| E marte, 24.03.2026, 06:58 PM |
KUR HISTORIA TROKITI NË DERË:
“Liria erdhi—po a u
ndërtua shteti?”
Nga Frank Shkreli
Kujtime dhe emocione: Nga zbarkimi i delegacionit të parë
amerikan në Tiranë, 20 mars 1991 e deri
tek dështimet e zgjatura të tranzicionit shqiptar: një reflektim!
Kujtime dhe emocione
nga vizita e parë në Shqipërinë e posa dalë nga errësira komuniste gjysëm
shekullore – 20 mars 1991. Kjo ishte data e arritjes së delegacionit amerikan
të parë zyrtar në Tiranë.
Nga këndvështrimi i
një pjesëtari të delegacionit të Departamenti i Shtetit i SHBA, udhëtimi
drejt Shqipërisë në mars të vitit 1991, nuk ishte një mision rutinë diplomatik.
Ishte hyrje në një realitet të panjohur për dekada – një vend që sapo kishte
dalë nga izolimi më i thellë në Evropë.
Pas pothuaj 50-vjet
komunizëm, izolimi ideologjik dhe politik, Shqipëria priti 15 marsin 1991 --
rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të
Amerikës -- si një datë që do shënonte një kthesë historike për vendin. Me urdhër të Departamentit
Amerikan të Shtetit (DASH), një javë pas nënshkrimit të Memorandumit të (15
marsit 1991) në Uashington për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis
Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara -- pa vonesë, Washingtoni ka vendosur
të dërgonte delegacionin e parë diplomatik amerikan në Tiranë, “për përgatitjet
dhe hapjen e misjonit diplomatik,,,” amerikan në Tiranë.
Mendime të hedhura
Kujtime dhe emocione – Për mua, arritja ime në Tiraanë më 20-Mars, 1991, me
delegacionin e parë amerikan zyrtar në Shqipëri, plot emocione, nuk ishte vetëm
një kthim në tokën e të parëve të mi, që i përkiste jo vetëm një personi si mua,
por i përkiste edhe një brezi të tërë shqiptarësh, kundërshtarë të komunizmit,
të arratisur nepër botë, ç’prej Luftës së II Botërore dhe më vonë. Një brez që kishte jetuar larg atdheut, por për
dekada me mallin për atdheun e të pareve tanë, përjetësisht, të ndaluar ta
vizitonim tokën e shqipeve. Por, me 20 mars 1991, vetëm pak ditë pas ngjarjeve
historike të rivendosjes së marrëdhënieve
diplomatike SHBA-Shqipëri në Washington, (15, mars, 1991) toka shqiptare
e të parëve të mi, për mua, por jo vetëm, nuk ishte më një ishull i ndaluar, as
i izoluar më në hartën e Europës, por ishte një vend që sapo kishte filluar të
merrte frymë në liri e demokraci. Delegacioni ynë u nis drejt Tiranës më 19
mars, 1991 me një ndjenjë përzierje mes përgjegjësisë historike dhe kureshtjes
njerëzore. Mbërritja në një
botë të mbyllur -- që në momentin e zbritjes, ndjesia dhe
përvoja jonë ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i thjeshtë,
pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror. Gjithçka dukej
e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera
evropiane e amerikane; kishte një heshtje vrasëse që fliste më shumë se fjalët.
