. Tre fëmijët dhe gruan i kisha në Shkup,
ndërsa pjesa tjetër e familjes në Prishtinë e Pejë. Në fillim erdhën lajmet për
dëbimet nga Prishtina, nisi me lagjen periferike Sofalia, ku kisha shtëpinë. Dy
vëllezërit me familje u nisën maleve të Gërmisë, së bashku me banorët e tjerë
të lagjes. Bombardimet e krismat e pushkëve nuk u dhanë mundësi të merrnin
rrobat e duhura. Trupat serbe nisën bombardimet në lagje me artileri, kurse
kolonët serbë i ndihmuan me pushkë e mitraloza. Lagjja u zbraz për një kohë të
shkurtër.
Derisa bombardimet vazhdonin, telefonatat e pakta që arrinim
t’i kapnim na bënin me dije për grumbullim të popullatës së kryeqytetit në
Stacionin e Trenit. Thuhej se ishin mbi 50 mijë banorë, vetëm me çanta dore.
Pastaj na erdhën filmimet: mijëra gra, fëmijë e burra, të grumbulluar në
hapësirën e platesë e në fushën pranë shinave të trenit, shikonin të hutuar e
të tmerruar. Prej aty i nisën me trena drejt Maqedonisë.
Ditët në vazhdim lajmet vinin edhe më dramatike. Përmes një
burimi në Vjenë na erdhi lajmi se u ekzekutua avokati Bajram Kelmendi me dy
djemtë, u kap Fehmi Agani në trenin për Han të Elezit. Besohej se e vrau
policia serbe, në afërsi të Lipjanit. Prof. Agani kishte qenë nënkryetar i
LDK-së dhe pedagog universiteti. Pastaj u dha lajmi për vrasjen e kreut të
LDK-së, të intelektualëve më eminentë. U përmendën emrat e Xhemail Mustafës,
Alush Gashit, Fadil Hysajt...
Për Rugovën ende s’kishte asnjë të dhënë: Ishte strehuar në
ndonjë strehimore nëntokësore, apo rrinte në shtëpinë e tij? Në Prishtinë
strehimoret ishin të pakëta, kurse policia dhe ushtria serbe mund të futeshin
në to kur të donin.
Në vazhdim, se kush e shpërndau një lajm edhe më të
frikshëm. Mund të qe ndonjë telefonatë nga Kosova, nga zëdhënësi i NATO-s,
Xhimi Shia, apo dikush nga Dega e LDK-së në Austri, por dyshohej se krahas
grumbullimit të popullatës së kryeqytetit në Stacionin e Trenit në Prishtinë,
për t’i dëbuar në Maqedoni e Shqipëri, u tha se policia e ushtria serbe
grumbulluan mbi 20 mijë banorë në Stadiumin e qytetit. Ata do t’i bënin mburojë
kundër bombardimeve të NATO-s, ose do t’i pushkatonin një nga një a në grupe,
në shenjë hakmarrjeje, sipas modelit nazist. Ushtria serbe kishte bërë gjëra të
tilla në Luftën e Parë, kishin bërë gjëra të tilla edhe në Luftën e Dytë.