Një kthim në vendin e të parëve -- Për një shqiptaro-amerikan si unë, me origjinë nga
Shkreli i Malësisë së Madhe por i lindur në trojet iliro-arbërore sot nën Mal
të Zi, kthimi në Shqipëri pas dekadash në mërgim, nuk ishte thjesht një udhëtim
fizik. Por ishte një përplasje emocionesh: mall, dhimbje, shpresë, ndërsa duke
parë gjëndjen e mjeruar politike dhe ekonomike të Shqipërisë në vizitën tonë
mars/prill të vitit 1991, nuk e di se pse, por më mbuloi edhe një ndjenjë e
thellë përgjegjësie, “guilt feeling” në anglisht, një ndjejnë faji. Për mua, pra kjo vizitë nuk ishte vetëm një
mision zyrtar-shtetëror. Por ishte edhe një kthim shumë i vonuar në vendin e të
parëve të mi – një tokë që për vite me radhë kishte qenë e pa-arritshme,
pothuaj mitike, si për mua dhe për shumë bashkatdhetarë tanë. Shqipëria e
imagjinuar në mendjen time gjatë viteve nuk përputhej aspak me realitetin që
gjetëm në Tiranë dhe anë e mbanë atij vendi: një vend i varfër, i lodhur, megjithse
me një shpirt të pathyer. Ndërsa avioni i afrohej aeroportit të Tiranës, ndjeva
një përzierje emocionesh që është e vështirë të përshkruhet: mall, krenari, por
edhe një trishtim i thellë për kohën e humbur. Pse, duhej të ishte kështu,
pyesja veten.
Mbërritja në një botë të mbyllur--
Delegacioni ynë u nis nga
Washingtoni drejt Tiranës më 19 mars, 1991 ssisçp thashë më lartë, me një
përzierjeje ndjenjash tëtë pa kontrolluara mes përgjegjësisë historike,
misionit të detyrës profesionale dhe
kureshtjes njerëzore.
Që në momentin e
zbritjes, ndjesia ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i
thjeshtë, pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror.
Gjithçka dukej e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera evropiane e
amerikane. Aeroportin e Tiranës e kishte mbuluar një heshtje vrasëse që fliste
më shumë se fjalët.
Ballë-përballë me realitetin -- Shqipëria e marsit 1991 nuk ishte siç
paraqitej në revistat propagnadtiskie të Tiranës komuniste që i shpërndante anë
e mbanë botës për “sukseset” e komunizmit shqiptar dhe as ajo e kujtimeve të
trashëguara, apo e rrëfimeve të idealizuara të mia ose të tjerëve. Shqipëria
komuniste ishte një vend i xhveshur nga mjaft tradita, i rraskapitur nga varfëria, i zbehur nga
izolimi dhe i lodhur, shpirtërisht dhe fizikisht, nga abuzimet dhe vuajtjet e
njerzëve nga një regjim diktatorial
komunist që për pothuaj një gjysëm shekulli kishte shtypur lirinë dhe të
drejtat themelore të shqiptarëve – një regjim që nuk kishte shok në botë për
nga trajtimi barbar i shtetasve të vet. Frank Shkreli: Kështu e gjetëm
Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, 30-vjet më parë | Gazeta Telegraf – Një regjim që kishte izoluar
Shqipërinë nga bota dhe kishte shuar iniciativën dhe besimin e shqiptarëve ndaj
çdo të mire dhe vlerave, jo vetëm në vetveten, por edhe në besimin e tyre në
Zotin – një regjim që si asnjë tjetër në botë, kishte shpallur Shqipërinë, “si
vendi i parë ateist në botë”. Rrugët
ishin të heshtura, ndërtesat të zymta dhe njerëzit – megjithëse të etur për
ndryshim – mbanin ende, në sy dhe në fytyrë, hijen e frikës nga regjimi dhe nga
Sigurimi i Shtetit.
Rrugës nga aeroporti,
drejt qendrës së Tiranës, pamjet ishin tronditëse: ndërtesa gri, infrastrukturë
e rrënuar dhe një mungesë e theksuar e jetës ekonomike. Por edhe në këto kushte
të vështira politike dhe ekonomike, ajo që binte më shumë në sy ishte kontrasti
midis varfërisë së theksuar materiale dhe ngrohtësisë njerëzore me
bashkbiseduesit e rastit. Ato që mbeten më të gjalla në kujtesë
nuk janë sallat e mbledhjeve, as takimet zyrtare por kontaktet e drejtpërdrejta
me njerëzit e zakonshëm. Në rrugë, në hotel Dajti, apo në biseda të shkurtra
spontane me njerëz të thjesht, ndjeje një etje të jashtëzakonshme të tyre për
komunikim me njerëz të botës së jashtme.
Shumë prej tyre nuk kishin parë kurrë një amerikan. Kur mësonin se ishim
nga Shtetet e Bashkuara, reagimi ishte i menjëhershëm: kureshtje, respekt, por
edhe një lloj shprese që nuk mund të fshihej, megjithë frikën që ende kishin
nga regjimi komunist ende në fuqi. Por dallohej një dritë e re shprese se, më
në fund, liria po agonte në atdheun e të parëve të mi. Takimet me njerëzit mbeten ndoshta momentet më të fuqishme të vizitës. Nuk ishin ato zyrtare, por ato të thjeshtat:
shtrëngimet e duarve, përqafimet me të panjohur – që pasi merrnin vesh se unë
vija nga Zëri i Amerikës ku kam shërbyer për tre dekada -- më trajtonin si të
tyrin. Më kanë mbetur në mbresë sytë që mbusheshin me lot kur dëgjonin se një
delegacion zyrtar kishte ardhur, për herë të parë në Shqipëri në 50-vjet nga Shtetet
e Bashkuara të Amerikës. Ishte pra një Shqipëri që kërkonte të rilindte, dhe
njerëzit e saj, edhe pse të varfër në mjete, ishin të pasur në dinjitet dhe me
shpresë se ditë më të mira do agonin për veten, familjet e tyre dhe mbarë
Kombin.
Takimet zyrtare dhe nënteksti i tyre –Takimet me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ishin të
kujdesshme, shpesh të ngarkuara me formalizëm dhe një lloj pasigurie të
ndërsjellë. Ata po përpiqeshin të hapeshin ndaj botës, ndërsa ne përpiqeshim të
kuptonim se deri ku ishte real kjo dëshirë për transformim të vërtetë. Pas
dekadash nën regjimin e Enver Hoxha,
institucionet shqiptare mbanin ende gjurmët e një sistemi të mbyllur e fanatik.
Gazeta Zëri i Popullit, si organ i Partisë së Punës në pushtet, nuk raportoi
arritjen e delegacionit të parë amrikan në Shqipëri, deri pothuaj në fund të
vizitës, kur antarët e delegacionit takuan Xhelil Gjonin, 2-3 ditë para se të
ktheheshim në Washington. Megjithatë, pothuajse në të gjitha nivelet kishte
shenja të qarta se një epokë kishte marrë fund dhe një tjetër po përpiqej të
lindte.
Ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë – Për mua, ajo vizitë si pjesëtar i një delegacioni zyrtar
amerikan, në atë kohë dhe në atë vend, nuk ishte vetëm emocionale që më kujtote
historinë e tmershme të komunizmit në atë vend, vuajtjet e shumë familjeve që
njihja në mërgim, por njëkohsisht, ajo ishte, njëkohsisht, edhe një thirrje për
një të ardhme më të mirë për atë vend. Ishte një thirrje edhe për diasporën
shqiptaro-amerikane – si individë dhe si komunitet -- që në atë moment të
historisë, të mos mbetej spektatore, por të bëhej pjesë aktive e rindërtimit
moral, politik dhe ekonomik të vendit. Sepse
rënia e komunizmit – siç jemi dëshmitarë sot 35-vjet më vonë, nuk ishte fundi i
një beteje – por ishte vetëm fillimi i ngadalt i një prove shumë më të vështirë
e më të ndërlikuar -- e që është vendosja dhe ndërtimi i lirisë, vlerave të
demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut për të gjithë
shqiptarët, pa dallim, në një vend që nuk kishte parë as nuk kishte përjetuar
vlera të tilla në historinë e tij. Thirrja e atyre ditëve, ashtu siç është ende
edhe sot, 35-vjet më vonë, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, reklamohej ato
ditë në rrugët e Tiranës, e që vazhdon të mbetet një ëndërrë e pa realizuar e
shqiptarëve, sot e kësaj dite.
Një kujtim që mbetet -- 20 marsi i vitit 1991, nuk ishte vetëm një datë në
kalendarin e historisë shqiptare. Por ështe një moment i kthimit të shpresës, i
ribashkimit fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve nga kudo ishin por edhe e një
premtimi të heshtur se Shqipëria nuk do të mbetej më kurrë e izoluar nga bota
dhe nga bijtë e saj të përjashtuar e të dëbuar në mërgim -- të arratisur si
kundërshtarë të regjimit sllavo-aziatik komunist. Nga Washington, D.C. në Tiranë, historia e shqiptarëve në pragun e vitit
1991 nuk ishte thjesht një rrugëtim diplomatik por ishte një rikthim
shpirtëror, një ribashkim vlerash dhe aspiratash që kishin mbijetuar përtej
oqeanit dhe përtej dekadave të izolimit komunist. Në njërin kryeqytet, zemra e
botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
kishin ruajtur dhe kultivuar zërin e shqiptarëve përmes diasporës dhe
institucioneve si Zëri i Amerikës. Në
tjetrin, në Tiranë, një popull i tërë priste me padurim hapjen e një dere që
për shumë kohë kishte qenë e mbyllur me dry ideologjik.
Dhe për ata që patën fatin
e përjetuan atë kthim të parë si unë në atdheun e të parëve – ajo ditë dhe ajo
vizitë për mua mbetet një plagë e hidhur por e ëmbël, njëkohësisht: po, edhe si
një kujtesë e dhimbjes së krimeve të diktaturës komuniste por edhe e besimit
kokëfortë të një shprese kundër shpresës se çdo gjë do të bëhet mirë. Por edhe
një kujtesë e embël, gjithashtu, bazuar në një besim dhe shpresë më reale dhe
shpresëdhënëse për një të ardhme më të mirë, për të gjithë shqiptarët, pa
dallim, brenda dhe jashtë Atdheut. Se krimet e shqiptarit kundër shqiptarit, në
emër të komunizmit dhe të këqiat e regjimit komunist në Shqipërinë e shkeullit
XX nuk do të përsëriten më në ato troje iliro-arbërore.
Një moment që kapërcen gazetarinë
dhe diplomacinë – Dhe
më në fund, për ne si anëtarë të delegacionit, megjithë vështirsitë që hasëm
gjatë asaj vizite, mbeti bindja se kishim qenë dëshmitarë të një momenti
historik – një fillimi të brishtë, por të domosdoshëm për atë popull të vuajtur.
Hapja e ambasadës amerikane në Tiranë ishte më shumë se një akt diplomatik.
Ishte një simbol i fortë i kthimit të Shtetetve të Bashkuara në Shqipëri pas
5-dekadash dhe i kthimit të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar perëndimor,
aty ku e ka vendin historikisht, dhe njëherazi ishte edhe një një mesazh i
qartë se vet-izolimi komunist i Shqipërisë kishte marrë fund. Dhe se Shqipëria po me hapa të pasigurt por të
vendosur po shkonte drejt botës së vlerave demokratike. Për mua, si shqiptaro-amerikan dhe si anëtar i
atij misioni, ai moment historik mbetet ndër më të rëndësishmit e jetës sime.
Ishte një bashkim i identitetit personal me detyrën profesionale – një rast që,
rrallëherë, historia dhe jeta individuale, ecin në të njëjtin drejtim.
Kthimi për në
Uashington - Por ndërsa po largohesim
nga Tirana pas asaj vizitë historike për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ma
merrte mendja se ajo vizitë nuk ishte fundi i një udhëtimi, por fillimi i një
angazhimi më të madh – për të ndihmuar, për të dëshmuar dhe për të mos harruar
kurrë se ku ishin rrënjët e mia dhe të familjes time. U largova së andejmi edhe
me ndjenjën e falënderimit të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj për mua, kjo histori nuk
është thjesht një kapitull i lexuar apo i analizuar—është një përjetim i jetuar
dhe një kujtesë e paharruar. Si pjesë e atij delegacioni të parë amerikan që
zbriti në Tiranë në 20 marsin e vitit 1991, pata privilegjin të isha dëshmitar
nga afër i një kthesë historike për atdheun e të parëve të mi dhe për atdheun
tim të adaptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, mbi çdo vlerësim kritik
për atë që erdhi më pas, ajo vizitë mbetet një ndjenjë që nuk ndryshon:
mirënjohja e thellë për atdheun tim të adaptuar, Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, për mbështetjen historike të pavarësisë, të lirisë dhe vlerave të
demokracisë për Kombin shqiptar nga shpallja e pavarësisë e deri në ditë e
sotëme. Sepse në atë çast vendimtar të muajit mars, 1991, Amerika nuk ishte
thjesht një aleat, mike dhe mbrojtëse e vjetër e të drejtave të shqiptarëve -- por
ishte dhe mbetet si një “qytet që shkëlqen mbi një kodër”, sipas Ronald
Reagan-it. Si një një dritë orientimi për një popull që po dilte nga errësira e
komunizmit -- megjithse nuk pretendon të jetë vetë e përsosur. Fan Noli ka thënë
se “Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës”. Prandaj një komb që njeh historinë e tij, nuk
harron kurrë dorën që iu shtri në ditën e parë të lirisë dhe gjatë historisë. Sot
e 35 vjet më parë, liria erdhi për Shqipërinë, por sot pyetja është dhe mbetet aktuale:
a u ndërtua shteti i ligjit dhe i vlerave demokratike që shqiptarët donin e
dëshironin!?
Njerëz të ndryshëm mund të kenë përgjigje të ndryshme ndaj kësaj
pyetjeje, bazuar në bindjet e tyre politiko-partiake dhe në rrethanat e tyre
ekonomike. Megjithëate, sot, 35vjet më pas, kjo datë duhet të mbetet pikë
historike referimi. Ajo na kujton se demokracia nuk erdhi si dhuratë, por si
një mundësi që duhej ndërtuar me përpkjekje, përgjegjësi dhe vizion. Por mbi të
gjitha na kujton se marrëdhënia shqiptaro-amerikane nuk është dhe nuk duhet të
jetë vetëm një aleancë strategjike -- ndonëse edhe kjo e ka rëndësinë kritike
për mbijetesën e Kombit shqiptar – por të jetë mbi të gjitha një lidhje e
thellë vlerash dhe aspiratash të përbashkëta midis dy kombeve tona. Prandaj,
vizita e parë zyrtare amerikane e 20 marsit, 1991 nuk ishte thjesht një zbritje
turistike e rastit për katër amerikanë në aeroportin e (Rinasit) në atë kohë,
por simbolizonte edhe fillimin e një ngritjeje morale e politike të një Kombi
nga errësira komuniste gjysëm shekullore -- drejt një horizonti të ri lirie e
demokracie.

Këto
ishin disa kujtime dhe emocione personale
nga data e arritjes së delegacionit të parë zyrtar të Shteteve të Bashkuara në
Tiranë, 20 mars, 1991, pjesë e të cilit kam patur nderin dhe privilegjin të
isha edhe unë. Por siç kam zbuluar më vonë, kjo ka qenë gjithashtu edhe dita,
njëkohësisht, kur Sigurimi i Shtetit të regjimit komunist të Shqipërisë ka
mbyllur, zyrtarisht, Dosjen e mbajtur për mua – pasi isha ndjekur nga agjentët e
Sigurimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç dëshmon ky dokument nga Dosja
zyrtare, nxjerrë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)
